Zjarret në Los Anxhelos/ Shkon në 10 numri i viktimave! Shkak dyshohet rrjeti elektrik! Zona e djegur është 117 km², 5 vatra zjarri aktive

SHBA - Të paktën dhjetë të vdekur. Rritet bilanci i viktimave nga zjarret në Los Angeles, të cilat presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka quajtur «më shkatërrueset» në historinë e Kalifornisë. Por numri mbetet ende i pjesshëm dhe pritet të rritet: «Nuk kemi ende të dhëna të sakta», pranoi sherifi i qarkut të Los Angeles, Robert Luna.

Deri tani, janë djegur rreth 117 kilometra katrorë, sa përmasa e qytetit të San Franciskos, ndërsa numri i të evakuuarve ka arritur mbi 180,000. Përsa i përket shkaqeve, po forcohet hipoteza se zjarret janë shkaktuar nga probleme në rrjetin elektrik.

Një zjarr i pestë gjatë natës

Gjatë natës, një tjetër zjarr shpërtheu në kufirin mes qarqeve Los Angeles dhe Ventura, në veri të Pacific Palisades. Ky zjarr, i quajtur «Kenneth», po përhapet me shpejtësi, duke kërcënuar shumë vila në zonat kodrinore të Hidden Hills dhe Calabasas, vende të njohura për vilat e tyre luksoze dhe të izoluara, si ato të familjes Kardashian. Sipas shërbimit të zjarrfikësve të Kalifornisë, zjarri ka djegur 20 hektarë pyll brenda një ore e gjysmë.

«Kenneth» është zjarri i pestë aktiv përreth Los Angeles-it: ndërsa është vënë nën kontroll zjarri «Sunset» në Hollywood, mbeten ende aktivë ata në Palisades, në perëndim, pranë Oqeanit, «Eaton» në lindje në zonën e Altadena-s, si dhe «Lidia» dhe «Hurst Fire» në luginën San Fernando, në veri.

Shkaqet e zjarreve dhe një zjarrvënës i dyshuar

Ndërkohë, ka filluar të shfaqet një shpjegim i mundshëm për këtë seri zjarresh të pandalshme. Ashtu si zjarret shkatërruese dy vite më parë në Maui, Hawaii, edhe zjarret në Los Angeles duket se janë shkaktuar nga probleme në rrjetin elektrik. Këtë e pretendon Whisker Lab, një kompani që mbledh të dhëna nga sensorët për të monitoruar problemet në rrjetin e furnizimit energjetik.

Kompania pretendon se sistemi i saj ka zbuluar shenja stresi në linjat elektrike pranë vendeve ku shpërthyen zjarret, përpara se flakët të merrnin përmasa. Në vitin 2023, sensorët e kësaj kompanie kishin dhënë disa nga provat e para që zjarri në Maui ishte shkaktuar nga linjat elektrike.

Ndërkohë, një i dyshuar për zjarrvënie është arrestuar. Ngjarja ndodhi në një zonë në veri të Los Angeles-it, pranë vendit ku po përhapet zjarri «Kenneth». Rreth orës 16:30 lokale (1:30 të mëngjesit me orën shqiptare), policia ndërhyri pas raportimeve për një burrë që po përpiqej të ndizte zjarr në Ybarra Road në Woodland Hills me një lëshues flake artizanal. Banorët e zonës arritën ta ndalonin të dyshuarin deri në mbërritjen e policisë.

Simboli i krizës në Los Angeles

Makinat e braktisura në mënyrë kaotike në bulevardin ikonik Sunset, të dëmtuara nga buldozerët që i lëvizën për të hapur rrugën për kamionët e zjarrfikësve, janë bërë simbol i përpjekjeve të dëshpëruara të Los Angeles-it për të përballuar emergjencën.

Që nga e marta, flakët, të nxitura nga era Santa Ana që frynte deri në 160 km/h, kanë shkatërruar të paktën 10,000 ndërtesa, përfshirë shtëpi dhe objekte të tjera. Megjithë përpjekjet e 1,400 zjarrfikësve dhe ndihmën e gati 800 të burgosurve, janë djegur rreth 117 kilometra katrorë tokë. Numri i të evakuuarve ka arritur në 180,000, ndërsa mbi 267,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.

Shkolla të mbyllura, maska dhe pastrues ajri

Të gjitha shkollat në distrikt, i dyti më i madh në Shtetet e Bashkuara, janë mbyllur, edhe për shkak të tymit të dendur që mbulon qytetin dhe hirit që bie në disa zona. Me nivele të larta të ndotjes së ajrit, qytetarët po pajisen me maska dhe pastrues ajri, të cilët tashmë janë të pamundur për t’u gjetur në zonë.

Vila luksoze të shkatërruara

Mes të evakuuarve janë disa të famshëm si Diane Warren, Paris Hilton, Billy Crystal dhe Anthony Hopkins, të cilët kanë humbur vilat e tyre në Pacific Palisades. Edhe Mel Gibson ka deklaruar se vila e tij është «plotësisht e djegur».

Rrugët që kalojnë nëpër kanione të ngushta, edhe pse ofrojnë privatësi dhe pamje panoramike, nuk kanë ndihmuar aspak gjatë emergjencës. Shumë banorë janë detyruar të largohen në këmbë, ndërsa tymi u vështirësonte frymëmarrjen.

Për fat të mirë, dje era u dobësua dhe avionët arritën të ngrihen për të hedhur ujë mbi zonat e rrezikuara, por parashikohen sërish erëra të forta për sot.

Akuzat e Trump

Dhe si gjithmonë, përveç katastrofave, vijnë edhe polemikat. Me kushtet e thatësirës këtë vit dhe parashikimet për erëra të forta, komuniteti i Pacific Palisades kishte kërkuar një plan mbrojtjeje nga zjarret, por ai nuk ka mbërritur kurrë. Për më tepër, gjatë 24 orëve të para të emergjencës, kryebashkiakja Karen Bass ndodhej në Gana për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit John Dramani Mahama. Edhe pse ajo u rikthye me shpejtësi, nuk mundi të shmangte kritikat e ashpra. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e akuzoi atë dhe guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, si të dy të paaftë: «Zjarri po përhapet me shpejtësi prej tre ditësh – ZERO PËRMBYTJE», shkroi ai në Truth Social. «Dhe Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave nuk ka para, gjithçka është shpenzuar për Mashtrimin e Ri të Gjelbër!». Sipas Trump, Newsom (i njohur tani si Newscum – scum do të thotë baltë në anglisht) duhet të japë dorëheqjen.

Presidenti Biden

Presidenti Biden, nga ana tjetër, për të monitoruar situatën, anuloi udhëtimin tre-ditor në Itali, ku do të takohej me kryeministren Giorgia Meloni dhe Papën Françesku.

Konfuzioni në Los Angeles

Ndërkohë, në gjithë zonën metropolitane të Los Angeles-it mbretëron konfuzioni. Të paktën 20 persona janë arrestuar për grabitje në zonat e evakuara për shkak të zjarreve: «Ata kanë zgjedhur të rrezikojnë për të vjedhur pasuritë e këtyre njerëzve të varfër, të cilët tashmë kanë kaluar shumë», tha sherifi Robert Luna gjatë një konference për shtyp. Konfuzionit i kanë kontribuar edhe zjarrfikësit. Dje, rreth orës 15:57 (me orën lokale), mijëra banorë morën një sinjal të verdhë alarmi në celularët e tyre, me tekstin: «Ky është një mesazh emergjence i Departamentit të Zjarrfikësve të Qarkut. Ka një njoftim evakuimi në zonën tuaj. Qëndroni në vëzhgim dhe gati për të lëvizur. Mblidhni njerëzit e dashur, kafshët dhe gjërat esenciale. Vazhdoni të monitoroni parashikimet dhe lajmet». Pas një çerek ore, kjo u korrigjua si një «defekt teknik».

Ndalimi i ndeshjeve sportive

Zjarret në Los Angeles kanë ndaluar edhe sportin. Ndeshja e Lakers është shtyrë, që do të luanin me Charlotte Hornets: «Mendimet tona janë me ata që janë prekur nga kjo situatë e paimagjinueshme: ndeshja do të riprogramohet për të fokusuar në atë që ka më shumë rëndësi sot», thuhet në komunikatën e skuadrës së NBA-së. Los Angeles Rams, nga ana tjetër, për arsye të sigurisë publike, e kanë zhvendosur sfidën me Minnesota Vikings në Glendale (Arizona), e vlefshme për raundin e parë të playoff-it të NFL-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:43
Jo vetëm zjarre shkatërruese, nis vala e plaçkitjeve në Los Anxhelos, thirret shtetrrethim

1736538423_nationalguard.jpg

Garda Kombëtare në Los Anxhelos

Imazhe apokaliptike ka lënë pas zjarri në Los Anxhelos, pasi dhjetë persona kanë humbur jetën, ndërsa mijëra hektarë tokë dhe shtëpi janë bërë shkrumb e hi. Ekspertët paralajmërojnë se zjarri nuk do të shuhet nëse moti nuk ndryshon, mirëpo, në mes të gjithë kësaj situate tragjike është shfaqur një fenomen shqetësues, pasi ka nga ata që plaçkitin rrënojat dhe shtëpitë e braktisura.

Sipas mediave grabitësit po hyjnë në shtëpi dhe rrëmbejnë gjithçka gjejnë përpara. Në fakt, siç është bërë e ditur, deri dje ishin bërë 20 arrestime nga autoritetet, por grabitësit janë shumë më tepër në numër, ndërsa vlen të theksohet se qindra-mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Siç raporton Newsweek, trupat e Gardës Kombëtare të Kalifornisë po marrin pjesë në operacionin kundër grabitësve që po plaçkitin shtëpitë.

Aktualisht është e paqartë se sa gjatë do të qëndrojnë Garda Kombëtare dhe forcat e tjera të sigurisë në Los Angeles, por banorët kanë frikë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas Daily Mail, të pasurit në Los Anxhelos kanë punësuar edhe kompani private sigurie për të mbrojtur shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet shpallën një shtetrrethim për të kontrolluar valën e plaçkitjeve.

Ora 16:34
Zjarret në Los Angeles, Bebe Rexha: Ajri është i tmerrshëm, sikur po jetojmë brenda një oxhaku

Bebe Rexha ka treguar ndjekësit e saj në Instagram se si është situata në Los Angeles pas zjarreve masive që kanë përfshirë zonën.

Përmes një postimi në InstaStory, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare  ka përshkruar kushtet e vështira të ajrit në qytet.

“Ajri i LA sot: I trashë sa të pritet me thikë dhe mban erë sikur jetojmë brenda një oxhaku,” shkroi 35-vjeçarja, krahas një fotoje të saj ku kishte vendosur maskën, një masë e domosdoshme për t’u mbrojtur nga ndotja e ajrit.

Ora 14:35
Zjarret në Los Anxhelos, Dua Lipa largohet nga vendi

Dua Lipa dhe disa yje të tjerë britanikë janë detyruar të largohen nga Los Anxhelos për shkak të zjarreve.

Artistja me origjinë shqiptare, së bashku me James Bourne nga Busted, Mark Owen nga Take That dhe Liam 'Gatsby' Blackwell nga TOWIE, janë detyruar të largoheshin shtëpitë e tyre ndërsa zjarret po vazhdonin të përhapen në LA.

Ma anë të një postimi në Instagram Dua tregoi se ishte e sigurt dhe kishte arritur të largohej nga qyteti. Ajo shprehu shqetësim për ata që janë prekur nga zjarret.
 

Ora 12:54
Paris Hilton tregon shtëpinë e saj të djegur nga zjarret në Los Anxhelos: Është shkatërruese të shohësh vetëm hirin (VIDEO)

Paris Hilton ka publikuar një video ku tregon se çfarë ka mbetur pas, pasi shtëpia e saj u dogj totalisht nga zjarret që ranë në Los Anxhelos.

‘Një vend që ishte shumë më tepër se një shtëpi e thjeshtë: ishte zemra rrahëse e familjes së tij, ku kujtimet dhe momentet e lumtura kishin marrë jetë. Është shkatërruese të shohësh gjithçka të bërë hi”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Ora 07:21
Zjarret në SHBA, pamjet satelitore tregojnë si ishte Los Anxhelos para dhe pas shpërthimeve të flakëve masive (FOTO)

1736490179_losanxhelos.JPG

Pamjet satelitore tregojnë se si ishte Los Anxhelos më 6 janar dhe si u bë më pas më 8 janar kur shpërthyen zjarret masive.

Deri më tani janë shkaktuar 10 viktima, teksa janë shkatërruar lagje dhe rrugë të tëra.

Flakët nuk kanë lënë pa përfshirë edhe shtëpitë dhe lagjet e të famshmëve të Hollwyood, teksa kanë shkatërruar shtëpitë e Paris Hilton, Billy Cristal apo Anthony Hopkins.

G.K/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Azgan Haklaj: Largimi i Albin Kurtit – Imperativ Kombëtar!

Azgan Haklaj: Largimi i Albin Kurtit – Imperativ Kombëtar!