Shënimet e Enver Hoxhës që 'çuan në plumb' inxhinierin: Një farë Milto Gjikopulli, që hiqet si filozof i ka vënë kazmën sektorit të naftës

Shënimet e Enver Hoxhës që 'çuan në plumb' inxhinierin: Një farë Milto Gjikopulli, që hiqet si filozof i ka vënë kazmën sektorit të naftës

Memorie.al publikon disa dokumente historike nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe fondin personal të Enver Hoxhës, ku bëhet fjalë për një bisedë që ka bërë Enveri në 3 shkurt të vitit 1975 me Abdyl Këllezin në një nga ambinetet e “Shtëpisë së Partisë” në Bllok-un e udhëheqjes, ku kanë qenë të pranishëm edhe Hysni Kapo me Pilo Peristerin. E gjithë biseda e zhvilluar në mes tyre, ku Enveri kërkon llogari Këllezit lidhur me kuadrot e lartë dhe personelin që punonte në sektorin e Naftës, që nga Instituti i Studimit dhe Projektimit, e deri tek Drejtoria e Përgjithshme, si Lipe Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Ramiz Xhabija, etj., të cilët Enveri i ka kaluar të gjithë “në sitë” duke iu përmëndur deri ish-bashkëshorten ruse të Beqir Alisë, si dhe Panajot Plakun, vëllanë e inxhinierit të njohur Koço Plaku, të cilin Këllezi e ka marrë në mbrojtje duke thënë se ai ishte një nga gjeologët më të mirë dhe se kishte zbuluar një fushë nafte!

Si ia mbajti Enveri të fshehtë Avdylit letrën që ia kishte dërguar një punëtor nga sektori i Naftës, ku në mes të tjerash i thoshte se aty kishte sabotime të mëdha dhe ndërhyrjen e Pilo Persisterit gjatë bisedës duke ia përforcuar Enverit atë që ai mendonte, se “në Naftë kishte punë armiqësore…”!

Të gjitha shënimet e Enverit që mbajnë datën 3 shkurt 1975, ku ai në bazë të protokolleve të mbledhjeve që ishin zhvilluar në sektorin e Naftës të cilat ia kishin vënë në dispozicion pas letrës së dërguar nga një roje, ku i shkruante se në atë sektor kishte “sabotime dhe punë armiqësore”, ai ka bërë “analiza tekniko-shkencore” duke akuzuar të gjithë drejtuesit….

Pas goditjes së të ashtuquajturit “Grupi armiqësor në Art e Kulturë” me në krye Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramit dhe “Grupit puçist në Ushtri” me në krye Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, në vitet 1974-’75, pak muaj më vonë, aty nga mesi i vitit 1975, Enveri Hoxha “zbuloi” dhe “Grupin sabotator në Ekonomi” me në krye, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin, ku me përjashtim të këtyre dy të fundit (Ngjelën dhe Katin) që vuajtën në burg deri në vitin 1991, të gjithë të tjerët i shkoi në plumb, duke i akuzuar “si armiq të popullit, tradhëtarë e sabotatorë”!

Këto gjëra tashmë janë shumë të njohura pasi nga fillimi i viteve ’90-të dhe në vijim, veç të tjerash janë publikuar edhe mjaft dokumente të panjohura që hedhin dritë mbi paranojën e Enver Hoxhën dhe pafajësinë e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij që ai i goditi dhe i eliminoi edhe fizikisht. Sipas disa dokumenteve arkivore dhe gjithashtu mjaft dëshmive të personave që kishin lidhje pune direkte apo familjarëve të tyre. Një nga historitë më të ngatërruara dhe tragjike të gjithë të ashtuquajturve “Grupe armiqësore”, padyshim që mbetet e atij të “Ekonomisë”, zanafilla e së cilit ishte sektori i Naftës.

Gjë e cila konfirmohet edhe nga shumë dokumente arkivore dhe gjithashtu mjaft dëshmive të personave që kishin lidhje pune direkte apo familjarëve të tyre që u ekzekutuan si “armiq e sabotatorë”?! Kështu, ndërsa për problemet që kishte sektori i Naftës, aty nga fillimi i vitit 1975, Enveri kishte ngarkuar Haki Toskën, Abdyl Këllezin, Adil Çarçanin dhe Koço Theodhosin, të cilët pasi morrën pjesë në disa mbledhje në qytetin e Patosit (ku dhe ishte Drejtoria e Përgjithëshme e Naftës në atë kohë), në mbledhjen kryesore në Fier shkuan Adil Çarçani dhe Haki Toska si të deleguar, dhe pas mbarimit të saj ata rapotuan në udhëheqjen e lartë për “problemet që kishte ai sektor dhe detyrat e lëna për përmirësimin e gjëndjes”, dhe me aq ajo u konsiderua “problem i mbyllur”.

Por duket se nuk i pëlqeu një punëtori, ish-specialist të sektorit të Naftës, i cili pasi kishte përfituar invaliditetin, ishte dërguar të punonte në një punë të lehtë, si roje nate, në një nga zyrat e asaj ndërrmarje. Nisur nga indoktrinimi i tejskajshëm, si dhe i frymëzuar nga “mësimet e Partisë dhe shokut Enver”, sidomos ku flitej për “zërin e masës”, ai për disa netë me rradhë aty nën dritën e zbehtë të llampës në koliben e rojes, shtynte orët e natës deri sa të zbardhëte dita, duke shkruar një letër të gjatë, që i adresohej personalisht “shokut Enver”. Ku ai i bënte me dije dhe i ”argumentonte me baza shkencore” lidhur me “gabimet, sabotimet dhe punën armiqësore” që ishte bërë në sektorin e Naftës.

Por kjo letër e tij e cila mbërriti në dorën e Enverit (ashtu si të gjitha letrat që i dërgoheshin në adresë të tij), rezultoi fatale, pasi Enveri iu rikthye përsëri problemit të Naftës, duke konsederuar si të vërteta të gjitha çka i kishte shkruar ai punëtori që punonte si roje nate.

Dhe me atë letër në xhep që e konsideronte si një zbulim tejet të madh, ai thërriste apo bisedonte si rastësisht me Këllezin e Theodhosin, të cilët më pas i shkoi në plumb, duke u mburrur, se “të gjithë grupet armiqësore i kishte zbuluar Partia”. Gjë të cilën Enveri e pranon vetë, duke e shkruar edhe në një nga ditarët e tij të datës, 3 shkurt 1975, të cilën Memorie.al e publikon në numrin e kaluar.

Ndërsa në këtë shkrim, po publikojmë të gjitha shënimet e Enverit që ai ka mbajtur në ditarin e tij që I përket po datës 3 shkurt 1975, kun ë bazë të gjithë protokolleve të mbledhjeve që ishin zhvilluar deri në atë kohë në sektorin e Naftës, ai ka bërë “analiza tekniko-shkencore” dhe në bazë të tyre ka kritikuar ashpër drejtuesit kryesor të aij sektori, si Pirro Gusho, Lipe, Nashi, Beqir Aliaj, Protoko Murati, Milto Gjikopulli etj., duke i akuzuar ata si “sabotatorë që me veprimet e tyre, kishin penguar realizimin e planit të nxjerrjes dhe prodhimit të naftës”?! Dhe në bazë të këtyre shënimeve të mbajtura prej tij, ata u arrestuan më pas, ku disa u dënuan me vdkeje me pushkatim, disa kryen vetëvrasje dhe të tjerët vuajtën në burgjet e regjimit komunit deri në vitin 1991. Lidhur me këtë dhe të tjera, na njeh shkrimi i mëposhtëm që Memorie.al e ka nxjerrë nga dokumentet arkivore të fondit të ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Shënimet e Enver Hoxhës për “problemet” në sektorin e Naftës

3 shkurt 1975

Nga leximi i një protokolli të aktivit të kërkimeve të naftës e të gazit dhe nga bisedat që kam bërë me disa shokë për mosrealizimet që janë krijuar në këtë sektor, dëshiroj të ngre disa probleme shumë serioze e të mprehta që dalin lidhur me këtë çështje. Kongresi i 6-të i Partisë, siç dihet, ka shtruar detyrën që, krahas intensifikimit të mëtejshëm të nxjerrjes së naftës nga vendburimet ekzistuese, të siguroheshin vendburime të reja për naftë dhe gaz, duke e përqendruar shumë vëmendjen në shpim-kërkimet dhe në punimet gjeofizike, me qëllim që të arriheshin e të tejkaloheshin rezervat e llogaritura.

Zbatimi i kësaj detyre shumë të rëndësishme që vuri Kongresi i Partisë, do të sillte plotësimin e detyrave të këtij plani pesëvjeçar dhe do të shërbente në të njëjtën kohë për të fuqizuar më tej bazën e lëndëve djegëse në pesëvjeçarët e ardhshëm. Kjo detyrë që vuri Kongresi, si të gjitha detyrat e tjera, ishte plotësisht e realizueshme, sepse mbështetej në aftësitë naftëmbajtëse tashmë të provuara të nëntokës sonë, në një bazë të fuqishme materiale dhe teknike të krijuar në këtë sektor të industrisë, në investimet e mëdha, në ngritjen në një nivel më të lartë cilësor të punimeve të kërkimit për naftë e gaz dhe sidomos të strukturave që do të përbënin objektet e shpimit, si dhe në përgatitjen e kuadrove të rinj, në punën e ndërgjegjshme vetëmohuese dhe në eksperiencën shumëvjeçare të kuadrove e të të gjithë punonjësve të tjerë të këtij sektori.

Pasi vuri këto detyra reale dhe mobilizuese në sektorin e naftës e të gazit, Partia kërkoi nga naftëtarët, teknikët, inxhinierët dhe kuadrot drejtues të naftës, që të përqendronin vëmendjen në organizimin dhe në vendosjen e një disipline të rreptë shkencore e teknike në punë, të përvetësonin e të praktikonin metoda më të përparuara në kërkimin e naftës e të gazit, të rritnin më tej kualifikimin e tyre dhe të përdornin me efektivitet sa më të madh mjetet e shumta që u qenë dhënë e do t’u jepeshin për përdorim.

Instituti i Naftës, i cili duhej të drejtonte punën studiuese e shkencore për zbulimin e rezervave të reja të naftës dhe të gazit, siç jemi në dijeni, nuk e ka kryer detyrën e ngarkuar. Gjatë katër vjetëve të këtij pesëvjeçari, ai nuk ka arritur rezultate. Situata e krijuar në zbulimin e rezervave të reja të naftës e të gazit është tepër e rëndë.

Nga mosrealizimet në ekonominë tonë, më kryesori është ai i naftës, nga i cili na krijohen çrregullime shumë të mëdha. Kjo gjendje na ka krijuar vështirësi për arritjen e objektivave të caktuar për nxjerrjen e naftës edhe gjatë viteve të pesëvjeçarit të ardhshëm. Eshtë e tepërt të flasim për rëndësinë jetike që ka nafta, veçanërisht për vendin tonë. Ajo është bërë sot një problem botëror dhe për të mund të pëlcasë edhe luftë e përgjithshme. Shtetet imperialiste kanë bërë luftëra për të zotëruar pellgjet e pasura me këtë Iëndë të parë strategjike. «Mos e prek zonën e naftës, — e paralajmëroi njëherë Anton Idenit Hrushovin, — ndryshe pëlcet luftë që nesër».

Dhe, në fakt, sot po zhvillohet një luftë e ashpër ndërimperialiste për këtë qëllim. Mosplotësimi i detyrave për rezervat e naftës dhe të gazit në vendin tonë në kushtet e sotme të acarimit të krizës energjetike botërore dhe të ashpërsimit të luftës së klasave në shkallë ndërkombëtare, do të thotë ngadalësim i ritmeve të zhvillimit të shpejtë dhe intensiv të ekonomisë popullore, dobësim i armës së mprehtë të naftës, që shërben si një nga lëndët e para nga më të rëndësishmet për zhviIlimin e pavarur politik dhe ekonomik.

Ne duhet të jemi vigjilentë në këtë çështje, se armiku në dy drejtime të rëndësishme sulmon: në radhë të parë, ai synon të godasë Partinë dhe pastaj ushtrinë dhe ekonominë tonë e mbi të gjithë sektorët e tillë si naftën, prandaj në këto drejtime ne duhet të ecim me shumë kujdes. Partia dhe Qeveria, duke studivar gjendjen aktuale, do të përcaktojnë, sigurisht, edhe rrugët më të përshtatshme për ndreqjen e saj, por, para se të bëjnë këtë, duhet të njihet mirë gjendja e vërtetë e gjërave në industrinë e naftës e të gazit.

Lidhur me këtë situatë dëshiroj të shpreh tani mendimet e mia të formuara sidomos nga leximi i protokollit të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në aktivin e kërkimeve të naftës e të gazit. Mendoj se drejtuesit e Institutit të Naftës, të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës e deri disa kuadro të Ministrisë së Industrisë dhe të Minierave nuk i kanë trajtuar politikisht këto probleme shqetësuese, ata nuk janë udhëhequr nga detyrat e Kongresit të 6-të të Partisë, nga materialet e Plenumit të 4-t të Komitetit Qendror të Partisë dhe nga direktivat e herëpashershme të Byrosë Politike për naftën.

Drejtuesit e Institutit të Naftës dhe ata të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës i kanë zënë në gojë detyrat e vëna nga forumet e Partisë, bile ata me fjalë edhe kanë përmendur se «vëmë politikën në plan të parë», por në praktikë s’kanë vepruar kështu. Ndryshe, nuk kanë si shpjegohen qoftë edhe ato gabime e faje të pranuara nga ata vetë, një pjesë të të cilave do t’i përmend më poshtë. Të përpiqesh për të justifikuar të metat, apo për t’i fshehur këto të meta, siç është vepruar nga ndonjë kuadër në aktivin e kërkimeve të naftës e të gazit, kjo, në mos më keq, do të thotë ta vësh politikën në plan të fundit.

Partia na mëson se mbështetja fort te masat është faktori kryesor për t’i bërë ballë bllokadës imperialisto-revizioniste dhe për të realizuar me sukses planet ekonomike. Por në Institutin e Naftës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës e kanë shkelur në mënyrë flagrante parimin e rëndësishëm të zbatimit të vijës së masave. Atje nuk është marrë jo vetëm mendimi i punëtorëve dhe i teknikëve, por as ai i gjeologëve, sepse edhe për problemet e diskutueshme kanë vendosur vetëm «papët e naftës», të cilët janë treguar «të padurueshëm» për t’i shtruar mirë problemet, për të rrahur dhe për të sheshuar drejt mendimet e kundërta që të interpretohen shkencërisht materialet faktike, që të caktohen me arsye e jo arbitrarisht pikat e shpimit etj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve që i janë bërë në aktiv, për mosrealizimet e vërtetuara, drejtori i Institutit të Naftës, Beqir Aliaj, ndër të tjera, ka thënë: «Unë, Protoko Murati dhe Koço duhet të jemi të durueshëm në dëgjimin e diskutimeve të të tjerëve», kurse Koço Plaku ka pranuar që «Më shpesh në debat jam futur vetë, pa tërhequr kolektivin, masën e punonjësve».

Doemos nuk mund të tërhiqej mendimi i kolektivit për sa kohë që Protoko Murati, Koço Plaku, Beqir Aliaj e të tjerë kishin qëllimet e tyre dhe u pëlqente më shumë të dëgjonin frazat bombastike të ndonjë inxhinieri, që projektonte puse jashtë strukturës, sesa mendimin krijues të naftëtarëve. Po përse të ndodhë kështu atje? Nuk e dinin kuadrot, të cilëve u është besuar të drejtojnë sektorin e naftës, se në dobi të punës duhej të tërhiqnin edhe mendimin e gjeologëve dhe të naftëtarëve?

S’ka njeri në Shqipëri që të mos dijë se zbatimi i vijës së masave qëndron në themel të politikës së Partisë sonë, pra këtë e dinë edhe këta, por, me sa duket, vija e masave atyre nuk u ka ardhur për hosh. Është interesante të dihet që, para se të mblidhej aktivi, raporti që mbajti në të drejtori i institutit i qe shtruar një konsultimi të gjerë me pjesën më të madhe të gjeologëve të naf tës, të cilët analizuan dobësitë e punës dhe dhanë mendimet e tyre për kapërcimin e pengesave, mirëpo drejtori nuk i mori parasysh ato, shtoi vetëm ndonjë gjë të vogël dhe perifrazoi ato mendime që kishte në kokën e vet. Sa larg është qëndrimi i tij dhe i shokëve që e ndjekin në këto veprime, nga mësimi i madh i Partisë, sipas të cilit: kuadrot të mësojnë masat dhe të mësojnë prej tyre, duke qenë njëkohësisht edhe mësues të urtë, edhe nxënës të zellshëm!

Në Institutin e Naftës nuk është përfillur eksperienca e gjeologëve dhe e masës së naftëtarëve, sepse atje kanë penguar fort shfaqje të tilla të sëmura, si: intelektualizmi, teknokratizmi, burokratizmi, arroganca dhe prepotenca e drejtuesve. Organizata e Partisë në sektorin e naftës, si duket, nuk i ka kuptuar këto rreziqe. Më ka bërë përshtypje të keqe diskutimi që mbajti në aktiv njëfarë Milto Gjikopulli, i cili, në vend që të nxjerrë shkaqet e dobësive dhe të bëjë autokritikë për gabimet e tij shumë të mëdha në punë, «ka filozofuar» me fraza pompoze e libreske, duke përmendur se «e veçanta dhe e përgjithshmja janë relative», se «thelbi nuk është tamam shfaqje», se «strategjia e kërkimeve ka qenë e drejtë, kurse taktika e gabuar» etj.

Diskutimi i këtij «filozofi» e «strategu», që bashkë me shokët e tij i kanë vënë kazmën perspektivës së naftës, ishte i turbullt dhe i errët. Për mua qëllimi i tij nuk duket aspak i ndershëm. M’u krijua përshtypja se ky llafazan, në qoftë se nuk gabohem, u përngjet atyre «specialistëve» sabotues sovjetikë që na shpreheshin me fjalë të mëdha «filozofike», por nga ana tjetër donin të na nxirrnin sytë. Prepotenca e drejtuesve të naftës arrin deri atje sa, kur ndonjëri mban qëndrim kritik ndaj punës së tyre, këta të qepen dhe të ndjekin si inkuizitorët. Në një rast ishte arritur deri atje sa Koço Plaku kishte urdhëruar: «Të digjet raporti në zjarr!». Ja, gjer ku kishte arritur prepotenca e këtij njeriu, i cili, po të kishte mundësi, jo vetëm letrat, por edhe njerëzit do t’i hidhte në zjarr. Ai nuk u përgjigjet as pyetjeve që bëhen në aktiv për gjendjen e krijuar, por kërkon të na hedhë hi syve, duke thënë se gjoja e paskësh ndërgjegjen të vrarë për dështimet që kanë shkaktuar!

As Beqir Aliaj nuk u ishte përgjigjur të gjitha pyetjeve që i qenë adresuar. Edhe atyre pak pyetjeve që denjoi t’u përgjigjej, u kishte kaluar anash, duke mos folur për perspektivat e zbulimit të vendburimeve të naftës. Në organizatën e Partisë të institutit dominojnë intelektualë: gjeologë, inxhinierë dhe disa teknikë. Këta intelektualë vërtet janë anëtarë partie, por në karakteristikat e shumë prej tyre nuk do të lexosh fjalët: masovik, popullor etj., që janë tipare sidomos të komunistëve, por «arrogant», “prepotent”. Më e keqja është se këta veprojnë kështu, duke e quajtur veten kuadro të Partisë. Këta me fjalë thonë: «Jemi të Partisë», por me konceptet që ruajnë dhe me punët që kanë bërë s’janë të tillë. Në Institutin e Naftës ka rënë shumë disiplina teknike, shkencore dhe ajo shtetërore në punë.

Megjithëse Kongresi i 6-të i Partisë në mënyrë të veçantë i ka vënë theksin nevojës së forcimit të kësaj disipline edhe për nxjerrjen e naftës dhe të gazit, kjo jo vetëm nuk është. forcuar, por, në të kundërtën, është dobësuar, bile në një shkallë të dënueshme. Është praktikuar bredhja pa asnjë justifikim, pa farë përgjegjësie nga një strukturë në tjetrën, braktisja e një sheshi dhe fillimi i një tjetri, pa i çuar gjer në fund detyrat e kërkimit, si, bie fjala, në Shkodër, Tiranë, Berat, Elbasan etj.

Është vonuar studimi i shpejtë i strukturës në Skrapar e gjetkë, duke u lejuar hallakatja nga një profil në tjetrin. Është shumë e çuditshme se për ç’arsye është lejuar dhe kush e ka rekomanduar një praktikë të tillë pune. Metodika më e saktë dhe më shkencore e kërkimit në naftë, siç mendohet, është sqarimi gradual i problemeve nga e njohura tek e panjohura, nga marrja e rezultateve të puseve në analizën e tyre dhe në kalimin pastaj në puse të tjera, duke ndjekur plotësimin e profileve shkallë-shkallë e një nga një, gjë që e ka kundërshtuar pa të drejtë Protoko Murati, që nuk i duron mendimet e kundërta, veçanërisht kur ato hedhin dritë mbi fajet e tij.

Duke filluar një punë, pa mbaruar një tjetër, sikundër përmenda, është vonuar sqarimi i strukturës, është krijuar në radhët e punonjësve të naftës një gjendje paniku, mosbesimi dhe pasigurie, situatë jashtëzakonisht e rrezikshme kjo dhe si e tillë e dënueshme rreptësisht nga Partia. Nuk janë nxjerrë kudo në pah ligjësitë e përbashkëta të strukturave brenda brezit dhe ligjësitë e ndryshimit të fenomeneve gjeologjike nga një vend në tjetrin.

Nuk ka pasur studime komplekse për sheshet dhe për strukturat që do të atakoheshin, ka munguar puna këmbëngulëse shkencore në të gjitha pjesët e saj përbërëse, si dhe bashkërendimi i drejtë i punimeve rilevuese gjeologjike, i punimeve gjeofizike dhe i atyre tematike. Për shpimin e puseve nuk janë nisur nga analizat shkencore objektive, por nga ide të paraformuara e të dyshimta. Këto qëndrime sabotuese kanë sjellë si pasojë derdhjen si lumë dhe pa efektivitet të fondeve monetare e materiale të shtetit.

Duke dashur të justifikojë disi qëndrimin e tij e të drejtuesve të tjerë të Institutit të Naftës ndaj kërkesave të disiplinës teknike e shkencore në punë, Protoko Murati ka thënë në aktiv sikur ata paskan përmirësime në punë, paskan kapur me precizion fenomene të rëndësishme gjeologjike, që kanë çuar në rritjen e shkallës së njohjes së ndërtimit gjeologjik, por cilësia e punimeve nuk është në nivelin e duhur. Ky person, të cilit Partia i ka besuar detyrën e shefit të gjeologjisë në institut, nuk thotë asgjë përse s’punohet me cilësi.

Cila është arsyeja që në pesëvjeçarin e kaluar, kur ata kishin më pak eksperiencë dhe mjete, u zbuluan tri vendburime nafte, ndërsa këta katër vjetët e fundit është zbuluar vetëm një, që edhe ky rezulton me rezerva nafte shumë të kufizuara? Çfarë thonë për këtë fakt Beqir Aliaj dhe Lipe Nashi, i pari drejtor i Institutit të Naftës dhe i dyti drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës? Ç’kanë bërë këta gjatë gjithë kësaj kohe?

Të meta dhe dobësi serioze vërehen në organizimin dhe në drejtimin shkencor të punëve nga organizmat drejtues të sektorit të naftës, atje nuk është mbajtur përgjegjësi dhe nuk është ushtruar kontrolli i duhur për plotësimin e detyrave të planit. Ndaj problemeve të ndërlikuara që ngrinte zbulimi i rezervave të reja të naftës dhe të gazit, drejtuesit e këtij sektori janë kënaqur me konstatime, vetëm me konstatime, pa u qederosur që të nxjerrin shkaqet e vërteta të mosrealizim eve.

Kur u mblodhën në aktivin e kërkimeve të naftës e të gazit, disa shokë me të drejtë kritikuan raportin e mbajtur, duke arsyetuar se ai «ka më tepër karakter konstatues», se në të «nuk nxirren shkaqet kryesore të mossukseseve, duke i paraqitur dështimet si të rastit»: Në vend që të përcaktonin masat konkrete dhe efektive që shpimet e kërkimet të qëllojnë në shkallën e duhur strukturat naftëgazmbajtëse, drejtuesit e Institutit të Naftës justifikohen me vështirësitë e ndërtimit gjeologjik, pa i tërhequr vëmendjen vetes se këto vështirësi kapërcehen me rritjen e shkallës së njohurive, me thellimin e studimeve përgjithësuese dhe me një punë të organizuar mirë.

Kur u krijua Instituti i Naftës, ishte e nevojshme ndarja e specialistëve në zona të ndryshme, në breza, po kur specialistët u shtuan shumë, kjo ndarje frenoi iniciativën e ndërmarrjeve që janë të shpërndara. Grupimi i specialistëve në breza i kufizoi njohuritë e tyre, sepse brezi i një rrethi, për shembull, nuk e njeh atë të një rrethi tjetër. Me mungesën e kësaj njohjeje specialisti i një brezi e ka të vështirë të japë mendime të vlefshme për projektet e brezit tjetër, sepse e njeh pak.

Kjo vërejtje është bërë nga specialistët, por nuk është përfillur nga drejtoria e institutit. Meqenëse nuk është marrë parasysh më parë, le të shikohet kjo si një çështje që ka të bëjë me organizimin e mirë të punës paskëtaj. Shumë herë ishte folur për një analizë të rëndësishme përgjithësuese të punimeve të kërkimit për naftë e gaz gjatë 12 vjetëve, por ky studim, si dhe disa të tjera, është zvarritur për vite me radhë. Këtë neglizhencë të pafalshme Beqir Aliaj e «ka justifikuar» në aktiv me disa fjalë, duke thënë: «Unë kam përgjegjësi të madhe për moskryerjen me kohë të këtij studimi, mbasi puna e përditshme nuk më ka lejuar të kontrolloj sa dhe si duhet». Nuk paska pasur kohë shoku drejtor të kontrollonte punën për këtë studim tepër të rëndësishëm, sepse e paskan penguar punët e ditës! Arsyetim prej kuadri është ky?

Grupi tematik ka punuar disa «tema» që nuk janë nxjerrë nga analiza të thella teknike e, megjithëkëtë, nuk është ngarkuar më asnjeri që t’i ripunojë. Me sa duket punimet bëheshin sa për të realizuar planin e temave, po jo planin ekonomik të shtetit! Në këshillin shkencor të institutit kanë kaluar shpesh materiale të papërgatitura, pa cilësitë e nevojshme dhe me shumë dyshime rreth vërtetësisë së tyre shkencore etj. Këtë fakt e kanë pranuar të tërë drejtuesit e naftës. «Të metat tona të kësaj natyre, — ka thënë Koço Plaku, — i kanë kushtuar shumë shtrenjtë ekonomisë popullore» dhe më pas ka shtuar: «Kjo nuk do të thotë se duhet të biem moralisht». Çudi! Pasi ka bërë tërë këto të zeza, që u detyrua t’i pohonte me gojën e tij, ky njeri (të mos harrojmë se është vëllai i Panajot Plakut dhe ka sabotuar sistematikisht) i jep kurajë vetes, duke thënë: «Do të përmirësoj punën që të korr rezultate në të ardhmen».

Koço Plaku ka bërë edhe disa propozime në aktiv, por jam i mendimit që këto «propozime», që bëjnë njerëz të tillë të dyshimtë, e kemi për detyrë t’i rishikojmë me kujdesin më të madh e jo qorrazi. Për të sheqerosur të metat që shihen açik, Koço Plaku i bie gjoksit, duke i atribuar vetes meritat: «Ne thyem bllokadën e koordinuar revizionisto-imperialiste etj dhe zbuluam rezerva ta reja nafte atje ku të huajt i mohonin, ne kemi eksperiencë të madhe në kërkimet, kemi përgatitje të mirë teknike» etj. Bravo! Po kur është kështu, përse nuk janë bërë hapa përpara?! Atëherë cila është arsyeja e mosrealizimeve?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje të vështirë Protoko Murati, Koço Plaku, Beqir Aliaj e ndonjë tjetër kanë thënë në aktivin e kërkimeve të naftës e të gazit se «Na ka munguar metoda dhe stili i përshtatshëm në punë». Duke lexuar këto fjalë në protokoll, menjëherë më vajti mendja tek armiqtë e betuar të Partisë sonë, si: Beqir Balluku, Petrit Dumja, Hito Çakoja e kompani, të cilët, për të mbuluar tradhtinë e tyre, donin të fshiheshin pas «metodës e stilit të punës»! Të gjithë drejtuesit e naftës kanë thënë se nuk janë marrë me punët që u janë ngarkuar, por me çështje anësore, administrative! Përse vallë të ketë ndodhur kështu, kur këta e dinë fort mirë se Partia u ka besuar detyra shumë të rëndësishme drejtuese, që kanë të bëjnë me të tashmen dhe me perspektivën e nxjerrjes së naftës në vendin tonë? Vallë vetëm me «administratomaninë» e tyre të shpjegohet kjo shmangie e rëndë nga detyrat?

Këta, kur flasin për zbulimin e vendburimeve të naftës e të gazit, në vend që të bëjnë analizë të sinqertë në raport se për ç’arsye kanë dështuar, merren me teorizime të tilla, si, bie fjala, «Për brezin e Krujës s’kemi problem objektin, por fluidin; për brezin e Beratit kemi objektin problem; kurse për brezin e Kurveleshit është problem objekti dhe fluidi». Ç’teorira! «Objekt-fluid, fluid-objekt»! Ka munguar kërkesa e llogarisë nga lart dhe nuk është inkurajuar kritika nga poshtë. Edhe kur janë bërë kritika nga naftëtarët, teknikët ose inxhinierët, këto nuk janë pritur mirë.

Drejtuesit as që kanë çarë kokën për kritikat që u janë bërë, se ishin «vetë zot e vetë shkop». Ata kanë vepruar si në mall të babës dhe bënin ç’u pëlqente. Për katër-pesë vjet vazhduan dështimet në naftë dhe jo vetëm drejtuesit e institutit, por as drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, Lipe Nashi, as Ministria e Industrisë dhe e Minierave nuk kërkuan hesap pse vazhdon kjo situatë, cilat janë shkaqet, cilët janë fajtorët, ç’thonë komunistët e naftëtarët për këtë gjendje.

«Ne jemi pajtuar shumë me dështimet e njëpasnjëshme që kemi pasur», pohon Koço Plaku. «Për këtë situatë kemi përgjegjësi», shtojnë Protoko Murati e Beqir Aliaj. Dhe kujtuan se me kaq çështja do të vulosej, duke menduar se Partia do të lejojë të vazhdohet me të njëjtën gjendje, në të njëjtin gjumë. Në vend që t’ua shtronte për diskutim kritik gjeologëve, teknikëve e punëtorëve situatën e rëndë të krijuar, Lipe Nashi, kuptohet qartë, për të mbytur kritikën e vartësve, i thotë njërit prej tyre, që ishte duke diskutuar: «Ti shumë po kritikon, por gabimet e tua nuk i shikon?». Aspak marksist nuk është ky qëndrim i Lipe Nashit ndaj kritikës. Çdo njeri mund të gabojë në punë e sipër, por kjo askujt nuk ia heq të drejtën e kritikës.

Edhe për Koço Theodhosin mund të themi se, kur shkonte për të parë gjendjen e krijuar në nxjerrjen e naftës dhe të gazit, ai bisedonte edhe me ndonjë tjetër, por vetëm mendimet e drejtorit të përgjithshëm merrte parasysh, se ato i dukeshin kurdoherë më të drejtat, megjithëse dështimet vazhdonin njëri pas tjetrit për vite me radhë. Disa herë e kemi porositur Koço Theodhosin në mbledhjet e Byrosë Politike që të ketë kujdes për ta pasur në dorë industrinë e naftës, por, si tregojnë punët, ai nuk ka vepruar sipas këtyre porosive, sepse perspektivat e naftës i ka lënë vetëm në dorën e institutit e të drejtorisë, sikundër përmenda edhe në mbledhjen e Byrosë Politike të dhjetorit të vitit të kaluari.

Në mbledhjen e aktivit të kërkimeve të naftës e të gazit, Koço Theodhosi e ka quajtur «bombë» kritikën që ka bërë për drejtuesit e sektorit të naftës, por ajo nuk ishte aspak e tillë, përkundrazi, mua m’u duk mjaft e butë. Në kuadrot drejtues të sektorit të naftës, midis të tjerash, kanë lulëzuar edhe tekat e sëmura. Kështu, gjatë analizave të mosrealizimeve në shkallë instituti, disa shokë të kabinetit gjeofizik janë përpjekur të justifikohen pa arsye dhe, çka është akoma më e neveritshme, në disa raste kanë synuar t’ua hedhin përgjegjësinë të tjerëve e veçanërisht kabinetit të përgjithësimeve.

Ky veprim hileqar i këtyre kuadrove është shumë larg nga ato qëndrime të ndershme e burrërore, që karakterizojnë punonjësit tanë të edukuar nga Partia. Këto shfaqje, si dhe disa të tjera, që kanë dalë në diskutime, duhet të na tërheqin vëmendjen seriozisht, se në sektorin e naftës po na infektohen kuadro nga sëmundje të rrezikshme, prandaj lypset që atje të vërë dorë sa më parë Partia. Në fund të punimeve të aktivit ka thënë nja dy fjalë edhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, i cili nuk u lodh shumë kur përmendi se të metat e problemet «do t’i shohim më drejt». Ai nuk harroi të deklarojë: «Garantoj Partinë dhe shokun Enver për nxjerrjen e naftës», sikur me këtë që bëri ai do ta vinte Partinë në gjumë. £shtë për të ardhur keq, se për gjithë këtë situatë të rëndë nuk na ka vënë në dijeni as sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Fierit, as sekretari i këtij komiteti, që merret atje me çështjet e naftës.

Edhe shokët anëtarë të Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, që punojnë në sektorin e naftës, nuk janë treguar në lartësinë e detyrave për kuptimin me kohë të gjendjes dhe të sinjalizonin Komitetin Qendror që të merreshin sa më parë masat e nevojshme. Këto ishin disa përfundime ku kam arritur unë për gjendjen në sektorin e naftës. Për përcaktimin e mëtejshëm të dobësive, të të metave dhe të fajeve nga drejtuesit e sektorit të naftës, si dhe për masat që duhen marrë për shëndoshjen e gjendjes, të tërheqim sa më gjerë mendimin e naftëtarëve. Organizata e Partisë e sektorit të naftës të kuptojë mirë përgjegjësitë që ka dhe të vihet në krye të punëve.

Para së gjithash, sipas mendimit tim, do të na duhet të shikojmë problemin e kuadrit në organizmat drejtues të sektorit të naftës. Në këtë drejtim të vrasim mendjen shumë. Të përmbysim situatën e krijuar dhe të ndihmojmë për eliminimin sa më parë të disa të metave që përmenda, si dhe të të tjerave që do të vërtetohen. Pastaj të shikojmë edhe disa anë të organizimit të drejtimit të sektorit të naftës dhe të vetë institutit, i cili mendoj se duhet të merret vetëm me studimet për zbulimin e vendburimeve të naftës dhe të gazit. /Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

‘Kopjon Luizin dhe Kiarën’, Sara Gjordeni e revoltuar pas akuzave: Gjëja më bajat, na keni lodh

‘Kopjon Luizin dhe Kiarën’, Sara Gjordeni e revoltuar pas akuzave: Gjëja më bajat, na keni lodh