Shenjtërimi i Nënë Terezës, shprehjet
më të bukura që dëgjohen kudo

Shenjtërimi i Nënë Terezës, shprehjet<br />më të bukura që dëgjohen kudo
Thëniet e Nënë Terezës janë fjalët e urta me shumë kuptim. Shprehjet e saj dëgjohen kudo dhe çdo ditë në të gjithë botën. Me rastin e shënjetrimit të saj  ne po ju sjellim disa nga shprehjet më frymëzuese dhe prekëse të saj.

Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.

Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.

Shoh Zotin në çdo njeri. Kur laj një të sëmurë me lebër, ndjej se po kujdesem për Zotin. A nuk është kjo një eksperiencë e bukur?

Të varfrit na japin më shumë seç u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet t'u japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata.

Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar, që nuk i do njeri, nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.

Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.

Nuk kam qenë kurrë më parë në një luftë, por kam parë urinë dhe vdekjen. E kam pyetur veten se çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bijtë e Zotit. Pse ata e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj.

Zoti do gjejë një person tjetër më fisnik, më të devotshëm, më të përkushtuar ndaj tij dhe shoqëria do vazhdojë.

Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e tij.

Fjalë për Jezusin:

Jezusi e mban fjalën: për Atin e tij ne jemi më të rëndësishme se lulet e kopshteve, se bari i fushave e se zogjt e qiellit.

Jemi njëzet e katër orë mbi njëzet e katër orë me Jezusin!

Gjithçka bëjmë e bëjmë për Të.

Gjithçka ia dhurojmë Krishtit.

Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.

Dashuria

Të krishterët e parë vdisnin për Jezusin e njiheshin nga dashuria që kishin njëri për tjetrin. Kishte shumë dashuri ndërmjet të krishterëve asokohe.

Sot bota ka tepër nevojë për dashuri. S’ka pasur kurrë më shumë.

Njerëzia vdesin nga uria për dashuri.

 Krishti:

Për të qenë në gjendje ta shohim Krishtin në të mjeruarit, të braktisurit, ndër vëllezërit e motrat tona, duhet të kemi zemër të pastër.

Lumnitë:

Lumnitë janë fryt i fesë. Besoni se të pastrit në zemër do ta shohin Zotin…

Zemra e lirë:

Zemra që është e lirë, që e do Zotin me dashuri pa fund, zemra e pastër është zemër që shërben; zemra e pastër është e lirë të japë, të dhurojë derisa të ndjejë dhimbje.

Zemra e pastër

Zemra e pastër e sheh lehtësisht Krishtin ndër të uriturit, ndër të zhveshurit, ndër të pastrehët, ndër të vetmuarit, ndër të padashurit, ndër të gërbulurit, ndër të alkolizuarit, ndër njerëzit e braktisur në rrugë. Nuk ka vetëm uri për bukë, ka edhe uri për dashuri. Njeriu nuk ndjehet lakuriq vetëm për mungesën e një cope stofi, por edhe i zhveshur nga dinjiteti njerëzor.

Të pastrehët:

 Nuk ka të pastrehë vetëm sepse u mungon një shtëpi e vogël, ku të jetojnë, njerëzit janë pa strehë sepse harrohen nga të gjithë, janë të padëshiruar, të padashur e për ta s’kujdeset askush. Njerëz, që e kanë harruar ç’është dashuria njerëzore, gëzimi njerëzor, prekja nga dora e dikujt.  Vetëm zemrat e pastra mund të duan thellësisht. Prandaj, ne duhet të vemë në dispozicion duart tona për t’u shërbyer të tjerëve dhe zemrat tona për t’i dashur ata.

… të varfërit, janë shpresa për shpëtimin e njerëzimit. Ne do të gjykohemi për gjithçka kemi bërë në favor të tyre: nëse i kemi pasur sytë aq të qashtër sa ta shohim Krishtin në dhimbjen e fshehur të të varfërve. Njëlloj siç kemi nevojë për sy të qashtër që ta shohim Atë në bukën e Eukaristisë… Të gjithë ata, që shoqëria i ka hedhur jashtë saj si të panevojshëm, ata janë Krishti.

Fjalë të thëna në Shqipëri:

Duajeni njëri-tjetrin ashtu si e do Zoti secilin prej jush dhe lutuni, lutuni, çojeni lutjen në familje. Familjet që luten së bashku rrinë të bashkuara. E nëse ato qëndrojnë të bashkuara do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si e do Zoti secilin prej nesh. Ja pse, këtu në Shqipëri, në po ngulim këmbë shumë për të çuar lutjen, bashkimin dhe dashurinë në çdo familje. Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Aborti

Unë nuk heq dorë nga mendimi se sot për sot armiku më i rrezikshëm i paqes është aborti, sepse luftë e drejtpërdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje e fëmijës me dorën e vetë s’ëmës.

Miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!

Vdekja

Vdekja është diçka e bukur.

Do të thotë të kthehesh në shtëpi.

Është e natyrshme që ikja e njeriut të dashur na vetmon.

Por kjo nuk ia prish aspak bukurinë këtij çasti: i dashuri ynë shkon tek Hyji.

Të varfërit e mi i mbyllën sytë me një vdekje të bukur, që i shpëtoi nga mundimet  jetës, për t’u hapur portën mahnitëse të shtëpisë së Atit!

Jeta

Më se një herë gazetarët ma përplasin në fytyrë mendimin e tyre negativ për veprimtarinë tonë, duke theksuar:

 “Ju nuk bëni gjë tjetër, veçse u shpërndani ushqim të uriturve, ndërsa  ajo që duhet të bëni, është t’u krijoni mundësitë ta fitojnë vetë bukën e gojës. Duhet t’u jepni një kallam e t’i mësoni të peshkojnë, dmth të jetojnë me djersën e ballit të tyre. Nuk kalohet jeta me lëmoshë!”.

U përgjigjem:

 “Njerëzit që i gjejmë në rrugë të madhe e i sjellim në shtëpitë tona, janë tepër të ligshtë. S’janë të zotët të qëndrojnë në këmbë. Ne bëjmë çmos t’i mëkëmbim, të paktën aq sa të mund ta mbajnë kallamin”.

Jeta jonë në varfëri është po aq e nevojshme, sa vetë puna jonë.

Jeta është himn, këndoje!

Jeta është tragjedi, përballoje!

Jeta është aventurë, rrezikoje!

Jeta është lumturi, meritoje!

Jeta është jetë, mbroje!

E shkurtër a e gjatë, jetoje!

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Gol dhe asist, Eduard Rroca gjen rrjetën e parë me ekipin e ri

VIDEO/ Gol dhe asist, Eduard Rroca gjen rrjetën e parë me ekipin e ri