SHBA 'shpalos kartat', Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Kina kërcënimi më të madh për Perëndimin, e ndjekur nga Rusia

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper ka thënë se Kina kryeson listën e kundërshtarëve potencialë të Pentagonit. Duke folur në konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani, Esper tha se Pekini përbën kërcënimin më të madh për Perëndimin, ndjekur nga Rusia, nga ata që ai i quajti "si shtete pa parime" si Koreja e Veriut dhe Irani si dhe grupet ekstremiste.

"Në fakt, nën sundimin e Presidentit Xi, Partia Komuniste Kineze po shkon edhe më shpejt në drejtim të gabuar. Ka më shumë shtypje të brendshme, praktika ekonomike të paskrupullta, më të ashpra dhe më shqetësuese e një sjellje ushtarake më agresive", tha të shtunën zoti Esper përpara një udhëheqësve botërorë dhe drejtuesve ushtarakë.

Paralajmërimeve të tij u bëri jehonë edhe sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili shënjestroi kompaninë kineze të teknologjisë "Huawei".

"Huawei dhe kompani të tjera të teknologjisë të mbështetura nga kinezët janë "kuajt e trojës" për agjencitë kineze të zbulimit", tha zoti Pompeo.

"Ne nuk mund të lejojmë që informacioni të kalojë përmes rrjeteve tek të cilat ne nuk kemi besim dhe që mund të përfundonin nën kontrollin e paligjshëm të Partisë Komuniste kineze. Është thjesht e papranueshme”, tha ai.

Aleati kryesor i SHBA-së, Britania njoftoi kohët e fundit se do të lejojë Huawei të ndërtojë pjesë të rrjetit të tij celular 5G, një vendim që ka zhgënjyer Uashingtonin.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo theksoi gjithashtu rolin botëror të SHBA-së dhe tha se idealet e vlerat e Perëndimit do të mbizotërojnë.

"Jam i lumtur të njoftoj se ajo që u quajt si vdekja e aleancës transatlantike është ekzagjeruar rëndë. Perëndimi po fiton dhe ne po fitojmë së bashku. Kombet e lira janë thjesht më të suksesshme se çdo model tjetër i provuar në historinë e civilizimit. Qeveritë tona respektojnë të drejtat themelore të njeriut, ato nxisin mirëqënien ekonomike dhe na mbajnë të gjithëve të sigurt", tha ai.

Fjalimi i zotit Pompeo ishte pjesërisht një përgjigje ndaj fjalimit që mbajti një ditë më parë Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili akuzoi Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën se po shkaktonin mosbesim botëror.

Në konferencën e Mynihut ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi. Ai tha se akuzat amerikane për "Huawei" ishin gënjeshtra.

"Shkaku kryesor i të gjitha këtyre problemeve është se SHBA nuk dëshiron të shohë zhvillimin e shpejtë dhe përtërirjen e Kinës dhe aq më pak dëshiron të pranojnë suksesin e një vendi socialist", tha zoti ai.

Ministri i Jashtëm i Iranit Mohamed Javad Zarif foli gjithashtu në konferencë. Ai u pyet në lidhje me kundërpërgjigjen e Teheranit ndaj vrasjes në janar të gjeneralit të lartë Qassem Soleimani. Zoti Zarif tha që vendi i tij ishte gati për bisedime.

"Nuk ka të bëjë me hapjen e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, por për t'i sjellë Shtetet e Bashkuara përsëri në një tryezë bisedimesh që është aty tashmë", tha ai.

Ekspertët dhe analistët që ndoqën konferencën theksuan se është e nevojshme që aftësitë e mbrojtjes perëndimore të përshtaten me kërcënimet moderne./VOA

b.l./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    "Lufta" ndaj COVID-19/ A mendoni se duhet të bëhen më shumë testime?

Komento