Report Tv zbardh dosjen/ Fakte dhe dëshmi për vrasjen e Eri Zefit, biseda me gruan dhe pabesia e shokut që e nxori në pritë! 13 telefonata me të arrestuarin

Report Tv zbardh dosjen/ Fakte dhe dëshmi për vrasjen e Eri Zefit, biseda me gruan dhe pabesia e shokut që e nxori në pritë! 13 telefonata me të arrestuarin

Mikel (Gjovalin) Alia dhe Eri Zefi

Report Tv ka zbardhur dosjen hetimore të Prokurorisë së Lezhës për vrasjen e 34-vjeçarit Eri Zefit, ekzekutuar në Mirditë më 2 tetor 2019.  Sipas dosjes së prokurorisë, në orën 19;36 të datës 1 tetor thuhet se ai ka hyrë i vetëm në një lokal në lagjen "Don Bosko" në Tiranë dhe është ulur në tavolinat e verandës. Nga pamjet filmike rezulton se i ndjeri komunikon në telefon në sekuencat filmike në orën 20.04 dhe 20.07, të cilat nga analiza e tabulateve telefonike të bëra, rezulton se ka komunikuar pikërisht me numrin celular 06* ****928, në posedim të Mikel (Gjovalin) Alia, shokë me viktimën që dyshohet se e ka nxjerrë në pritë, aktualisht i arrestuar nga policia.  Një ditë para vrasjes, Mikel Alia është lokalizuar nga antenta "Rr.Don Bosko", konkretisht në zonën ku ndodhet lokali ku pinte kafe viktima.

Në orën 20.07 menjëherë pas telefonatës me numrin 06* ****928, i ndjeri Eri Zefi ngrihet dhe del nga lokali. Gjithashtu nga analiza e të dhënave telefonike rezulton se numri telefonik celular 06* ****928, ka qenë në përdorim nga shtetasi Mikel Alia dhe numri telefon celular 06* ****848, ka qenë në përdorim të viktimës Eri Zefi, këta lëvizin në të njëjtën kohë nga qyteti i Tiranës, për në drejtim të Kurbinit, ku dhe logohen për herë të fundit në të njëjtën kohë ora 22;38;28, ku më pas të dy numrat celular janë jo-aktiv,  ç’ka tregon se kemi të bëjmë me një sinkronizim të veprimeve të viktimës me shtetasin Mikel Alia, thuhet në dosjen hetimore. Mikel (Gjovalin) Alia i cili është personi i vetëm i marrë i pandehur për vrasjen e 34-vjeçarit Eri Zefi në Zall Xhuxhe të Mirditës rezulton të ketë komunikuar 13 herë në telefon me viktimën.

Ndërkohë gjatë kësaj kohë viktima ka komunikuar dhe me bashkëshorten e tij Nazli Karagoz. Në deklarimet e saj ajo ka thënë se rreth orës 20;44, i ka shkruar në “Whats up” i ndjeri duke i thënë: “do hik sipër”, pra që unë e kuptova se ai po shkonte në Fan-Mirditë. Pasi e ka pyetur se me ke je, ai më ka thënë duke më shkruar "me dy shokë". Rreth orës 00;01, i ka shkruar në “Whats up”: “10 perqin baderi kam jet”. Dua të theksoj se fjalën “baderi”, bashkëshorti im nuk e ka përdorur kurrë, por përdorte fjalën “karikim” dhe dyshoj që mesazhin e fundit, mund të mos e ketë shkruar ai", është shprehur bashkëshortja.

Sipas organit të akuzës deklarimi i dhënë nga bashkëshortja e viktimës, përputhet me rrethanat e ngjarjes, nisur nga vendi ku është gjetur kufoma në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së kombit në Zall Xhuxhë të Mirditës. Kjo tregon se viktima është shoqëruar dhe tërhequr në kurth për t’u vrarë nga persona të njohur, deri në vendin e ngjarjes, i cili e ka kontaktuar duke e mashtruar se do të grabisnin lëndë narkotike “Cannabis Sativa”.

Personi që e ka kontaktuar viktimën në kohën që deklaron bashkëshortja e tij, pra rreth orës 19;20 ka zhvilluar bisedën e lartpërmendur, rezulton të jetë pikërisht shtetasi Mikel (Gjovalin) Alia. Gjithashtu rezulton se viktimës i është marrë edhe telefoni i tij celular, ç’ka përforcon edhe më tepër bindjen se autori ka patur si qëllim të zhdukë provat e komunikimit të tij me viktimën, si dhe në vendin ku është gjetur viktima nuk ka pasur lëndë narkotike.

34-vjeçari Eri Zefi u gjet i vrarë me armë zjarri rreth orës 14:00 të datës 2 tetor të vitit 2019-të në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së kombit në fshatin Zall Xhuxhe të Mirditës. Nga ekzaminimet e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes rezulton se viktima është qëlluar me katër plumba nga dy armë të ndryshme të cilat mendohet të jenë pistoletë TT. Në lidhje me këtë ngjarje është marrë i pandehur 42-vjeçari Mikel (Gjovalin) Alia dhe ndaj tij është ngritur akuza "Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armeve dhe municionit luftarak". Sipas prokurorisë është provuar se Mikel "Gjovalin" Alia bashkë me persona të tjerë e ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin për ta ekzekutuar, ndërsa vrasja dyshohet të jetë kryer për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës është i dënuar vrasje.

Dëshmia e bashkëshortes

Shtetasja Nazli Karagoz ka deklaruar se me datë 01.10.2019, rreth orës 19.20, ka qenë në shtëpi bashkëshorti i saj Eri Zefi dhe i ka thënë se do të takonte dy shokë në Tiranë, me të cilët do të shkonte në Fanë - Mirditë, për të grabitur bimë narkotike “Canabiss sativa”. Ajo shpjegon se ka komunikuar disa herë me bashkëshortin e saj nëpërmjet aplikacioneve me video, ku ka parë se ka qenë i ulur në një lokal në lagjen ku banojnë, duke pritur për tu takuar me shokët e tij dhe për herë të fundit ka komunikuar rreth orës 22.44, i cili i ka thënë se; “jam tu ikë për Fanë”. Më tej ajo ka shpjeguar se bashkeshorti i saj ishte në hasmëri me familjen e shtetasit Martin Ndreca, i cili është vrarë nga kunati i saj.

Është ripyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale bashkëshortja e viktimës shtetësja  Nazli Karagoz, e cila ka shpjeguar se. Në muajin Shkurt të këtij viti vëllai i Antonit shtetasi Ndue Zefi ka vrarë me armë zjarri në Durrës shtetasin Martin Ndreca, pasi janë konfliktuar në një lokal i cili është arrestuar pas ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në burg. Pas vrasjes kanë lëvizur me banim nga qyteti i Durrësit për në qytetin e Tiranës ku kanë marrë banesë me qira në zonën e Freskut për arsye sigurie, pasi familja e viktimës Martin Ndreca, nuk kanë pranuar të pajtohen.

Pas ngjarjes familja Ndreca ka lejuar të dalë nga shtëpia kunatin Nikolinin duke i dhënë besë gjashtë muaj, ndërsa bashkëshortin tim nuk e kanë falur, nuk i kanë dhënë besë që të dali nga shtëpia. Pas ngjarjes bashkëshorti ka jetuar me frikë, për shkak të gjakmarrjes. Ditën e diel, me datë 29.09.2019 se bashku me bashkëshortin, motrat e tij dhe kushërira e tij, kanë shkuar tek shtëpia e vjetër në fshatin Kimëz - Pukë, ku atë natë kanë fjetur në një fshat të Pukës, të një kushëri i Erit dhe janë kthyer ditën e nesërme në mëngjes.

Antoni ka punuar në një garazh mjetesh që e kishte marrë me qira, në Paskuqan-Tiranë, ku bënte tapiceritë e makinave. Ditën e Hëne me datë 30.09.2019, kanë pushuar në shtëpi deri nga dreka dhe pas dreke Eri ka shkuar tek puna dhe është kthyer në mëngjes rreth orës 05;00 dukë e thënë se kishte qenë në një lokal ku kishte festuar një rast gëzimi, me sa më tha një shokut të tij i kishte lindur një fëmijë. Me datë 01.10.2019, Antoni ka dalë nga shtëpia rreth orës 09;30-10;00, për të shkuar tek puna dhe është kthyer rreth orës 18;00. Pasi ka ardhur në shtëpi dhe ka qëndruar rreth një orë, me sa mbaj mënd rreth orës 19;00, ka komunikuar në telefon me një person dhe pas bisedës i ka thënë se: “Jam duke dalë për të takuar dy shokë për punë”. Pasi unë ngula këmbë duke i kërkuar arsyen se përse do shkonte me ata në atë orë të vonë, i ka thënë: “do shkojmë për të grabitur hashash në Fanë, me shokët që më telefonuan”.

Dëshmia e vëllait të viktimës që ndodhet në burg për vrasje.

Shtetasi Ndue Zefi i pyetur si person që tregon rrethana hetimi ka shpjeguar se, pasi ka ndodhur vrasja e shtetasit Martin Ndreca ka dërguar një person nga zona e Fanit - Mirditë tek familja e shtetasit Zef Ndreca për tu pajtuar dhe përgjigja e tyre ka qenë “që nuk do t'i falim” dhe vëllait Nikolinit i kanë dhënë 6 muaj besë, ndërsa vëllait tjetër Erit nuk i kanë dhënë besë asnjë ditë, po ashtu dhe djalit tim të mitur që është 9 vjeç, pra djali i tij dhe vëllai nuk kanë pasur të drejtë të dalin nga banesa sipas zakonit. Përpara dy muajsh kanë shkuar dhe e kanë takuar vëllanë dy shokët e tij Edison Ndoj dhe Gjovalin Alia të cilët i njihte prej kohësh, si dhe kanë pasur lidhje shoqërore me të. Ka dyshime se këta persona mund ta kenë tërhequr në kurth vëllanë për ta vrarë, por ai ka pasur besim tek ta, të cilët dyshon se janë paguar nga vëllezërit Ndreca. Shtetasi Edison Ndoj është kushëri më vëllezërit Ndreca (djem tezesh) dhe vendin ku është vrarë vëllai e dinë vetëm ata persona pasi janë rritur në atë vend.

Dëshmia e të pandehurit

Shtetasi Mikel Nikoll Alia, i pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprat penale të parashikuara nga nenet 78/1 dhe 278/1 të K.Penal ka shpjeguar se jeton në fshatin Domgjon Fan  - Mirditë së bashku me familjen tij. Me shtetasit Eri Zefi dhe dy vëllezërit e tij Nikolin Zefi dhe Ndue Zefi, kanë pasur marrëdhënie të mira shoqërore pasi janë nipa në fshatin Xhakës. Kanë pasur hyrje dhe dalje të rregullta familjare prej shumë vitesh.

Me datë 01.09.2019 është nisur në mëngjes herët nga fshati Xhakës për të shkuar në Tiranë dhe ka udhëtuar me makina të rastit të llojit furgon që vinin nga Kukësi dhe pasi ka arritur ne Tiranë tek rrethrrotullimi Shqiponja për të blerë disa pjesë eskavatori. Pasi ka blerë materialet është nisur për të shkuar në lagjen "Don Bosko" Tiranë për të pirë kafe, në kafen ku qëndronte shoku i tij Edison Ndoj i cili është nga Fani, janë ulur për të pirë kafe dhe kanë qëndruar shumë kohë. Pasdite pasi janë ndarë me Edison Ndojn dhe është nisur në këmbë nga lagjia "Don Bosko" për të shkuar tek furgonat e Kukësit që kishin stacionin pranë rrethrrotullimit "Shqiponja" Tiranë.

Pasi ka qëndruar një orë ka marrë në telefon në numrin e tij të cilin nuk e  mban mend rreth orës 19.00 pasdite të ndjerin Eri Zefin duke qenë se nuk kishte furgona për në Kukës. I ka telefonuar Anton Zefit që njihet dhe me emrin Eri Zefi duke i thënë se është tek furgonat e Kukësit dhe Eri Zefi i ka thënë se "po nuk gjete makinë prit dhe të çoj unë". Duke qenë se kaloi një kohë e gjatë dhe nuk po gjente makinë, kKa marrë në telefon Eri Zefin dhe i ka thënë për ta dërguar në Fan dhe duke qenë se po vonohej e ka marrë disa herë në telefon. Në dëshmi ai ka thënë se "kam hipur me makinë me Eri Zefin për të shkuar në Fan duke i rënë nga rruga automobilistike Rinas - Fushë Krujë - Fan".  

"Eri më ka dërguar deri tek dyqani i shtetasit Vitor Ndoj që ndodhet në qendër të fshatit Xhakez dhe kam zbritur nga makina, ku Eri ka ikur me makinë për në Tiranë".  Të nesërmen është nisur dhe ka shkuar në Mamurras në darkë, i ka telefonuar bashkëshortja duke i thënë se ka ardhur policia dhe po ju kërkon ju pasi është gjetur i vdekur Eri Zefi.

E.M./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Flamur Noka, Klevis Balliu e Tedi Blushi prinë militantët në përplasjen me policinë para bashkisë

Flamur Noka, Klevis Balliu e Tedi Blushi prinë militantët në përplasjen me policinë para bashkisë