Vazhdon ofensiva turke në Siri, pavarësisht armëpushimit, të vdekur dhe plagosur. Amnesty International: Turqia ka kryer krime lufte. Trump: Si dy fëmijë në një fushë lojrash

Armëpushim 5-ditor për tu tërhequr kurdët nga ‘zona e sigurisë’, 30 km në veri-lindje të Sirisë, dhe më pas përfundim i operacionit ushtarak. Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë arritur një marrëveshje për të ndaluar ofensivën turke kundër kurdëve në rajonin e Perëndimit. Por Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut denoncon se, pavarësisht armëpushimit,  raketa turke kanë goditur qytetin sirian Ras al-Ayn, ku janë vrarë 5 luftëtarë kurdo-sirianë, ndërsa 2 të tjerë u plagosën. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka mohuar lajmin për shkeljen e armëpushimit dhe tha se, sipas marrëveshjes, trupat turke nuk do të largohen nga zona e sigurisë dhe se pretendimet për përdorimin e armëve jokonvencionale janë të pavërteta. Amnesty International ka denoncuar Turqinë për krime lufte gjatë ofensivës në Siri. Presidenti amerikan Donald Trump e ka krahasuar konfliktin vdekjeprurës midis forcave turke dhe kurdëve në veri-lindje të Sirisë me një luftë midis fëmijëve. "Si dy fëmijë në një fushë lojrash, i kemi lënë të luftojnë dhe pastaj i kemi ndarë” – tha presidenti Donald Trump në një tubim në Teksas.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:16
Trump e krahason konfliktin në Siri me luftën e fëmijëve në një shesh lojërash

Presidenti amerikan Donald Trump e ka krahasuar konfliktin vdekjeprurës midis forcave turke dhe kurdëve në veri-lindje të Sirisë me një luftë midis fëmijëve.

"Si dy fëmijë në një fushë lojrash, i kemi lënë të luftojnë dhe pastaj i kemi ndarë” – tha presidenti Donald Trump në një tubim në Teksas.

Pas takimit të djeshëm mes zv/presidentit amerikan Pence dhe Presidentit turk Erdogan, Turqia ka rënë dakord me një kërkesë të SHBA për të pezulluar operacionet për aq kohë sa luftëtarët kurdë largohen nga zona kufitare.

Por luftimet duket se po vazhdojnë edhe sot, pavarësisht mohimit nga Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan.

Shqetësimi po rritet për krime të mundshme lufte nga ana e Turqisë.

Presidenti Erdogan hodhi poshtë raportet për vazhdimin e përleshjeve dhe i ka quajtur ato "dezinformata", por mediat ndërkombëtare kanë folur për shpërthime në qytetin kufitar Ras al-Ain.

Ora 15:43
Erdogan: Turqia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm kundër letrës 'mosrespektuese' të Donald Trump

 

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se letra e fundit e Donald Trump drejtuar tij, nuk ka fare lidhje me "mirësjelljen diplomatike dhe politike".

Letra "nuk ishte në përputhje me mirësjelljen diplomatike dhe politike. Ne nuk do ta harrojmë këtë mungesë respekti. Por tani letra nuk është përparësi për ne. Por kur të vijë momenti do të ndërmarrim hapat e nevojshëm." – tha presidenti turk Erdogan.

Presidenti amerikane në letër e paralajmëroi liderin turk që të mos tregohej "budalla" për të filluar një fushatë ushtarake në veri të Sirisë.

"Mos u bëj një si i fortë, mos u bëj budalla!", - thoshte letra e dalë nga Shtëpia e Bardhë.

Në letrën e 9 tetorit, Trump i shkruante Erdogan-it se ai mund të bëjë një "marrëveshje të madhe" me gjeneralin Mazloum Kobani, udhëheqës i Njësive të Mbrojtjes së Popullit (YPG), milicina e udhëhequr nga kurdët që është aleate me Washingtonin në luftën kundër ISIS

Erdogan tha se ishte ofenduar nga sugjerimi i Trump qe të takohej me Gjeneralin Mazloum Kobani. "Ju po flisni për një organizëm terrorizmi. Ky zotëri po flet me Presidentin Trump. Kjo marrëveshje është midis Turqisë dhe një shteti dhe jo me një organizatë terroriste."

Ora 15:27
Ambasadori turk në Romë: Armët jo konvencionale? Propagandë! Edhe politikanët italianë kanë rënë në këtë kurth

Ambasadori turk në Romë, Murat Salim Esenli, përdori gjysmën e termave të thënë më parë në regimin e qeverisë italiane për sulmet në Siri, për të folur për marrëveshjen midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë të finalizuar mbrëmë gjatë takimit midis Presidentit Erdogan dhe Mike Pence: "Ne kemi ndalur operacionet me idenë për të sqaruar situatën në terren, mund të themi se operacionet kanë qenë mjaft të suksesshme dhe se tani do të merremi me mbështetjen e popullatës civile në të gjitha mënyrat".

Përballë provave nga shtypi ndërkombëtar për përdorimin e armëve jo konvencionale dhe me faktin se civilët kurdë kanë qenë viktima të sulmeve kimike, ambasadori sqaroi se fotot që qarkullojnë në mediat sociale e kanë origjinën në Veriun e Sirisë dhe nuk duhet ti atribuohen forcave turke.

Por jo vetëm kaq. Sipas tij, disa udhëheqës politikë italian kanë përdorur foton e një fëmije "viktimë e një sulmi kimik nga regjimi sirian" për të "kritikuar Turqinë". Politikanët italianë, vazhdoi ambasadori, "kanë rënë viktimë e propagandës. Unë nuk do t'ju përmend emra, por udhëheqësi i një partie politike italiane ka përdorur" në mediat sociale "këto imazhe për të kritikuar padrejtësisht Turqinë". Është një qëndrim "i pakujdesshëm" në lidhje me një akuzë që "nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën", shtoi ai.

Ora 14:54
Amnesty International ka denoncuar Turqinë për krime lufte gjatë ofensivës në Siri

Amnesty International ka denoncuar Turqinë për krime lufte gjatë ofensivës në Siri. Sipas një reagimi nga ana e saj: ushtria turke dhe militantët e saj sirianë kanë kryer "krime lufte" gjatë operacionit ushtarak kundër kurdëve në veri-lindje të Sirisë.

Sipas Amnesty, trupat e Ankarasë janë fajtorë për "shkelje të rënda dhe krime lufte, vrasje dhe sulme të paligjshme".

Amnesty International pretendon se ka mbledhur "informacione dhe prova dërrmuese të sulmeve pa dallime në zonat e banuara, përfshirë sulmet ndaj qendrave shëndetsore dhe shkollave.

Akuzat e Amnisty bazohen në dëshmitë e 17 personave përfshirë mjekë, gazetarë dhe njerëz të thjeshtë. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, viktima civile në frontin kurd numërohen 72.

Ora 14:16
Vazhdojnë luftimet pavarësisht armëpushimit, të paktën 5 civilë të vdekur. Erdogan: Ne nuk do të ikim

Marrëveshja për armëpushimin e nënshkruar dje në Ankara nga zv/presidenti amerikan Mike Pence me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan duket se nuk është i mjaftueshëm për të ndaluar ofensivën në zonën veriore të Sirisë, tashmë në duart e kurdëve.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut denoncon se raketa turke kanë goditur qytetin sirian Ras al-Ayn, i vendosur përgjatë kufirit. Sipas agjencisë kurde Firat, në bastisjet turke dhe shpërthimet e sotme janë vrarë 5 luftëtarë kurdo-sirianë, ndërsa 2 të tjerë u plagosën. I njëjti burim pretendon se nga bombat janë plagosur 8 civilë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka mohuar lajmin për shkeljen e armëpushimit dhe tha se, sipas marrëveshjes, trupat turke nuk do të largohen nga zona e sigurisë

Ora 14:12
Mike Pence: Sanksionet do hiqen pas armëpushimit përfundimtar

1571400888_penceerdogan.jpg

Zv/presidenti Mike Pence sqaroi se Turqia ka pranuar propozimin amerikan për të lejuar kurdët të tërhiqen.

Javën e kaluar, Turqia kishte filluar një operacion të ashpër ushtarak kundër milicive kurde të mbrojtjes popullore (YPG) dhe deri më tani, Erdogan gjithmonë kishte refuzuar idenë e një armëpushimi, duke këmbëngulur që Ankaraja nuk do të frikësohej nga kërcënimi i sanksioneve. Sipas Pence, pas tërheqjes së milicive kurde nga kufiri turko-sirian, tërheqja e forcave të armatosura turke do të fillojë brenda pesë ditëve.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë shtoi se sanksionet e vendosura nga SHBA ndaj Turqisë për ofensivën në Siri, do të hiqen sapo armëpushimi të bëhet i përhershëm. “Në pritje të përfundimit përfundimtar të operacioneve ushtarake, sanksione të reja nuk do të vendosen”,- shtoi Pence.

"Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku me Turqinë, dhe me kombet në mbarë botën për të siguruar që paqja dhe stabiliteti të jenë rendi i ditës në këtë zonë të sigurt në kufirin midis Sirisë dhe Turqisë",- theksoi Pence i cili gjithashtu ka ilustruar disa nga detajet e marrëveshjes. “Turqia - shpjegoi ai - do të ketë një zonë sigurie të rënë dakord me SHBA rreth 32 kilometra përtej kufirit të saj Sirian”.

Tërheqja e militantëve kurdë YDP nga kufiri turk ka filluar. Turqia do të bashkëpunojë me anëtarët e YPG për të lehtësuar një tërheqje të rregullt nga linja e demarkacionit prej 32 kilometrash nga kufiri.

Ora 14:10
Reagimi i Këshillit Europian për marrëveshjen e armëpushimit

Udhëheqësit e BE, gjatë natës, përsëritën kërkesën e tyre për Turqinë për t'i dhënë fund ofensivës kundër kurdëve në Siri dhe bën thirrje për tërhiqjen e trupa te saj, pas njoftimit për një armëpushim pesë-ditor. BE "dënon veprimin e njëanshëm ushtarak të Turqisë në veri-lindje të Sirisë, i cili ka shkaktuar vuajtje njerëzore të papranueshme, minon luftën kundër Daesh dhe kërcënon rëndë sigurinë evropiane”, - thuhet në reagimin e Këshillit Europian.

“Bashkimi Europian "mbetet i përkushtuar që të merret në mënyrë efektive me krizën serioze humanitare dhe të refugjatëve, duke përfshirë mbështetjen e Shteteve anëtare që po përballen me sfidat më serioze përsa i përket rrjedhave të migracionit në Mesdheun Lindor".

Pas përfundimeve të mbledhjes së Këshillit Europian, më 14 tetorit 2019, Shtetet anëtare kishin vendosur të pezullonin licencat e eksportit të armëve në Turqi.

Ora 14:07
Reagimi i Ministrit të jashtëm turk: ​​Ky nuk është armëpushim



Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se marrëveshja e arritur midis SHBA dhe Turqisë për të pezulluar operacionet ushtarake në Siri nuk është armëpushim.

"Ky nuk është armëpushim," tha Cavusoglu gjatë një konference televizive për shtyp sot. "Ne do të ndalojmë operacionin për 120 orë në mënyrë që terroristët të largohen," tha Cavusoglu. "Ne do ta ndalojmë operacionin vetëm nëse plotësohen kushtet tona."

Cavusoglu tha se një "zonë e sigurt" do të duhet të krijohet në afro 20 milje në lindje të lumit Eufrat deri në kufirin me Irakun.

"Nga ana jonë ne kemi arritur atë që kemi dashur - shtoi Cavusoglu - Do t'i japim Ypg pesë ditë për të lënë zonën, armët e rënda të milicive kurde do të tërhiqen dhe postet e tyre do të shkatërrohen. Zona do të vihet nën kontroll të ushtrisë turke. Ndërhyrja jonë mund të konsiderohet e përfunduar vetëm kur të gjithë militantët Ypg të jenë larguar nga zona. Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë të çlirojë “nga terroristët” një zonë 32 kilometra në thellësi në lindje të Eufratit. Shtetet e Bashkuara garantojnë se të gjithë terroristët do të largohen nga zona në 120 orët e ardhshme. Marrëveshja SHBA-Turqi u shkruajt në një dokument prej 13 pikësh”.

Cavusoglu tha gjithashtu se vizita e Presidentit Erdogan në Shtëpinë e Bardhë në 13 nëntor me ftesë të Presidentit amerikan Trump u konfirmua se do të zhvillohet, pas marrëveshjes së arritur midis dy vendeve.

"Kjo marrëveshje nuk mund të ishte bërë kurrë 3 ditë më parë. Një gjë e shkëlqyeshme për të gjithë. Jam krenar për të gjithë!",- ka shkruar Presidenti amerikan Trump në Twitter. Pastaj një tjetër koment: "Kjo është një ditë e shkëlqyer për civilizimin. Unë jam krenar për Shtetet e Bashkuara që kam qëndruar besnike në ndjekjen e një rruge të domosdoshme, edhe pse jo konvencionale".

Ora 14:05
Kushtet e marrëveshjes së armëpushimit, reagimi i Trump

Zv presidenti amerikan Mike Pence tha se Turqia ka pranuar marrëveshjen e armëpushimit në Siri. Kushtet: Kurdët sirianë/forcat demokratike siriane (SDF) duhet të çmontojnë fortifikimet e tyre mbrojtëse dhe të tërheqin trupat nga kufiri.

Pence tha se SHBA do vazhdojnë të angazhohen në Siri, por jo ushtarakisht. Trump e quan armëpushimin një "rezultat të pabesueshëm"

Presidenti Trump, duke folur nga  baza e stacionit ajror detar Forth Worth, e quajti armëpushimin një "rezultat të pabesueshëm" që shpëton jetë njerëzish.

"Kur armët fillojnë të qëllojnë, kanë tendencë të bëjnë shumë gjëra. Në emër të Shteteve të Bashkuara, dua të falënderoj Turqinë. Dua të falenderoj kurdët, ata ishin jashtëzakonisht të lumtur me këtë zgjidhje që shpëton jetë".

Kushtet e armëpushimit

Kurdët sirianë të SDF të shkatërrojnë fortifikimet e tyre mbrojtëse dhe të tërheqin trupat nga kufiri. Shtetet e Bashkuara gjithashtu do kryejnë patrullime të përbashkëta dhe shkëmbime informacioni të inteligjencës me ushtrinë turke si pjesë e marrëveshjes.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale