Samiti i paqes për Ukrainën, Begaj mbështet propozimin e Zelenskyt: Rusia duhet te mbajë përgjegjësi për veprimet e saj

Në Samitin për Ukrainën që po mbahet këtë fundjavë në Zvicër, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj theksoi nevojën imediate për gjetjen e një rruge drejt paqes, për të ndaluar tragjeditë njerëzore të shkaktuara nga agresioni rus, si dhe të frenojë konfliktin që kërcënon Evropën e më gjerë.

Gjatë fjalës së tij para liderëve botërorë të mbledhur në Burgenstok të Zvicrës, Begaj tha se mbështet propozimin për paqen të Presidentit të Ukrainës Volodymir Zelensky.

“Sfida jonë është monumentale. Të zhvillojmë një kuadër për një marrëveshje të ardhshme paqeje. Shqipëria e konsideron formulën e paqes së Presidentit Zelensky si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina. Rruga drejt saj nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi. Ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona. Rusia duhet të kuptojë pasojat serioze të veprimeve të saj”.- tha Begaj.

Samiti i paqes për Ukrainën po zhvillohet në Zvicër prej 15 Qershorit. Në një atmosferë të mbushur me pritshmëri dhe përkushtim ndërkombëtar, qyteza e Burgenstokut është kthyer në një qendër diplomacie globale, pasi në këtë samit marrin pjesë mbi 90 delegacione nga e gjithë bota, për të hartuar hapat e parë drejt një zgjidhje paqësore për konfliktin në Ukrainë, bazuar mbi një formulë dhjetë-pikëshe të paqes të propozuar nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në këtë samit mungon Rusia e Kina.

Fjala e plotë e presidentit Begaj: 

E nderuar Presidente Amherd,
I nderuar President Zelensky,

Së pari, ju shpreh falënderime për organizimin e këtij samiti dhe mikpritjen tuaj! 
Së dyti, dëshiroj t’ju them se Shqipëria është e nderuar të marrë pjesë në këtë samit dhe e mbështet plotësisht synimin e tij. 

Ky samit paraqet një tubim të rëndësishëm të kombeve me qëllimin e përbashkët për të gjetur një rrugë që, nga errësira e konfliktit, të na nxjerrë drejt dritës së paqes.

Agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzish, shkatërrime dhe zhvendosje të popullsisë.

Kjo tragjedi njerëzore na shtyn ta shohim procesin e paqes jo si një ideal të largët, por si një domosdoshmëri të menjëhershme.

Është përgjegjësia jonë të hapim rrugën drejt paqes, duke siguruar që çdo hap t’i largohet luftës dhe konfliktit.

Agresioni rus është një shkelje flagrante e parimeve themelore të Kartës së OKB-së, një shkelje e hapur e ligjeve ndërkombëtare dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian e më gjerë.

Sfida jonë është monumentale - të zhvillojmë një kuadër për një marrëveshje të ardhshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Është jetike që këto shtete të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore brenda kufijve ndërkombëtarisht të njohur.

Shqipëria e ka dënuar fuqishëm agresionin rus. Ne mbajmë një qëndrim të qartë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

Shqipëria e konsideron formulën e paqes të Presidentit Zelenski si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë e të qëndrueshme për Ukrainën.

Çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina.

Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën derisa të arrihet paqja, në përputhje me Kartën e OKB-së, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe duke përfshirë edhe përgjegjësinë për veprimet e Rusisë.

Rruga drejt paqes nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi. Ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona.

Ndërsa kërkojmë një zgjidhje, duhet të sigurojmë që mbështetja për Ukrainën të vazhdojë.

Ne jemi mbledhur këtu jo për të detyruar, por për të inkurajuar, jo për të imponuar, por për të propozuar rrugë drejt paqes, të cilat respektojnë interesat dhe integritetin e të gjithëve.

Së bashku, le ta transformojmë shpresën e sotme në paqen e së nesërmes! 

Ju faleminderit!

M.Q./G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Çfarë fsheh mosregjistrimi i PD-së në Himarë?

Ylli Pata: Çfarë fsheh mosregjistrimi i PD-së në Himarë?