Rrëfimi i rrallë i ish-të burgosurit që mbijetoi: Në kampin nazist të Zemunit ishim 517 shqiptarë, 132 vdiqën nga epidemitë

Rrëfimi i rrallë i ish-të burgosurit që mbijetoi: Në kampin nazist të Zemunit ishim 517 shqiptarë, 132 vdiqën nga epidemitë

Në përkujtim të 9 Majit ditës së fitores mbi fashizmin, publikon historinë e panjohur të shqiptarëve të cilët gjatë periudhës së pushtimit gjerman të vëndit, u arrestuan dhe u internuan në kampet e përqëndrimit që ata kishin ngritur në Jugosllavinë e asaj kohe, si në Prishtinë, Zemun dhe Banicë afër Beogradit, ku në atë kohë vuajtën dënimin rreth 500 shqiptarë. Dëshmitë e rralla të Beqir Ramazan Xhepës, njërit prej të paktëve shqiptarë që mbijetuan nga kampet naziste të ç’farosjes, i cili tregon për udhëtimin cfilitës të burgosurve shqiptarë me kamionët ushtarakë në itinerarin: Tiranë, Elbasan, Strugë, Manastir dhe nga aty me tren për në kampin e Zemunit që ndodhej në periferi të Beogradit. Si trajtoheshin të burgosurit shqiptarë, jugosllavë dhe grekë në atë kamp, nga kushtet ç’njerzore të jetesës, ushqimit dhe epidemive me sëmundjet ngjitëse ku vdiqën 130 shqiptarë, te torturat që i’u bëheshin aty dhe emrat e atyre shqiptarëve që bashkëpunuan me gjermanët në dëm të bashkëatdhetarëve të tyre?!

“Në kampet naziste të ç’farosjes në masë që nazistët kishin hapur gati në çdo shtet të Europës, fatkeqësisht kishte edhe disa shqiptarë që bashkëpunuan ngushtë me Gestapon dhe që spiunonin apo keqtrajtonin bashkëatdhetarët e tyre. Ndër ta mund të përmëndim Hilmi H. dhe Thanas B. nga Vlora, apo dhe dy patriotët e tyre Dr. Vasili dhe Dr. Lluka, të cilët u sollën shumë keq me shqiptarët që ishin të burgosur në ato kampe internimi. Gjatë vizitave që u bënin bashkëatdhetarëve të tyre Dr. Vasili dhe Dr. Lluka, u qëndronin dy metra larg të dënuarve dhe ua ngrinin këmishën me një purtekë për arsye se kishin frikë që të mos merrnin ndonjë sëmundje ngjitëse, siç ishin tifoja e morrit apo dizanteria. Ose dhe ndonjëherë i përzinin fare dhe nuk i vizitonin. Që të dy ishin bashkëpuntorë të Gestapos dhe në gusht të vitit 1944 u kthyen në atdhe. Ndërsa të tjerët i dërguan për ti çfarosur në Mauthauzen. Dr. Vasili, me të mbaruar lufta u arratis për në Itali. Kështu dëshmonte në mes të tjerash, Beqir Ramazan Xhepa, i cili ka qenë një prej atyre të mbijetuarve të pakët që arritën të shpëtonin gjallë nga ato kampe të tmerrshme. Edhe pse ai kishte qenë korrier i Qemal Stafës dhe shtëpia e tyre aty në qëndër të Tiranës ishjte një nga bazat më të fuqishme ku strehoeshin disa prej krerëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, Beqir Xhepa u burgos katër herë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, dhe bashkë me të edhe pjestarët e tjerë të familjes, si babai, xhaxhai, vëllai i tij etj, ku disa vdiqën nën tortura apo mbetën të gjymtuar përjetë nga trajtimi ç’njerzor që i’u bë në hetuesi. Ndërsa me të gjitha këto jemi njohur në një intervistë të gjatë të z. Xhepa, ku ai jepte dëshmitë e tij lidhur me implikimin e Enver Hoxhës në vrasjen e Qemal Stafës dhe më pas dënimin e të gjithë shokëve dhe miqve të tij, në këtë shkrim, ai dëshmon një nga historitë më të dhimbshme dhe tragjike të shqiptarëve që vuajtën në kampet naziste të përqëndrimit, si: Zemuni, Banica, Mathauzen, Gusen, Ebensee, Melk, etj., ku ai ka vuajtur personalisht, pasi ishte arrestuar nga forcat gjermane duke dërguar një letër në Çetën e Pezës në vitin 1943.

Zoti Beqir, fillimisht a keni dijeni se sa shqiptarë kanë qënë në kampet naziste të përqëndrimit e ç’farosjes në masë ku ju keni vuajtur nga viti 1943 që u arrestuat e deri në 9 majin e vitit 1945-së që u liruat pas ndërhyrjes së anglo-amerikanëve në kampin e Mauthauzenit?
Nga ish të internuarit në kampet naziste të përqëndrimit, si në Jugosllavi ku shquheshin Banica dhe Zemuni, ashtu dhe në Austri, ku spikasnin Mauthausen, Gusen, Ebensee, Melk, etj., kanë qënë me dhjetra shqiptarë, numri i të cilëve arrin në 517 persona. Nga të gjithë këta të internuar në këto kampe, unë vetë kam arritur që të mbledh emrat e 132 personave, prej të cilëve vetëm 24 u kthyen gjallë në Shqipëri.

Si mbërritën të burgosurit shqipatrë deri në ato vënde të largëta, ku nazistën kishin ngritur kampet e përqëndrimit?
Porta e parë e të burgosurve shqiptarë që ishin arrestuar nga gjermanët dhe do të internoheshin në kampet e tyre nëpër Europë, ka qënë kampi i Prishtinës, dhe më pas kampet e Zemunit dhe Banicës në Jugosllavi. Ndër të burgosurit shqiptarë që kanë vuajtur në ato kampe, kanë qënë shokët e mi: Avdulla Krutani, Leonidha Heba, Hamdi Tafmizi, Mihal Marto, Andon Leonidha, Mihal Konomi, etj. Në kampin e përqëndrimit të Zemunit në Jugosllavi, të burgosurit shqiptarë kanë qëndruar në shtatë grupe, nga të cilët tre grupe ishin nga Vlora, një grup nga Elbasani, një grup nga Kavaja, një grup nga Tirana, dhe një grup nga Durrësi. Grupi i parë nga Vlora kishte shkuar aty që në shtator të vitit 1943, dhe pas dy javësh aty shkoi përsëri një tjetër grup po nga Vlora. Në dhjetor të vitit 1943, aty shkuan dhe grupet nga Tirana, Elbasani dhe Kavaja, ndërsa i fundit ishte grupi nga Durrësi.

Prej sa të burgosurish përbëheshin këto grupe dhe si u realizua udhëtimi për në ato kampe?
Çdo grup kishte mesatarisht 80 deri në 100 vetë. Pra gjithsej në Zemun u grumbulluan afro 500 e ca shqiptarë. Itinerari i nisjes për në Zemun ishte nga Tirana në Elbasan, më pas për në Strugë dhe për në Manastir (Bitola). E gjithë kjo rrugë bëhej me makina (kamionë ushtarakë) ku çdo makinë kishte 6 deri 8 ushtarë SS të Gestapos me automatikë, dhe që ishin gati për të tërhequr gishtin. Ndërsa të burgosurit ishin të lidhur dy e nga dy. Nga Manastiri për në Zemun, udhëtimi bëhej me tren. Vagonat ishin për mallra ose më mirë të themi për kafshë, por ishin kthyer për të burgosurit dhe ato kishin një dritare të vogël të siguruara me hekura. Në çdo vagon futeshin zakonisht 40 të burgosur ndërsa, udhëtimi për në Zemun zgjati 6 ditë. Të burgosurit humbnin ndjenjat nga ky udhëtim torturues dhe i lodhshëm. Kush mund të kishte ndonjë jorgan ose batanije nga shtëpia dhe mund të flinte copa copa, por më gjithë atë gjumi nuk e merrte nga të ftohti që të hynte në palcë, ndërsa shumica nga ne nuk kishin asgjë.

Gjatë atij udhëtimi si trajtoheshin të burgosurit?
Gjatë udhëtimit për në Zemun ushqimi për çdo person për të 6 ditët ishte 500 gr. bukë dhe 500 gr. perime. Veç të tjerave, të burgosurit thaheshin edhe nga të ftohtët pasi nuk kishin shtresa dhe mbulesa. Aty në vagona nuk kishte as vënd për të qëndruar ulur, kështu që të burgosurit rrinin në këmbë, ose e bënin me rradhë për tu ulur 10 e nga 10. Gjatë atij udhëtimi sfilitës, ne na u thante buza për një pikë ujë. Kështu që në këtë gjëndje të rraskapitur, pa ngrënë dhe pa pirë, të lodhur dhe pa fjetur, vazhdimisht nën kërcënimin dhe goditjet e kondakëve të pushkëve, udhëtuam 6 ditë dhe netë. Aty nga mesnata arritëm në Zemun, dhe nga stacioni i trenit deri në kamp duhet të ecje së paku një orë në këmbë. Pas një ore, të burgosurit arritën tek porta e kampit, ku shkruhej “Kush hyn brënda, i gjallë nuk del, veçse e pret vdekja”.

 Si e kujtoni ju kampin e Zemunit?
Kampi i Zemunit ndodhej në periferi të Beogradit, 4 km. larg në veri të tij, përtej lumit Sava. Madje, një pjesë e kampit që kufizohej me lumin, ishte e rrethuar në disa rradhë me tela me gjëmba. Kampi ishte në një territor prej 2 km. katror, ku çdo 100 metra kishte një bunker, dhe në të qëndronin rojet gjermane me mitroloz të rëndë. Gjithsej ishin 40 bunkerë të tillë dhe po aq roje me mitroloz. Afër kampit ndodhej ura e lumit Sava që lidhte Beogradin me Zemunin. Ajo mbrohej nga disa topa kundër-ajrorë të vendosura në hyrje dhe në dalje të urës. Kampi përbëhej prej 6 kazermave të mëdha ku ishte llogaritur që në çdo kapanon, të banonin 3 mijë të burgosur, d.m.th. gjithësej kapaciteti i kampit ishte për afro 20 mijë të burgosur. Dy nga këto kazerma ishin të mbushura, njëra me të burgosur meshkuj dhe tjetra me femra. Tek femrat ndodheshin dhe dy gra shqiptare nga Elbasani, nënë e bijë, Katina dhe Leni Dilo. Kazermat ku strehoheshin meshkujt e kalonte kapacitetin e tyre, sepse aty ishin mbi 5 mijë të burgosur.

Prej sa trupash dhe rojesh gjermane sigurohej ai kamp?
Për ruajtjen dhe mbrojtjen e kampit, ndodheshin gjithsej 500 trupa SS dhe të Gestapos. Kampi i Zemunit ishte një ndër më të mëdhenjtë dhe më të tmerrshmit që nazistët kishin ngritur në Ballkan, madje nga rrezikshëmria, në shumë pika i’a kalonte dhe atyre të quajtura kampe ose të klasifikuara “kampe të kategorisë së parë, të dytë apo të tretë”, me përjashtim që këtij kampi i mungonte dhoma e gazit dhe krematoriumi.

Sa ushqim u jepej të burgosurve në atë kamp?
Ushqimi ishte 200 gr. bukë në ditë dhe gjysëm litri supë prej lëkurave të patateve, pasi patatet i hanin ushtarët SS-të, si dhe lëng gruri pa yndyrë. Fjetja ishte e tmerrshme në bokse prej dërrase pa shtresë dhe mbulesë, 100 vetë në çdo kat të boksit. Ambientet për të kryer nevojat personale, nuk kishte, këto kryheshin nëpër kova, zbrazeshin nëpër gropa të mëdha në oborrin e kampit. Higjena ishte në kushte të tmershme. Ujë për të pastruar nuk kishte, pislliku ishte i madh, morrat na mbulonin dhe i mbytën të burgosurit. Të gjitha këto i bashkëngjiteshin torturave që të dërgonin drejtë një vdekjeje të sigurt.

Nga këto kushte mizerjeje në të cilët u ndodhët, a kishte raste sëmundjesh apo epidemi?
Aty u përhapën sëmundjet siç ishte dizanteria, tifoja e morrit etj. Çdo ditë vdisnin 30-40 të burgosur, ose mund të themi mesatarisht 2-3 shqipëtar në ditë. Të burgosurit e vdekur i futnin në një gropë të përbashkët të madhe, pasi nuk kishte krematorium për të djegur kufomat. Në këtë kamp vdiqën gjithsej rreth 130 shqiptarë, sigurisht ky ishte fillimi, pasi akoma fiziku nuk ishte dobësuar shumë, sepse ishin muajt e parë të internimit në një kamp të tmerrshëm siç ishte ai i Zemuni. Ata të burgosur që vdisnin i futnin në gropa të përbashkëta. Një natë të linin në një gazermë të madhe të boshtisur për të fjetur dhe të nesërmen të bashkonin me shokët (të burgosurit e tjerë). Por nga të ftohtit e madh ne nuk flinim, të gjithë natën e kalonim duke ndenjur dhe duke thyer bokset për të bërë zjarr për ngrohje. Këto bokse ishin shtretër të mëdhenj me tre kate për të fjetur të burgosurit.

Po serbë që bashkëpunonin me nazistët a kishte në kampin e Zemunit?
Bashkë me nazistët gjermanë aty kishte dhe serbë, siç ishin dy kriminelët e njohur të kampit, çetnikët serb, të quajtur: Bane dhe Milorad, të cilët i urrenin shumë shqiptarët dhe u thërrisnin “Arnaut”.

Ç’farë ishin këta dhe në ç’rrethana ndodheshin aty?
Të dy kishin qenë partizanë, komandantë batalionesh. Ishin kapur nga gjermanët dhe kishin tradhëtuar, duke pranuar të bashkëpunonin me ta. Me qindra të burgosur kishin gjetur vdekjen nga të rrahurat dhe torturat e tyre. Si këta, kishte dhe mjaft të tjerë në kamp, që kishin hyrë në shërbim të SS-ve dhe këta ishin rreth 50 vetë. Fatkeqësisht ndër ta kishte dhe shqiptarë që bashkëpunuan me nazistët në dëm të bashkëatdhetarëve të tyre.

Cilët ishin ata?
Bashkë me dy serbët që përmenda më lart, vinte dhe kapoja i shqiptarëve i quajtur Thanas  nga Vlora, i cili ishte përgjegjës ose “kapoja i shqiptarëve” dhe në atë kohë ishte me moshë rreth 45-50 vjeç. Në këtë kamp kishte dhe provokatorë e spiunë të tjerë, që kishin ardhur si të burgosur, por misioni i tyre ishte i caktuar.

Si trajtoheshin ata?
Ata nuk bënin jetën e të burgosurit, sepse kishin detyra të tjera. Një ndër ta ishte shqiptari Hilmi nga Vlora, i cili ishte spiun dhe bashkëpunëtor direkt i Gestapos dhe kishte lidhje direkte me komandantin e kampit dhe me Banen. Ai nuk banonte me të burgosurit, por kishte një dhomë të veçantë dhe shumë komode në krahasim me pjesën tjetër e të burgosurve. Aty kishte të gjitha gjërat që i nevojiteshin, si lavaman, tualet, garderobën personale etj. Hilmiu erdhi në kamp aty nga janari i vitit 1944, ndërsa nga muaji mars, pasi kishte kryer misionin dhe detyrat e tij që i kishte ngarkuar Gestapoja kundër shqiptarëve, i doli gjoja e drejta për t’u kthyer në Shqipëri, por para se të kthehej, duhej të kalonte periudhën e karantinës tre javore.

Për të gjitha ato shërbime që ai u bënte gjermanëve në dëm të bashkëatdhetarëve të tij, ç’farë përfitonte?
Hilmiu nuk pati ndonjë përfitim personal për shërbimin që i kishte bërë Gestapos dhe komandantit të kampit, ku në bashkëpunim me serbin, Banen, për gjërat e çmueshme që u kishin rrëmbyer shqiptarëve me forcë, vajti dhe denoncoi tek komandanti i SS-ve të kampit,(me të cilin Bania kish bashkëpunuar) pikërisht me komandantin për të cilën Hilmiu e denoncoi dhe Bania këto sende të çmueshme i kishte ndarë pikërisht me komandantin.

Ç’ndodhi pas këtij denoncimi?
Për t’a nxjerrë veten të larë, komandanti i mblodhi të gjithë shqiptarët dhe i pyeti për një gjë të tillë, nëse u kishte marrë vërtetë gjë Bania apo jo? Sipas udhëzimeve të Kozma Nushit, duke e ditur se këto ishin marrë nga Bania dhe ishin ndarë me komandantin e kampit, kështu që nuk do të kishin ndonjë përfitim sikur të pohonin dhe të thonin se është e vërtetë që Bania na ka marrë gjërat e çmuara, u detyruam që të mohonim thëniet e denoncimet e Hilmiut dhe i thamë që nuk janë të vërteta.

Ç’farë i thanë Hilmiut pas kësaj?
Atëhere komandanti i kampit urdhëroi që të gjithë shqiptarët t’i jepnin Hilmiut nga pesë dajakë. Mbas këtyre të rrahurave, Hilmiu nuk mundi që t’i rezistonte dot dhe pasi qëndroi 24 orë në agoni, ai vdiq. Kështu mbaroi Hilmi  që u kishte shërbyer gjermënëve me zell të madh.

Po përveç Hilmiut dhe Thanasit, a kishte shqiptarë të tjerë që bashkëpunonin me gjermanët?
Në grupin e Vlorës ndodheshin edhe dy mjekë të tjerë, Dr. Vasili dhe Dr. Lluka, të cilët u sollën shumë keq me shqiptarët e burgosur në atë kamp.

Përse?!
Sepse gjatë vizitave që i’u bënin bashkëathetarëve të tyre, Dr. Vasili me Dr. Llukën u qëndronin atyre dy metra larg dhe u’a ngrinin këmishën me një purtekë për t’i vizituar, nga frika se mos merrnin ndonjë sëmundje ngjitëse siç ishte tifoja e morrit, dizanterija etj. Ose dhe i përzinin fare duke i sharë dhe nuk i vizitonin fare. Që të dy ishin bashkëpunëtorë të Gestapos.

Si përfunduan ata?
Në gusht të vitit 1944, ata u kthyen në atdhe, ndërsa të tjerët i dërguan për t’i çfarosur në Mauthauzen. Dr. Vasili, me të mbaruar lufta u arratis nga Shqipëria për në Itali. Por krahas këtyre, në atë kamp kishte dhe shumë shqiptarë të tjerë të cilët u gjendeshin të burgosurve dhe i ndihmonin.

Cilët ishin ata?
Një ndër ta ka qenë Dr. Pavllo nga Berati, njeri shumë i mirë, shumë pozitiv. Me këto cilësi humane që kishte ai, i ndihmonte shumë të gjithë të burgosurit në përgjithësi. Gjatë vizitave të tij, ai u jepte ndihmë mjeksore e udhëzime të tjera të burgosurve duke u treguar edhe se si duhet të vepronin për vetëmbrojtje nga kriminelët, (kapot). Kjo sjellje e tij nuk ishte vetëm ndaj bashkëatdhetarëve të tij shqiptarë, por edhe ndaj shtetasve të tjerë të huaj, si bullgarë, jugosllavë, grekë etj. Ndërsa me grupin e Durrësit, ishte dhe Dr. Mihal Konomi dhe ky njeri shumë i mirë dhe human, i cili bashkë me Dr. Pavllo Dokon, u shërbenin me të gjitha fuqitë të burgosurve.

Ç’farë rregullash kishte në atë kamp?
Ashtu si në të gjitha kampet gjermane edhe aty kishte rregulla të veçanta. Komandandi gjerman i kampit bashke me suitën e tij dhe dy kriminelët serbë, mbasi i njihnin të burgosurit me rregulloren e kampit dhe i ndanin në myslymanë në një anë dhe të krishterë në anën tjetër, me ironi, u thoshin të burgosurve, se në rregulloren e kampit, gjoja hynin dhe lojrat, dëfrimet, muzika, filmat etj.

Për çfarë lojrash dhe dëfrimesh bëhej fjalë?!
Këto dëfrime dhe lojra nuk ishin gjë tjetër, veçse të rrahurat që do të na bënin ne të burgosurve, dy kriminelët serbë, Bania dhe Miloradi. Ndërsa muzikë, ata konsideronin të thirrurat e të burgosurve kur rriheshin apo vdisnin në duart e tyre nga të rrahurat, dhe sipas rregullores, ai që hynte për herë të parë në këtë kamp, do të rrihesh patjetër. Për myslymanët, “racioni” ishte 50 dajakë, ndërsa për të krishterët, 20 dajakë. Pastaj ashtu të rrahur, na merrte në dorzim “kapua i shqiptarëve”, dhe në rresht na dërgonte në ndërtesën (kazermën, kapanonin ose barangën), tjetër, ku ishin të gjithë të burgosurit jugosllavë, grekë dhe shqiptarë, sepse në Zemun vetëm tre kombësi kishte.

Sa të burgosur ishin në atë kamp?
Gjithsej në kamp ishin 6000 të burgosur, kryesisht jugosllavë, 517 ishin shqiptarë dhe 400 grekë. Kampi i Zemunit ishte i ngritur nga gjermanët që në vitin 1941 me qëllime të caktuara për të burgosur aty të gjithë ata robër që kapeshin në kuadrin e shtypjes së Lëvizjeve Nacionalçlirimtare të popujve të Ballkanit që sa vinin dhe shtoheshin, sidomos në Jugosllavi, Greqi dhe Shqipëri.

Si ishte organizimi i brendshëm i këtij kampi?
Të burgosurit nuk punonin në mungesë të një objekti pune, por për të marrë ushqimin në drekë, duheshe të viheshe në rradhë jashtë në oborr, në shi, dëborë, ngricë, tufan dhe duhej të qëndroje aty një orë deri sa të vinte rradha për të marrë lëngun e supës.

Kishte nga shqiptarët që nuk i duronin dhe i shkelnin rregullat e ushqimit?
Kishte nga ata që futeshin dy herë në rradhë nga që i merrte uria, duke marrë kështu dy racione supe, por kjo gjë konsiderohej shkelje e rëndë po të kuptohej dhe luhej me jetën.

A pati ndonjë që u kuptua?
Kështu ndodhi me Hamdi Tahmizin, i cili hyri dy herë në rradhë për të marrë supën me lëkura patatesh, por u pikas dhe u kap nga Miloradi dhe u rrah aq rëndë me dru e shqelma prej tij, aq sa i thyen bërrylin e krahut të djathtë. Edhe sot e kësaj dite edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, ai është invalid lufte.

Po raste të tjerë të kësaj natyre me shqiptarët, a pati?
Kështu ndodhi edhe me Abdulla Krutanin, i cili u rrah rëndë për një tentativë të tillë, etj. Kjo sigurisht ndodhte vetëm me ne shqiptarët. Ndërsa me jugosllavët kjo gjë nuk ndodhte, për arsye se ata nuk e ndjenin aq shumë urinë, sepse njëherë në javë apo në çdo dy javë, u vinin pakot e ushqimeve nga familjet e tyre. Kështu që për ata nuk ishte fare problem çështja e urisë apo të ftohtit. Problem për ta ishin torturat, si të rrahurat, epidemitë dhe sëmundjet ngjitëse.

Ju ndihmonin jugosllavët me ushqime dhe si shkonin shqiptarët me jugosllavët dhe nacionalitetet e tjera që ishin në atë kamp?
Në atë kamp mungonte krejtësisht solidariteti ndërkombëtar nga ana e jugosllavëve. Ata jo vetëm që nuk i ndihmonin shqiptarët dhe grekët me ushqime, por nga ana tjetër, ne shqiptarëve ata na thërisnin me përbuzje, “Arnautë”! Këtë të burgosur që silleshin me ne kështu, ishin serbë dhe kroatë.

Cilët kanë qenë shqiptarët e tjerë që kanë vuajtur bashkë me ju në atë kamp, a ka pasur ndonjë emër tjetër të njohur?
Grupi i fundit i shqiptarëve që erdhi në janarin e vitit 1944 në kampin e Zemunit, ishte ai i Durrësit. Ky grup pati në përbërje të tij shumë njerëz të ngritur nga ana intelektuale, pasi kishin qenë të shkolluar dhe kishin pasur përgjegjësira e funksione të ndryshme politike në Parti. Sepse në këtë grup ishte i gjithë Qarkori Komunist i Durrësit, me në krye Kozma Nushin, (Vëllai i Gogo Nushit, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së deri në vitin 1969 që vdiq), ish-sekretar politik i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste për Durrësin. Po kështu bashkë me Kozmanë, ishin edhe emra të tjerë të njohur si Enver Velja, Mihal Marto, Telat Noga etj. Me ardhjen e këtij grupi, të gjithë shqiptarët e tjerë u duk sikur u gjallëruan. Kozma Nushi, Enver Velja etj., mundoheshin që t’i mbanin gjallë dhe me kurajo të burgosurit e tjerë shqiptarë, gjë e cila ishte shumë e nevojëshme duke parë situatën dhe vëndin në të cilin ndodheshim. Pasi shumica që ishim aty, e konsideronim veten të vdekur dhe kishim humbur çdo shpresë se një ditë do të dilnim të gjallë që aty dhe do të ktheheshim pranë familjeve tona që na prisnin duke na qarë çdo ditë përsëgjalli.

Sa shqiptarë vdiqën në kampin e Zemunit?
Në kampin e Zemunit në një periudhë relativisht të shkurtër kohe, pra rreth 34 muajsh, nga torturat dhe epidemitë vdiqën rreth 120 apo 130 shqiptarë.

Ç’ndodhi me kampin e Zemunit, cili ishte fundi i tij?
Më 17 prill të vitit 1944, avionët bombardues anglezë filluan të bombardonin Beogradin që në ora 8 të mëngjezit, duke bërë të gjitha tentativat për të bombarduar urën mbi lumin Savë, që lidhte Beogradin me Zemunin. Dihej që në Zemun ndodhej aerodromi më i madh ushtrarak për Jugosllavinë. Ndonëse ura ishte e mbrojtur nga dy topa kundërajrorë, bomba e parë ra në ndërtesën e të burgourve meshkuj. Kurse në të gjithë kampin ranë gjithsej 17 bomba, prej të cilave u shkatërruan krejtësisht tre kazerma të mëdha ku flinin të burgosurit dhe u vranë rreth 400 prej tyre, e mbi 700 të tjerë mbetën të plagosur rëndë, ku pjesa më e madhe e tyre ishin jugosllavë.

A kishte shqiptarë ndër të vrarët e asaj dite nga bombardimet?
Ndër të vrarët ishin dhe dy shqiptarët, Dr. Pavllo Doko dhe një hoxhë nga Mallakastra. Nga bombardimet, Beogradi për dy ditë dhe dy netë, ndriçonte i gjithi nga flakët e bombave dhe po kështu edhe Zemunin që ishte në fushë. Ky bombardim i aviacionit anglez, njihet si një nga bombardimet më të rënda që ka ndodhur në Beograd gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Brenda në qytetin e Beogradit, u vranë apo u plagosën me mijra njerëz të pafajshëm nga popullsia civile.

Ç’ndodhi me ju të burgosur pas shkatërrimit të kampit?
Pas bobmardimeve, në pamundësi për të qëndruar të burgosurit në kampin e Zemunit, pasi ishte i gjithi i shkatërruar nga bombat, të burgosurit u transferuan në burgun e Banicës, që ndodhej në periferi të Beogradit, ndërsa një pjesë tjetër e të burgosurve jugosllavë u transferuan nëpër kampet e internimit të Gjermanisë.

Sa shqiptarë kishte në burgun e Banicës?
Në burgun e Banicës kishte rreth 382 shqiptarë, nga 512 që ishim në Zemun. Pra rreth 130 të burgosur kishin vdekur nga torturat në Zemun.

Në krahasim me Zemunin, si ishin kushtet aty në Banicë?
Burgu i Banicës ishte një burg shumë i vjetër dhe i siguruar mirë. Ai kishte një ndërtesë të madhe me tre kate, me dritare të vogla të siguruara mirë me hekura, kishte birucat dhe bodrumet e saj ku mbaheshin të mbyllur të burgosurit “më të rrezikshëm”, ku dhe torturoheshin në mënyrën më çnjerzore. Ai burg ishte i vendosur në një territor prej 2 km. katrore dhe ishte i rrethuar me mure të larta, e sipër mureve ishin vendosur tela me gjëmba të elektrizuara. Në çdo qoshte të murit kishte nga një kullë, d.m.th. nga katër kulla që kontrollonin të gjithë territorin e brendshëm dhe të jashtëm të burgut.

Si u prit ardhja e të burgosurve shqiptarë në atë kamp, a patët ndonjë ndihmë nga të burgosurit e kombësive të tjera, duke pasur parasysh faktin se komunistët ishin internacionalistë?
Duke parë gjëndjen e të burgosurve të rinj të ardhur nga Zemuni, të cilët ishin të uritur, të keqtrajtuar dhe të torturuar, të tretur kockë e lëkurë dhe krejtësisht të cfilitur, të burgosurit e vjetër të burgut të Banicës, me në krye Komitetin Revolucioinar që kishin krijuar jugosllavët në këtë burg, që në ditën e parë krijuan dhe organizuan ndihma me ushqime për shqiptarët dhe grekët. Këtë gjë ata e bënë duke grumbulluar të gjitha racionet e bukës së tyre të asaj dite si dhe disa ushqime të tjera që u kishin ardhur nga familjet e tyre.

A vazhdoi kjo, apo vetëm ditët e para kur shkuat?
Kjo vazhdoi dhe më vonë u bë një ndihmë e përditëshme dhe e rregullt, të cilën siç thashë e organizoi Komiteti Revolucionar që kishin krijuar jugosllavët. Kjo gjë ishte shumë pozitive, si nga ana materiale ashtu dhe ajo morale, gjë e cila linte për të kuptuar, se edhe në ato kushte të rënda, të burgosurit e gjenin dhe e ndihmonin njëri tjetrin, pra ekzistonte shpresa. Por megjithëatë, torturat fizike dhe tortuar shpirtërore, epidemitë e sëmundjet ngjitëse, si tifoja e morrit dhe dizanteria, bënin kërdinë, duke marrë dhjetra e qindra jetë njerzish në ditë nga të burgosurit që ishin aty./Memorie.alVijon nesër

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet