Sezoni veror e gjen pa punëtorë sektorin e hoteleri-turizmit në Pogradec dhe Korçë. Të rinjtë i drejtohen bregdetit të jugut për shkak të pagave disa hërë më të larta se në juglindje. Po kështu nuk ka interes as nga punëtorët e huaj.

“Pagat e Korçës krahasuar me Tiranën dhe qytetet bregdetare janë më të ulta”, tha Eriketa Koçollari operatore turistike, duke shtuar se “shkak është dhe emigracioni tejet i theksuar në juglindje”.

Vakanca përllogaritet në 40% ose thënë ndryshe rreth 5000 vende të lira pune në të gjithë sektorët e biznesit të vogël dhe të mesëm.  Pozicionet e kërkuara janë recepsionist, punonjës pastrimi, masazhator, kuzhinier, ndihmës kuzhinier, picajol, hostel, kamarier, banakier.  

“Një biznes në Pogradec e Korçë nuk mund ta paguajë një kamerier 600 euro në muaj sepse tek ne hotelet e restorantet kanë klientelë vetëm në fundjavë dhe norma e fitimit është më e ulët se në qytetet e tjera turistike”, tha Bujar Muço Drejtues i Shoqatës së Biznesit të Ulët e të Mesëm.

Ndryshe nga shoqata e biznesit, Agjencia Kombëtare të Punësimit bën të ditur se janë të afishuara 199 vende të lira pune, ç’ka do të thotë se sipërmarrësit nuk kërkojnë ndërmjetësimin e agjencisë për gjetjen e punëtorëve. Sa i përket të huajve, për vitin 2025 janë miratuar 8 Leje Punësimi në qarkun e Korçës.