Teksa na ndajnë edhe 5 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka prezantuar ditën e sotme programin e saj politik.
Disa nga pikat kyçe të programit, janë rritja e pensioneve dhe e pagave si edhe mbështetje ndaj drejtësisë.
'Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, do të shkojë në zgjedhje me synimin që të jetë forca që të përfaqësojë denjësisht shqiptarët: Ne synojmë ndryshimin dhe jo vetëm rrotacionin. Ne kërkojmë të ndryshojmë mendësinë e të drejtuarit dhe të bërit politikë. Ne prezantojmë një program me objektiva të realizueshëm për një Shqipëri normale. Ne nuk ikim nga fusha e betejës por synojmë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka programin e plotë elektoral, por sot po bëjmë me dije për shqiptarët 9 shtyllat kryesore: Çeshtja kombëtare është në ADN e programit tonë. Vendosja e rendit dhe sigurisë nëpërmjet krijimit të Xhandarmërisë Kombëtare. Dëmshpërblimi i plotë i ish-të burgosurëve dhe të përndjekurve politik. Kompensimi i plotë i pronarëve legjitim. Pensioni minimal 300 mijë lekë. Rritja me 25 % e pagave në të gjithë sektorët ekonomik. Zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë dhe industrisë përmes politikave të duhura. Mbështetja e drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë. Reformim i sistemit arsimor dhe politika në mbështetje të rinisë". thuhet në deklaratën e LZHK.