Miratohet ligji, si do pezullohen gjyqtarët për tre ditë! PS-ja i merr Metës betimin e gjyqtarëve, kalon nisma për pasuritë e sekuestruara nga OFL-ja

TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimin në projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka për qëllim që të godasë dhe të izolojë grupin e quajtur ndryshe 'KÇK', 'kap çfarë të kapësh'. Projektligji u miratua në seancën e sotme plenare me 87 vota pro, 15 kundër, 4 abstenim. Projektligji i rrit kompetencat ILD-së për magjistratët problematikë për marrjen e masave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve brenda tre ditëve.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka të drejtë të ndërhyjë kur për një gjyqtar ose prokuror ka akuza të besueshme. Kreu i ILD i drejtohet KLGJ dhe KLP të cilët brenda 3 ditëve duhet të japin vlerësimin e tyre. Kjo do të thotë se prokurorët dhe gjyqtarët janë në dorë të kreut të ILD-së. Në rast indicie apo denoncimi, kreu i ILD-së mund të hetojë gjyqtarët apo prokurorët dhe pasi krijon bindjen se ka shkelje brenda tre ditëve i drejtohet KLGJ-së apo KLP-së për fillimin e një procedimi disiplinor apo pezullim nga detyra.

Ankesa mund të bëhet nga çdo individ, i cili mund të identifikohet ose të mbetet anonim. Nëse konstatohet se ka shkelje gjyqtari mund të pezullohet për tre ditë duke mos zvarritur procedurën. Kështu nëse më parë pezullimi i prokurorit dhe gjyqtarit kërkonte deri në një vit kohë, pra deri kur të përfundonte hetimi disiplinor, tashmë pezullimi mund të behet për tre ditë nga KLGJ apo KLP-ja mbi bazën e fakteve për 6 muajt e ardhshëm. 

Me 86 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim, shumica ka miratuar projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar” që i merr Presidentit Ilir Meta të drejtën e betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Me ndryshimet që u miratuan sot, Presidenti Ilir Meta ka 10 ditë afat për të thirrur në ceremoni betimi një gjyqtar, nëse nuk e bën atëherë gjyqtari e dërgon vetë betimin me shkrim në Gjykatën Kushtetuese. Por pse u miratua ky ligj? Shumica e ndërmori nismën pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, pasi Meta nuk thirri për betim Arta Vorpsin dhe për pasojë ajo nuk u bë anëtare e Kushtetueses.

Gjithashtu sot me 87 vota pro, 1 kundër, 6 abstenim, edhe një projektvendim me procedurë të përshpejtuar "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 "Për administrimin e pasurive te sekuestruara e te konfiskuara". Nisma ndryshon ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, i miratuar vetëm disa javë më parë. Nisma parashikon zbatimin e këtij ligji edhe pasuritë e sekuestruara nga Operacioni Forca e Ligjit, ku Agjencia do të menaxhojë edhe këto pasuri të sekuestruara.

Gjithashtu, Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar do të mbikëqyrë veprimtarinë e agjencisë së administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara si dhe vendos për destinacionin e pasurive të krimit. Sa i takon përfundimit të pasurive të konfiskuar, me marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata për konfiskim, pasuritë kalojnë në pronësi të shtetit. Një tjetër projektligj i miratuar sot ishte edhe ai për ushqimin, projektligji për të huajt dhe për shpronësimet.

Votimet sot në Kuvend
Projektligji për shpronësimet u miratua me 84 vota pro, 19  kundër  dhe 3 abstenim
Projektligji për jodin u miratua me 106 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim
Projektligji për të huaj u miratua në tërësi me 89 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim
Projektligji për Gjykatën Kushtetuese u miratua me 86 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim
Projektligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve u miratua me 87 vota pro, 15 kundër, 4 abstenim
Projektligji për ushqimin u miratua me 85 vota pro, 10 kundër dhe 4 abstenim
Projektvendimi për administrimin e pasurive të sekuestruara u miratua me 87 vota pro, 1 kundër, 6 abstenim

Kuvendi ne seancen e sotme plenare

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:51
Ndryshimi në ligjin për ushqimin, Çuçi tregon si do të jetë AKU-ja e re: Fushatë rekrutimi të punonjësve

1581537152_BlediCuci.png
Në Kuvend sot u miratuan edhe ndryshimet në ligjin “Për Ushqimin”, i cili sipas ministrit të Bujqësisë Bledi Çuçi i hap rrugë një ristrukturimi të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucionit. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij në seancën e sotme dha më tepër detaje rreth projektligjit që u miratua.  “AKU nuk mund të vazhdojë më të identifikohet si një institucion i masave represive, që vetëm vendos gjoba e aplikon ndëshkime ndaj operatorëve të biznesit ushqimor. AKU-ja e re duhet të ketë një rol tjetër karshi biznesit dhe konsumatorëve.  Sfida jonë është ta shndërrojmë në një strukturë inteligjente, me burime njerëzore të kualifikuara. Do të ndërmarrim një fushatë rekrutimi dhe trajnimi të punonjësve të rinj së bashku me Autoritetin e Kontrollit të Ushqimit në Irlandë, i cili është ‘binjakëzuar’ me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit tek ne, kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian për sigurinë ushqimore”, tha ministri Çuçi. Me ndryshimet ligjore, sipas Çuçit do të forcohet roli i Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut bazuar në vlerësime shkencore dhe të dhëna historike, për praktika të ndjekura nga operatorët e biznesit ushqimor.

Do të kemi një strukturë të re brenda AKU-së që analizon të dhënat e inspektimeve ndër vite, në mënyrë që plani i monitorimit kombëtar të mos jetë një plan, le të themi mekanik, por të jetë i bazuar në analizë dhe statistika disa vjeçare. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të ndërmarrim kontrollet e duhura ndaj operatorëve të biznesit ushqimor, pa abuzuar dhe pa u bërë pengesë për zhvillimin e biznesit”, tha ministri Çuçi. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i ndryshimeve ligjore sipas tij është shmangia e kontrolleve të dyfishta për operatorët e biznesit ushqimor edhe nga inspektorët e AKU-së edhe nga inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

"Rreth 15 mijë OBU lehtësohen nga ky kontroll i dyfishtë, që shpesh linte vend edhe për abuzim. Ulja e barrës së inspektimit nga dy institucione për të njëjtin subjekt apo çështje, shmang mundësinë për abuzim. Për herë të parë do të aplikohet një lehtësim në sistemin e vetëkontrollit, ku subjektet me risk të vogël do të përjashtohen nga kontrollet me të njëjtat kritere si bizneset e mëdha. Kjo i jep frymëmarrje prodhuesve të vegjël. Natyrisht duke mos cenuar këtu parimet bazë të kushteve higjeno-sanitare dhe standardeve të sigurisë ushqimore.  AKU-biznes-konsumator është një trekëndësh shumë i rëndësishëm, dhe ndërveprimi sa më i mirë mes tyre na garanton produkte të sigurta në tregjet tona. AKU-ja e re do të jetë një institucion më dinamik, më inteligjent, më transparent dhe do të adresojë siç duhet sfidat e kohës, duke patur më së shumti në fokus fenomenet që shqetësojnë sot konsumatorët dhe operatorët e biznesit ushqimor” tha në Kuvend ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ora 18:50
Përmeti në Kuvend: Mazhoranca nuk ka guxim të shkarkojë Metën, flirton me të (VIDEO)

Deputeti i opozitës Andi Përmeti në foltoren e Kuvendit hodhi akuza ndaj mazhorancës teksa foli për dy projekligjet e ndryshuara sa i përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas Përmetit, arsyet pse mazhoranca sjell këtë projekligj në kuvend janë të çuditshme dhe absurde.

“Ky ligj ka një qëllim të mirë, për të parandaluar çdo bllokim të mëtejshëm në gjykatat dhe sistemin e drejtësisë. Për të qenë më të saktë. Ky ligj ka për qëllim që mos të ndodhë më bllokimi si në rastin e fundit të Gjykatës Kushtetuese kur presidenti zgjedh të mos ftojë për betim një nga anëtarët. Arsyet pse mazhoranca e sjell këtë ligj në parlament janë pak të çuditshme, absurd. Mazhoranca deklaron se Presidenti ka shkelur Kushtetutën. Mazhoranca pretendon se ka shkelur Kushtetutën, por nuk ka guxim ta shkarkojë ose ta cojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, sepse mazhoranca flirton me Ilir Metën”, u shpreh Përmeti.

Ora 17:57
Debat i fortë në Kuvend, Ruçi e përjashton: Dil përjashta! Ralf Gjoni: Turp! Je simbol i komunizmit (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka përjashtuar nga seanca plenare deputetin e opozitës Ralf Gjoni pas debateve dhe akuzave. Gjoni ishte duke folur për ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa akuzoi shumicën dhe opozitën se përmes një pakti të heshtur po pengojnë zbatimin e reformës në drejtësi.

"Donald Lu fliste për peshq të mëdhenj. Me të drejtë një qytetar bën pyetjen, ore ku janë peshqit e mëdhenj, mirë të mëdhenj jo, por as sardele nuk po kapim. Ku është drejtësia sot. Ka një dakordësi mes Ramës, Berishës, Metës, Bashës dhe Kryemadhit, që vijojnë dhe qëndrojnë në krye të politikës shqiptare, që drejtësia të mos funksionojë dhe reforma të zgjatet dhe shqiptarët të lodhen. Ku janë peshqit? Nëse reforma nuk jep rezultate brenda këtij viti, qeveria do të përballet me furinë e popullit. Kam frikë se do u skuqet faqja partnerëve nëse SPAK-u nuk do të japë rezultate brenda këtij viti. Shqiptarët duan të dinë pse këta politikanë të korruptuar i shkelin syrin njëri tjetrit për të mos pasur drejtësi. Gjykata Kushtetuese, e Lartë ende nuk janë ngritur" tha ai.

Kryetari i Kuvendit e ndërpreu duke i kërkuar që të fliste për temën ose në të kundërt do i ndërpriste fjalën dhe kështu ndodhi. Ruçi i kërkoi më pas Gjonit që të lironte foltoren por opozitari nuk pranoi dhe kryetari i Kuvendit e përjashtoi.

Debati mes Ruçit dhe Gjonit në Kuvend
Gramoz Ruçi: Zoti Gjoni, të lutëm ke kohe që nuk po flet për ligjin
Ralf Gjoni: Po për ligjin po flas
Gramoz Ruçi:  Jo për ligjin nuk po flet fare. Vetëm për ligjin nuk po flet
Ralf Gjoni: Kan dalë të tjerë dhe kanë folur, unë jam brenda temës. Nuk keni të drejtë të më ndërprisni fjalën, po flas për ligjin, për kontekstin.
Gramoz Ruçi: Jo për flet për të gjitha institucionet e shtetit dhe jo për ligjin
Ralf Gjoni: Ju nuk e ke tagrin për ta vlerësuar si e kap apo atakoj unë ligjin
Gramoz Ruçi: Po e kam unë. Atëherë të ndërpritet fjala. Ulu, ulu, fjalën e ka Myslym Murrizi, nuk është. Atëherë Alket Hyseni në emër të grupit. Ulu të mos marr masë se e ke zaptuar foltoren, edhe njëherë po të tërheq vërejtjen. Po të paralajmëroj se do të përjashtoj nga seanca. Nëse do të vazhdosh të mbash foltoren do të përjashtoj nga seanca.
Ralf Gjoni: Zoti Kryetar nuk kam mbaruar fjalën, kjo nuk është pronë private e jotja. më lejoni të mbaroj fjalën
Gramoz Ruçi: Do të përjashtoj nga seanca, jo unë por rregullorja, kur dy minuta zapton foltoren përjashtohesh nga seanca. Ulu të mos përjashtoj nga seanca.
Ralf Gjoni: Regjia hapni mikrofonin. Kjo është turp e faqe e zezë! Turp!
Gramoz Ruçi: Atëherë sipas nenit 65 pika b, nëse deputeti mban zaptuar foltoren pas vërejtjes dhe paralajmëriimt  përjashtohesh nga seanca
Ralf Gjoni: Komunist, shikoni simbolin e komunizmit! Nuk ke turp!
Gramoz Ruçi: Deputeti Gjoni përjashtohesh nga seanca. Nëse zbaton urdhrin do të kërkoj të përjashtohesh 10 ditë. Dil nga seanca! Dil përjashta
Ralf Gjoni:  Turp! Nuk e ke pronë private.
Ndërhyn nga vendi Kujtim Gjuzi: O kryetar....(Nuk dëgjohet)
Gramoz Ruçi: Gjuzi mos fol se do të përjashtohesh edhe ti, të është hequr e drejta e fjalës, të mësohesh me rregull.
Gramoz Ruçi-Ralf Gjonit: Dil përjashta
Ralf Gjoni: Turp të kesh
Gramoz Ruçi: Nëse nuk pranon të dalë nga salla, i kërkohet sekretariatit marrjen e masave dhe përjashtimin deri në 10 ditë
Ralf Gjoni: Nuk keni turp

Ora 17:56
Xhafaj: Jo retorikë, por veprime konkrete për hetimin e gjyqtarëve të shkarkuar nga vettingu

Ish-kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore Fatmir Xhafaj kërkoi që gjyqtarët dhe prokurorët që janë larguar nga sistemi me pasuri marramendëse duhet të hetohen si e kanë vendosur. Ai tha se kjo nuk bëhet me retorikë, por me veprime konkrete. Xhafaj u shpreh kundër ndryshimeve të shpeshta të ligjeve, sidomos të reformës në drejtësi që u miratuan.

Fjala e plote e Fatmir Xhafes
Ka sot një shqetësim real. Disa prokurorë dhe gjyqtarë, të bindur se vetingu tashmë është një realitet dhe filtrat e vendosura i nxjerrin ata jashtë sistemit si të korruptuar, janë duke bërë atë që kanë bërë përher me vendimarrjet e tyre, por tashmë pa asnjë limit. Disa vendime janë me pasoja të rënda për rendin dhe sigurinë publike. Në rrethana të tilla cdo ndërhyrje për ta parandaluar e ndëshkuar këtë gjë është pozitive.

Nisma e nënshkruar nga kolegët deputetë synon të amendoj një ndër ligjet kyc të reformës në drejtësi. Qëllimi për të cilën u nis ishte një gjë pozitive. Synonte ndër të tjera të zgjidhte një ngërc të krijuar nga mungesa e ILD në stukturën e institucioneve të reformës në drejtësi. U deshën 4 – 5 muaj nga hapja e këtij debati për të ardhur deri këtu. Sot kemi një situatë të re. ILD ka nisur nga puna. Amendamenti që pritet të miratohet i jep ILD një instrument më të qartë dhe më efektiv. Shpresoj që ILD por dhe KLGJ e KLP të mund të reagojnë në kohë dhe në mënyrë eficente ndaj dukurive të tilla negative.

Vendimmarrje të tilla korruptive kemi pasur në vite. Kjo ishte një ndër arsyet thelbësore përse reforma në drejtësi ishte kaq e thellë, në zgjidhje institucionale, strukturore, por edhe në burime njerëzore përmes procesit të vetingut. Koha na dha të drejtë. Rezultatet e vetingut për një pjesë të mirë të atyre që janë larguar provojnë qartazi korrupsionin e jashtëzakonshëm brenda sistemit. Janë pikërisht individ të tillë që aktualisht kanë krijuar një situatë të tillë vendimmarrjesh jo thjesht korruptive, por edhe haptas në kundërshtim me ligjin. Besoj se qëllimi i një pjese prej tyre është edhe hakmarrje me reformën për të cënuar sadopak imazhin e saj të qytetarët, shpresën e tyre te drejtësia e re. Kjo edhe sepse qytetarët e thjeshtë jo gjithmonë arrijnë ta ndajnë veprimin e një gjyqtari të caktuar, pjesë e sistemit të vjetër, në raport me pritshmërinë që ata kanë pasur dhe kanë për reformën e re në drejtësi.

Natyrisht këtë situatë e favorizon në një farë mase edhe procesi tranzitor i gjatë në formatimin e institucioneve të reja të sistemit si edhe mungesa e një programimi të mirë të procesit të vetingut. E mbështet edhe klima e krijuar nga kundërshtarët e reformës që po përpiqen me cdo mënyrë ta delegjitimojnë procesin e reformës, ta paraqesin atë si të dështuar për tju dhënë shpresë dhe krah pikërisht individëve të tillë. Mendoj se fenomene te tilla janë rrjedhoj e reagimit të botës së krimit të cilët po synojnë ta shfrytëzojnë këtë moment dhe përmes presionit, dhunës apo korruptimit të disa prokurorëve e gjyqtarëve të blejnë lirinë e tyre.

Cështja shtrohet a e zgjidh kjo nismë shqetësimin tonë në të gjitha përmasat ? A është kjo qasja e duhur dhe eficente ? A ka dicka tjetër që duhet bërë më mirë për të adresuar fenomenin sot, por edhe për të mos krijuar ndërhyrje apo precedentë që mund të rihapin probleme të reja.

Së pari sot kemi një realitet të ri me reformën në drejtësi që na imponon edhe një qasje të re, komunikim e marrëdhënie të re me sistemin.

Procesi i vetingut dëshmoj se brenda rradhëve të sistemit kemi shumë gjyqtar e prokurorë me integritet dhe të vendosur për të zbatuar ligjin. Se është gjyqtare Enkelejda Hoxha në Krujë, por po në Krujë është edhe gjyqtarja Kolgjokaj që nuk pranoj ti nënshtrohet krimit dhe korrupsionit. Ashtu si gjyqtarja në Fier, ajo në Mat apo ajo në Tiranë që nuk lejoj vendimin e pushimit të prokurorit të Tiranës lidhur me dhunën e ushtruar ndaj familjes së gjyqtares së Krimeve të Rënda. Ndaj krahas qëndrimit kritik duhet të jemi të drejtë, motivues dhe mbështetës edhe me personat me integritet në sistem dhe kryesorja në kufijtë e pushteteve respektive.

Janë të shëndetshme debatet në publik për cështje të tilla, por në respekt të ndarjes së pushteteve, në respekt të institucioneve të reja të sistemit dhe pavarësisë së tyre. Nga ana tjetër kërkohet edhe më shumë koordinim e bashkëpunim me to përmes standarteve e zgjidhjeve kushtetuese, ligjore dhe institucionale.

Së dyti duhet të pranojmë se fenomeni nuk është i ri dhe i panjohur për shoqërinë tonë. Në 30 vjet korrupsioni e ka kalcifikuar në mentalitetin e një pjese të njerëzve në politikë, në qeverisje, në administratë dhe padyshim në sistemin e drejtësisë. Sot një pjesë e të rinjve nuk mendojnë se si të bëhen profesionistë të mirë, por se si të bëhen pjesë e politikës, administratës e gjyqsorit me qëllimin për të përfituar, me mentalitetin se atje Ke Cfarë të Kapësh. Ky është një problem i rëndë i shoqërisë sonë dhe i të ardhmes së saj.

Ka vetëm një rrugë për ta adresuar, zbatimi i reformës në drejtësi e cila ka në fokus të saj, goditjen e fenomenit të pandëshkueshmërisë. Jemi realisht në një moment delikat të reformës. Zbatimi i saj ka hyrë në një pikë kritike. Kërkohet një analizë e kujdesshme për të kuptuar problematikat e vrejtura dhe mënyrën se mund ti adresojmë ato dhe vecanërisht : rritjen e ritmit të procesit të vetingut dhe një prioritizim më të mirë të cështjeve në shqyrtim, nevojën për një rol më proaktiv të dy këshillave, funksionimin e shpejtë të ILD, një përshpejtim të procesit të funksionimit të GjL dhe GjK, rolin e shkollës së magjistraturës në plotësimin e boshllëkut të madh të krijuar në system etj. Ne jemi maxhoranca që e udhëhoqëm hartimin e reformës në drejtësi. Kemi përgjegjësinë historike për zbatimin e drejtë të saj. Kuvendi duhet të marri përgjegjësitë dhe të tregoj më shumë proaktivitet në këtë mision të rëndësishëm dhe aq të mirëpritur nga qytetarët. Sot jemi të vonuar nesër mund të jetë shumë vonë.

Së treti dëshiroj të nënvizoj një cështje të rëndësishme në vlerësimin tim. Konstatohet një përpjekje për të ndryshuar paksa me lehtësi ligjet e reformës në drejtësi. Natyrisht nuk ka tabu për këtë, sepse sic dihet nuk ka një ligj perfekt ashtu sic nuk ka edhe një ligj cudibërës. Për më tepër ne sot nuk vuajmë nga mungesa e ligjeve, por nga zbatimi i drejtë dhe proaktiv i tyre.

Shihni rastin konkret. Kjo dispozitë, neni 152 është ndryshuar në korrik të vitit që shkoj dhe sot vjen përsëri për amendim. Kur ndryshojmë ligjet duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi druaj që shpeshherë, problematikat që mund të kemi në zbatim kërkojmë t’i kapërcejmë me zgjidhjen më të lehtë, amendimin e ligjit. Jo rrallë gjendemi edhe nën presionin e institucioneve ligjzbatuese, që e shohin këtë si një lloj komoditeti për punën e tyre. Mendoj se kjo është një qasje e gabuar. Ndaj e shoh një gjë shumë pozitive faktin që na u tha në komision se së bashku me misionet partnere (OPDAT dhe EURALIUS) është duke u bërë një analizë e thelluar për të kuptuar çfarë është pjesë e gabimeve tona dhe çfarë është pjesë e nevojave që ka për t’u mbështetur me ndryshime në ligjet përkatëse. Sepse ndryshe ne mund të synojmë tju vëmë vetulla mekanizmave të caktuar apo institucioneve të sapo ngritura, por mund t’i prishim sytë reformës në drejtësi cka do të ishte me pasoja afatgjata.

Së katërti dua të nënvizoj një fakt tjetër. Sot kemi efektive dy këshillat e reja të qeverisjes së sistemit, KLGJ dhe KLP. Ato kanë bërë një punë të mirë, të lavdërueshme përgjithësisht duke mbajtur në konsideratë edhe kohën e shkurtër të funksionimit të tyre. Përtej kësaj, në vlerësimin tim ato ende nuk janë në rolin dhe përgjegjësinë e tyre. Në disa aspekte edhe jo eficente. Këshillat nuk janë dy organe burokratike, për të cilat disa në qeveri dhe këtu në kuvend duhet të kujdesen për t’ju bërë favoret e rradhës ligjeslative apo buxhetore. Këshillat janë qeverisja e sistemit dhe duhet të sillen si të tilla me shumë përgjegjshmëri dhe transparencë në raport me vet sistemin dhe vecanërisht me qytetarët e këtij vendi.

Personalisht kam vlerësime maksimale për përbërjen që ka KLGJ, por dhe KLP, në rradhët e të cilave ka anëtarë me shumë integritet dhe me përkushtim për përgjegjësinë e madhe që kanë marrë. Përtej kësaj në vlerësimin tim le për të dëshiruar qasja e disa anëtarëve që vijnë nga radhët e botës akademike, shoqëria civile dhe avokatia. Mendoj se disa prej tyre nuk kanë një kuptim të drejtë mbi rolin e tyre në këto struktura, frymën e re që do duhej të përconin në funksionimin e tyre për ta bërë veprimin e këshillave shumë më transparent dhe shumë më të përgjegjshëm përball opinionit publik.

Së pesti. Ka një fakt të prekshëm. Aktualisht kemi rreth 130 gjyqtarë e prokurorë të larguar ose të dorëhequr nga sistemi. Natyrisht nuk janë të njëjta shkaqet ku është bazuar shkarkimi, shkeljet e konstatuara. Një pjesë e tyre janë shkarkuar për afera të rënda korruptive, për pasuri të jashtëzakonshme abuzive produkt i vendimmarrjeve korruptive. A duhet mjaftuar vetëm me largimin e këtyre personave nga sistemi ? Një nga cështjet që duhet trajtuar shumë seriozisht është pikërisht fakti që këta persona do duhet të hetohen për pasuritë e tyre dhe për vendimmarrjet korruptive. Natyrisht kjo nuk bëhet me retorike politike, por me veprime konkrete ligjore e institucionale. Nëse ka nevoj për ndërhyrje legjislative le ti bëjmë, por nuk mund të heshtim para kësaj situate.

Natyrisht nuk është një gjë e lehtë. Shumica e tyre në vite kanë qënë e janë ende persona të lidhur fort me politikën ose me grupet që ndikojnë vendimmarrjen e saj. Nuk është rastësi fakti që disa nga gjyqtarët e prokurorët e ndëshkuar më rëndë nga vetingu janë individ të njohur për lidhjet e forta politike dhe janë ndër ata që kanë devijuar apo mbyllur pa hetuar e gjykuar cështje të mëdha në këtë vend në interes të politikës dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Fatkeqësisht është një fenomen që po e shohim ende në sistem dhe kryesisht në prokurori. Lojra politike dhe korruptive me cështjet në hetim dhe gjykim. Një pjesë janë cështje shumë të nxehta, me impakt të madh publik. Shpresoj shumë që institucionet e reja të sistemit, ILD, Prokurori i Përgjithshëm dhe vet KLGJ e KLP ti evidentojnë dhe të reagojnë ndaj këtyre akteve që cënojnë rëndë figurën e magjistratit, por vecanërisht besimin e publikut te drejtësia.

Është momenti të distancohemi fort nga praktika të tilla dhe nga këta individ. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirëpritur nga qytetarët, me efekt të drejtëpërdrejt parandalues për fenomene të tilla brenda sistemit, por edhe një shprehje e vullnetit se ne e kemi seriozisht zbatimin e reformës në drejtësi, se jemi të vendosur realisht të ndërtojmë drejtësinë e re, drejtësi të barabartë për të gjithë.

Ora 12:09
Gjuzi me gjuhë kërcënuese për shpronësimet: Hajde provojeni tek pronat e mia, e kam me të drejtë zakonore (VIDEO)

Deputeti Kujtim Gjuzi ka përdorur një gjuhë kërcënuese në Kuvend teksa diskutohej rreth ndryshimeve në ligjin e shpronësimeve. Ai ka thënë se kushdo që kërkon t'i marrë pronën, do të përballet me të drejtën zakonore.

"Kujtim Gjuzit nuk i merrni dot prona. Unë e kam me të drejtë zakonare. Hajde njëherë e provojeni. Tek pronat e mia. Jeni vrasës dhe na thoni ne për kërcënime. PS ka kriminalizuar në vend. Ne nuk ju lejmë që të bëni krime për pronën. Ne punojmë deri në orët e vona. E keni ju qeverinë. Ne nuk jemi B... pambuk. " tha ndër të tjera Gjuzi.

"Ilir Meta jepe dorëheqjen. S'do me të heq PS se do të shtyjë ditën në Kuvend. A kujtoni se ja dhashë kot Bushatit flamurin? Ju s'keni kryeministër, i 12... Tashmë kryeministri do të jetë katolik dhe do të shuhet gjaku."

Ora 11:57
Shpronësimet, Ralf Gjoni: Fshihen interesa të errëta oligarke

Deputeti Ralf Gjoni duke diskutuar mbi ndryshimet në ligjin e Shpronësimeve ka thënë se në vetvete ligji fsheh interesa të errëta oligarke.

Ai ka shtuar duke thënë se ky ligj ua merr pronën pronarëve të vërtetë dhe ua kalon oligarkëve.

"Fshihen interesa të errëta oligarke. Në pikën 2 ministri përgjegjës për Zhvillimin Urban u kërkon privatëve që të kalojë shpronësimin. Kjo do të thotë se një oligark do të bëjë një ndërtim, ju ja merrni pronën atij legjitim dhe ja jepni këtij subjekti juridik privat. Ku po shkojmë? Është e turpshme ë keni mendjen vetëm për të zhvatur. Keni degraduar shtetin. Kjo është grabitje." tha Ralf Gjoni.

Ora 11:31
Shpronësimet, Balluku në Kuvend: Agjencia për procedurat zgjidh mosmarrëveshjet dhe vonesat

Kuvendi ka nisur diskutimet për projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik, të ndryshuar,

Më parë  Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin, ku hidhen bazat për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve për pronarët që preken nga ndërtimi i projekteve me interes publik.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ngritja e kësaj strukture të specializuar do trajtojë kërkesat për shpronësimet dhe do të shmangë gjyqet për vlerësimin e pronave.

"Krijimi i agjencisë do të zgjidhë mosmarrëveshjet që pronarët e truallit kanë pasur. Do të jetë një zgjidhje i të shpejtë Agjencia e shpronësimit kërkojmë që të votohet sot" tha Balluku.

Ora 11:14
Lefter Maliqi sulmon Sorecën për KÇK: Ç'është ky që thotë po ndjekim paratë, e lanë Shqipërinë në mjerim

Deputeti i opozitës së re në Kuvend, Lefter Maliqi gjatë fjalës së tij në seancën plenare për interpelancë më ministrin Lleshaj, ka hedhur akuza edhe ndaj ambasadorit të BE, Sandër Lleshaj. Maliqi ka thënë se ambasadorët e kanë lënë Shqipërinë në mjerim.

"Na del ky Soreca, ç'është ky? Që na thotë po ndjekim paratë... Kështu po bëjnë këta, e lanë Shqipërinë në mjerim. Ky e keni informacionin? Ku e keni luftën kundër krimit. Ku ka të fortë me shtetin? Jeni ju që keni këtë sistem të korruptuar politik. Këtu tregohen përralla. Soreca qeshte aty. I thoshte shiko këtë se ky është... i kapur nga KÇK i Bashkimit Evropian. Ne besojmë tek ambasadorja Amerikane." tha Maliqi.

Ora 11:04
Maliqi i kërkon 'llogari' për gazin lotsjellës, Lleshaj: Ai që u mor nga Kosova nuk u përdor kurrë

1581499898_lleshaj.jpg
Teksa është pyetur rreth përdorimit të gazit lotsjellës nga deputeti i opozitës Lefter Maliqi, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka thënë se gazi i marrë nga Kosova nuk është përdorur kurrë. Sipas Lleshaj me anë të gazit lotsjellës u shmangën vrasjet dhe  gjakosjet e protestuesve të dhunshëm.

"Po jua përsëris edhe njëherë. Institucionet janë vënë në sulme të dhunshme. Përpall këtyre kushteve. U morën masa për të mos u përshkallëzuar. Policia ka punuar një hap më pas në nivelin e dhunës që është ndeshur. Në kuadër të një viti policia mbrojti lirinë dhe jetën e qytetarëve. Nuk shkaktuan asnjë viktimë dhe për herë të parë në protestat e dhunshme nuk pati gjak dhe të vrarë. Ishte një menaxhim që sipas partnerëve ishte sipas shkollës së policisë. Lakrimogjeni mund të merrni informacion. Kanë qenë që prej viteve të kaluara nga depot. Spekulime që ka ardhur nga Kosova. Ne dijeninë time ka ardhur po nuk është përdorur kurrë dhe është kthyer atje ku është marrë. Policia nuk angazhohet me forcë kundër qytetarëve të saj. Policia është aty." tha Lleshaj.

Ora 11:15
Lleshaj: Kemi luftuar kanabisin, çmimi ka shkuar 800 euro 1 kg

Seanca e ditës së sotme ka nisur me interpelancë me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj të kërkuar nga deputeti Lefter Maliqi dhe disa deputetë të tjerë të opozitës. Maliqi dhe kolegët e tjerë të opozitës  kanë kërkuar interpelancë me Ministrin e Brendshëm për çështjet e krimit në vend, për kanabisin, për dhunën policore që është ushtruar ndaj disa banorëve të Astirit, për çështjet e azilkërkimit dhe për ngjarjet e pazbardhura kriminale. Nga foltorja e Kuvendit deputeti Lefter Maliqi i ka kërkuar disa përgjigje Lleshaj për sigurinë në vend. "Po mjetet e blinduara. Po kryeministri i kujt e kihste blindin që përdori. Pse bën shoë në media. Prokuroria e krimeve që heton këta persona i heton me doganë me banka dhe informacione nga SHIK. Ata kanë marrë kredi dhe kështu me radhë. Pres të japësh përgjigje. Dua të saktësohem si është situata me sigurinë në vend. " tha Maliqi ndër të tjera.

Ministri Lleshaj pas pyetjeve të Maliqit nisi raportimin në Kuvend, për disa çështje për rendin dhe sigurinë në vend. "Nuk ka situatë të rëndë në vend. Por ka situatën më të mirë ndonjëherë për sigurinë në vend. shifrat thonë të kundërtën e asaj që thoni ju. Gjendja është në parametrat më të mirë historike. Vrasjet rrëmbimet krimet kultivimin e drogës e shumë parametra të tjerë. Shifrat tregojnë se janë parametrat më të mira të paktën në 30 vitet e fundit. Sot jemi 30 vrasje më pak se mesatarja e vrasjeve të 10 viteve të fundit. Kemi një vend shumë më të mirë shumë më të sigurtë. Gjendja e sigurisë në vend është produkt i sjelljes së qytetarëve. Është në funksion të qytetarëve dhe na masat e marra nga qeveria si dhe angazhimi i policisë së shtetit. Vetëm në 2019 është bërë një punë  e madhe. Janë shkatërruar 24 grupe kriminale. Janë arrestuar 204 persona për pjesëmarrje në krimin e organizuar dhe botës së krimit. Niveli i zbulueshmërisë është rritur" tha Lleshaj.

Duke folur për suksesin në luftën kundër kanabisit, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është shprehur se gjatë vitit 2019, është ulur me 600% trafikimi i kanabisit shqiptar. Për ta faktuar këtë Lleshaj ka folur edhe në gjuhën e shifrave duke thënë se një kilogram kanabis mund të shitet deri në 800 euro dhe sipas Lleshajt kjo tregon se është reduktuar në mënyrë të jashtëzakonshme kultivimi i kanabisit në vendin tonë. "Italia ka qenë destinacioni i parë i trafikimit, dhe po ju them se në 2019 janë kapur 6 herë, që do të thotë 600% më pak kanabisi se një vit më parë. Çmimi i kanabisit i trafikuar brenda vendit tonë ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme dhe e ka ngritur në nivele të panjohur, shifra që shkojnë në 800 euro për kilogram, që tregon reduktimin në mënyrë të jashtëzakonshme të kanabisit në vend”, tha Lleshaj.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqip: 12/02/2020 21:05

    Si nuk doli nje politikan t doj shwiperin

    Përgjigju
  • Loni: 12/02/2020 20:54

    Miresevjen show I rradhes edhe hapje e nje lufte te re civile! Smund tja marresh tjetrit ti se kujtohesh mbas 30 vitesh tranzicion pasurine Apo te mirat materiale! Kan rrezikuar jeten ato persona per ato leke ti si shtet je bashkepunetor ne nje forme Apo ne nje tjeter qe ke lejuar kete katastrofe informaliteti te ndodhte. Keshtu qe niseni nga vetja o njerez me dinjitet edhe pushtetar pastaj tek keto zoterinjte e tjere. Degjenerata jetike.

    Përgjigju
  • Erik: 12/02/2020 20:20

    Çfare do thote tani Tak Ngjela qe tha s'e kalon Parlamenti ligjin anti-KÇK? Ai njeri eshte nje kohe vonese gjithmone lidhur me aktualitetin.

    Përgjigju
  • sapa: 12/02/2020 20:00

    Shkoni more plehra!E zhvatet kombin dhe popullin per 30 vjet dhe tani mashtroni sikur tani do beni shtet.Hajdute te gjithe pa perjashtim!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Egla merr mesazhet prekëse nga nëna dhe vëllai i saj, nuk i mban dot lotët

Egla merr mesazhet prekëse nga nëna dhe vëllai i saj, nuk i mban dot lotët