Shëngjini çeli mbrëmë sezonin veror me një sërë aktivitetesh, ku morën pjesë qytetarë të Lezhës,  por edhe turistë nga vende të ndryshme. I pranishëm në aktivitetin për çeljen zyrtare të sezonit "Shëngjin 2026" ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njëherësh i deleguar politik i Partisë Socialiste për qarkun Lezhë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Nufi e cilësoi Shëngjinin si një nga destinacionet më atraktive të turizmit shqiptar, duke theksuar se qyteti po konsolidon vit pas viti pozicionin e tij si një pikë referimi për turistët vendas dhe të huaj.

"Shëngjini nuk i ka lënë gjë mangët asnjë pike turistike në Republikë. Sot niveli hotelier, niveli i përgatitjes së të gjithë restoranteve, strukturave akomoduese në Shëngjin është i jashtëzakonshëm dhe për këtë ne jemi krenarë dhe jemi të bindur se Shëngjini këtë sezon do të ketë një sezon akoma më të sukseshëm se ai i kaluari. Këtë vit, Shëngjini do të shkëlqejë kudo. Sot jemi të bindur që ky sezon do të shënojë një sukses, jo vetëm për ata që do të vijnë, por edhe për bizneset, të cilët jam i bindur që do të kenë një standard të ri”, u shpreh ministri.

Ai përgëzoi edhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun, për bashkëpunimin dhe koordinimin e punëve me autoritetet qendrore për përgatitjen e një sezoni të mbarë.


Lajmi kryesor:

Lezha çel zyrtarisht sezonin turistik përmes një aktiviteti të gjerë në Shëngjin, prezantohet ‘oferta’ e pasur turistike e këtij rajoni