Votohet qeveria e re e Kosovës, zbardhen emrat e ministrave! Kurti: Do vaksinojmë kundër COVID 60% të popullsisë brenda 1 viti! Do jem kryeministër me parime

KOSOVË- Me 67 pro dhe 30 kundër dhe me asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi qeverinë e re të Kosovës. Albin Kurti, është zyrtarisht kryeministri i ri i Kosovës. Ai ka shpalosur programin qeverisës duke bërë me dije se prioritet do të jetë pandemia e COVID, ku premtoi se 60% e popullsisë do të vaksinohet brenda 1 viti, ndërkohë që ka bërë publike edhe emrat e ministrave. Në fjalën e tij në Kuvend, Kurti tha se nga 15 ministra, 8 janë nga Lëvizja Vetëvendosja dhe 1/3 janë gra.

Ndërkohë, më herët është konstituuar Kuvendi i ri i Kosovës ku janë betuar 114 deputetë të pranishëm, 69 prej të cilëve kanë votuar për zgjedhjen e Glauk Konjufcës si kreun e ri të Kuvendit. 

Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 19, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8, Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara, dy mandate i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës, nga një mandat kanë  Koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat,  Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Re Demokratike, Iniciativa Rome, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Konjufca, i cili mban edhe pozicionin e Ushtruesit të detyrës së Presidentit në Kosovë, me anë të një letre drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit ka kërkuar që ky subjekt fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit të propozoj emrin e kryeministrit. Në letër Presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:06
Idrizi uron Albin Kurtin: Qeveri e rikthimit të besimit, radhën e ka Shqipëria

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi përgëzon kryeministrin Albin Kurti dhe shumicën parlamentare të Kosovës për formimin e qeverisë së re. 

Në një deklaratë, Idrizi thekson se subjektet politike të Kosovës demonstruan nivel të lartë maturie e demokracie si gjatë mbarëvajtjes së zgjedhjeve të fundit, ashtu edhe gjatë procesit tranzitor të ndryshimit të qeverive. 

“Ne urojmë që kjo pjekuri të reflektohet në unifikimin e qëndrimeve për sfidat dhe vendimet e mëdha që Qeverisë së re të Kosovës do t'i duhet të ndërmarrë. 

Ne besojmë që Qeveria Kurti do të jetë qeveri e rikthimit të besimit dhe shpresës, përmes ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe prosperitetit kombëtar. 

Shpresojmë që në të ardhmen e afërt, të dyja qeveritë e reja, e Kosovës dhe e Shqipërisë, të mund të ndërtojmë bashkëpunim më të ngushtë në shërbim të shqiptarëve në të dy anët e kufirit”, vlerëson kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.

Ora 22:21
Basha uron Kurtin për qeverinë e re: Pas 25 prillit, do të bashkëpunojmë për të përballuar çdo sfidë

1616448166_20f5ac607abd468b83e9e6e6cf1a7915.jpg

Pas votimit të qeverisë së re të Kosovës, kreu i PD Lulzim Basha ka uruar Albin Kurtin.

"Urimet më të mira kryeministrit të ri të Kosovës z. Albin Kurti dhe qeverisë së drejtuar prej tij në përmbushjen me sukses të përgjegjësive dhe tejkalimin e sfidave me të cilat përballet Kosova. Suksesi i Kosovës është suksesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kudo që ndodhen.

Urimet më të mira shkojnë sot dhe për deputetët e kuvendit të ri të Kosovës. Jam i bindur se forcat politike në Kosovë do të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për tejkalimin e pengesave, duke vënë mbi gjithçka interesin më të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Si gjithnjë në të kaluarën, të sotmen dhe në të ardhmen, unë dhe Partia Demokratike do të qëndrojmë fuqimisht në mbështetje të Kosovës dhe të qeverisë së saj me besimin e plotë se pas 25 prillit, do të bashkëpunojmë edhe më ngushtësisht për të përballuar së bashku çdo sfidë", thotë Basha.

 

 

Ora 21:10
Hoti: Nesër i dorëzoj detyrën Kurtit

1616443891_ahoti600x360.jpg

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur një konferencë për media ku ka thënë se nesër do të dorëzojë zyrtarisht detyrën e tij.

“Nesër do të dorëzojë detyrën sipas protokollit shtetëror. Kryeministrit të ri i kam përgatitur dosjen e plotë me informacionet për punët që janë në proces. Kryeministrit të ri do t’ia dorëzojë informatat e plota për procesin e integrimit europian, për nivelin e zbatimit të MSA’së, për programet IPA që i kemi zhvilluar, për diskutimet që i kemi bërë veç e veç me vendet e Bashkimit Europian në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Hoti.

“Do t’i dorëzojë informatat e plota për procesin e dialogut, si është zhvilluar deri më tash, përgatitjet që janë bërë, ekspertët që kanë qenë të angazhuar, dakordimet e miqve tanë ndërkombëtar”, tha Hoti.

Ora 20:02
67 pro dhe 30 kundër, Kuvendi i Kosovës voton qeverinë e re! Kurti: Do jem kryeministër me parime

Me 67 pro dhe 30 kundër dhe me asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi qeverinë e re të Kosovës. Albin Kurti është zyrtarisht kryeministri i ri i Kosovës.

“U jam mirënjohës për maturinë dhe përgjegjësinë qytetarë që dëshmuan gjatë procesit të votimit. Nga sot jam kryeministër. S’ka dyshim që këto zgjedhje janë historike. Ndihem i përulur para detyrave që kemi. Vota nuk është thjeshtë një numër. Të zhvillojmë ekonominë, të sjellin drejtësi dhe barazi në shoqëri. Pritjet janë të mëdha dhe përgjegjësia është e madhe. Është e rëndësishme të ndjejmë peshën e besimit.

Për deputetët e pozitës këtë rol e përgjegjësi mos e merrni si të mirëqënë dhe mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës. Ashtu siç ua kanë dhënë votën qytetarët ashtu edhe ua marrin.

Unë do të jem kryeministër që do të udhëheq me parime. Qeveria dhe institucionet janë të qytetarëve. Këtë duhet ta ketë parasysh secili zyrtar. Në institucione jeni zgjedhur or të shërbyer dhe jo për tu rehatuar. Qytetarët me të drejtë presin që të përfaqësohen nga njerëz të denjë. Na duhet bashkëpunim me të gjithë. Për reforma do të na duhet një mentalitet i ri i punës", tha ai.

Ora 18:03
Dalin emrat e kabinetit qeveritar në Kosovë/ Kurti: Nga 15 ministra, 8 janë të VV! 1/3 janë gra

Albin Kurti ka bërë publike listën e emrave të kabinetit qeveritar. 

Zëvendëskryeministri i parë për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog do të jetë Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të jetë Donika Gërvalla.

Zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut do të jetë Emilja Rexhepi.

Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministre e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministër i Shëndetësisë do të jetë Arben Vitia.

Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë do të jetë Arbërie Nagavci.

Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë Hajrullah Çeku.

Ministër i Minsitrisë së Administrimit Lokal do të jetë Elbert Krasniqi.

Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të jetë Liburn Aliu.

Ministër i Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë, Faton Peci.

Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë Armend Mehaj.

Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do të jetë Rozeta Hajdari.

Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është Goran Rakiq

Ministër për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal është Fikrim Damka

Ora 17:50
Kurti: Do vaksinojnë 60% të popullsisë anti-COVID brenda 1 viti

1616431465_Screenshot1.jpg

Albin Kurti ka prezantuar programin qeverisës së Lëvizjes Vetëvendoja

“Nuk ka dyshim që pandemia mbetet sfida kryesore, do të fillojmë një plan për vendosjen në plan për COVID, që do të merren masa të reja, 60% e popullsisë do të vaksinohen brenda vitit, drejtësia, shëndetësia, arsimi kanë nevojë për reformë. Akthi i gjetjes së një vendi i punës është shtuar nga pandemia, e kuptoj dhe e di se sa e vështirë është jeta për qytetarët e vendit, por nga sot do të fillojmë rrugëtimin e e ri, për  mundësi të barabarta. Do të fillojmë në reformën në drejtësi, me Vettingun, do të jetë një proces i mirëpërgtitur, dhe jo hakmarrës. Një gjyqësor i paanshëm është jetik, arsimi do të reformohet, shkollat duhet të kthehen në vendin që prodhojnë shkencëtarë, do të rishikojmë kurrikulat në arsim për ë ofruar mbështetje të vazhdueshme, do të bëjmë lidhjen e arsimit me vendin e punës dhe do të kthejmë dinjitetin dhe integritetin e mësuesve, do fuqizojmë universitetin, do të reformojmë sistemin shëndetësore, kushte për punë, barna të mjaftueshme., profesionalizëm nga mjetet, do të shtojmë buxhetin për shëndetësinë çdo vit në shëndetësi. Fëmijët janë e ardhmja jonë, mënyra se si kujdesemi për të ardhmen e fëmijëve tonë tregon për ne, çdo fëmijë në Kosovë pavarësisht se kush ka lindur dhe kë ka prind, duhet të jetë i barabartë. 20% euro në muaj, 2-16 vjeç nga 10 euro në muaj, nëse fiton më pak se 7000 mijë euro do u jepet 50 euro, nëse është më pak se 6 mijë euro do marrë 100 euro, e ndërsa për ato me më pak se 5 mijë euro do t’u jepen 150 euro. Për nëna e para 500 euro për 6 muajt e parë pas lindjes.Do të jemi qeveri që fuqizon gratë. Jemi lëvizje progresiste e progresive sot kemi më shumë gra se çdo herë tjetër. Qeveria jonë të përkrah pa kursyer gratë, që është parakusht edhe për fuqizimin e  ekonomisë. Bujqësia është siguri dhe pavarësi për ekonominë, në kushtet kur kufijtë mbyllen ne bëhemi të varur nga të tjetër. Bujqësia është prioritet dhe çështje e sigurisë kombëtare. Tokat tona do të mbrohej e bujku od të jetojë me dinjitet. Teatri kombëtar dhe ato të qyteteve do të kenë fondet e tyre”, tha Kurti.

Ora 15:52
Kuvendi i Kosovës rimblidhet në orën 17:00, votohet për kabinetin e ri të Qeverisë

1616424828_Kuvendi600x360.png

Seanca për formimin e Qeverisë së re në Kosovë do të mbahet nga ora 17:00.

Seanca për formimin e Qeverisë zhvillohet pasi ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, i dërgoi letër më herët liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, që ky subjekt ta propozojë mandatarin për kryeministër.

Ora 14:17
Presidenti në detyrë i Kosovës, Konjufca, i kërkon Vetëvendosjes emrin për kryeministër

Presidenti në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, me anë të një letre drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit ka kërkuar që ky subjekt fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit të propozoj emrin e kryeministrit.

Në letër Presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re.

Ora 12:43
Gramoz Ruçi uron Kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës: Sfidat përballohen bashkë me partnerët strategjikë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot uron Kryetarin e  ri të Kuvendit të Kosovës,  Glauk Konjufca.

“Me rastin e zgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju uroj nga zemra suksese në detyrën Tuaj të lartë dhe fisnike.

Kosova ndodhet sot para sfidash të mëdha e të vështira, përballimi i të cilave është plotësisht i mundur me përkushtimin e institucioneve të reja të Republikës dhe partneritetin e ngushtë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Nën lidershipin Tuaj vizionar, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses detyrat themelore të zhvillimit, përparimit dhe integrimit euro-atlantik dhe rritjes së rolit e kontributit të Republikës së Kosovës si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë.

Gjej rastin të rikonfirmoj vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë si edhe timin personal se bashkëpunimi  midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të zgjerohet e intensifikohet.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ora 12:34
Tashmë presidenti i ri në detyrë i Kosovës, Konjufca-Osmanit: Keni kryer me përgjegjësi të lartë detyrën, së shpejti sërish në këtë post

Glauk Konjufca pasi është zgjedhur kryetar i Parlamentit të Kosovës, përkohësisht do të jetë edhe president në detyrë deri në zgjedhjen e të riut.

Ish-presidentja, Vjosa Osmani i delegoi kompetencat, Konjufcas duke thënë se është një deputet shembullor.

Sipas mediave kosovare, Konjofuca ka falënderuar Osmanin për kontributin dhe ka thënë se është i bindur se shumë shpejt ajo do të zgjidhet presidente e Kosovës.

“Faleminderit z. Osmani. Për nga mosha parlamentare e angazhimi jemi pak a shumë të njëjtë. Ajo e ka kryer me përgjegjësi të lartë detyrën e u.d. presidentes së Kosovës. Keni dhënë shembull të shkëlqyeshëm në politikë, e kudo. Kështu që më vjen mirë që përmes zgjedhjes së kryetarit e kryesisë së Kuvendit u hap rruga për institucionet e Kosovës të shkojnë hapave të tjerë. Për zgjedhjet e Qeverisë së Kosovës, por shumë së shpejti edhe për ju si presidente e ardhshme e Kosovës”, tha Konjfuca.

“I uroj shumë suksese Glauk Konjufcës…Të gjitha dosjet që i kemi, nga fushat që i kemi mbuluar do t’i transferojmë gjatë ditës së sotme”, tha Osmani.

 

 

Ora 11:35
Seanca konstituive, betohen 114 deputetë! Glauk Konjufca zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Në Kosovë është miratuar raporti i verifikimit të kuorumit dhe mandateve. Menjëherë pas këtij vendimi deputetët prezentë në sallën e Kuvendit të Kosovës janë betuar.

Në sallë ishin  114 deputetë, të cilët janë betuar nën udhëheqjen e seancës nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari.

Glauk Konjufca është zgjedhur kryeparlamentar Glauk Konjufca është votuar në krye të Kuvendit të Kosovës.  Lëvizja Vetëvendosje bashkë me Listën “GUXO” të Vjosa Osmanit e kanë propozuar Konjufcën kryeparlamentar për legjislaturën e re. Propozimin e tij e ka bërë deputeti Adnan Rrustemi, derisa 69 deputetë kanë votuar pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim.

 

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Endri: 22/03/2021 22:44

    Me 26 Prill Lylzimja do jete duke bertitur se zgjedhjet ja vodhen

    Përgjigju
  • hoti: 22/03/2021 19:37

    Po krijohet kabineti Me ministra pusht pushteti Mender dhia prostitute Ngriti bishtin urte e bute Edhe une miqte e mi Bua post ne qiveri.... Kjo eshte Vjosa Osmani anti shqipetare... UDBashe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet