SHBA/ Republikanët akuzojnë Sorosin lidhur me hetimet ndaj Trump

SHBA/ Republikanët akuzojnë Sorosin lidhur me hetimet ndaj Trump

Ndërsa ish-Presidenti Donald Trump përballet me mundësinë e ngritjes së akuzave penale ndaj tij lidhur me pagesat në emër të tij për të blerë heshtjen e një aktoreje filmash pornografikë gjatë fushatës së vitit 2016, republikanët thonë se rasti ka motive politike duke fajësuar si shpesh herë, George Sorosin.

Investitori dhe filantropi miliarder 92-vjeçar, i cili është akuzuar në mënyrë të rreme për gjithçka, duke filluar që nga pagesa e protestuesve të dhunshëm deri tek krimet zgjedhore, nuk e njeh dhe nuk i ka dhuruar drejtpërdrejt para prokurorit të Nju Jorkut që po drejton hetimin. Por kjo nuk e ka penguar zotin Trump dhe republikanët e tjerë që ta akuzojnë Prokurorin e Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, se po vepron në emër të zotit Soros.

Të hënën zoti Trump përdori platformën e tij Truth Social për të ngritur pretendimin e pavërtetë se zoti Bragg kishte marrë më shumë se një milion dollarë nga Soros. Senatori i Ohajos, J.D. Vance, shkroi në Twitter se prokurori ishte “blerë nga George Soros”. Guvernatori i Floridës Ron DeSantis e quajti rastin një cirk të prodhuar nga një prokuror i financuar nga Soros.

Ekspertët thonë se pretendimet shfrytëzojnë një zonë gri të mbledhjes së fondeve për fushata, ku mund të jenë të paqarta lidhjet e dobëta midis donatorëve dhe kandidatëve që përfundimisht marrin fondet. Për zotin Soros, i cili është hungarezo-amerikan dhe hebre, po ashtu qarkullojnë teori konspiracioni se ai orkestron ngjarjet botërore.

Pretendimet e gabuara për lidhjet e zotit Soros me çështjen e zotit Trump e kanë zanafillën tek një donacion që filantropisti bëri në vitin 2021. Zoti Soros dhuroi 1 milion dollarë për organizatën “Color of Change” një grup politik që zhvilloi një fushatë të pavarur financiare për të mbështetur zgjedhjen e zotit Bragg në postin e prokurorit. Zëdhënësi i zotit Soros, Michael Vachon konfirmoi se kontributi i donatorit nuk ishte i përcaktuar për t'u përdorur për zotin Bragg. Zoti Soros nuk i dhuroi drejtpërdrejt fushatës së kandidati Bragg dhe ata nuk janë takuar kurrë personalisht, nuk kanë folur në telefon apo virtualisht, tha zëdhënësi Vachon.

Kontributi për organizatën “Color of Change” e cila i tha Associated Press se mbështet prokurorët që kërkojnë të ndryshojnë sistemin e drejtësisë penale, është në vazhdën e donacioneve të zotit Soros, i cili ka bërë kontribute të shumta në mbështetje të prokurorëve reformatorë në mbarë vendin që nga viti 2015, tha zëdhënësi Vachon.

Zoti Soros shkroi në vitin 2022 se ai i mbështet këta kandidatë sepse ata investojnë në ndryshimet që ai mbështet, përfshirë programet e shëndetit mendor dhe trajtimin e varësisë nga droga si sëmundje në vend të krimit. Personalisht dhe përmes një organizate tjetër, zoti Soros dhuroi rreth 4 milionë dollarë për organizatën “Color of Change” midis viteve 2016 dhe 2022, tha zëdhënësi Vachon.

Megjithatë, republikanët dhe komentuesit në mediat sociale po shfytëzojnë donacionet e vitit 2021 për lidhur zotin Soros me akuzat e mundshme që mund të ngrihen ndaj zotit Trump. Disa postime të shpërndara gjerësisht pretendojnë në mënyrë të rreme se zoti Soros ka dhuruar drejtpëdrejt në fushatën e zotit Bragg ose ka nxitur personalisht hetimin.

“Në situata të tilla, kur një donator jep fonde pa përcaktuar qëllimin e përdorimit nga ana e organizatës, të cilën nuk e kontrollon, nuk ka një lidhje mes kontrubuesit dhe përfituesit që ka zgjedhur të mbështesë kjo organizatë”, thotë Jerry Goldfeder, ekspert financash në Nju Jork.

“Por edhe pse nuk është e saktë të thuhet se zoti Soros kontribuoi drejpërdrejt në përpjekjet për zgjedhjen e zotit Bragg, është e saktë të thuhet se entitete të lidhur me zotin Soros investuan një shumë domethënëse për zgjedhjen e prokurorit”, thotë Hank Sheinkopf, këshilltar politik në Nju Jork.

Sipas të dhënave publike, djali dhe bashkëshortja e djalit të zotit Soros, Jonathan Soros dhe Jennifer Allan Soros kontribuan në mënyrë të drejpërdrejtë për fushatën e zotit Bragg. Soros ka dhënë miliarda dollarë për të përkrahur liberalizmin dhe për të luftuar autoritarizmin në të gjithë botën dhe si rezultat, për republikanët prej një kohe të gjatë e kanë vënë atë në shënjestër.

Për vite me radhë, teoritë e pabaza konpirative, e kanë lidhur figurën e tij me protestat e dhunshme apo ndërhyrjet në proceset zgjedhore. Po ashtu ai është akuzuar në mënyrë të padrejtë se ka lidhje familjare me figura politike duke filluar nga guvernatorja e Miçiganit,Gretchen Whitmer deri te presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

“Ne duhet të kuptojmë se kjo nuk ka të bëjë fare me zotin Soros”, thotë profesori Jonathan Sarna. “Kjo ka të bëjë me një pikëpamje shumë të vjetër, antisemite se pavarësisht se hebrenjtë janë të paktë në numër, ata kontrollojnë gjithçka. Ideja që pas çdo ngjarjeje fshihet një hebre.”

Përhapja e narrativave të tilla është e lidhur me pasoja në botën reale. Në vitin 2018, një person nga Florida përmendi dhjetra herë në mediat sociale zotin Soros përpara se të dërgonte zarfa me lëndë plasëse tek redaksitë e lajmeve, figurat krysore demokrate dhe vetë zotin Soros.

“Ajo që është zhgënjyese për shumë hebrenj amerikanë është se vërtet besonin se ishin lënë pas idetë klishe anti-semite ," tha zoti Sarna. "Dhe tani këto ide janë kthyer."

Ndërsa zoti Trump priste ngritjen e mundshme të akuzave të mërkuarën, përmes një email-i drejtuar mbështetësve, ai vazhdoi të nxiste retorikën kundër zotit Soros. Ai ka mohuar çdo shkelje lidhur me rastin e një pagese prej 130,000 dollarësh, për ish aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, për të blerë heshtjen e saj./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Gjyqtarja që u kërcënua nga Shullazi dhe rihapi dosjen e masakrës së Gërdecit vlerësohet nga ambasada amerikane! Saida Dollani: Ligji i barabartë për të gjithë

Gjyqtarja që u kërcënua nga Shullazi dhe rihapi dosjen e masakrës së Gërdecit vlerësohet nga ambasada amerikane! Saida Dollani: Ligji i barabartë për të gjithë