SHBA-të festojnë 4 korrikun, urojnë politikanët! Rama: Zoti e bekoftë Amerikën! Meta: Të vendosur të jemi krah jush! Basha: Faleminderit për mbështetjen

SHBA feston ditën e sotme 244 vjetorin e pavarësisë. Më 4 korrik të 1776 delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan Deklaratën e Pavarësisë të hartuar nga Thomas Jefferson, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.

Urimi i parë erdhi nga kryeministri Edi Rama, ku me një mesazh të shkurtër "Gëzuar ditëlindjen Amerikë! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara" e ka shoqëruar me një video ku citohen disa nga shprehet më të famshme nga presidentët ndër vite të SHBA si dhe vizitat që presidenti George Ë.Bush, Hilary Clinton dhe personalitete të tjera kanë vizituar Shqipërinë ndër vite duke treguar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve tona.

Për festën e 4 korrikun ambasadorja e SHBA, Yuri Kim organizoi një festë 3 ditë më parë në rezidencën e saj duke bërë bashkë krerët e politikës shqiptarë, si asnjëherë më parë. Në takim kanë qenë të pranishëm kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta, kreu i PD, Lulzim Basha, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ditën e sotme Yuri Kim ka postuar një mesazh falenderues për krerët e politikës që ishin të pranishëm në këtë ditëlindje të 244-ët të SHBA.

'E nderuar të festojë 224 vjetorin e pavarësisë së SHBA me presidentin Ilir Meta, Edi Rama, Gramoz Ruçin, Lulzim Bashën dhe Erion Veliaj. Faleminderit të gjithë miqve shqiptarë për urimet e mira dhe shpresoj që vitin tjetër të festojmë më shumë" shkruan Kim.

Ceremonia në rezidencën amerikane

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:33
'Kjo nuk është vetëm një datë historike', Cakaj uron SHBA-të për pavarësinë: Do mbeteni gjithmonë udhërrëfyesi ynë

Gent Cakaj, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, ka uruar SHBA-të për 4 korrikun, ditën e pavarësisë. Sipas Cakajt kjo nuk është thjeshtë një ditë pavarësie, por një burim frymëzimi për liri, drejtësi e barazi!

"Kjo nuk është vetëm data historike e pavarësisë së ShBA-ve, por burim frymëzimi për liri, drejtësi e barazi!

Shqiptarët janë të bekuar e pafundësisht mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të ShBA-ve, në përpjekjet e tyre për zhvillim e demokraci.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë udhërrëfyes politik, diplomatik e vleror për Shqipërinë!

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!"-shkruan Cakaj.

 

Ora 10:18
Basha uron pavarësinë e SHBA-së: Faleminderit për mbështetjen tuaj

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi festën e pavarësisë së SHBA duke vlerësuar mbështetjen e pazëvendësishëm që SHBA i ka dhënë Shqipërisë. Urimin Basha e ka bërë duke shpërndarë një postim të ambasadores amerikane Yuri Kim nga pritja në rezidencën e saj për autoritetet më të larta të shtetit dhe kreun e opozitës.

Faleminderit ambasadore Yuri Kim për mikpritjen tuaj të këndshme. Faleminderit popullit dhe qeverisë suaj për ndihmën dhe mbështetjen e pazëvendësueshme në këto kohë sfiduese.  Për të gjithë miqtë tanë amerikanë: GËZUAR 4 KORRIKUN!  Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë!”- thuhet në mesazhin e liderit të opozitës në festën kombëtare të SHBA.

Ora 09:34
Dita e pavarësisë së SHBA, Yuri Kim mesazh shqiptarëve: Qëndrojmë krenarë krah jush! Mbështesim rrugën drejt BE dhe të bëheni një aleate e fortë

Në ditën e pavarësisë së SHBA, ambasadorja Yuri Kim ka shpërndarë një mesazh për qytetarët shqiptarë, ku thekson bashkëpunimin dhe lidhjen e ngushtë mes dy vende dhe se ky partneritet dhe miqësi nuk do të shuhet pasi SHBA do të vijojnë të qëndrojnë krenare krah Shqipërisë.

Yuri Kim thekson se SHBA kanë përdorur fuqinë e tyre për të sjellë paqe dhe në botë për të formuar 'një bashkim më të përsosur'. Një bashkim të fortë, të lirë dhe të vendosur e ka cilësuar Yuri Kim partneritetin mes Shqipërisë dhe SHBA, ndërsa thekson se tashmë bashkimi që Shqipëria pret është ai me BE.

Ambasadorja Yuri Kim thekson rëndësinë e zhvillimit dhe zbatimit të reformë sidomos asaj në drejtësi që do të afrojë edhe më shumë procesin e integrimit të vendit. Në fund të mesazhit të saj Kim zotohet se SHBA do të vazhdojnë të qëndrojnë me Shqipërinë sot dhe në të ardhmen.

"Përshëndetje! Miq të dashur Festimi i Ditës së Pavarësisë së Amerikës këtë vit nuk është si asnjë tjetër. Për herë të parë po përballemi me një pandemi, që nuk ka na lanë të mblidhemi në një çati për të festuar ditëlindjen e 244 të SHBA. ndërsa duhet të qëndrojmë të distancuar fizikisht në, amerikanët dhe shqiptarët, jemi po aq afër dhe të bashkuar si gjithmonë. Mbetemi të lidhur nga dashuria dhe mbrojtja e lirisë sonë, e pavarësisë sonë dhe vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen. Më 17 shtator 1787, anëtarët e Konventës Kushtetuese nënshkruan draftin përfundimtar të Kushtetutës së SHBA-së. 52 fjalët e para të këtij dokumenti, në hyrje të tij janë disa nga më të fuqishme në historinë amerikane. Ata thonë: Në, populli i Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të krijojmë një bashkim më të përsosur, të vendosim drejtësinë, të sigurojmë qetësin në vend, të sigurojmë mbrojtjen e përbashkët, të nxisim mirëqenien e përgjithshme dhe të sigurojmë  bekimet e lirisë për veten tonë dhe për pasardhjen tonë, caktojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë të SHBA.

Për dy shekuj e gjysmë, Amerika ka ndjekur atë ëndërr për të formuar një bashkim më të përsosur. Sipërmarrja jonë demokratike ka arritur sukses në një mënyrë unike dhe të pashembullt në historinë e  njerëzimit. SHBA kanë përdorur fuqinë e tyre për të sjellë paqe dhe begati më të madhe jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për botën.  Historia e Amerikës është një histori unike suksesesh. Sukses që nuk përcaktohet nga mungesa e dështimeve apo gabimeve, por nga vendosmëria jonë për t'u përballur me çdo dështim dhe gabim dhe për të bërë më të mirën. Me fjalë të tjera, vendosmëria jonë për t'u përpjekur  që gjithmonë të formojmë 'një bashkim më të përsosur". dhe i tillë është rasti me miqësinë midis Shqipërisë dhe SHBA. Së bashku ne kemi punuar për më shumë se një shekull për të formuar një bashkim më të përsosur midis kombeve tona. 100 vite më parë SHBA përdorën fuqinë e tyre  për të mbështetur një Shqipëri të pavarur e shtruan rrugën që ju t'i bashkoheshit lidhjes së Kombeve në 1920. presidenti amerikan punoi për të promovuar mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve në mënyrë që të gëzonin bekimet e lirisë. për të siguruar një mbrojtje të përbashkët, Shqipëria u anëtarësua në NATO në 2009.Që prej asaj kohe Shqipëria ka qenë një partner i besueshëm për sigurinë e rajonit. SHBA do të vijojnë të qëndrojnë krenare krah jush, ndërsa zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet tona të mbrojtjes dhe e bëjmë Shqipërinë një aleate më të fortë dhe më të aftë. në vitin 2016, kur Kuvendi miratoi njerëzi reformën në drejtësi, vendi hodhi hapat e parë drejt vendosjes të drejtësisë së re në Shqipëri për të çrrënjosur korrupsionin, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të vendosur me vendosmëri sundimin e ligjit. Ky është një proces që kërkon kohë dhe përpjekje për të sjellë rezultate. Por si gjithmonë, SHBA do të vazhdojë t'ju mbështesin. Sot Shqipëria është në rrugën drejt një bashkimi tjetër, BE! Reformat e nevojshme për këtë do të sjellin më shumë drejtësi dhe begati për popullin shqiptar. SHBA ishin me ju në fillim të këtij procesi dhe ne do të qëndrojmë me ju derisa të arrini synimin tuaj. Historia ka treguar që në momente vendimtare, SHBA dhe Shqipëria kanë zgjedhur të jenë pranë njëra-tjetrës krah për krah. Ne vazhdojmë të qëndrojmë me ju sot dhe do të qëndrojmë më ju nesër si aleatë, të lirë, të fortë dhe të vendosur për të formuar një bashkim më të përsosur. Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Amerikës", shprehet Kim.

Ora 08:50
Pavarësia e SHBA-së, Meta uron Trump: Të vendosur të jemi krah jush

Presidenti Ilir Meta ka uruar presidentin e SHBA, Donald Trump për 244 vjetorin e  pavarësisë së SHBA-së. Meta në urimin e tij thekson se themeluesit e SHBA çmonin lirinë dhe pavarësinë dhe këto themele të qëndrueshme mbeten edhe sot e kësaj dite parimet kryesore të ekzistencës së kombeve demokratike.

Këtë urim, Meta ia kushton edhe të gjithë shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë qenë një urë lidhëse për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe  thekson se  vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Urimi i plotë i Ilir Metës

I nderuar Zoti President, Donald J. Trump!

Viti 2020 shënon 244-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, një trashëgimi e përbashkët e lirisë dhe përkujtimit të udhëtimit, si dhe të sakrificave të popullit të madh amerikan, që e bënë këtë komb kaq të fortë e të begatë.

Etërit tuaj Themelues e dinin shumë mirë çmimin e lirisë, sepse u zotuan të jepnin jetën, fatin dhe nderin e tyre të shenjtë për të shpallur pavarësinë, si dhe për të mbrojtur të drejtat e dhëna nga Zoti.

Këto themele të qëndrueshme mbeten edhe sot e kësaj dite parimet kryesore të ekzistencës së kombeve demokratike.

Ky përvjetor mbërrin në një kohë shumë të vështirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për mbarë botën, pasi pandemia e COVID-19 është përhapur në të gjithë rruzullin tonë me efektet e saj serioze dhe të paparashikueshme.

Ne jemi optimistë se forca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do t’ia dalë mbanë të mbizotërojë kundër kësaj pandemie dhe se ato do të ngrihen edhe më të fortë se kurrë, duke qenë njëkohësisht mirënjohës për mbështetjen dhe ndihmesën bujare që qeveria juaj na ka dhënë teksa ne po përballemi me sfidat e pandemisë.

I dashur Zoti President,

Ndërsa 4 korriku po troket në prag, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe aleatët e tij do të festojnë lindjen e kombit tuaj të madh.

Po e shfrytëzoj këtë rast, që në emrin tim dhe atë të popullit shqiptar, t’Ju uroj Ju dhe mbarë popullin amerikan: “Gëzuar 4 korrikun!”, si dhe t’Ju shpreh urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe përparimin e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

I njëjti mesazh urimi iu shkon të gjithë shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm për forcimin e marrëdhënieve tona, duke shërbyer në këtë mënyrë si një urë lidhëse për miqësinë tonë afatgjatë e të fortë.

Kam kënaqësinë t’ju përcjell i dashur Zoti President, vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që t’i shërbejmë interesit të përbashkët të të dy kombeve tanë miq, teksa Shtetet e Bashkuara festojnë 244-vjetorin e Pavarësisë dhe ripërtërijnë energjinë e tyre për t’u përballur me sukses me sfidat e kohës sonë.

Uroj që lidhjet tona të forcohen edhe më tepër, ndërsa ne i gëzohemi miqësisë sonë të bekuar!

Ju lutem pranoni, zoti President, sigurimet e vlerësimit tim më të lartë!

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Arratisja e madhe në Ambasadën Greke, 17 qershor 1990, Në 'Esencë' Bujar Aliko! Sot ora 21:00 në Report Tv

Arratisja e madhe në Ambasadën Greke, 17 qershor 1990, Në 'Esencë' Bujar Aliko! Sot ora 21:00 në Report Tv