Zgjedhjet në PD, Shehaj: Po kompromentohen, vëzhguesit e mi janë përjashtuar, në Durrës listë e re votuesish! Gjana: Asnjë s'është përjashtuar, s'përmbushën kriteret

Ndërsa ka disa orë që ka nisur votimi në të gjithë vendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, kandidati Agron Shehaj para se të hidhte votën në kuti ka denoncuar se procesi në disa degë po komprometohet, sepse janë përjashtuar vëzhguesit e tij dhe po pengohen që të monitorojnë procesin. Shehaj nënvizon se kjo ka ndodhur në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë. Procesi sipas tij po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati. Kandidati për kryetar të PD, tha se edhe në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat, vëzhguesit e tij të pranishëm në qendra votimi po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë apo jo. 

Jemi duke monitoruar më vëmendje gjithë procesin zgjedhor. Inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit dhe mbështetësit tanë që pavarësisht parregullsive dhe presioneve, të japin maksimumin për të mbrojtur votën e demokratëve dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike. Ne jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Fatkeqësisht, më duhet të them se, në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e mi po përjashtohen, po ndalohen apo po pengohen që të monitorojnë procesin. Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e mi janë përjashtuar ose nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit. Procesi i votimit në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati. Gjithashtu, në degët e mëposhtme, vëzhguesit e mi të pranishëm po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë të votojnë apo jo. Pra nëse janë në lista apo kanë kartë anëtarësie. Kjo gjë po ndodh aktualisht në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat".

Shehaj denoncon se janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së, me mijëra anëtarë të PD, ndërsa në Durrës, Shehaj thotë se është shtuar një listë e re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë. Kurse në Devoll dhe Dibër në denoncimin e tij thuhet se po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll.

"Madje në Devoll dhe Dibër po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll. Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së. Së fundmi, na njoftuan që në Durrës kanë shtuar një listë të re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë. Votimet në PD kanë filluar me një standard demokratik shume të ulët. Iu bëj thirrje komisionerëve dhe drejtuesve të partisë të mos i kthejnë zgjedhjet në një farsë elektorale. Iu bëj thirrje demokratëve të thjeshtë që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’u heqë të drejtën për të votuar".

Agron Shehaj bën të ditur se ekipi i tij është duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Në përgjigje të denoncimit të Shehaj ka reaguar kreu i komisionit të zgjedhjeve në PD Jemin Gjana i cili tha se vëzhguesit e tij nuk kanë përmbushur kriteret. Ndërkaq sqaroi të gjitha rastet kur janë përjashtuar vëzhguesit e Shehajt, duke thënë se në Shkodër në vend të vëzhguesit të miratuar nga komisioni u paraqit vëllai i tij, ndërsa në Njësinë nr. 5 në Tiranë vëzhguesja e Shehajt krijoi probleme gjatë procesit.

Gjana shtoi se Shehaj ka kërkuar që disa përfaqësues që janë në degë të tjera t'i çojë në degë të tjera psh nga Maliqi ta çojë në Korçë, por kjo sipas tij nuk mund të bëhet dhe se ata nuk kanë plotësuar kriteret. Akuzave të Shehajt i është përgjigjur edhe kryetari i degës së PD në Durrës, Ferdinand Xhaferraj. Ai shprehet se ka dy lista, një që ka ardhur nga Tirana me 2900 anëtarët e PD dhe lista tjetër është ajo e emrave që mund të votojnë me kartën e anëtarësisë, të cilët lejohen të votojnë me kartë.

Akuza për garë të jo të barabartë ka hedhur edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Bujar Nishani. Në deklaratën e tij ai ka hedhur akuza të forta duke thënë se 50% e anëtarësisë së PD është zhdukur brenda 3 muajsh.  Në të gjithë vendin, votimi është hapur në orën 08.00 dhe do të vijojë derisa të kenë votuar të gjithë anëtarët me të drejtë vote. Janë 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike që do t'i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin,për të zgjedhur drejtuesin e ri mes Lulzim Bashës, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:02
'Në Durrës u shtua listë e re', Xhaferraj për akuzat e Shehaj: Një listë vjen nga Tirana me anëtarët dhe lista e dytë me emrat që votojnë me kartë anëtarësie

Kreu i PD në Durrës, Ferdinand Xhaferraj i është përgjigjur akuzave të kandidatit Agron Shehaj se në Durrës ka dy lista votuesish, Xhaferraj shprehet se ka dy lista, një që ka ardhur nga Tirana me 2900 anëtarët e PD dhe lista tjetër është ajo e emrave që mund të votojnë me kartën e anëtarësisë, të cilët lejohen të votojnë me kartë. Xhaferraj tha se këto demokratë që votojnë me kartën e anëtarësisë janë në një listë të veçantë. Xhaferraj tha se atyre u fotokopjohet karta dhe se procesi është zhvilluar i rregullt deri tani.

"I gjithë procesi ka qenë model me një standard europian demokracie, është vlerë për PD dhe shoqërinë shqiptare, edhe dita sotme ka qenë model. E pash prononcimin e Shehjat dhe pyeta përfaqësuesit e tij këtu të tij, por pretendimi i tij nuk qëndron. Janë dy lista e vërtet, por njëra është ajo e ardhur nga Tirana dhe tjera ka të bëjë në bazë të udhëzimeve është lista e atyre anëtarëve që votojnë me kartë dhe emrat e tyre futen në këtë listë shtesë.  Është lista me 2900 e ca anëtarë që vjen nga Tirana dhe lista me ata që kanë kartën e anëtarësisë por që kanë kohë që nuk janë aktiv . Komisioni fotokopjon kartën e anëtarësisë dhe është  tërësisht i integruar në proces të rregullt", tha Xhaferraj.

Agron Shehaj tha se në Durrës është shtuar një listë e re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë.

 

Ora 11:51
Shehaj akuza për procesin e votimit, Gjana: Vëzhguesit e tij nuk kanë përmbushur kriteret, nuk janë përjashtuar

Kreu i Komisionit  Zgjedhor në PD, Jemin Gjana i është përgjigjur akuzave të Agron Shehja për proces të parregullt dhe përjashtimin e vëzhguesve të tij. Gjanaj tha se Shehaj ka kërkuar që disa përfaqësues që janë në degë të tjera t'i çojë në degë të tjera psh nga Maliqi ta çojë në Korçë, por kjo sipas tij nuk mund të bëhet dhe se ata nuk kanë plotësuar kriteret. Ai foli edhe për incidentin ën njësinë 5 në Tiarën ku përfaqësuesja e Shehajt u largua pasi shkaktoi problemet dhe është zëvendësuar me një përfaqësuese tjetër të tij

"E para, nuk është përjashtuar asnjë vëzhgues. Dua të bëj me dije se mbrëmë deri në orën 12 e gjysmë ka vazhduar proçesi i marrjes së propozimeve nga kandidatët për deputetë dhe përfaqësuesit e tyre. Ka mundur të plotësojë disa ditë më parë, kandidati Basha me përfaqësuesit e tij, anëtarë në komisione, dje pasdite, kandidati Kadilli ka përmbyllur të gjithë komisionet me përfaqësuesit e tyre, me kandidaten Harxhi, deri në 12.00 mbrëmë kemi mbyllur të gjithë emrat e përfaqësuesve të saj në komisione, ajo ka lënë disa komisione bosh, nuk ka patur mundësi dhe sipas saj, kohën e duhur që të mund të gjente për 10 apo 15 komisione për të cilat ajo ka patur dakordësinë që nuk ka patur përfaqësim. Kemi patur problem në 7 apo 8 raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj, për arsye se, erdhën disa propozime, që u refuzuan nga Komisioni. Arsyeja ka qenë krejt e qartë, ose nuk kanë patur kartë anëtarësie, dhe nuk kanë qenë në listat e anëtarësisë së partisë, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër. Nuk është pranuar që vëzhguesi i kandidatit Shehaj në Kavajë, të jetë një anëtar partie i Rrogozhinës, nuk është pranuar që vazhduesi i kandidatit Shehaj në Maliq, të jetë anëtar partie i Korçës, nuk është pranuar që tek Njësia 2, por është përfaqësuesi i z. Shehaj dhe pretendon padrejtësisht që nuk ka, por është refuzuar një kandidat I cili është anëtar i kryesisë së partisë në degën 5. Kjo nuk do të thotë që nuk kanë përfaqësim, por ka kritere saktësisht të përcaktuara për të cilat komisioni ka marrë vendimet përkatëse. Unë po ju bëj me dije se vetëm në orët e mëngjesit e deri tani, për llogari të kandidatit Shehaj, janë marrë vendime dhe janë plotësuar me përfaqësues të tjerë, ose me përfaqësues të sapo propozuar, Kruja, Lushnja, dega4, Kavaja, Maliqi, Shkodra që ende nuk futet njëri nga përfaqësuesit të z. Shehaj, kanë luajtur me emrat e dy vëllezërve, Gersi Jubani, është anëtar i PD-së, ka vendim të Komisionit të jetë në qendër të votimit, vjen i vëllai i tij i cili nuk është anëtar i PD-së dhe pretendon të shkojë ai në vend të të vëllait, gjë që është e pamundur të bëhet. Përpara 30 minutash është bërë zëvendësimi i vëzhgueses të z.Shehaj tek Njësia5. Është deleguar atje dhe besoj të jetë paraqitur Barbara Dhurim Doda, është larguar një zonjë tjetër e cila shkaktoi për dy orë rresht probleme në qendrën e votimit dhe në këto kushte ka marrë një penalitet dhe është përjashtuar nga qendra e votimit sepse në udhëzimin që të gjithë kandidatët e kanë, të gjitha degët e kanë, të gjitha komisionet e kanë, dhe është udhëzimi i datës 8 qershor, para 5 ditësh dhe u është bërë të qartë të gjithë; “Ndalohet fotografimi dhe filmimi i fletëve të votimit, i listave të votimit dhe i ambienteve të votimit brenda qendrës së votimit’’. Një ndalim që është për të gjitha llojet e zgjedhjeve. Zonja ka bërë veprime të kësaj natyre, është marrë ky vendim dhe është bërë zëvendësimi i saj", tha Gjana.

 

Ora 10:39
Zgjedhjet në PD, në njësinë 5 nxirret jashtë vëzhguesja e Agron Shehajt! Burimet: Bënte zhurmë dhe kishte pretendime

Ndërsa vijon votimi prej orës 08:00 në të gjithë vendin për anëtarët e PD për të zgjedhur kryetarin e tyre të ri, janë shfaqur edhe incidentet e para. Burime për Report Tv konfirmojnë se te njësia 5 kanë nxjerrë jashtë vëzhguesen e Agron Shehajt sepse bënte zhurmë kishte pretendime.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali