Robelli: A jeni tronditur kështu në 1999, 2000, 2001, 2003, 2004? Jo! Andaj silleni me hipokrizi tani

Robelli: A jeni tronditur kështu në 1999, 2000, 2001, 2003, 2004? Jo! Andaj silleni me hipokrizi tani

Sapo mbaroi lufta, filloi tmerri. Kësaj radhe shqiptarët kundër shqiptarëve dhe pakicave etnike. Në Dukagjin nisi – në të vërtetë – një luftë vëllavrasëse. Vriteshin njerëz në pikë të ditës e në pikë të natës. Vriteshin në fshatra, vriteshin në Pejë. Vriteshin ushtarë të FARK-ut, pastaj vritej vëllai i Ramush Haradinajt, edhe ky në pikë të ditës. Ngatërresa shumëvjeçare mes klaneve Musaj dhe Haradinaj me vite të tëra ka mbushur faqet e mediave perëndimore. Më 11 nëntor 2000 revista «Das Magazin» e Zürichut citonte Sadik Musajn me këto fjalë: «Njërit prej atyre burrave ia kapa granatën e dorës nga rripi, ia shtyva pushkën, dikush hapi zjarr kundër murit, unë kërceva shpejt pas një veture dhe e hodha bombën – gjatë atij eksplodimi u plagos Ramushi».

Sa kanë mbetur gjallë nga familja Musaj, pjesëtarët e së cilës në mediat zvicerane përshkruhen si «plaçkitës të dhomave të fjetjes»? E di kush? Mario Etzensberger, drejtor i Klinikës Psikiatrike në Königsfelden (kantoni Aargau i Zvicrës) që në vitet ’90, duke folur për vëllezërit Musaj, deklaronte: «Këta keqbërës po zhvillojnë luftë kundër botës perëndimore. Pas hapjes së kufijve me Lindjen ata po e shohin në çfarë mirëqenie jetojmë ne në Europën Perëndimore. Me brutalitetin e tyre duan të na poshtërojnë». A është tronditur dikush kur ndodhnin këto tmerre? A është tronditur dikush kur pushkatoheshin ushtarë të FARK-ut dhe kur lufta e bandave për pushtet i ngjante përleshjeve në lagjet më të rrezikshme të metropoleve latinoamerikane?

A shqetësohej ndokush kur gjykatësit e Tribunalit të Hagës ankoheshin se në rastet e komandantëve të UÇK-së dëshmitarët papritmas mbyllnin gojën? Vinin dëshmitarët në sallën e gjykatës dhe tërhiqeshin nga dëshmia. Shkonin njerëz deri në Skandinavi për të kërcënuar dëshmitarë. Dikush vriste veten. Alarmonte Këshilli i Europës se në Kosovë dëshmitarët janë të kërcënuar dhe opinioni qëndronte duarkryq. A e pengonte ndokënd në Kosovë kur juristët e Gjykatës së Hagës theksonin se strukturat klanore të shoqërisë kosovare e bëjnë pothuaj të pamundur që dëshmitarëve t’u sigurohet anonimiteti? Kur në Kosovën qendrore dilnin njerëz në rrugë dhe ia bënin publik emrin një dëshmitari të mbrojtur, duke e stigmatizuar si tradhtar, pakkush brengosej.

Askush nuk ia mohon Ramush Haradinajt meritat për çlirimin e Kosovës. Madje edhe në mesin e diplomatëve perëndimorë ka shumë të tillë që kanë simpati për gjeturinë e tij si politikan, për talentin e një djali të rritur në një botë konservatore që gati lehtësisht përvetësoi rregullat e salloneve diplomatike, mësoi gjuhët e huaja, tregoi vendosmëri e përkushtim në punë. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana e ndritshme. Por biografia e Haradinajt është kundërthënëse. Gjykata e Hagës ka arritur në përfundimin se në zonën që e ka komanduar ka pasur burgje, ku janë keqtrajtuar njerëz. Një bashkëluftëtar i tij është dënuar me gjashtë vjet burg. Sa i përket pasluftës: si shumica e komandantëve të UÇK-së edhe Haradinaj ka lëvizur e vepruar në një terren që shteti ligjor nuk do duhej ta toleronte.

Pas përleshjes rreth mesnatës në oborrin e familjes Musaj, Haradinaj mbeti i plagosur dhe një helikopter amerikan erdhi me shpejtësi për ta evakuuar. Pastaj amerikanët e dërguan për shërim në spitalin ushtarak afër Landshutit në Gjermani. Tash kohërat kanë ndryshuar dhe avionët dhe helikopterët amerikanë mund të vijnë vetëm për të kryer ndonjë operacion arrestimi. Kanë ndryshuar kohërat, por nuk ndryshuan komandantët e UÇK-së, pa marrë parasysh se në cilën parti bënë karrierë. Kosovën e panë si shans të tyre jetësor për ta plaçkitur. Gati secili prej tyre ka vetëm një hall: drejtësinë ndërkombëtare dhe ruajtjen e pasurisë së fituar paligjshëm. Andaj edhe gjestet spektakulare të dorëheqjes – siç ishte rasti dje me Haradinajn – duhet marrë me rezervë. Sigurisht është veprim i duhur, por pas këtij veprimi fshihen edhe kalkulime elektorale me poza viktimizimi.

Kthehemi sërish në vitet e para të pasluftës: a shqetësohej ndokush kur në qendër të Prishtinës i vihej flaka një veture të një familjeje serbe dhe digjej i gjallë një njeri? Kur vritej një bullgar vetëm pse pyeti dikë në gjuhën e tij sa është ora? Kur kidnapoheshin civilë serbë? Në verën e vitit 1999 gazeta «Koha Ditore» (e pastaj edhe revista gjermane «Der Spiegel») raportonte se si një turmë fëmijësh kishin «zbuluar» një njeri në Prishtinë që fliste serbisht. Turma e kriminelëve iu vu pas atij njeriu, e grushtuan me sa forcë patën, e lanë të përgjakur dhe filluan të tregojnë anekdota. Cili ishte krimi i atij njeriu? Ishte goran. «Ku mbeti morali shqiptar?», pyeste atëherë «Koha Ditore» në një titull.

Më 23 nëntor 2000 u vra në qendër të Prishtinës Xhemail Mustafa. Vrasësit e tij nuk janë arrestuar kurrë. Në atë kohë në Prishtinë e kudo në Kosovë vrisnin e grinin «ministrat» e komandantët nga «Qeveria e Përkohshme», djem të etur për hakmarrje, mizor dhe të bindur se ata qëndrojnë përherë mbi ligjin. Ata sot i gjeni në gati çdo parti. Në një fshat të Drenicës u vra Haki Imeri, në çantë kishte disa ftesa për një Kuvend të Lidhjes Demokratike të Kosovës. U vra Ismet Rraci, kryetar i komunës së Klinës. U vra deputeti i Kuvendit të Kosovës Smajl Hajdaraj – u vra duke hyrë në banesë, ndërsa në duar kishte disa litra qumësht që ia kishte dhënë nëna për t’ua sjellë fëmijëve.

Për t’ua mbyllur gojën dëshmitarëve potencialë, presidenti aktual i Kosovës vrapoi gjithandej për t’i dekoruar ata me medalje. Dhe disa prej tyre i pranuan medaljet dhe mbyllën gojën. Kështu vendoset drejtësia në Kosovë. Në fillim të shtatorit të vitit 2000 u vra arkitekti Rexhep Luci. Ai kishte punuar mbi 30 vjet në komunën e Prishtinës, ishte një profesionist që u përpoq të kundërshtojë mafinë ndërtimore.

Për dy dekada shoqëria e Kosovës ka heshtur, ka qenë indiferente ndaj krimeve, nuk ka treguar kurajë civile për t’u ballafaquar me strukturat e errëta. Kjo shoqëri dhe elitat parapolitike janë tallur kur Dick Marty, i ngarkuari i Këshillit të Europës për të hulumtuar krimet e disa krerëve të UÇK-së, erdhi në Prishtinë dhe kërkonte të takojë përgjegjësit politikë. «Hajt se luajmë ne me Amerikën si macja me miun, ndërsa Europën nuk e pjerdhim fare» – kjo ka qenë parulla e shumë politikanëve të Kosovës të dalldisur nga pushteti, paraja dhe pazaret. Kjo dalldi nuk po merr fund. Edhe sot kërcënohen njerëz që thonë se pas luftës u vranë me dhjetëra njerëz të pafajshëm, kryesisht aktivistë politikë. Ata u vranë për të shtruar rrugën drejt marrjes së pushtetit. Kur erdhën në pushtet, filluan t’i blejnë ata që e shesin lëkurën lehtë, mes tyre edhe një shtresë intelektualësh syuritur të lagjeve të Prishtinës.

Nëse ndokush, helbete, merr guximin e thotë se ndonjë pjesëtar i UÇK-së mund të ketë gabuar rëndë dhe të ketë vrarë edhe ndonjë civil serb apo rom, atëherë priteni lukunitë duke u vërsulur. Çka do t’i ndodhte një shqiptari nëse dëshmon për ndonjë krim të kryer ndaj pjesëtarëve të pakicave? Do të shpallej tradhtar me familje e fis, do lëçitej, do përjashtohej nga kjo shoqëri, do të detyrohej të kërkonte shpëtim në botën e jashtme. Përse shumica e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale po mbahen në vendet perëndimore? Përse këto vende po harxhojnë miliona për t’iu siguruar atyre identitet të ri? Refreni penetrant i disa komandantëve për «luftën e pastër si loti», «luftën e shenjtë», «betejat legjendare» tregon mungesën e vullnetit për t’ia hequr njollat UÇK-së. Rezistenca e armatosur kundër regjimit serb pa asnjë dilemë ka qenë e drejtë dhe legjitime pasi lëvizja paqësore e humbi kontaktin me popullin dhe u diskreditua, u fundos në rutinë, konformizëm dhe shkurtpamësi. Meqë lufta nuk është kurrë «e pastër», por e përgjakshme, me shumë vuajtje e dhimbje, gati përherë ka njerëz që shkelin ligjet e luftës. Të tillët nuk e kanë vendin në politikë, por para turpit gjykues. Aty le ta dëshmojnë pafajësinë – e nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, rruga e mbarë në qeli.

Refuzimi pothuaj kolektiv i shoqërisë kosovare për të ndëshkuar një numër shumë të vogël të të dyshuarve për krime të luftës, refuzimi madje për të pranuar se ndokush mund të ketë kryer krime të luftës e solli së pari Raportin e Këshillit të Europës mbi krimet eventuale të një grupi të UÇK-së, pastaj Raportin mbi kërcënimin e dëshmitarëve (po ashtu të Këshillit të Europës), mandej një prokuror amerikan hetoi edhe njëherë të gjeturat e Raportit të Këshillit të Europës dhe arriti në përfundim pothuaj të njëjtë si politikani zviceran Dick Marty.

Çfarë është pritur në Kosovë se do të bëjë bashkësia ndërkombëtare? Do të tërhiqet dhe thotë: vazhdoni ju se jeni shumë të mirë dhe edhe më të mirë e më fisnikë i keni liderët politikë. Kështu nuk funksionon bota perëndimore. Andaj mbërrimë te Gjykata Speciale, të themeluar vetëm për shqiptarë. Themelimit të saj Kosova nuk ka mundur t’i shmanget, pos nëse do të hynte në aventurën e konfrontimit me shtetet aleate të cilat garantojnë shtetësinë. Kosova ka mundur të insistojë që Gjykata Speciale të ndjekë edhe krimet e kryera nga pala serbe. Por kur e marrin punën në dorë diletantët, të cilët e kanë vetëm hallin e vet, atëherë pasojat rrezikon t’i bart tërë vendi.

Nëse kjo shoqëri nuk është tronditur në vitet 1999, 2000, 2001, 2003, 2004 – pse të tronditet sot, në vitin 2019. Sot batalionet e Facebookut demonstrojnë hipokrizi, shtiren si solidarë «me komandantin», ia fusin ndonjë anekdotë bajate dhe me kaq mbaron muhabeti. Me vrasje e me krime kjo shoqëri është nënshtruar dhe pajtuar. Jo vetëm me vrasje me motive politike, por edhe me konflikte si ai mes klaneve Elshani e Kelmendi nga Peja. Bilanci nga viti 2000: 23 të vrarë dhe 38 të plagosur.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet