Senati amerikan bëhet bashkë për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor! Gati projektligji i përbashkët i 2 partive

Një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët, paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacioni të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Projektligji, i njohur ndryshe si Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor është paraqitur nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale dhe senatori republikan Roger Wicker.

Iniciativa vjen mes shqetësimesh të rritura në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Senatorja Shaheen thotë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e Presidentit Putin për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore.

“Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njejtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një ligjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik”, tha zonja Shaheen në prezantimin e iniciativës në faqen e saj në internet.

Projekligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Ai parashikon gjithashtu kthimin në ligj të dy urdhra ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive.

Po kështu synohet nxitja e partneritetin universitar, inkurajohet angazhimi i Korpusit të Paqes në rajon, krijimi i një iniciative për udhëheqësi rinore në Ballkan dhe si kërkohet nga Korporata Financiare për Zhvillim që të hapë një zyrë të shpallur më parë në rajon.

Zonja Shaheen ishte në krye të një grupi senatorësh amerikanë që vizituan në muajin prill Kosovën, Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, mes shqetësimeve rreth ndikimit të konfliktit në Ukrainë, në Ballkanin Perëndimor. Vizita e tyre kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes Uashingtonit dhe Ballkanit Perëndimor, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen.

Senatori Wicker tha se projektligji “do të dërgonte një sinjal të fortë dypartiak, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur diplomacinë në rajon”.

Po kështu senatorët Dick Durbin, Thom Tillis, Chris Van Hollen, Ben Cardin e Chris Murphy janë mbështetës të këtij projektligji. Për senatorin Tillis, në një kohë kur Rusia vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës dhe kërcënon aleatët e NATO-s, rajoni i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës.

Senatori Ben Cardin, Kryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, i njohur si Komisioni amerikan i Helsinkit, tha se “në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të mëdhenj drejt qeverisjes demokratike, që nga fundi i luftrave në ish-Jugosllavi, përçarjet politike dhe korrupsioni në rritje, kërcënojnë të gërryejnë këtë përparim.

“Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim partnerët dhe aleatët tanë demokratikë në Ballkanin Perëndimor. Ky projektligj dypartiak do të çojë përpara stabilitetin rajonal dhe përpjekjet kundër korrupsionit duke krijuar programe që inkurajojnë zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës, strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe të mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë paqen në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Senatorët amerikanë e shohin projekligjin si një mundësi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e mundësive ekonomike si dhe mbështetje për përpjekjet për të çuar përpara demokracinë dhe çrrënjosur korrupsionin./VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:14
Çfarë thuhet në projektligjin për Ballkanin Perëndimor i senatorëve amerikanë?

1659716162_Capture.PNG

Një grup senatorësh amerikanë, demokratë dhe republikanë, kanë prezantuar një projektligj për Ballkanin Perëndimor. Sipas projektligjit, që është iniciuar nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, dhe republikani Roger Wicker, synohet që shtetet e Ballkanit të mbështeten në aspektin ekonomik dhe në luftën kundër korrupsionit e aktiviteteve destabilizuese.

Projektligji i senatorëve nga dy partitë amerikane parasheh një sërë nismash për ndihmë ekonomike dhe për forcimin e institucioneve demokratike në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Shqipëri. Mbështetës së këtij legjislacioni janë edhe senatorët: Chris Murphy, Thom Tillis, Chris Van Hollen, Dick Durbin dhe Ben Cardin.

Senatorja Shaheen, nëpërmjet një njoftimi për media tha se në kohën kur po vazhdon pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës, lideri rus, Vladimir Putin, i ka bërë të qarta synimet e tij që të rrisë ndikimin malinj në mbarë Evropën Lindore.

Prandaj, sipas saj, raportet SHBA-Ballkani Perëndimor janë qenësore në këto momente.

"Prandaj, jam e lumtur që të prezantoj këtë legjislacion dypartiak që forcon tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, teksa çrrënjoset korrupsioni lokal dhe sanksionet të vendosen për ligjet kundër aktorëve destabilizues", tha ajo, duke shtuar se një gjë e tillë do të hapte rrugën për integrim më të madh euro-atlantik.

Senatori Wicker tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor zënë një pozicion të rëndësishëm në çështjet evropiane.

"Ky projektligj do të dërgojë një mesazh të fuqishëm dypartiak se SHBA-ja është e përkushtuar që të mbështesë diplomacinë në rajon", tha ai.

Ndërkaq, senatori Van Hollen tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka bërë që aleancat globale të SHBA-së të forcohen.

"Rritja e bashkëpunimit tonë me Ballkanin Perëndimor do të na lejojë që ta ndërtojmë mbi bashkëpunimin e ri ekonomik. Ky legjislacion do të ndihmojë në shfrytëzimin e mundësive të tilla, teksa ne vazhdojmë të mbështesim forcimin e demokracisë në rajon.

Përmes projektligjit, senatorët amerikanë kërkojnë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe udhëheqësit e departamenteve për ekonominë dhe tregtinë që jo më vonë se 180 ditë pasi të hyjë fuqi projektligji apo Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, të paraqesin një strategji pesëvjeçare për zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmëri demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Strategjia kërkon që të ketë bashkëpunim me partnerët në rajon, por edhe me institucionet evropiane dhe botërore, sikurse Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore.

Institucioneve amerikane u kërkohet që përmes kësaj strategjie të zhvillojë kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore në një sërë fushash, sikurse sektori i ekonomisë, ai i energjisë së pastër, agrikulturës, bizneseve, sigurisë kibernetike e shëndetësi.

Po ashtu, theks i veçantë i jepet mbështetjes së grave në biznes, por në përgjithësi kërkohet të ketë përpjekje për barazi gjinore.

Sa i përket bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik përmendet edhe nisma ekzistuese Ballkani i Hapur dhe përpjekjet e tjera, që sipas senatorëve amerikanë, “paraqesin potencial të madh për të përmirësuar kushtet ekonomike në Ballkanin Perëndimor teksa promovojnë përfshirje dhe transparencë”.

Sanksionet

Ky akt kërkon që SHBA-ja të ketë koordinim të ngushtë me partnerët në BE, Mbretëri të Bashkuar e aleatë të tjerë sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj personave dhe entiteteve në këtë rajon, që nuk u përmbahen vlerave demokratike.

SHBA-ja, përmes urdhrave ekzekutivë, ka sanksionuar liderë e entitete në Bosnjë e Hercegovinë, në lidhje me shkeljet e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, përfshirë edhe liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik.

Projektligji thotë se vendosja e sanksioneve ka për synim të pengojë aktivitetet destabilizuese në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në projektligj përmendet Bosnjë e Hercegovina dhe nevoja që në këtë shtet të vazhdojë mandatin Forca e Bashkimit Evropian (EUROFOR), pasi një gjë e tillë konsiderohet si “interes i sigurisë kombëtare të SHBA-së”.

“Duhet të përdoret zëri i SHBA-së në NATO për të inkurajuar aleancën që të planifikojë dhe mbështesë forcat ndërkombëtare që ta mbajnë të sigurt Bosnjën, veçanërisht nëse Rusia bllokon ri-autorizimin e misionit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në projektligj dhe kërkohet që të forcohet selia e NATO-s në Sarajevë.

Po ashtu, nga NATO dhe BE-ja kërkohet që përmes misioneve të tyre në këtë shtet të sigurohen se do të luajnë rol proaktiv në ofrimin e një ambienti të sigurt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Ndërkaq, senatorët amerikanë shprehën mbështetjen e tyre për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që duan të integrohen në strukturat euro-atlantike: NATO dhe BE.

Varësia nga energjia ruse dhe ndikimi kinez

SHBA-ja, sipas këtij projektligji, zotohet që të ndihmojë shtetet e Ballkanit që të ulin varësinë e tyre nga furnizimet me energjinë ruse. Nga shtetet e Ballkanit, Serbia ka varësinë më të madhe nga burimet ruse të energjisë.

“Varësia nga burimet e gazit natyror rus për Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe lidhjet e tyre ekonomike dhe politike me Federatën Ruse, pengojnë aspiratat e tyre për integrimin evropian”, thuhet në projektligj.

Ulja e varësisë së Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse, por edhe prodhimi i energjisë përmes karburanteve fosile, në projektligj thuhet se është “interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara”.

Por, shqetësues nuk shihet vetëm bashkëpunimi i Rusisë me shtetet e Ballkanit, por edhe ndikimi në rritje i Kinës në rajon.

Ky ndikim, sipas projektligjit, “mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën”.

Ndryshe, senatorët Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis vizituan Kosovë, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën më herët gjatë këtij viti.

Shaheen tha se ishte pikërisht kjo vizitë që e inspiroi të inicionte këtë projektligj.

"Vizioni i tyre [liderëve të Ballkanit Perëndimor] për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për gjeneratë e re inspiruan këtë projektligj. Ky rajon meriton çdo mjet për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme dhe unë jam e lumtur që e kam udhëhequr nismën për këtë projektligj”, tha senatorja Shaheen.

Projektligji i propozuar nga senatorët amerikanë duhet të debatohet në komitetet përkatëse të Senatit, më pas të dërgohet në Senat për miratim. Kur të marrë miratimin e senatorëve, dërgohet për miratim përfundimtar para Dhomës së Përfaqësuesve. Pas këtyre procedurave, projektligji nënshkruhet nga presidenti dhe shndërrohet në ligj./ REL

S.C/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rabi: 06/08/2022 00:00

    Mire mo mire me avash se do ngeleni pa gjuhe aq shume servilosni pas menderes se jamerikes. Ay projektligji ka qe ne kohen e Salhales se dyte. Dhe nese miratohet me Rammutin tuaj e kane per veten e tyre si te fusin ne xhep qindra mil dollare per "destabilizim". Ose te pakten lerni meroistet te engledisen me kete mesele.

    Përgjigju
  • A. N.: 05/08/2022 22:54

    Po te ishin aq te zotet do kishin zhdukur korrupsionin ne Meksike qe e kane komshi te aferm. :)

    Përgjigju
  • Lali palla: 05/08/2022 19:19

    Po ca shtet sovran muti je ti ore. Me mire te na kontrollojnë se ne jemi kafshe dhe te tille do te mbetemi

    Përgjigju
  • Lali: 05/08/2022 12:59

    Cfare pune ka amerika te kontrolloje shtetet sovran si mund te lejohet kjo ? Ata vendosin njerezit qe duan ne pushtet dhe pastaj je koloni e tyre vk

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me nismën e PS për të larguar nga funksionet publike bashkëpunëtorët e ish-sigurimit?



×

Lajmi i fundit

‘Më tha hajde se nuk do të bëjë gjë, pastaj më nguli thikën’, konflikt mes dy të rejave në Greqi! Shqiptari i la takim gruas dhe të dashurës në të njëjtin vend

‘Më tha hajde se nuk do të bëjë gjë, pastaj më nguli thikën’, konflikt mes dy të rejave në Greqi! Shqiptari i la takim gruas dhe të dashurës në të njëjtin vend