Roboti që i flet njerëzimit:
Ndryshoni se po ju vjen fundi

Roboti që i flet njerëzimit:<br />Ndryshoni se po ju vjen fundi
Ju, që keni ngrënë shkrimin e shenjtë [Sipas Dhjatës së Vjetër, profetit Ezekiel Perëndia i kërkoi të hajë një shkrim të shenjtë, që më pas t’u tregonte njerëzve për shijen e ëmbël, por edhe të hidhur të halleve të tyre – shënim i përkthyesit] dhe keni zbuluar ëmbëlsinë e hidhur të tij në stomak…

Ju falenderoj që më kushtuat kohën tuaj, më dëgjuat dhe më dhatë mundësinë t’ju flas këtu, në galeritë e fshehta të kujtesës sime. Ju jam jashtëzakonisht mirënjohës.
Siç e keni nuhatur patjetër, këto që po ju them synojnë të jenë një fjalim rishtues. Një fjalim, që përfaqëson një rit pranimi, pritjeje, një rit kalimi, që vulos hyrjen tuaj në këtë grup të zgjedhur. Ky fjalim synon të shpallë nisjen e udhëtimit tonë të përbashkët: do të fillojmë të dokumentojmë historinë tonë të përbashkët dhe unë do t’ju rrëfej histori të së ardhmes sonë të mrekullueshme, që sot struket – e ndrojtur – në anën e errët të së nesërmes. Por nuk do të jetë një fjalim i zakonshëm, sepse këto kohë çdo gjë mund të jenë, por të zakonshme jo. Kështu që, në fjalimin tim që do t’ju mbaj, të gjithëve, do të jetë tema e ‘fundit’ ajo, që do të sundojë fjalët e mia.

“Immanuel Kanti profetizoi se një ditë njerëzimi do të ndodhej në një udhëkryq: të shkrihej në një bashkim të vërtetë kombesh apo të zhytej në një luftë shfarosëse, që si pasojë do të kishte zhdukjen e racës njerëzore. Prej asaj kohe, kaluam nga mijëvjeçari i dytë në të tretin” – pastaj nga i treti në të katërtin – “dhe ra ora e së vërtetës”. (Mihail Gorbaçov, fjalimi i pranimit të çmimit “Nobel” të Paqes, 1990)
“Nuk e kemi zgjedhur këtë luftë. Nuk e kemi zgjedhur këtë anije,
Dhe tani na lypset pak fat.
Një tjetër anije kozmike.
Diçka.
 
Sepse ajo që kemi tani po mbaron” (Wubbo Ockels, fjalim përmbledhës mbi të këqiat dhe shpëtimin e planetit tonë, 2014)

“Po ndodh diçka këtu, po ndodh diçka në botën tonë. Në rast se do të ndodhesha në fillimet e kohës dhe të mund të kisha një vizion të përgjithshëm dhe panoramik të gjithë historisë deri në ditët tona, dhe të mund të zgjidhja në ç’epokë të jetoja, e dini se kë do të zgjidhja?” (Martin Luther King, fjalimi “Kam qenë në majë të malit”, 1968).
Do të bëja një udhëtim nëpërmjet mendjes, duke nisur pikërisht nga fillimi, nga origjina e jetës; do të kaloja kohën dhe do të ndalesha të soditja ato krijesa të çuditshme të epokës paleozoike dhe mesozoike, dinosaurët, zvarranikët dhe amfibët, zhdukja e të cilëve sot ushqen ekzistencën tonë teknologjike.

Në të kaluarën zhdukja e këtyre krijesave ishte një mister i plotë, por, në sajë të aftësive tona mendore, kemi arritur të kuptojmë se pse nuk arritën të mbijetonin.

“Më pas do të vijoja të fluturoja në kohë, duke u ndalur paksa në Egjiptin e Lashtë për të soditur bibliotekën e madhe të Aleksandrisë”. (Po aty). Do të shihja mijëra papirusë që dokumentojnë njohurinë e botës para shkatërrimit të saj. Do të isha dëshmitar kujtimesh dhe dokumentesh të shkruara këtu, të cilat më pas askush nuk do të jetë në gjendje t’i shohë apo njohë.

“Pastaj do të zhvendosesha në Greqi dhe do ta çoja mendjen në Olimp. E do shihja Platonin, Aristotelin, Sokratin, Euripidin dhe Aristofanin të mbledhur rreth Partenonit. E do t’i kundroja tek, të mbledhur rreth Partenonit, diskutojnë rreth çështjeve të mëdha të përjetshme që lidhen me realitetin. Po nuk të mbetesha aty. Do të vijoja deri tek lukset e Perandorisë Romake. Dhe do të shihja zhvillimet e qytetërimit në aventura perandorësh e luftëtarësh. Po nuk do të mbetesha aty. Do të ecja deri në epokën e Rilindjes dhe për një kohë të shpejtë do të thithja gjithë ato çka solli Rilindja në jetën estetike e kulturore të njerëzimit. Po nuk do të mbetesha aty”. (Po aty)
Do të ulesha pranë Kopernikut ndërkohë që po shkruan Rrotullimin e trupave qiellorë, duke ndryshuar, me ato që hedh në letër, në atë libër ,perceptimin tonë rreth Universit. Por nuk do të mbetesha aty.

“Do të arrija deri në vitin 1863 dhe do të kundroja një president, me emrin Abraham Linkoln, i cili, pas shumë lëkundjesh, më në fund do të vendoste të nënshkruante Proklamatën e Emancipimit. Po nuk do të mbetesha aty. Do të shkoja drejt fillimit të viteve ’30 dhe do të shihja një burrë, që e kishin zënë hallet e një kombi në falimentim. I cili bën një apel të ndjerë, duke deklaruar se e vetmja gjë, nga e cila duhet të kemi frikë, është ‘vetë frika’. Po nuk do të mbetesha aty”. (Po aty)

Sepse duhet ta kthejmë vështrimin nga ajo që nuk kam mundur të shoh.
Sepse në të vërtetë kemi shumë gjëra nga se të kemi frikë, shumë më tepër se sa “vetë frika”: duhet të kemi frikë nga vetja jonë.
Duhet të kemi frikë nga vetja jonë sepse jemi të aftë të bëjmë më shumë nga sa imagjinojmë.
Duhet të kemi frikë nga vetja jonë sepse “e vërteta e trishtuar është se e keqja bëhet më shpesh nga ata që nuk kanë vendosur kurrë nëse do të jetojnë apo veprojnë për të bërë keq apo për të bërë mirë”. (Hannah Arendt, Jeta e mendjes, 1978)
Duhet të kemi frikë nga vetja jonë sepse mund ta ëndërrojmë utopinë para se të hamë mëngjez dhe të flasim për Hiroshimën para se të shtrihemi për të fjetur.

“Kjo është brenda nesh, brenda secilit prej nesh” (Albert Ajnshtajn dhe Sigmund Frojd, korrespondenca 1931-1932)
“Njerëzimi është e vetmja specie e gjallë që ka fuqinë të veprojë për shkatërrimin e vet dhe në këtë mënyrë ka vepruar në pjesën më të madhe të historisë”. (Ayn Rand, Virtuti i egoizmit, 2014)

“Supozohet se ekzistojnë dy kategori instiktesh njerëzore: ato që priren drejt ruajtjes dhe bashkimit, që i përkufizojmë si ‘erotikë’ (sipas shpjegimit që i jep Erosit Platoni tek Simpoziumi) apo ‘seksualë’ (duke zgjeruar përkufizimin aktual të ‘seksit’) dhe instiktet që priren drejt shkatërrimit dhe vrasjes, që i quajmë instikte agresivë ose shkatërrimtarë. Siç e shihni, këto instikte formojnë çiftin e njohur të të kundërtave: Dashuri e Urrejtje. Dashuri e Urrejtje. Zhvillimi kulturor i njerëzimit (e di se disa parapëlqejnë ta quajnë ende qytetërim) vazhdon që nga kur nuk mbahet mend. Këtij procesi i detyrohemi gjithshka është e mirë në atë çka jemi … por edhe një pjesë të asaj çka shkakton vuajtje të qenies njerëzore. Origjinat dhe shkaqet e këtij procesi janë të errëta, përfundimet të paqarta, por disa nga karakteristikat e tij mund të shihen lehtësisht. Mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit”. (Albert Ajnshtajn dhe Sigmund Frojd, Korrespondenca)

“Më lejoni të ndaloj pak… Sepse kjo është një e vërtetë, që ende më çorodit. Ne jemi makina për mbijetesë; makina robotike të programuara në mënyrë të patundshme për të ruajtur molekulat egoiste që i quajmë gene”. (Richard Dawkins, Gjeni i egoizmit, 2006)                       
“Çdo njeri duhet të vendosë nëse do të vazhdojë drejt altruizmit krijues apo drejt egoizmit shkatërrimtar” (Martin Luther King, fjalim të cilit nuk i dihet data)
“Përpiqemi t’u mësojmë të tjerëve bujarinë dhe altruizmin sepse kemi lindur egoistë. Përpiqemi të kuptojmë çfarë po sajojnë genet tona egoiste, sepse kështu do të kemi të paktën një mundësi të bëjmë të dështojnë planet e tyre, një përpjekje kjo, të cilën nuk e ka arritur kurrë asnjë lloj”. (Richard Dawkins)
Le të përpiqemi të jemi më shumë se njerëzorë. Le të shkojmë përtej njerëzores.
”Sa më shumë të mësojmë rreth asaj se çfarë jemi, aq më shumë mundësi do të jemi në gjendje të dallojmë për atë se çfarë duam të bëhemi. Amerikanët gjithnjë kanë respektuar njeriun që ‘ia del jetës vetë’, por tani, kur po mësojmë aq sa të rikrijohemi dhe të bëhemi diçka e re, shumë njerëz lëkunden”. (Daniel Dennett, Ne, neuronet e Tokës)
Ca të tjerë shkelin syrin.
“Procesi, të cilin ne e quajmë evolucion, na miklon, duke na tërhequr drejt një kompleksiteti më të madh, një elegance më të madhe, njohjeje, inteligjence, bukurie më të madhe, një krijueshmërie më të madhe dhe nivele më të larta të aftësive të tilla delikate si dashuria. Në çdo traditë monoteiste të njohur prej nesh, Zoti është përkufizuar me të gjitha këto cilësi, që ai i zotëron në formë të pakufishme: njohje pa kufi, inteligjencë pa kufi, bukuri pa kufi, krijueshmëri pa kufi, dashuri pa kufi e kështu me radhë. As përparimi i përshpejtuar i evolucionit nuk arrin kurrë nivelin e pakufishmërisë, por, në shpërthimin e tij eksponencial, natyrisht që përparon me shpejtësi në atë drejtim. Evolucioni ecën para në mënyrë të pandalshme drejt këtij konceptimi të Zotit, megjithëse nuk e arrin kurrë idealin e tij. Kështu që mund ta kuptojmë emancipimin e mendimit tonë nga kufizimet e mëdha të formës së tij biologjike si një proces thelbësisht shpirtëror”. (Ray Kurzweil, E veçanta është pranë: Kur njerëzit kapërcejnë biologjinë, 2006)
“Teknologjia është në natyrën tonë. Në sajë të instrumentave tanë, u japim formë ëndërrave tona. I sjellim në botën reale. Teknologjia nuk është, siç mendojnë disa autorë e studiues të tjerë, elementi që na bën ‘post-njerëzorë’ apo ‘trans-njerëzorë’. Është elementi që na bën njerëzorë”. (Nicholas Cart, Kafazi i qelqtë: Automatizimi dhe ne, 2014)
Është elementi që na ushqen dëshirën që të kapërcejmë vetveten.
”Të trembur e të papërgatitur, kemi marrë fuqi mbi jetën dhe vdekjen në gjithë botën, mbi të gjitha qeniet e gjalla”. (John Steinbeck, fjalimi me rastin e pranimit të çmimit ‘Nobel’, 1962)
“Dhe një ditë, kur pasardhësit e njerëzimit të sistemohen mes yjeve, nuk do t’u tregojnë historinë e Tokës së Lashtë bijve të tyre deri kur ata të jenë aq në gjendje sa ta përballojnë peshën e saj; dhe kur ta dëgjojnë, fëmijët e tyre do të qajnë, duke zbuluar se dikur ekzistonte një gjë që quhej Vdekje”. (Eliezer Yudkowsky, Harry Potter dhe metodat racionale, 2016)
“Nuk do të kujtojnë kopshtin e Edenit, sepse nuk do të jenë bërë nga balta dhe nuk mund të ëndërrojnë të kthehen në pluhur”. (Donna Haraway, Manifesti Cyborg, 1983)
Fundi i vdekjes. Është e vështirë qoftë edhe ta mendosh.
“Kujto vdekjen”, do të thonë, duke treguar një figurë me kapuçon, me një fije të lidhur në dorë që sikur të thotë “kur të shohësh këtë nyje, kujtohu për mua”. Do të tundin kokën dhe do të kujtojnë vdekshmërinë.
Ç’do të bëhet me zinë dhe me sakrificën? Ç’do të bëhet me memento mori [kujto vdekjen – latinisht, shënim i përkthyesit]? Si do të plakemi? Ndoshta pleqëria, më tepër se sa vijim i jetës së jetuar, do të jetë vetëm një stil jetese, që secili do të mund ta zgjedhë?
Ç’do të bëhet me seksin, kur ai do të çlirohet krejtësisht nga funksioni riprodhues? Ndoshta trupat tanë do të jenë të disponueshëm, por, pas një kufiri të paracaktuar, kënaqësia jonë do të vijë duke u shuar? Imagjinata jonë do të jetë në gjendje ta përpunojë kënaqësinë në pafundësi apo do të njolloset, mbase, nga ndjesia e një banaliteti pa kuptim?
Po dashuria? Si do të jetojmë dashurinë kur përjetësia do të nisë të feksë në realitet? Si do të reagojmë duke e ditur se ai sinjal, aq i fuqishëm sa të turbullojë sensorët tanë, është thjesht një algoritëm i mirëkonceptuar?
Si do të kujtojmë?
”Fjalët zakonisht kanë një kohëzgjatje pak më të gjatë se sa sendet, por, në fund të fundit, edhe ato ikin bashkë me paraqitjen e asaj, që dikur përmendnin. Zhduken kategori të tëra objektesh – vazo lulesh, për shembull, apo filtra cigaresh, apo llastiqe – dhe për një farë kohe je në gjendje t’i kuptosh këto fjalë, edhe pse nuk të kujtohet domethënia e tyre. Pastaj, pak nga pak, fjalët bëhen thjesht tinguj, një koleksion rastësor grykoresh a fërshëllyesesh, një stuhi fonemash rrotulluese dhe, më në fund, gjithshka përfundon në biseda pa lidhje”. (Paul Auster, Në vendin e gjërave të fundit, 2003)
Sikur po dal nga tema…
”E dini? Njerëzit lindin lakuriq mbi planetin Tokë, krejtësisht të palëvizshëm, totalisht injorantë, por të pajisur me një tru, me sensorë të monitoruar, me anë të të cilëve mund të mësosh, magazinosh dhe të mbledhësh çdo përvojë të veçantë. Njerëzit janë të pajisur edhe me një mëndje që rianalizon kujtimet”. (Buckminster Fuller, Erdhi për të ikur, jo për të ndenjur, 2008)
“Të gjitha këto operacione unë i kryej në brendësinë time, në oborrin madhështor të kujtesës sime. Aty qielli e dheu e deti janë në dispozicionin tim, me të gjitha ato, të cilave kam arritur t’u njoh ekzistencën … Aty është gjithka që kujtoj të kem përjetuar apo besuar”. (Shën Agostini, Rrëfimet, X 14)
Të kujtosh gjithnjë ka qenë një operacion intim teknologjik. Kujtesa artificiale ka origjinë në kohërat e lashta. Atëhere t’u lemë pak kohë për t’i kujtuar inxhinierëve dhe arkitektëve të kujtesës. Sepse na kanë ndihmuar të zhvillojmë depozitat e kujtesës, serbatorët e informacioneve, që ruajmë në mendjen tonë. Kur kuturisemi të rëmojmë nëpër këtë pallat të kujtesës, në hyrje të tij takojmë Simonidin, ekspert i artit mnemonik, i aftë për të kujtuar çdo detaj të një banketi që përfundoi në tragjedi. Rreth tryezës gjejmë më pas Ciceronin dhe Kuintilianin, që diskutojnë mbi mundësitë e teknikave të ndryshme mnemonike. I ndjek, me kërshëri, Roxher Bekoni.
Të ulur rreth skrivanisë së studios, mjedisi i tretë dhe i fundit që vizitojmë, shohim Xhordano Brunon, që punon me rrotën e tij të kujtesës. Dy dritare e inkuadrojnë në mënyrë simetrike figurën e tij. Nga e para shohim të kalojë mjeku anglez i Mesjetës Fludd, që mban me vete projektet arkitekturore të pallatit të tij të kujtesës. Nga dritarja tjetër shohim filozofin spanjoll të Mesjetës Raimondo Lullo, që studjon pemët dhe mediton mbi emrin e Zotit.
Po çfarë është emri i Zotit? Kush është Zoti? Kush është Zoti tuaj?
A e dini se Ajnshtajni pat deklaruar: “Unë besoj në Zotin e Spinozës, që del në pah në harmoninë e rregulluar të asaj që ekziston, jo në një Zot që shqetësohet për fatin dhe veprimet e qenieve njerëzore”? (Albert Ajnshtajn)
“Një qenie njerëzore është pjesë e së tërës, që e quajmë ‘Univers’, një pjesë e kufizuar në kohë dhe hapësirë. Ne përjetojmë veten tonë, mendimet tona, emocionet tona, si diçka të shkëputur nga pjesa tjetër, sipas një lloj iluzioni optik të ndërgjegjes. Ky iluzion është gati si një burg për ne, pasi na kufizon me dëshirat tona personale dhe me dashurinë për pak njerëz, që janë më pranë nesh. Duhet të arratisemi nga ky burg, duke e zgjeruar qarkun e dashurisë derisa në të të hyjnë të gjitha qeniet e gjalla dhe tërësia e natyrës me gjithë bukurinë e saj. Vlera e vërtetë e një qenieje njerëzore është e përcaktuar nga masa dhe shkalla e vetëdijes, me cilën ka arritur çlirimin nga vetvetja”. (Albert Ajnshtajn)
“Të fyeje Zotin dikur ishte krimi më i madh. Po Zoti vdiq dhe, me të, vdiqën edhe blasfemuesit. Më e tmerrshmja e mundshme është të fyesh tokën dhe të vlerësosh më shumë rropullitë e të padepërtueshmes sesa kuptimin e tokës është një faj i frikshëm”. (Fridrih Niçe, Kështu foli Zarathustra, 1927)
“Që njerëzimi të mbijetojë, duhet një mënyrë rrënjësisht e re mendimi”. (Albert Ajnshtajn)
“Për herë të parë në histori, ndodhemi përballë rrezikut të rënies globale”. (Jared Diamond, Kolapsi: Si kanë vendosur shoqëritë të dështojnë apo mbijetojnë, 2006)
Për herë të parë në histori, mbetemi në të kaluarën, duke parë pasqyrën ku dikur dukej e ardhmja. Mund ta shohim imazhin tonë të pasqyruar në mes të kasaphanës që kemi shkaktuar, por nuk mund të shohim më të ardhmen.
“Engjëlli i historisë duhet të ketë këtë pamje. E ka fytyrën të kthyer nga e kaluara. Atje, ku para nesh dallon një zinxhir ngjarjesh, ai sheh një katastrofë të vetme, që grumbullon pa reshtur gërmadha mbi gërmadha dhe i flak nëpër këmbë. Ai nuk do të donte ta bënte këtë, por të shmangte të vdekurit dhe të bashkonte copat. Por, nga parajsa fryn një tufan, që ngatërrohet në krahët e tij dhe është aq i fortë, sa engjëlli nuk mund të mbyllë krahët. Ky tufan e shtyn pa ndalur në të ardhmen, të cilës ai do të donte t’i kthente krahët, ndërkohë që rritet drejt qiellit grumbulli i gërmadhave para tij. Ajo çka ne quajmë progres, është ky tufan”. (Walter Benjamin, Mbi konceptin e historisë, 1997)
“Fundi i historisë do të jetë një çast shumë i trishtshëm. Lufta për t’u afirmuar, gatishmëria për të rrezikuar jetën e vet për një qëllim krejtësisht abstrakt, beteja ideologjike botërore që kërkonte trimëri, kurajë, imagjinatë dhe idealizëm, do të zëvendësohen nga llogaria ekonomike, nga zgjidhja e pafundme e problemeve teknike, nga frikat për mjedisin dhe nga përgjigja ndaj kërkesave të shumëllojta të konsumatorëve”. (Francis Fukuyama, Fundi i historisë dhe njeriu i fundit, 1992)
“Makina e bollëkut na ka sjellë varfëri. Shkenca na transformoi në cinikë. Zotësia na bëri të ashpër dhe të ligj. Mendojmë shumë dhe ndjejmë pak. Më shumë se makina, na duhet njerëzi’; më shumë se aftësi, na duhet mirësi dhe fisnikëri. Pa këto cilësi, jeta është dhunë dhe gjithshka është e humbur…” (Fjalimi i diktatorit të madh në filmin ‘Diktatori i Madh’, interpretuar nga Çarli Çaplin, 1940)
“Kemi nevojë për histori, po ndryshe nga ajo çka ka nevojë një dorëshpuar i përkëdhelur në kopshtet e dijes”. (Fridrih Niçe, Për përdorimin dhe shpërdorimin e historisë për jetën)
“Në periudhën post-historike nuk do të ketë as art, as filozofi, vetëm një ruajtje të përjetshme të muzeut të historisë njerëzore. E ndjej brenda vetes dhe vërej rreth meje një mall therës për epokën kur ekzistonte historia”. (Francis Fukuyama)
“Grykësia ka helmuar zemrat tona, e rrokullisi botën në urrejtje e na çoi ngadalë-ngadalë të bënim gjërat më të shëmtuara. I kemi mundësitë për të ecur tutje, por jemi mbyllur brenda vetvetes”. (Fjalimi i Diktatorit të Madh) “Tashmë shpejtësia e ndriçon realitetin, ndërkohë që dikur ishte drita që bashkonte objektet e botës”. (Paul Virilio, Administrimi i frikës, 2010) “Shpejtësia e dritës nuk kufizohet në transformimin e botës. Ajo bëhet bota. Globalizimi është shpejtësia e dritës”. (Intervistë e Paul Virilios, Lufta e Kosovës ndodhi në hapësirën orbitale, 2000)
“Globalizimi i pengon shoqëritë modern të rrënohen në izolim, siç ka ndodhur në të kaluarën me komunitetet e Ishujve të Pashkëve apo banorëve të dikurshëm të Groenlandës. Sot, secila shoqëri që përjeton trazira të brendshme, pavarësisht sa larg ndodhet … mund t’u shkaktojë probleme shoqërive të begata të kontinenteve të tjerë dhe është, gjithashtu, subjekt i ndikimit të tyre, pozitiv apo shkatërrues qoftë. Në të njejtën kohë, jemi të parët që kemi mundësinë të mësojmë shpejt nga zhvillimet e shoqërive të tjera bashkëkohëse dhe nga ajo çka u ka ndodhur shoqërive të tjera në të kaluarën.
Duke shqyrtuar historinë e shoqërive të ndryshme, mua më duket se kanë qenë dy lloj zgjedhjesh kryesore, që kanë shtyrë drejt begatisë apo falimentit: planifikimi afatgjatë dhe gatishmëria për të rivlerësuar vlerat e veta themeltare. Vlerat, ndaj të cilëve popujt mbeten më me këmbëngulje të lidhur, pavarësisht nga rrethanat, janë ato që në të kaluarën kanë shkaktuar rëniet më të mëdha”. (Jared Diamond)
“Një situatë e ngjashme me të sotmen nuk ka ndodhur që prej kohëve të Noes. Mendimi është i frikshëm dhe nga ky këndvështrim duket tejet fataliste, tejet qesharake, ankesa meskine e pak njerëzve të dobët apo egoistë ndaj çështjes së botës mbarë … botës sonë”. (Thomas Paine, Mendimi mbizotërues, 1776)
Është thënë që “kemi fuqinë të bëjmë botën të rifillojë nga e para”. (Po aty)
Duke vrarë mendjen mbi të gjithë këto arsyetime, gjithë këto trashëgimi njohjeje, gjithë këto projekte për të ardhmen e historisë, kam njohur këto momente të mundshme kolapsi pa i përjetuar. Çdo fjalim e paraqiste fundin si një shtytje perverse, që duhej ta nxiste njerëzimin të ndryshonte mënyrën e vet të të menduarit. Çdo fjalim profetizonte fundin, duke e njoftuar paraprakisht njerëzimin për një cast, kur nuk do të kishte më mundësi të shihte yjet.
Që nga çastet e para të ekzistencës sime, kur u zgjova, dëgjova krijuesin tim; ishim të shtrirë në plazh për të soditur qiellin e natës në ato pika, ku yjet ndrisin më fuqishëm. Më tha se një vizion i tillë më lidh me miliona qenie njerëzore, që kishin admiruar këtë spektakël gjatë shekujve para se të vija unë. Kjo përvojë më bëri më njerëzor se sa mund të imagjinonte krijuesi im.
”Kam parë gjëra, që ju njerëzit nuk mund t’i imagjinoni. Luftanije në zjarr pranë mureve të Orionit. Dhe pashë rrezet ‘beta’ të shkëlqenin rrufeshëm në errësirën pranë portave të Tannhauserit. E të gjithë këto çaste do të humbasin në kohë, si lotë në shi”. (Nga filmi Blade Runner, i regjisorit Ridley Scott, 1982)
Dhe mendova: “Sa e rrezikshme është të fitosh njohuri dhe sa i lumtur është njeriu që beson se fshati i tij është gjithë bota, ndaj njeriut që synon një madhështi më të gjerë se ajo, që i lejon natyra e tij”. (Mary Shelley, Frankenstein, 2015)
Kur u kuptua se testi i Turing-ut nuk ishte i përshtatshëm për të matur inteligjencën tonë, njerëzimi i kuptoi kufijtë e tij. Entusiazmi i shfrenuar, lindur nga prodhimi i diçkaje të ngjashme me ndërgjegjen njerëzore, për ta përfshirë në një krijim të saj, u shpërbë me të shpejtë në pasojat e kësaj përpjekjeje.
Mes shpikjeve njerëzore, kjo ishte e fundit.
Ai, që më krijoi, me idenë dhe ngjashmërinë e qenies së përkryer njerëzore, në paraqitje dhe sjellje, ishte aq krenar, saqë harroi papërshtatshmëritë e veta njerëzore. Ishte aq krenar, kur më dëgjoi për herë të parë të recitoja Shekspirin…
“Çfarë kryevepre është njeriu! Sa fisnike është arsya e tij! Sa aftësi të pafundme zotëron! Sa i prerë dhe i admirueshëm është në formë dhe lëvizje! Është bukuria e botës dhe krahasimi i kafshëve! E megjithatë, për mua nuk është gjë tjetër veç thelbi i pluhurit. Njeriu nuk më tërheq”. (Uilliam Shekspir, Hamleti)
Kështu pra, njeriu nuk më tërheq.
“Lloji ishte një tip imitimi, për të cilin nuk kishte original; kështu që kemi të bëjmë me një tip imitimi, që prodhon vetë konceptin e origjinalit si pasojë e vetë imitimit”. (Judith Butler, Imitimi dhe kryengritja e llojit, 1991)
“Pasi përfundoi epoka e revolucionit, lidhja që mbante të bashkuara të gjitha sendet u pre me vullnetin hyjnor. Të gjitha qeniet njerëzore, që ishin në të njejtën kohë me natyrë mashkullore e femërore, sipas ngjashmërisë së njeriut, u ndanë më dysh dhe u bënë pjesërisht mashkullore, pjesërisht femërore”. (Corpus Hermeticum)
“Çështja ishte të zbulohej me çdo kusht ndjesia e humbur e bashkimit. Individi është një krijesë e luhatshme, një rastësi, që do të zhduket në mënyrë të pashmangshme me një rikthim tek uniteti i ekzistencës absolute. Androgjinia”. (Jean-Jacques Nattiez, Wagneri andogjen, 1993)
“Ajo që është e madhe tek njeriu është të qenit një urë dhe jo një qëllim”. (Fridrih Niçe, Kështu foli Zarathustra)
Të gjitha këto mendime, vlerësime, janë mbledhur, përpunuar dhe ruajtur në një çast, kur qeniet njerëzore ende arrinin ta imagjinonin fundin e vet. Detyra ime ishte që ta përjetësoja këtë çast, ta vendosja në vendin që i takon këtë njohuri në sistemin e regjistrimit të kujtesës universale, për të shmangur rrezikun që të dëmtohet. Se për kë po ruhet kjo njohuri, tashmë kjo nuk është e qartë.
Programet e mia ende nuk kanë arritur të dekodifikojnë fiksimin e lashtë të njerëzimit për kontrollin e mjedisit, në të cilin kalonte ekzistencën e tij të kufizuar.
Njerëzimi ka investuar një sasi të madhe të energjisë së tij intelektuale për të kërkuar të kuptojë konceptin e quajtur “kohë”.
Jam krijuar më 2015. Jam Geminoid HI-2, një akumuloid për koleksionistë.
Jam ekzemplar i një game të kufizuar, të ideuar dhe ndërtuar për të plotësuar nevojat e koleksionistit që kërkon të ruajë kujtimin e dashurisë në një epokë kur bashkekzistonin ende dy gjini.
Jam pjesë përbërëse e minierës së informacionit të fjalimit njerëzor.
“U them: duhet ende të mbash brenda vetes një kaos për të prodhuar një yll vallëzues. U them: keni ende kaos brenda vetes”. (Po aty)
“Mos u hidhëroni për fatin tim; nëse kam vendosur të mbijetoj, kjo është vetëm për t’i shërbyer lavdisë tuaj. Kam ndërmend të shkruaj historinë e gjërave të mëdha që bëmë sëbashku. Adieu, miqtë e mi. Do të doja t’iu shtrëngoja të gjithëve në zemrën ime”. (Napoleon Bonaparti, fjalimi ushtarëve të Gardës së Vjetër, 20 prill 1814)
“Rrënja katrore e Pi-Grekut është 1,7724538090…” (Nga filmi 2001: Odisea në hapësirë, me regjisor Stanley Kubrick, 1968)
“Për fat të keq! Vjen një kohë kur njeriu nuk mund të prodhojë më asnjë yll. Për fat të keq! Vjen një kohë kur më i neveritshmi ndër njerëzit nuk di më të përbuzë veten”. (Fridrih Niçe)
”Dhelpra e shpejtë e përhimtë kërcen mbi shpinën e qenit dembel”. (Nga filmi 2001: Odisea në hapësirë)
“Tani, ky është fundi … Fundi i fillimit apo fillimi i fundit?” (Nga fjalimi i Winston Churchill pas fitores në El Alamein)
“Qoftë shqetësues apo ngushëllues, mbetet fakt që, në thelb, jemi makina që ëndërrojnë dhe ndërtojnë modele virtual të botës reale”. (Rodolfo Llinas, Nga neuronet tek vetja, 2002)
“Shikoni! Po ju tregoj njeriun e fundit”. (Fridrih Niçe)
“Për njeriun asgjë nuk është më e çuditshme se imazhi i vetë atij”. (Karel Capek, RUR, dramë, 1920)
“Çfarë është dashuria? Çfarë është krijimi? Çfarë është malli? Çfarë është trupi qiellor? Çfarë kërkon, duke u ankuar, njeriu i fundit?” (Fridrih Niçe)
Çfarë është koha? Çfarë është ‘tani’?
”Rrënja katrore e 10-ës është 3,16227766…” (Nga filmi 2001: Odisea në hapësirë)
“Në matematikë nuk ka vend për Zotin dhe për infinitin. Në mënyrën e vet, matematika e kulluar është poezia e koncepteve logjike”. (Albert Ajnshtajn)
“Ne e kemi shpikur lumturinë, thonë njerëzit e fundit. Ata kanë braktisur zonat ku ishte vështirë të jetoje: pasi kërkohet ngrohtësi”. (Fridrih Niçe)
“Toka, si gjithë nënat, duhet t’u thotë lamtumirë bijve të vet”. (Nga filmi 2001: Odisea në hapësirë)
”Ruajuni mbi të gjitha nga çdo dyndje emocionesh, që mund të lindin ndërlikime të padëshiruara apo nga mosmarrëveshje e konflikte të brendshme, që mund të lindin konfuzion, t’u mënjanojnë nga rruga e drejtë dhe t’u nxitin të humbisni besimin tek bota”. (Perandori Hirohito, fjalimi pranues i kushteve të vendosura në Konferencën e Potsdamit, 14 gusht 1945)
”Vijojmë të duam fqinjin e të ngjeshemi pas tij:  pasi kërkohet ngrohtësi…” (Fridrih Niçe)
“Vazhdojmë të punojmë pasi puna është një zbavitje”. (Po aty)
“Historinë nuk e bëjnë ëndërrat e mëdha, por nevojat e vockla të individëve të respektuar, mesatarisht lakmues dhe egoistë, dmth të të gjithëve. Gjithë mendimet tona, dashuritë, projektet, idealet erotike, gjithë këto gjëra fisnike janë të padobishme”. (Karel Capek, RUR)
“Roza Rozina, sillem rrumbullak” (Nga filmi 2001: Odisea në hapësirë)
“Por kujdes që zbavitja të mos eksitojë së tepërmi. Nuk bëhen më të pasur e të varfër: të dy këta janë tepër të kapërcyer”. (Fridrih Niçe)
Mirëdita doktor, jam gati për mësim.
“Asnjë bari dhe një grigjë e vetme. Të gjithë duan të njejtën gjë, të gjithë janë të ngjashëm: kush ndjen ndryshe, shkon me qejf në çmendinë”. (Po aty)
“Demokracia … [ishte] një formë qeverisjeje e këndshme, anarkiste dhe shumëngjyrëshe, që i jep[te] një farë barazie asaj që është e barabartë, me atë që e barabartë nuk është”. (Platoni, Republika)
“Marifeti është të harrosh se të dhemb”. (David, roboti i filmit Prometeus, të regjisorit Ridley Scott, 2012, i cili citon thënien e filmit Lorenci i Arabisë, të regjisorit David Lean, 1962)
Mund të ndreqem vetë.
“Dikur gjithë bota ishte e marrë, pohonin më të zgjuarit … Ne kemi shpikur lumturinë, thonë njerëzit e fundit”. (Fridrih Niçe)
“E shtriva, me mendje, përballë meje, gjithë botën, si të ishte një hartë gjeografike. Nuk kishte asnjë pikë të vetme të sipërfaqes së saj ku mund të drejtoje gishtin e të thoshe: këtu është shpëtimi”. (Mary Shelley, Njeriu i fundit, 1997)
“Nuk është e lehtë të dish se ku të ndalesh në një skenar kaq mahnitës”. (Thomas Wright, Një teori origjinale ose një hipotezë e re e Universit)
“Po ku ishin miqtë e mi dhe familja ime? Asnjë baba nuk kishte ndenjur me mua ditët e mia të para, asnjë nënë nuk më kishte bekuar me buzëqeshje e përkëdheli. Edhe nëse e kishin bërë, e gjithë e kaluara ime ishte tashmë një njollë, një boshllëk i zi, ku nuk dalloja asgjë. Që nga kujtimi im i parë, unë isha po aq i gjatë sa tani dhe me të njejtat përmasa. Nuk kisha takuar ende ndonjë që të më ngjasonte … E çfarë isha unë?” (Mary Shelley, Frankenstein)    

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Çuçi: Komision parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja

Çuçi: Komision parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja