SHBA, stërvitje të reja ushtarake me Maqedoninë e Veriut

SHBA, stërvitje të reja ushtarake me Maqedoninë e Veriut

Ushtria maqedonase

Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë stërvitje të reja ushtarake me ushtrinë e Maqedonisë së Veriut. Ky njoftim është bërë i ditur, teksa ushtria maqedonase shënon 30-vjetorin e themelimit.

Sipas njohësve të çështjeve politike dhe ushtarake, ky hap flet qartë për përkushtimin e Uashingtonit për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në një ndryshim në Ligjin e mbrojtjes kombëtare, Kongresi amerikan i kërkoi Pentagonit të propozojë më shumë stërvitje ushtarake me Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm, sipas Projektligjit për buxhetin e mbrojtjes për vitin e ardhshëm fiskal.

Me këtë ligj federal, SHBA-ja përcakton buxhetin dhe shpenzimet vjetore të Pentagonit dhe këtë vit për herë të parë në të është përfshirë edhe Maqedonia e Veriut.

“Komiteti mbështet fuqishëm rolin e Maqedonisë së Veriut si aleate e NATO-s dhe thekson vlerën e stërvitjes ushtarake ‘Reagimi i Shpejtë 22’ të NATO-s në Maqedoninë e Veriut për ndërveprimin e NATO-s, integrimin rajonal dhe parandalimin kundër agresionit rus”, thuhet në projektligj.

Në të thuhet se “është me rëndësi thelbësore që Shtetet e Bashkuara dhe anëtaret tjera të NATO-s të vazhdojnë të kryejnë stërvitje të ngjashme me Maqedoninë e Veriut dhe të përpiqen për integrim të mëtejshëm”.

Mesazhi që dërgon SHBA-ja është se ajo po fokusohet sërish te Maqedonia e Veriut dhe rajoni, pas një pauze disavjeçare në të cilën jo vetëm SHBA-ja, por edhe BE-ja u morën me problemet e tyre, thotë Metodi Haxhi-Janev, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Akademinë Ushtarake në Shkup.

"Stërvitjet e përbashkëta janë një nga fazat e parandalimit për të dërguar një sinjal të qartë tek ata që duan t'i sfidojnë rajonin se ata janë seriozë për të mos lënë hapësirë për ndikime tjera të huaja", thotë Haxhi-Janev.

Sipas tij, hapat e këtillë janë rezultat i ndryshimeve në planin gjeostrategjik dhe gjeopolitik, veçanërisht me bashkimin e Kinës dhe Rusisë.

“Me këtë SHBA-ja do t'i sigurojë partnerët e saj se proceset e demokratizimit, dhe rrjedhimisht të integrimit euroatlantik, duhet të vazhdojnë”, thotë Haxhi-Janev.

Mersel Bilalli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin FON në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i SHBA-së për forcimin e bashkëpunimit me shtetet e rajonit, në rastin konkret me Maqedoninë e Veriut, është mesazh i fuqishëm se nuk do të lejojë vendet tjera, në veçanti Rusinë, të shtrijë ndikimin e saj apo të tentojë të destabilizojë rajonin.

“Me zgjatjen e konfliktit Rusi-Ukrainë mendoj se komprometohen të gjitha aktivitetet ushtarake ruse në atë rajon, dhe tani sikur Rusia dëshiron të bartë konfliktin në pjesë tjera me qëllim që ta shpërqendrojë vëmendjen nga debakli që është duke e pësuar atje [Ukrainë] që është në disproporcion me qëllimin e saj fillestar...Ballkani Perëndimor është një pikë neuralgjike që shpejt mund të ndezet dhe Rusia shpreson se një gjë e tillë është e mundur, andaj SHBA-ja me hapat e fundit, në mënyrë preventive, po i kundërvihet”, thotë Bilalli.

Tani që ushtria maqedonase është pjesë e NATO-s, ajo duhet të angazhohet në modernizim, por para se gjithash në trajtimin e kuadrit të saj si dhe në zhvillimin ekonomik, shton Bilalli.

“Shteti duhet të bëjë dy gjëra, të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe në kapacitetet mbrojtëse. Financimin e kapaciteteve të brendshme ushtarake dhe natyrisht se aty merret parasysh edhe fuqia reale ekonomike ekzistuese e shtetit. Kështu që Maqedonia e Veriut shumë më tepër duhet të orientohet në trajtime në praktike sesa në teknologji për të cilën ka një kanal tjetër të sigurisë”, thekson ai.

Maqedonia e Veriut ka shënuar të enjten 30-vjetorin e formimit të ushtrisë së saj, që përbëhet nga rreth 9 mijë ushtarë profesionistë, të pajisur kryesisht me armatim të lehtë.

Shkupi është anëtar i NATO-së është që nga muaji mars i vitit 2020.

Pjesëtarët e ushtrisë maqedonase kanë marrë pjesë në misione të ndryshme ushtarake si në Afganistan, Irak, Bosnjë e Hercegovinë, në Liban dhe së fundmi në Kosovë./REL

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Guvernatori i Bankës, Gent Sejko takohet me homologun kroat

Guvernatori i Bankës, Gent Sejko takohet me homologun kroat