POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Serbia e refuzoi Thaçin e dashuruar
për të shkuar në Beograd

Është për tu admiruar mjeshtrja e politikës sonë dhe e mediave që e mbështesin ketë politikë, se me çfarë mjeshtërie e zhvendosin vëmendjen, jo vetëm te qytetarëve me halle shumë, por edhe te qarqeve “intelektuale” nga problemet reale te shoqërisë shqiptare dhe e orientojnë në probleme krejtësisht të pa rëndësishme për jetën tonë. Një rast i tillë është edhe, vizita e mundshme e Thaçit në Beograd, temë e cila që sa ditë po mbahet në ballinat e mediave tona, të shkruara dhe elektronike. Raste të tilla ka shumë, unë e përmenda vetëm njërin nga problemet e shpifura apo të pa rëndësishme për rrjedhat shoqërore tek ne në Kosovë.

Pasi Thaçi për katër vite, e tani dhe Mustafa pa hezituar ua hapen të gjitha rrugët bashkëpunëtorëve te Millosheviqit, të cilët jo vetëm që i ngrohen duart në zjarrin e ndezur nga Kasapi i Ballkanit, por edhe e ndihmuan dhe i frynë ati zjarri dhe bile po e mbajnë gjallë edhe sot, për të ardhur në Kosovë pa asnjë pengesë sa herë që tu teket atyre. Nga pasojat e atij gjenocidi, populli ynë ende nuk i ka shëruar plagët e luftës. Rasti i fundit ishte ai i Çikatovës së Vjetër, ku u rivarrosen mbetjet mortore të 21 qytetarëve të Kosovës, të cilëve para 16 viteve, dhunshëm u ishte marrë jeta. Dhe jeta u ishte marrë pse ishin shqiptar dhe ua kishin zënë diellin kriminelëve atje në Beograd.

Gjatë këtyre viteve (4/5), në Kuvendin e Kosovës jo pak herë qeveritarët tanë ( Thaçi dhe Hoxhaj) patën fol për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bile patën thënë se “Serbia e ka njohur Kosovën”?! Nga një herë harronin dhe flisnin edhe në emër te Serbisë?! Ketë avaz tani po e vazhdon edhe Isa Mustafa, njeri prej dy Kryeministrave të Kosovës ( i pari me mbështetjen e te dytit).

Sesa Serbia e ka njohur Kosovën dhe është e gatshme t’i normalizoj marrëdhëniet me te, u pa tani, kur Thaçi u përgatit të shkoi në Beograd në një Konferencë të organizuar nga një organizatë jo qeveritare për të rinjtë. Madje zëdhënësit e tij nuk nguruan të proklamojnë me tërë fuqinë se shefi i tyre po shkon në Beograd. Ndërsa Beogradi nuk jepte asnjë shenj pozitive.
Nëse deri më tani, faktori ndërkombëtar ka ndihmuar për tu qel rrugën liderëve serbë për të ardhur në Kosovë, pse të njëjtën gjë nuk e bënë edhe me liderët e Kosovës për të shkuar edhe ata në Beograd? Pse këto kute te dyfishta i kanë miqtë ndërkombëtar (evropianë)? Ketë politikë te dyfishtë e shohim edhe te rasti në fjalë dhe te deklarimi i Vuçiqit, i cili tha: “Ligjet në Serbi ekzistojnë dhe shteti ynë do të veprojë sipas ligjit nëse Thaçi vendos të vijë në Beograd. Askush nga Brukseli nuk ka intervenuar dhe nuk na ka sugjeruar se si të veprojmë në vizitën e mundshme të Thaçit”. Kjo tingëllon goxha e besueshme, pasi edhe Koncianqit tha diçka të ngjashme, kuptohet me një fjalor krejt ndryshe nga ai i Vuçiqit dhe i Daçiqit. Ndërsa Daçiqi ka thënë: “Ai (Thaci, nën. im), si Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, nuk mund të vij në Serbi”. /Kështu po shkruan “Zëri” i sotëm/ Kjo është gatishmëria e politikës serbe te Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, për të cilin normalizim jo pak herë është trumbetuar në Kosovë nga qeveritarët tanë.

Një gjë është e saktë, liderët e sotëm të Beogradit kanë qenë pjesë aktive e luftërave që ka zhvilluar Serbia jo vetëm në Kosovë, ata ketë nuk e kanë mohuar asnjëherë, se paku jo deri më sot, pjesëmarrjen në ato luftëra dhe në krimet e tyre. Madje për luftën dhe gjenocidin e ushtruar në Kosovë, ata as sot e kësaj dite nuk janë penduar, pasi as që kanë bërë kërkim falje formale. Ndërsa, Thaçi i dashuruar në Beogradin, e ka pranuar se ka qenë larg frontit të luftës?! I njëjti, po të njëjtën luftë e ka shfrytëzuar më shumë se në maksimum, për karrierën e tij politike, ekskluzivisht për veten e tij.

Vërtetë pse nuk iu lejua shkuarja në Beograd zotit Thaçi? Kur ai me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel i bëri koncesione të shumta politikës se sotme serbe? Dha goxha shumë e nuk mori asgjë! Po Mustafës, pas lëshimeve që do t’i bënë, a do t’ia çelin rrugën për të shkuar në Beograd se e ka marr malli, pasi ka kohë që nuk ka qenë atje! Ne këto gjëra nuk janë të vetëm, kanë shumë shokë. Këtij të fundit edhe mund të mos ia ndalojnë shkuarjen në Beograd. Eh, sikur edhe Thaçi ta kishte ketë përparësi?!

A do të dinë ndonjëherë liderët tanë të thonë: Pa distancimin e plotë të liderëve serbë nga gjenocidi i ushtruar për dekada në Kosovë, nga pastrimin etnik që i bënë Kosovës dhe pa u distancuar nga politikat e tyre anti shqiptare e ndërhyrjet e sotshme kriminele, ata nuk mund të shkelin territorin e Kosovës? E pse jo edhe pa e njohur shtetin e Kosovës? Por, nga këta liderët e përmendur, vështirë se pritet diçka e tillë! Me gjasë ata janë vetëm duke administruar, madje tepër keq me Buxhetin e shtetit tonë, se politikat e tjera qeverisëse i kanë deponuar te të tjerët. Se ku, as Zoti nuk e di! Krejt çka dihet, është vetëm ajo që e thonë ata: “E kemi mbështetjen e Uashingtonit e të Brukselit”! Ndoshta edhe korrupsionin po e bëjnë në emër te këtyre dy kryeqyteteve botërore?! Ndërsa, ja sa padrejtësisht përshkruhet gjendja në Kosovë, nga autorë të ndryshëm te botës perëndimore dhe jo pa fajin e politikës sonë:

“Qeveria e prirë prej ish-kryengritësve të UÇK-së ka kryer krime të shumta ndaj serbëve dhe romëve, dhe është përfshirë në shkelje flagrante të drejtave të njeriut dhe në vrasje politike. Për më tepër, pavarësisht prej dëshmive të bollshme të vrasjeve politike, skandaleve të niveleve të larta të korrupsionit të njerëzve në krye të qeverisë, EULEX-i ka dështuar tërësisht të ndëshkojë ndonjë prej figurave të rëndësishme. Vetë EULEX-i, sipas disa vrojtuesve, është përzier pak a shumë me elitat politike të Kosovës dhe gjithashtu është akuzuar për mbulim të korrupsionit brenda radhëve të veta1”. Ketë shkrim (analizë) te Tara McCornack e sjellë Gazetablic (portali). Dhe politika e jonë nuk e bënë asnjë përpjekje për të kundërshtuar me fakte, ketë padrejtësi të madhe që i bëhet vendit e popullit tonë.
Prandaj pozita e Kosovës është tepër e keqe si në planin e brendshëm e po ashtu edhe të jashtëm.



Shqiptarja.com

Komento