Rrëfimi i aktorit Sokol Angjeli për artin skenik: Jemi në udhëkryq

Për të magjia e teatrit është e shenjtë, nuk zbehet asnjëherë. Këtë e përjeton kur vesh petkun e personazheve që luan në skenë, por edhe kur ndjek shfaqjet si spektator. Bëhet fjalë për aktorin Sokol Angjeli, i cili kësaj ka skalitur një tjetër karakter, atë ish-policit, Arturit, në veprën e autorit Martin MC Donagh tek shfaqja “Xhelati” që u ngjit nën regjinë e Qëndrim Rijanit tek ArtTurbina. Teksa rrëfen për “ReportTV” angazhimin edhe rolin e Arturit, ndalet edhe tek kujtimet, që shkakton kjo vepër për periudhën e diktaturës komuniste në vendin tonë.

“Me personazhin e Arturit në shfaqjen “Xhelatët” me regji të Qëndrim Rijanit pata një afrimitet. Magjia e teatrit tek shpalosja e një vepre dramatike, siç është “Xhelatët” e Martin McDonagh, që vihet anembanë botës, nuk humbet. Vepra kërkon shumë impenjim, prandaj mendoj edhe se roli nuk duhet parë, si i madh apo i vogël, por si impenjim i madh edhe impenjim i vogël. Unë zgjodha impenjimin e madh për këtë personazh që është një ish- ushtarak i burgjeve. Arturi është irlandez, edhe mënyra se si artistët sillen në skenë është e tillë. Por, të them të vërtetën krahas historisë së veprës “Xhelati” ne kemi bërë pjesë të saj edhe tre minidrama shqiptare. Mbase nuk janë personazhe të jetës reale, por janë hetues të shtetit, njerëz që kanë dhunuar,  që ne i kemi përjetuar në një atmosferë të përgjithshme diktature, e cila ka qenë shumë e egër edhe shumë e pamëshirshme”, thotë aktori Sokol Angjeli.

Për aktorin dy temat që zhvillohen paralelisht në këtë vepër janë; dënimi me vdekje, por edhe pushteti që njerëzit zotërojnë edhe kur nuk e kanë më një funksion të caktuar.

“Tema e mbajtjes ose jo e dënimit me vdekje është një problem shumë serioz për një shoqëri. Shoqëria shqiptare e ka hequr dënimin me vdekje, por ne shpeshherë themi, “ah ç’duhet ai dënim me vdekje, ta kthejmë edhe një herë apo sa mirë që ishte atëherë kur ishte dënimi me vdekje”. Në këtë përpëlitje kjo tregon se ne nuk jemi bindur komplet së brendshmi, se dënimi me vdekje duhet hequr. Është një mençuri evropiane dhe botërore që është hequr dënimi me vdekje. Ndërsa, problemi tjetër është ai i rivalitetit mes dy xhelatëve, Harry-t edhe Albert Pierreponte-s. Puna e xhelatit është që në juridiksionin anglez xhelati ka të drejtë, që edhe mos ta ekzekutojë vendimin, nëse nuk është i bindur që ta bëjë këtë. Ka tejkalim i kompetencave edhe mund të tërhiqet. Albert Pierrepoint e trajton xhelatin si profesion. Ndërsa, Harry e trajton si pushtet. Si pushtet mbi këtë shoqëri që ai ka.  Si duhet parë kjo histori? Si një histori njerëzore apo si një histori pushteti e njerëzve që mund të të marrin jetën. Kemi një gjykim të shpejtuar edhe të pamotivuar. Raste të tilla unë mendoj se shoqëria njerëzore ka shumë. Në këtë drejtim ne e kemi parë edhe veprën, në përafrinë që ka me realitetin tonë edhe historitë tona, që t’u bëjmë thirrje edhe njëherë njerëzve që kanë pushtet, që ta kenë të kontrolluar gjithnjë, pasi një njeri me pushtet të pakontrolluar është në prag të një diktatori”, rrëfen Angjeli.

Sokol Angjeli teksa e ndien veten të përkëdhelur, pasi gjatë gjithë karrierës së tij, ka luajtur ato role edhe karaktere që ka dëshiruar në skenë, veçon si një ndër rolet më të mira, atë në veprën “Shtëpia pa dritare” e Saimir Gongos
“Unë duhet ta ndiej veten të përkëdhelur nga fati edhe nga Zoti, sepse kam bërë profesionin që kam dashur që në fillim, që student. Një nga gjërat më të bukura për mua është drama “Shtëpia pa dritare” e Saimir Gongos. Më shijojnë edhe veprat e dramaturgjisë botërorë, por veprat shqiptare janë shumë të shijshme, sepse personazhet që lëvizin edhe ngjarjet që janë brenda tyre shkarkojnë ngazëllim në sallë, aq sa edhe njerëzit bëhen pjesë e spektaklit. Apo roli tek “Zbutja e kryeneçes”, që përsëri ishte shumë i suksesshëm edhe shumë i bukur. Unë kam luajtur çdo vit, nuk ka vit që të kem bërë pushim.

Kur e pyesim se cila është situata e artit skenik në vend gjatë këtyre momenteve shprehet se:

“Ne jemi në një moment udhëkryq, që mesa ndihet do të vazhdojë gjatë. TK ka mbetur pa sallë. Atje është salla e ‘ArTurbinës’, pasi teatri ka marrë një sallë të Artubinës edhe e ka bërë të vetën, por nuk është skenë ajo. Të gjithë pas një viti pune atje e kanë mëse të qartë, se ne jemi pa sallë edhe ky është një problem i rëndë edhe i vështirë që do vazhdojë shumë gjatë. Mesa duket nuk do të jetë kaq e kollajtë, që teatri të ketë shtëpinë e vet”, shprehet aktori.

Shfaqja “Xhelatët” me regji të Qëndrim Rijanit do të ngjitet edhe gjatë kësaj fundjave në skenën e “ArTurbinës”.

 

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ish ministri dhe ish kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa në SPAK

Ish ministri dhe ish kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa në SPAK