Siguria e Bashës në rrezik? Lleshaj: S’kam asnjë informacion që është kërcënuar (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Vlora deklaroi sot se nuk ka asnjë informacion se është kërcënuar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Partia Demokratike foli dje për një takim që Ministri i Brendshëm kishte pasur, sipas tyre në zyrën e tij me punonjësin e gardës që njëherësh është edhe shoqërues i kryedemokratit Basha, takim në të cilin Sandër Lleshaj - gjithmonë sipas PD-së, i ka thënë gardistit Feim Dollapi, se liderit demokrat Lulzim Basha i kanoset rrezik. Ndërsa kreu i shtetit u vendos në lëvizje dhe thirri në takim, kryetarin e Shërbimit Informativ Kombëtar, Helidon Bendon dhe kreun e Gardës së Republikës së Shqipërisë, Gramoz Sako. 

Por, Lleshaj deklaron se takime me trupëroja të gardës ka pasur, por përsëriti se nuk ka informacion se është kërcënuar lideri i opozitës, ndërsa shtoi se letrën e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi nuk e ka lexuar. "Nuk kam asnjë informacion që Basha është kërcënuar. Takime me truproja të gardës kam pasur, kjo është puna ime e përditshme të takoj truproja të gardës, të pyes ata për vijimin e punës sime. Letra e Gazmend Bardhit më ka ardhur, e keni dhe në gazetë por ende nuk e kam lexuar, e përsëris nuk kam asnjë informacion që kryetari i PD-së, Basha të jetë kërcënuar" deklaroi ai.

Më pas ministri foli edhe për incidentet në Shkodër, ku PD-ja dhe policia bashkiake nuk lejuan që të futen anëtarët e KZAZ-së. Sandër Lleshaj, referuar Voltana Ademit tha se kryetarët e bashkive dhe individët duhet ta heqin nga mendja fjalën dhunë dhe se zgjedhjet do të bëhen në 30 Qershor.

"Puna për 30 qershorin po vazhdon. Ka disa kryetarë bashkishë dhe individë që duan të pengojnë procesin  por nuk e arrijnë dot pasi cdo gjë është Kushtetuese. Kryetarët e bashkive dhe individët duhet ta heqin nga mendja fjalën dhunë. Procesi zgjedhor do të vijojë pavarësisht tensioneve. Kush mundohet të pengojë procesin zgjedhor do të përballet me forcën e ligjit" deklaron Sandër Lleshaj.

Prononcimi i plotë i ministrit Sandër Lleshaj
Nuk kanë atribute për të ushtruar forcë Kryetarët e bashkive në një vend normal. Nëse do të kalojmë në një nivel barbarie ku të gjithë tregojnë forcë, atëherë vijmë te ajo që quhet “bellum omnium contra omnes” që do të thotë: “Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”. Gjithkush merr atributet e forcës.

Atributet e forcës në një shtet ligjor i ka vetëm Policia e Shtetit, që ka monopolin për ta ushtruar forcën në bazë të ligjit. Pra kryetarit Shameti, dua t’i them këtu, meqenëse e përmendët emrin ju, që duhet ta heqë nga fjalori forcën, sepse forca nuk është në duar të kryetarëve të bashkive apo të qytetarëve. Forca është vetëm në duar të Policisë së Shtetit për ta ushtruar kundër krimit. Kaq.

Sa i përket ndërhyrjes apo tentativës tek-tuk të ndonjë kryetari bashkie, dua të them se afati i mandateve të kryetarëve të bashkive mbaron tani. Ka një afat 4-vjeçar për të ushtruar funksionet. Nëse ky afat mbaron është absurde, është paradoksale të mendojmë që një kryetar bashkie del dhe lufton me forcë për zgjatur arbitrarisht afatin ose mandatin e tij.

Ai duhet të lëshojë mandatin dhe duhet t’u hapë rrugë zgjedhësve që ata të vendosin për atë apo për një tjetër përmes zgjedhjes. Kjo është ajo që mund t’i them atij dhe të tjerëve. Sigurisht që duhet të jenë të qartë që forcë nuk mund të ushtrohet sepse është kundër ligjit. Dalin përtej ligjit po të përdorin forcën. Kam rastin t’i ftoj që të kthjellohen dhe të afrohen tek ligji, sepse në qoftë se do të ushtrojnë veprime të pamenduara dhe jo në përputhje me ligjin, do të ballafaqohen vetë me të. Pasojat do të jenë ato që ligji  parashikon për dhunuesit e zgjedhjeve, aq më tepër kur këta janë të veshur me pushtet.

Pyetje: Nga kush kërcënohet siguria e kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe a keni pasur një takim me truprojën  e tij në zyrën tuaj?
Lleshaj:
Siguria e Bashës, nuk kam ndonjë informacion që rrezikohet. Sigurisht jam vënë në dijeni dje të një letre që janë shtruar dhe disa pyetje, por nuk kam informacion që siguria e Bashës të jetë e kërcënuar në mënyrë specifike.

Pyetje: Çfarë masash do të merren në lidhje me debatet dhe tensionet që po ndodhin në KZAZ-të e vendit?
Lleshaj:
Në KZAZ e vendit po zhvillohet puna normalisht. Ka patur tentativa në disa raste të shkëputura të individëve të caktuar, kryetarëve të bashkive aktualë, si rasti i Selenicës, të cilët kërkojnë të zgjasin, përmes dhunës dhe arbitraritetit, mandatin e tyre që ndërkohë po mbaron. Eshtë një opsion i pamundur që kryetarë të caktuar bashkie, të cilëve u ka mbaruar mandati, të pengojnë rizgjedhjen e të tjerëve.

Pyetje: Si do të jetë ndërhyrja e policisë në rast se në 30 Qershor do të kemi ashtu siç ka paralajmëruar PD-ja në fakt, opozita, ndërhyrje për të mos lejuar qytetarët të cilët do të zgjedhin bashkiakët?
Lleshaj:
Reagimi i policisë është i paracaktuar nga ligji. Policia është e detyruar që në funksion të kërkesave përkatëse të autoriteteve që administrojnë zgjedhjet, të ndërhyjë në ato raste ku është e nevojshme të ndërhyhet. Unë prapë besoj që me gjithë thirrjen dhe retorikën e ndezur politike që po përdor një pjesë e opozitës jashtë-parlamentare për të penguar procesin zgjedhor, unë besoj që ai do të zhvillohet plotësisht në rregull ashtu si e kërkon kushtetuta dhe ligji, për arsye se masat janë të marra plotësisht dhe për arsye se qytetarët shqiptarë kërkojnë që të ushtrojnë të drejtën e tyre. Qytetarët e këtij vendi nuk mund të pranojnë dhe nuk pranojnë në krye të bashkive të vendit, qytetarë që u ka mbaruar mandati. Do të zgjidhen të tjerë, kaq e thjeshtë është kjo.

Pyetje: Z. Lleshaj, ka një letër nga Gazmend Bardhi që ju është drejtuar juve për sigurinë e z. Basha madje është folur edhe për një takim tuajin me truprojat e z.Basha. Janë të vërteta këto fakte apo jo?
Lleshaj: Cilat fakte?

Pyetje: Ka një letër të z.Gazmend Bardhi...
Lleshaj:
Po letra është bërë publike, atë e keni në gazetë. Eshtë e vërtetë që ka patur një letër, të cilën ende nuk e kam lexuar. Ndërsa sa i përket takimeve të mia, patjetër që unë takoj shumë njerëz. Puna ime është të takoj oficerët e Gardës, oficerët e Policisë, me këtë punë merrem gjithë ditën, takoj oficerë të Gardës edhe të Policisë sepse këtë punë kam.

Pyetje: Z. Lleshaj, jashtë politikës, për sezonin turistik. Vlora ka pasur një mbarëvajtje vitin e kaluar në sistemin e kufirit, të mjeteve ujore, por ashtu edhe të rendit këtë vit. Por, duke pasur parasysh që numri i turistëve të huaj sa po vjen dhe po rritet, kemi parë që është nevoja e efektivëve që të flasin gjuhë të huaja, sidomos anglisht. A do të ketë një plan për sezonin turistik për rritjen e këtyre efektivëve?
Ministri Lleshaj:
Keni kapur një pikë shumë sensitive në fakt dhe shumë të rëndësishme. Sigurisht që do të ishte e mira që Policia e Shtetit të jepte përgjigje me kapacite të duhura edhe në sezonin turistik në aspektin e komunikimit, për arsye se të gjithë turistët që frekuentojnë plazhet ose Shqipërinë kanë nevojë për komunikim dhe pengesa e para që i drejtohen është policia.  Ne po bëjmë përpjekje, por megjithatë them që këtu nevoja për përmirësim është shumë e madhe. Dhe këtu gjej rastin për të bërë një thirrje publike për të rinjtë e këtij vendi, të cilët duhet të afrohen për t’u bashkuar me Policinë e Shtetit.

Nuk mund ta ndërrojmë nivelin e anglishtes për oficerët e policisë për një javë apo për një muaj. Do kohë! Besoj e dini se sa kohë merr një gjuhë ta mësosh dhe ta përdorësh atë. Ne po punojmë në kuptim afatgjatë për të shtuar kapacitetet e trajnimit në gjuhën angleze për oficerët e policisë në Akademinë e Sigurisë. Së shpejti, do të kemi një ndërhyrje të rëndësishme në këtë Akademi duke shtuar kapacitete të dedikuara, pra duke shtuar laboratorë dhe mësues ose profesorë të gjuhës angleze në mënyrë që oficerët e policisë të dalin nga Akademia me një nivel të konsoliduar të gjuhës angleze. Njëkohësisht për ata që janë, që shërbejnë tashmë në komisariatet e vendit do të ketë programe trajnimi në mënyrë që niveli i tyre të përmirësohet aq sa të arrihet një optimum që të mundësojë komunikimin me turistët. Po ashtu edhe në pikat kufitare në rastin e atyre që frekuentojnë pikat tona kufitare. Por është një çështje, e cila meriton përmirësim.

Pyetje: Zoti Lleshaj dhe një pyetje e fundit. Sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, ka informacione të pakët në zonën e Selenicës në fshatrat e Lumit të Vlorës ka kontrolle të përditshme, a jeni informuar për bimët që janë konstatuar?
Lleshaj:
Sigurisht që jam i informuar, sepse kjo çështje përbën një prioritet të madh të punës së Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit tashmë është në kulmin e operacionit kundër çdo tentative për kultivim. bNë këtë kuadër kryhen operacione të rëndësishme nga toka dhe nga ajri, për të  pamundësuar çdo tentativë. Nuk po them që ka raste, ka tentativa, ka patur tentativa edhe në qarkun e Vlorës, por edhe në ndonjë qark tjetër. Por dua të them që niveli i impenjimit dhe i angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, është i tillë, i cili e bën të pamundur çdo tentativë për të kultivuar kanabis.Sigurisht që mendjen e ndonjë të çarturi, i cili ende  nuk ka kuptuar gjë ne nuk mund ta kontrollojmë, por dua t’i garantoj, t’i garantoj fort që çdo tentativë do të marrë ndëshkimin e ligjit. Dhe, duke filluar nga data 15 qershor, pjesë e përgjegjësisë nuk janë thjesht kultivuesit, por do të jenë edhe vetë strukturat e Policisë dhe strukturat e Pyjeve, të Bujqësisë, të Mjedisit e të tjera me radhë. Pra të gjithë ato struktura të cilat kanë përgjegjësi për ta kontrolluar këtë territor, i cili duhet të jetë ashtu siç Zoti na e ka lënë, i bukur dhe në dispozicion të shqiptarëve për t’u përdorur për qëllime pozitive.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tahir tarfyci: 18/06/2019 14:24

    Po te jet burr i mire ska nevoje per roje.Esht zhytur deri ne gryke prandaj do roje ky.Nga jasht shqupit se gjen gje,por kujdes te ket nga brenda se faktet ashtu thon.Shpresoj te mos e gjej gje por kujdes duhet te tregoj i gjori

    Përgjigju
  • Vjola: 18/06/2019 12:45

    Perdor forcen dhe mbro materialet zgjedhore mor buf.Kerko ndihmen e ushtrise.Ke polici kot qe marrin rrogat dhe nuk bejne detyren.Po shkaterrojn materialet zgjedhore e ti flet kot sikur te kishe gje ne dore.Kujt i rruhet per Bashen apo plakun e cmendur.Mbro institucionet zgjedhore ose ik

    Përgjigju
  • Tironsi: 18/06/2019 11:07

    Po' pse po' genjeni se do kete zgjedhje me 30 qeshor po kete e dine te gjith se nuk do behen zgjedhjet,po' kaq te paftyre jeni se po' beni shpenzime koti, nuk po' ja jepeni popullit ato leke qe po' talleni me 30 qeshorin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Sulmi në Moskë, Ankaraja: ISIS-K u ndihmua nga shërbimet sekrete

Sulmi në Moskë, Ankaraja: ISIS-K u ndihmua nga shërbimet sekrete