Reportazh/ Nga 24 makinat e fundit te kostumet e kolosëve, pasuria e fshehtë e filmave shqiptarë! (VIDEO)

Në një qoshk të asaj çka ka mbetur nga ish-Kinostudioja "Shqipëria e re" pranë ish- Parkut të Makinave në krah të Ministrisë së Kulturës, bëhet beteja e përditshme për ruajtjen e një pjese të rëndësishme të kujtesës filmike. Veshje,  aksesorë, orendi, disa prej makinave të para që janë përdorur në Shqipëri për udhëheqësit e huaj e ata shqiptarë, e mandej në filma kanë kaluar një sërë sprovash ekzistenciale.

Ndërkohë që në këto ditë publiku shqiptar viziton koleksionin "fellinian" të ruajtur me sqimë në kryeministri, për “Report Tv” Nezir Selimaj tregon sfidat me të cilat duhet të përballen, që kjo pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të mos humbasë.

“Ish- Kinostudioja “Shqipëria e Re” ka qenë një fuqi e madhe sa i përket filmit. Ne kemi trashëguar, duke u transformuar si shoqëri aksionare, rekuizitën e ish- Kinostudios dhe pronat ku ushtronte veprimtarinë e vet, që ishin të konsiderueshme. Nëse nisesh nga inventar real në vite për shkak të keqadministrimit dhe për shkak të papërgjegjshmërisë për ta vlerësuar këtë pasuri, si trashëgimi dhe pjesë e saj, ato janë reduktuar ndjeshëm. Mund të them me keqardhje që janë dëmtuar dhe janë zhdukur vlera, të cilat janë krijuar me vështirësi dhe duhet të ruheshin për t’ia transmetuar opinionit të interesuar, si vlera të asaj periudhe. Por përveç keqadministrimit ka pas dhe arsye të tjera, si viti ‘97, siç më është thënë kur kam marrë detyrën, këtu janë hap dyert dhe plaçkitësit kanë bërë dëme në kostumografi, rekuizitë dhe sidomos tek trashëgimia auto”, shprehet Nezir Selimaj, administrator i “Albafilm”.

Ndonëse për shkak të tranzicionit, ndryshimeve të dhunshme të sistemeve një pjesë e konsiderueshme është dëmtuar apo ka humbur, Selimaj flet për përpjekjet për të ngjallur vëmendjen e publikut dhe atë institucionale ndaj asaj që ka mbet, 24 makina dhe mijëra artikuj të tjerë kinematografikë, që sot administrohen nga “Albafilm” në 8000 metrakatror.

“Një sërë mjetesh relike që u zhvendosën u hodhën si mbetje rrugëve dhe shkurreve, që rrethonin territorin e ish- Kinostudios. Për shkak të natyrës dhe specifikës së “Albafilm”, ne vetëfinancohemi dhe sigurojmë të ardhura përmes aktivitetit tonë ekonomik, kryesisht nga qiradhënia. Për shkak të qiradhënies dhe të aktiviteteve të shumta që janë në territorin e ish- Kinostudios, ka ndodh që një pjesë e këtyre pronave të marra me qira, me afat të gjatë për shkak të mundësisë dhe të së drejtës që jep ligji për të plotësuar kushtet për ta privatizuar, një pjesë dhe është privatizuar. Aktualisht si territor ka mbetur pak, rreth 8000-9000 metrakatror. Është ish- Parku i automjeteve dhe një pjesë e territorit përreth tij, 5000 metra hapësirë e gjelbër, ngjitur me Ministrinë e Kulturës”, thotë Selimaj.

Një park i vizitueshëm “Arti”, do të ishte sipas tij zgjidhja më e mirë jo vetëm për mirëmbajtjen, por edhe për ta bërë të aksesueshme tek publiku. Po ashtu ky koleksion do vinte në ndihmë edhe filmave të rinj, që po bëhen duke prekur Shqipërinë e së kaluarës.

“Ne kemi inventarizuar në mënyrë ligjore çdo gjë që kemi gjetur këtu. Ka shumë rëndësi ruajtja e secilit objekt, që të etiketojmë gjendjen, por dhe të saktësojmë se kujt i përkasin kostumet, rekuizita edhe autot. Janë mijëra artikuj; kostume popullore, veshje të krahinave të ndryshme, kostume ushtarake që i kemi ruajt, për t’u trashëgohen në të ardhmen.

Një iniciativë e Ministrisë së Kulturës është të ndërtohet një Park “Arti”. Kështu tërë kjo pasuri do të jetë e vizitueshme nga kushdo që ka interes. Ky Park, së pari, do t’i jap një pamje tjetër ambientit, duke sjell imazhin e një trashëgimie me vlera. Së dyti, kjo ndikon dhe në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Së treti, Parku i Artit mund të jetë si një vend qetësimi edhe frymëzimi për të rinjtë”, përfundon Selimaj.

Dashamir Canameri , prej mëse 20 vitesh përkujdeset për makinat që në vitit ’50 përdoreshin  në  prodhimet kinematografike. Na rrëfen për secilën prej tyre se në cilët filma kanë qenë edhe kush i ka përdorur.

Një prodhim i viteve ’50, do të përdorej tek filmi “Plumba perandorit” me regji të Mevlan Shanajt, por edhe në delegacionet pritëse të rangut të lartë, si Chou En-Lai apo Mao Ce Dun.

Makina tip cadillac na rikujton lidhjen e fortë për gjysëm shekulli të ish-diktatorit të Kubës, Fildel Kastro me ish- diktatorin shqiptar Enver Hoxhën. Makina e viteve ’55-‘60 e dhuruar nga Fidel Kastro vendit tonë u përdor edhe gjatë vizitës të dytë, që Çu En Lai në Tiranë në vitin 1966. Përpos që ka shoqëruar delegacionin në paradën që ai bëri në Tiranë, mjeti më pas i’u kalua Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe u përdor edhe në filmin “Gracka”.

E të tjera makina, janë përdor në të dy sistemet, gjatë regjimit komunist tek “Balle për ballë” me regji të Kujtim Çashkut, “Kapedani” i Muharrem Fejzos, “Gracka” me regji nga Saimir Kumbaro, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Zonja nga qyteti” i Milkanit, “Gjeneral Gramafoni” i Viktor Gjikës dhe pas viteve ’90  tek “Lindje perëndim Lindje” të Gjergj Xhuvanit dhe “Gjoleka, djali i Abazit” me regji të Dhimitër Anagnostit.

Në vitet ’60 kinezët do të bënin një tjetër dhuratë për Enver Hoxhën, që është “Flamuri i kuq”.

“Ky është një “Flamur i kuq” që ka ardhur në Shqipëri kur është hap ekspozita, kur u mbyll ekspozita ia bënë dhurate kinezët Enver Hoxhës. Në janar të 2020-s, kjo makinë është përdorur në filmin “Gjirokastra” me skenar të Ismail Kadaresë dhe regji të Juri Arabov, prodhim kinematografik, që ka në qendër jetën e ish drejtuesit totalitar të shtetit shqiptar për gjysëm shekulli”, shprehet Dashamir Canameri.

Fillimi i industrisë së kinematografisë sonë u shënua në 10 korrik të vitit 1952 me inaugurimin e ndërtesës së ngritur nga sovjetikët, ‘Shqipëria e Re’ nga vet Enver Hoxha. Filmi i parë artistik “Skënderbeu” me regji të Sergei Yutkevich u realizua në vitin 1953 falë bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik.  Nga filmit i parë në Shqipëri, “Tana”  me regji të Dhimitër Anagnosit, realizuar në vitin 1958 deri në vitin 1995, janë prodhuar 270 filma me metrazh të gjatë, 700 dokumentarë dhe 150 filma të animuar.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 22/09/2020 03:16

    Duhet qe Kinostudioja ti kthehet industrise se filmit dhe te rilinde nga e para.Min.e Kultures le te ndertohet te Bulevardi I Ri.Nuk do ishte keq qe te ngrihej nje muzeum ku te perfshihej dhe nje arkiv-depo per ruajtjen e kesaj trashegimie,si ai ne California.Ne fakt e tere industria e filmit duhet ringritur nga e para,jo se filma nuk behen,por jane shume te dobet,dhe te harrueshem.Nuk e kuptoj,perse kineastet tane nuk bejne filma bazuar ne librat me te mire,apo me te famshem,sic ben gjithe bota?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës