‘Seks në këmbim të drejtësisë’, diskutimet në KLGJ për fatin e gjyqtarit Boçi, pse u bllokua kërkesa për rikthimin në sistem

‘Seks në këmbim të drejtësisë’, diskutimet në KLGJ për fatin e gjyqtarit Boçi, pse u bllokua kërkesa për rikthimin në sistem

Guximtar Boçi

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e fundit të datës 29 tetor 2019, ka vendosur të pezullojë shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarit Guximtar Boçi për t’u kthyer në krye të Gjykatës së Gjirokastrës. Pro bllokimit të kërkesës së gjyqtarit kanë votuar të gjithë anëtarët e KLGJ, që nga Maksim Qoku, Brunilda Kadi, Dritan Hallunaj, Ilir Toska, Alban Toro, Fatmira Luli, Marçela Shehu, Erjon Muharremaj, Brikena Ukperaj, Medi Bici dhe deri tek kryetarja Naureda Llagami. Vendimmarrja u arsyetua me faktin se kërkesa e gjyqtarit është në shqyrtim nga Gjykata Administrative të Apelit. Guximtar Boçi u pezullua nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në tetor të 2016, pas hapjes së çështjes penale ndaj tij, për shkak të publikimit të një regjistrimi, ku pretendohej se gjyqtari po i kërkohej favore seksuale një gruaje, duke i ofruar si shkëmbim favorizimin e saj në një gjyq për çështje prone. Themi pretendohet pasi drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e fundit nëse regjistrimi është apo jo autentik. Sot çështja është në Gjykatën e Lartë dhe në Apelin Administrativ.

Gjyqtari ka mohuar që të ketë lidhje me audio-përgjimin e publikuar, ndërsa sipas avokatit të gjyqtarit, denoncuesja ka sajuar këtë histori dhe se ka pasur probleme me burrin, vjehrrën e kunatën. Ndërsa denoncuesja R. I., ka pohuar se regjistrimi rreth 50 minuta ishte i vërtetë dhe kishte vendosur që ta bentë një lëvizje të tillë pas humbjes së gjyqit në shkallën e parë për ndarjen e pasurisë me bashkëshortin dhe vjehrrën. Në kulimin e polemikave për këtë çështje, gruaja publikoi një status në Facebook me këtë përmbajtje: “Na mësuan të sillemi ashtu si do donim të silleshin të tjerët me ne, por mirësjellja konsumohet shumë shpejt në një vend ku qarkullojnë shumë ndyrësira. Në Shqipëri duhet të mësohemi të sillemi me njerëzit sipas vlerës që kanë…”. Ndërkaq, vendimi i Apelit Administrativ do të jetë vendimtar për kthimin ose jo në detyrë të gjyqtarit. Nëse Boçi rikthehet në krye të Gjykatës së Gjirokastrës, ai duhet të përballet më pas me Vetingun. 

Diskutimet në KLGJ për gjyqtarin Guximtar Boçi

-Naureda Llagami (kryetare): Lidhur me relatimin e projekt-aktit, fjalën ia jap zonjës Marçela Shehu, për të relatuar.

Marçela Shehu: Pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, është depozituar kërkesa e datës 20.12.2018 e gjyqtarit {...} me objektin si më poshtë: Revokimin e vendimit nr.102, datë 28.10.2016 të
Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me të cilin është vendosur pezullimi i ushtrimit të detyrës së gjyqtarit {...} deri në përfundim të çështjes penale; Revokimin e vendimit të Këshillit
të Lartë të Drejtësisë nr. 98, datë 28.10.2016 me të cilin është vendosur shkarkimi nga funksioni drejtues i Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër z. {...}; Kthimin
në vendin e mëparshëm të punës, për të përfunduar mandatin në funksionin drejtues, të ndërprerë në mënyrë të paligjshme. Z. {...} deri në datën 27.10.2016, rezulton se ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, njëkohësisht edhe funksionin e kryetarit të kësaj gjykate (i emëruar në këtë funksion me vendimin nr. 381, datë 28.10.2013 të
Këshillit të Lartë të Drejtësisë). Më datë 27.10.2016, nga Emisioni Investigativ “Stop”, në Klan TV është transmetuar një material i cili ngrinte problematika në lidhje me veprime të ndryshme, të pretenduara si të kryera nga gjyqtari {...}.

Me datë 27.10.2016, kryesisht Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal me nr. 240 për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” parashikuar kjo nga neni 319/ç i Kodit Penal. Me shkresën nr. 7159 prot., datë 28.10.2016 Ministri i Drejtësisë i ka kërkuar KLD-së shkarkimin nga pozicioni drejtues i kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër të z. {...}. Në lidhje me shqyrtimin e kësaj kërkese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur në një mbledhje të jashtëzakonshme të datës 28.10.2016. Në këtë mbledhje është përfshirë në rendin e ditës edhe kërkesa tjetër e Ministrit të Drejtësisë për pezullimin e gjyqtarit nga detyra. Me vendimin nr. 988 (lapsus, pasi nr. i vendimit është 98), datë 28.10.2016 Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur shkarkimin nga funksioni drejtues i kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, z. {...}. Me vendimin nr. 100, datë 28.10.2016 Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë të inspektojnë bashkërisht veprimtarinë e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër z. {...} dhe të gjyqtares {...} për shkelje të rregullave të etikës.

Me vendimin nr. 102, datë 28.10.2016 Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të pezullojë gjyqtarin {...} nga ushtrimi i detyrës, pra nga detyra e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Me vendimin nr. 6, datë 02.11.2016 Kryeinspektori i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar inspektimin e përbashkët të veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarëve {...} dhe {...}, gjyqtarë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Në lidhje me procedimin penal të filluar ndaj gjyqtarit {...}, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, më datë 18.01.2017 ka vendosur që të deklarojë moskompetencën lëndore dhe kalimin e akteve pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Me vendimin e datës 25.05.2017 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka vendosur pushimin e procedimit me argumentin se fakti nuk përbën vepër penale. Kundër këtij vendimi të pushimit të procedimit penal është ushtruar ankim dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 1379, datë 25.07.2018 ka vendosur prishjen e vendimit datë 25.07.2018 “Për pushimin e procedimit penal nr. 149/2017” të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, duke urdhëruar vazhdimin e hetimeve të mëtejshme në lidhje me detyrat e caktuara. Ndaj këtij vendimi është ushtruar e drejta e ankimit dhe Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr. 590, datë 27.09.2018 ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr.1379, datë 25.07.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier duke rrëzuar ankimin e ankueses {...}”. Ndaj këtij vendimi është ushtruar rekurs dhe dosja aktualisht ndodhet për gjykim pranë Gjykatës së Lartë.

Nga ana e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë kryer veprimet e inspektimit. Referuar raportit të inspektimit, ky Inspektorat ka konstatuar se nuk provohen elementë të ushtrimit të detyrës së papajtueshmërisë me funksionin e gjyqtarit, prandaj deri në zbardhjen e plotë nga organi procedues të audio regjistrimit, lidhur me autenticitetin, saktësinë dhe vërtetësinë e tij, ka vlerësuar që të mbajë çështjen për verifikim në vijim. Rezulton gjithashtu se gjyqtari {...}, i është drejtuar me padi edhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë duke kërkuar shfuqizimin tërësisht të vendimit nr. 98, datë 28.10.2016 të KLD-së “Për shkarkimin nga detyra”; vendimin “Për pezullimin nga detyra e gjyqtarit”, konkretisht me të njëjtat kërkime me të cilat i është drejtuar edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e saj nr. 745, datë 01.03.2018 ka vendosur: Pranimin e pjesshëm të padisë; Detyrimin e palës së paditur, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që t’i paguajë paditësit {...} pagën si gjyqtar, nga data 28.10.2016 e deri në marrjen e vendimit përfundimtar në lidhje me hetimin disiplinor të nisur ndaj tij, Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të objektit të saj. Ky vendim është ankimuar dhe aktualisht ndodhet për gjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë... Lidhur me kërkesën e tij për rikthimin në funksionin e kryetarit të gjykatës, duke kërkuar revokimin e vendimit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës propozon që kjo kërkesë të rrëzohet si e pabazuar, duke konsideruar edhe faktin që tashmë ky Këshill nuk ka kompetenca për të marrë në shqyrtim ligjshmërinë e një organi tjetër.

-Ilir Toska: Shumë shkurt. Lidhur me propozimin e parë të Komisionit, si referencë ligjore do duhet të konsiderohet edhe neni 66 i Kodit të Procedurave Administrative që rregullon çështjet paraprake. Edhe në rastin konkret jemi përpara një çështjeje paraprake, për sa kohë rezulton që kërkimet që janë bërë në Këshill, ndërkohë janë bërë edhe përpara gjykatës dhe çështja tashmë ndodhet përpara Gjykatës Administrative të Apelit. Sipas pikës 1 të kësaj dispozite: “1. Nëse organi publik që zhvillon procedurën përballet me një çështje, zgjidhja e të cilës është parakusht për zgjidhjen e procedurës dhe që përbën një çështje ligjore të pavarur, për zgjidhjen e së cilës është kompetent një gjykatë ose organ tjetër (“çështja paraprake”), organi publik që zhvillon procedurën administrative pezullon procedurën deri në marrjen e një vendimi të
formës së prerë për çështjen paraprake dhe njofton palën në lidhje me këtë.” Nga ana tjetër, sa i përket ankimit, referuar nenit 130 po të Kodit të Procedurave Administrative, do duhet të konsiderojmë që ndaj vendimit të pezullimit, pra sipas propozimit të parë, mund të bëhet ankim, bashkë me vendimin përfundimtar, për sa kohë ligji nuk ka parashikuar një ankim veçmas për një vendim pezullimi. Faleminderit! 

-Naureda Llagami: Atëherë, ndonjë diskutim lidhur me dy propozimet e ardhura për çështjen konkrete apo do t’i hedhim direkt në votim propozimin e parë dhe propozimin e dytë? Atëherë, kalojmë propozimin e parë. Atëherë, Komisioni, kalojmë në votim propozimin e parë? Pra, tek propozimi i parë, vendimmarrja e propozuar nga Komisioni është: Pezullimin e shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga gjyqtari {...}, për rikthimin e tij në funksionin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe në detyrën e gjyqtarit, për shkak se kërkesat janë për shqyrtim para Gjykatës Administrative të Apelit. Kalojmë në votim? Jeni dakord me këtë propozim?... Dakord. Atëherë, Këshilli vendosi: Pezullimin e shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga gjyqtari {...}, për rikthimin e tij në funksionin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe në detyrën e gjyqtarit për shkak se kërkesat janë për shqyrtim para Gjykatës Administrative të Apelit. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit, bashkë me vendimin përfundimtar. Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet z. {...}. Ky vendim hyn në fuqi në datën e botimit në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Mesut Ozil: Në kohën time El Clasico ishte ndeshja më e madhe në botë, sot nuk është për faj të Barcelonës

Mesut Ozil: Në kohën time El Clasico ishte ndeshja më e madhe në botë, sot nuk është për faj të Barcelonës