Rezart Taçi kërkon që çështja e tij për pastrim parash të transferohet në Itali

Rezart Taçi kërkon që çështja e tij për pastrim parash të transferohet në Itali

Rezart Taçi, ish-biznesmeni kontrovers i naftës i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme…, SPAK për pastrim parash dhe grup të strukturar kriminal, kërkon që çështja penle në ngarkim të tij të transferohet në Itali. Këtë kërkesë e parashtroi të hënën më 24 qershor gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Ilenja Mëhilli.

Kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri sqaroi në fillim të seancës se Taçi nuk ishte gjendur në banesën e tij, ndërkohë që nga sistemi TIMS rezulton se është larguar nga Shqipëria prej vitit 2015 – konstatime që janë bërë me dije dhe në seancat e mëparshme. Prokurori Klodian Braho tha se tashmë janë shteruar gjithë mundësitë e njoftimit të Taçit dhe në kushtet që ai përfaqësohet me avokatë në gjykim, kërkoi që të deklarohet vijimi i procesit në mungesë të të pandehurit.

Avokatja Mëhilli vërejti se është vërtetuar me dokumentacion se i pandehuri është me leje qëndrimi të përjetshme në Itali që prej vitit 1993 dhe se duhej të ishte lajmëruar dhe në adresën jashtë shtetit.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Elsa Ulliri, Etleva Deda dhe Marçela Shehu, i konsideroi të plota kërkimet dhe deklaroi vijimin e gjykimit në mungesë të Taçit, i cili krahas avokates së zgjedhur prej familjes së tij, do të mbrohet edhe nga avokati Artan Simoni, i caktuar kryesisht nga gjykata.

Por, një kërkesë e avokates Mëhilli për transferimin e çështjes së Rezart Taçit në Itali, solli shtyrjen e seancës. Avokatja solli në vëmendje se çështja ndaj tre shtetasve italianë të akuzuar si bashkëpunëtor të Taçit në pastrimin e parave, ishte vendosur prej një tjetër trupi gjykues që të transferohej në Itali.

Prokurori Braho tha se nuk mund të ketë krahasim, pasi tre të pandehurit e tjerë janë shtetas italianë.

Në vijim, avokatja Mëhilli argumentoi se transferimi bëhej kur në shtetin tjetër i pandehuri ishte proceduar për të njëjtën ngjarje dhe ishte rezident atje, pavarësisht nënshtetësisë që gëzonte. Ajo theksoi se ndaj Taçit ishte dhënë vendimi në Itali nga shkalla e parë, që e kishte dënuar për të njëjtat vepra penale.

Ajo paraqiti dokumente të gjykatave italiane, duke pretenduar se vërtetonte dënimin e Taçit atje, por gjykata konstatoi se nuk ishin të pajisura me vulë apostile. Mëhilli kërkoi kohë që të mundej ti pajiste dokumentet me vulë apostile dhe t'i dorëzonte në gjykatë, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues që caktoi zhvillimin e seancës së radhës më datë 4 korrik, në orën 14:00.

Rezart Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në nëntor të vitit 2021, pasi u  akuzua se ishte përfshirë në një operacion financiar për fshehjen e mbi 18 milionë eurove nga konfiskimi në Itali dhe pastrimin e tyre në Shqipëri.

Më 25 prill 2023, Gjykata e Posaçme deklaroi fajtorë dhe dënoi dy të besuarit e Rezart Taçit në këtë veprimtari kriminale, Artur Ballën dhe Bledar Lilon, vendimmarrje që u la në fuqi nga Apeli në muajin tetor, po të vitit të kaluar.

Sipas hetimit të zhvilluar nga drejtoria Antimafia në Prokurorinë e Palermos dhe nga SPAK, operacioni financiar për pastrimin e parave është shtrirë në Itali, Zvicër dhe Tiranë. Atëherë u raportua se si pjesë e këtij operacioni përfundoi në arrest shtëpiak sipërmarrësi 90 vjeçar italian, Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”.

Prokuroria e Palermos arrestoi gjithashtu kontabilistin Fabio Petruzzella, vëllai i një magjistrati palermitan që jeton dhe punon në Milano. Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe ish-bosin shqiptar të naftës, Rezart Taçi.

Transaksionet bankare të kryera nga të arrestuarit në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, janë realizuar pjesërisht pas ndërhyrjes së SPAK dhe sekuestrimit të 18 milionë eurove.

Rezart Taçi njihet si biznesmen hidrokarburesh prej dy dekadash, por kulmin e tij e arriti gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet 2005-2013, kur përmes një procesi të paqartë, ai arriti të blente kompaninë e përpunimit të naftës, ARMO, që e dorëzoi më pas tek azerët, me një mal me borxhe./BIRN

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Tërheqja e Biden, reagon Kremlini: Duhet të monitorojmë se çdo të ndodh më pas

Tërheqja e Biden, reagon Kremlini: Duhet të monitorojmë se çdo të ndodh më pas