Njerëzit e punës/'Boshatiset' Infektivi, vetëm 20 të shtruar! Rrëfimi i Najada Çomos para se të marrë mandatin: Në spital derisa pacienti i fundit të fitojë betejën me COVID

TIRANË- Spitali Infektiv ishte i pari që priti e trajtoi te sëmurët më COVID -19 dhe për këtë shkak u quajt COVID-1.

 Që në fillimet e pandemisë Report Tv ka ndjekur nga afër herë pas here betejën e bluzave të bardha për të shpëtuar të prekurit nga koronavirusi. Report Tv u ka afruar shikuesve nga ky spital, trajtimin dhe përjetimet e të sëmurëve në kulmin e pandemisë.

Edhe sot kur Infektivi është i vetmi spital që pret e trajton të infektuarit, Report TV sjell atë cfarë ndodh në pavionin me 20 pacientë të shtruar.

Doktoreshë Najada, pas një kohe të gjatë, është fiks një vit e tre muaj, që kur rasti i parë erdhi pikërisht në Spitalin Infektiv. Gjatë muajve të fundit oborrin e kemi parë të mbushur plot me Urgjenca që vinin, sillnin të sëmurë të cilët kishin nevojë për ndihmën tuaj dhe të të gjithë mjekëve të Spitalit Infektiv. Ndërkohë sot e shohim situatën fatmirësisht krejt ndryshe, të qetë. Si mund ta përshkruani këtë eksperiencë?

Sigurisht vijmë pas një periudhe kohore një vit e tre muaj fiks, sikurse e thatë ju, sot. Një kohë e gjatë, e cila ka pasur brenda një mund dhe një punë të jashtëzakonshme të të gjithë stafit mjekësor të Spitalit Covid 1, dhe sigurisht këtu përfshihet brenda dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës që ka qenë prurësi i pacientëve me Covid-19. Për disa duket e largët, për disa duket e afërt, por sot jemi para një realiteti të ri që kemi një fluks të minimizuar të pacientëve që kërkojnë ndihmën për infeksionin nga Sars-Cov-2. Pra, realisht kemi ulje drastike të numrit të rasteve.

Momentalisht, sa pacientë ndodhen në Spitalin Infektiv që po marrin trajtim?

Atëherë, ndodhen rreth 20 pacientë të shtruar. Natyrisht një gjë dihet që në spital janë të shtruar kryesisht pacientët që janë të rënduar nga ana mjekësore, por ka edhe prej atyre që ndoshta mund të largohen nga spitali duke qenë se kanë shenja të stabilizimit, por në gjuhën mjekësore kur pacienti quhet mirë atëherë dhe vetëm kur largohet nga spitali.

Spitali Infektiv, i pari që u hap më 9 mars të vitit 2020 është i vetmi aktualisht që po pret pacientë të infektuar me Covid-19. Mjekët, i gjithë stafi shëndetësor janë në gatishmëri për t’i dhënë ndihmën çdo qytetari që ka nevojë.

Spitali Covid-1 është hapur i pari, do të mbyllet i fundit. Uroj dhe shpresoj që të jetë sa më afër dita që ne të mos kemi më pacientë me covid, por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të hapur për sa kohë do të jetë pacienti i fundit. Natyrisht që ajo që diskutuam pak më parë, që numri i pacientëve është reduktuar shumë, shumë, shumë, unë doja të thosha që një gjë është e rëndësishme që, ata që do të na ndjekin nëpërmjet televizionit tuaj që ende nuk janë vaksinuar, të shkojnë për t’u vaksinuar sepse është koha që të gjitha grupmoshat, sidomos ato që kanë sëmundje kronike, pra grupmoshat mbi 65 vjeç, ta mbyllin sa më shpejt ciklin e vaksinimit, paçka se pjesa më e madhe e tyre është e vaksinuar.

Cilat grupmosha duket se preken më rëndë tashmë nga virusi dhe kanë nevojë për trajtim spitalor?

Atëherë, një gjë është e sigurt, që në spital nuk kemi më të shtruar grupmosha që dikur ishin shumë më tepër sepse ato grupmosha janë të vaksinuara. Kemi dy apo tre prej tyre që nuk janë vaksinuar ndaj edhe unë thashë që të shkojnë edhe ata që ende s’e kanë kryer vaksinën për ta bërë vaksinën, por natyrisht mosha më e vogël është 19 vjeç, i shtruar në spital. Është realisht moshë shumë e re, është në gjendje më të mirë nga ana shëndetësore dhe në fund të fundit është e gëzueshme që është ulur numri i rasteve në mënyrë absolute, por nuk duhet të heqim vëmendjen nga mbajtja e masave që është mbajtja e maskës brenda ose ruajtja e distancimit të pjesshëm nga ana fizike sepse në fund të fundit nuk duhet të relaksohemi shumë me idenë që u minimizua numri i rasteve. Pra, këtë betejë të madhe që është drejt fundit duhet ta fitojmë së bashku dhe jo vetëm ne.

Duke qenë se përmendet edhe një rast, një moshë e re 19-vjeçar, që ndodhet i shtruar, ka sëmundje të tjera apo është thjesht një njeri i shëndetshëm mund të përkeqësohet kaq nga virusi?

Sigurisht që ky virus kishte preferenca më të mëdha për ata që kishin sëmundje kronike, por koha e tregoi, e gjithë pjesa e pandemisë botërore e tregoi që nuk u prekën nga COVID vetëm ata që ishin me sëmundje kronike. U prekën edhe ata që ishin të shëndetshëm dhe një pjesë e tyre nuk arritën dot që ta fitojnë betejën me covid edhe në mosha të reja.

Stafi shëndetësor që aktualisht po punon në Spitalin Infektiv, gjatë muajve të dimrit pati edhe një rekrutim më tepër të punonjësve shëndetorë pasi ishte e nevojshme. Aktualisht me çfarë kapacitetesh po punohet?

Natyrisht ju e dini sepse ju vetë si gazetare keni qenë çdo ditë në terren, e keni informuar teleshikuesin duke dhënë informacione korrekte dhe ajo që themi sot është që i gjithë ai staf mjekësor i rekrutuar, qoftë mjekë, qoftë infermierë apo qoftë sanitarë, sigurisht që një pjesë e tyre janë larguar nga spitali, janë pozicionuar në vendet e tyre të punës ose një pjesë vazhdojnë të punojnë diku tjetër sepse edhe pjesa e stafit mjekësor që ka qenë e shtuar për shkak të sëmundjes që ishte, tani sigurisht që është minimizuar dhe ne jemi kthyer pothuajse në stafin tonë autokton të sëmundjeve infektive. Dhe vetë rikthimi i këtij stafi tregon që është minimizuar puna por ka një gjë, nëse ne do të kemi përsëri shtim të numrit të rasteve, stafi që ka shkuar në vendet përkatëse të një pune tjetër profesionale, është i gatshëm për të ardhur. Uroj që ne të mos i thërrasim asnjëherë ata që të tregojmë që nuk do të kemi më pacientë me Covid-19.

Një vit e tre muaj sigurisht që nuk është një kohë e pakët dhe brenda këtyre mureve sigurisht që shumëfishohet. Ne kemi qenë prezent, ju shihnim që futeshit brenda këtij spitali dhe ndoshta me ditë të tëra nuk dilnit më. Si ka qenë puna juaj gjatë këtyre ditëve? Dhe ne dimë, se përgjatë këtyre muajve kemi mësuar edhe më tepër për ju, që keni pasur një lidhje mjaft të ngushtë me vajzën tuaj, e cila ju ka munguar më tepër gjatë kësaj periudhe.

Sigurisht, sikurse e thatë, kanë qenë muaj e muaj të tërë. Pra, kemi hyrë në vitin e dytë me numrin e pacientëve të menaxhuar në spital. Ulja e numrit të rasteve sigurisht na gëzon nga ana mjekësore, nuk na bën të harrojmë çfarë kaluam dhe nuk duhet harruar kurrë që i gjithë ky staf që ka punuar në spitalet covid meriton mirënjohje dhe falënderime maksimale, që nga doktorët, kryeinfermierët, infermierët, sanitarët, staf ndihmës, pra kushdo që ka ndërtuar dhe ka vënë dorën në çdo hap të pacientit me covid. Ka qenë kohë e gjatë, kohë e vështirë, një kohë e mundimshme, por me sa duket pjesën më të madhe e lamë prapa dhe kjo na gëzon neve si staf në total për çfarë kemi bërë dhe na gëzon edhe për pjesën e popullatës që të mos vijnë më nëpër spitale pikërisht për këtë sëmundje, se për të tjerat pa diskutim që spitali ka për të qenë i afërt, i hapur pas një kohe të shkurtër.

Momenti më i vështirë që mund të jetë fiksuar thellë në mendjen tuaj, pavarësisht se mendoj që mund të kenë qenë disa?

Në këto ditë të mira që jemi, edhe mendimet negative ose ato që kanë qenë të vështira fillon dhe i largon nga mendja, por ato janë vendosur brenda nesh për të mos u larguar kurrë. Por sigurisht njeriu, për të ecur përpara, duhet t’i minimizojë pjesët negative dhe të mendojë pjesët pozitive. Të mendojmë që na pret një 6-mujor i dytë më i mirë sepse po provohet javë pas jave që kemi ditë më të mira dhe të mendojmë mirë për atë që do të vijë në të ardhmen.

Marrëdhënia me pacientin si ka qenë? Ata vijnë, ju shohin juve dhe sigurisht ju njohin edhe nga televizori dhe ndoshta ndiejnë edhe pak më tepër qetësi kur shkoni edhe ju pranë tyre.

Kjo është e vërtetë. Edhe mua më gëzon ky fakt që unë jam pjesë, që bëj detyrën në fund të fundit, kjo është pjesë e detyrës sime, por nëse pacientët kënaqen kur të shohin është një vlerësim që bëjnë për ty si shef shërbimi apo thjesht në pozicionin e një doktori. Pra të gëzon fakti kur pacienti ndihet mirë brenda kushteve të spitalit dhe duhet thënë që pacienti ndihet mirë atëherë kur i shërbejmë të gjithë së bashku dhe jo kur i shërben vetëm një person dhe të tjerët nuk i shërbejnë. Pra shërbimi është në bllok për të gjithë pacientët, që nga momenti kur zbresin nga dera e ambulancës deri kur largohet nga spitali që është një grup i madh stafi që i shërben këtyre personave.

Pjesa më e madhe e dhomave në Spitalin Infektiv janë bosh. Nuk ka pacientë të cilët kanë nevojë për këto aparatura jetëshpëtuese. Në këtë situatë të pandemisë në vendin tonë, jemi në raportin ku më tepër qytetarë lënë spitalin sesa hyjnë në të.

Raporti sot, në këtë ditë që flasin, është që më shumë kemi dalje sesa hyrje. Pra balanca është në favor të atyre që largohen nga spitali dhe kjo është e rëndësishme. Ka ditë që numri i rasteve që shtrohen është 0 ose 1 ose 2 pacientë, gjë që ju në kronikat tuaja që keni dhënë apo ne në informacionet që kemi dhënë, ka qenë pjesa që ka pasur ambulanca numër të jashtëzakonshëm pacientësh por në fund të fundit, spitalet covid 1, 3, 4, 2 pa diskutim, i gjithë sistemi shëndetësor, për të thënë të vërtetën, e ka menaxhuar duke dhënë maksimumin e vet dhe kur ti jep maksimumin tënd për t’i shërbyer popullit tënd, besoj se e ke bërë detyrën mirë. A mund të përmirësosh diçka? Gjithmonë në një punë që bën ka diçka për të përmirësuar, por jo madhore.

Ne, gjatë buletinit që jep çdo ditë Ministria e Shëndetësisë, kemi vënë re që u bë disa kohë, disa javë që nuk kemi më pacientë të intubuar, që ky duket se është një faktor i mirë. Të paktën këta persona nuk po shkojnë deri në atë gradë, e cila sigurisht që është më e rënduar. E kemi mësuar edhe ne këtë nga aspekti mjekësor. Por fatmirësisht kemi pasur edhe një numër shumë të ulët viktimash. Ka pasur edhe ditë kur nuk kemi pasur asnjë humbje jete. Si duket ky raport te pacientët?

Sigurisht ky raport te pacientët është pjesërisht, sikurse e thatë edhe ju, ne kemi pasur pacientë të intubuar deri para 48 orëve. Duhet të dini se jo ku ka pacientë të intubuar situata është serioze, por mund të kesh pacientë që mund të shkojnë drejt intubimit. Pra kjo është një gjë e paparashikueshme që të thuash sot që nga numri i atyre që janë të shtruar asnjëri prej tyre nuk ka për të shkuar drejt ventilimit mekanik, por natyrisht ne si staf bëjmë gjithçka që ta menaxhojmë sa më mirë këtë situatë. Edhe në qoftë se duhet për t’u intubuar, pa diskutim që ke për ta bërë si veprim sepse është proces mjekësor. Ju siguroj se do të pakësohet numri i rasteve, por nuk do të ndodhë që nuk do të kemi të sëmurë rëndë. Pra, minimizohet numri i rasteve, por ata që do të vijnë në spital natyrisht që do të jenë ata që do të jenë më të rënduar nga ana mjekësore, por nuk ka për të qenë që të kesh të shtruar në spital dhe të jenë në gjendje të mirë shëndetësore. Një pjesë e tyre janë më mirë, por ka edhe nga ata, edhe sot që flasim, që janë të rënduar nga ana mjekësore.

Dhe ne urojmë që të bëhen sa më mirë dhe të kenë mundësinë që të gjithë të dalin sa më parë nga ky spital për të shkuar drejt familjarëve.

Faleminderit!

Ndërkohë, nga ana tjetër ka përfunduar transferimi i pacientëve nga “Shefqet Ndroqi” drejt Infektivit, apo jeni ende në një proces?

Sikurse është lançuar në javën paraardhëse, është thënë ardhja e pacientëve nga spitali covid 2, nuk kanë ardhur të gjithë, ka ardhur një pjesë, jo të gjithë sepse duhet të dini që transferimi në situata të cakuara nuk është shumë i thjeshtë për shkak të gravitetit që mund të kenë, por jemi në proces që besoj se brenda pak ditëve do të mbyllet, që vetëm në spitalin covid 1 të jenë të gjithë pacientët dhe të gjitha prurjet që janë qoftë nga spitalet rajonale apo kudo ku janë në Shqipëri dhe që kanë probleme me covid do të drejtohen për në spitalin covid 1.

Heroina e kësaj lufte të rrezikshme me Covid-19, profesoreshë Najada Çomo, tashmë pret të marrë mandatin si deputete e re në parlament, në muajin shtator. Por ajo do të vijojë të qëndrojë në këtë spital derisa pacienti i fundit të dalë.

Unë u vlerësova nga kryeministri i vendit zoti Rama dhe kryetar i Partisë Socialiste, për të qenë kandidate për parlamentin e ardhshëm. Sikurse e kam thënë edhe në intervista të tjera, e quajta vlerësim, e quajta surprizë, por në fund të fundit të përfaqësosh punën e gjithkujt që ka derdhur mundin, vite të tëra jete tashmë për pjesën e covid, është një nder dhe respekt dhe unë e quaj shenjë mrënjohjeje dhe shenjë detyrimi për t’i përfaqësuar sa më denjësisht. Për sa i takon pyetjes së dytë që, a do të jem unë në spital, sigurisht që do të jem. Kjo është pyetja që unë i jam përgjigjur rregullisht, derisa të fitohet beteja me pacientin e fundit.

Pra, të gjithë qytetarët duhet ta dinë që doktoreshë Najada do të jetë këtu dhe do t’i trajtojë të gjithë ata që kanë nevojë. Mund të japim edhe një mesazh të fundit? Ju e përmendët disa herë që është i rëndësishëm vaksinimi, beteja ende s’ka mbaruar, fatmirësisht jemi mirë, por kujdesi duhet të vijojë.

Atëherë, sikurse e diskutuam edhe pak më parë në pjesën që folëm bashkë, një mesazh kam për popullatën që vërtet është pakësuar numri i pacientëve që vijnë në spitalin covid, vërtet është pakësuar numri i personave të infektuar nga Sars-Cov-2, por përderisa ka pacientë të rënduar në spital, përderisa ka persona të infektuar, asnjëherë nuk duhet ulur vëmendja pavarësisht se masat janë relaksuar, që të rrimë 100% të qetë se ky proces ka mbaruar. Po mbaron, procesi i vaksinimit po ecën në mënyrë të përkryer. Duhet vazhduar dhe çuar sa më përpara si proces vaksinimi dhe vëmendja e njerëzve të jetë natyrisht me masat e dhëna natyrisht nga Instituti i Shëndetit Publik.

Doktoresha, shumë faleminderit për të gjithë informacionin që ndatë me ne për me publikun dhe sigurisht, edhe një mirëinformim për situatën aktuale.

Ne kemi bërë një intervistë bashkë përpara 2 viteve besoj, dhe ka qenë intervistë interesante. Kështu që edhe ti si gazetare ke evoluar shumë në këtë 2-vjeçar të pandemisë.

Ndonëse situata duket e përmirësuar në vendin tonë, spitali është thuajse i boshatisur, virusi vijon të mbetet prezent në Shqipëri, ndaj kujdesi duhet të vijojë nga çdokush, me shpresën që do t’i vijë sa më shpejt fundi kësaj lufte të vështirë dhe të gjatë që ka prekur Shqipërinë.

 

Rrefimi i plotë i Najada Comos 

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Atentat në Memaliaj, avokati Andrea Zotaj i shpëton breshërisë së kallashnikovit

Atentat në Memaliaj, avokati Andrea Zotaj i shpëton breshërisë së kallashnikovit