Pavarësisht se konsiderohej si pasuesi i Lionel Messit, futbollisti spanjoll mund të largohet nga Barcelona gjatë sezonit të verës.
Anësori i talentuar, i cili supozohej të ishte ylli i ri i klubit katalanas, është zëvendësues në formacionin e trajnerit Xavi këtë sezon, i cili ka në pozicionin e tij Ousmane Dembelen dhe Raphinhan, i ardhur këtë verë.

'Sport' shkruan tre arsye pse Fati mund të largohet nga Barcelona, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2027.
E para është se Fati nuk merr minuta të mjaftueshme në momentet më të rëndësishme.
E dyta është se Barcelona duhet të shesë dikë gjatë verës dhe e treta është se klube si Manchester United janë në kërkim të lojtarëve ofensivë.
Sport thekson se Barcelona nuk dëshiron që ajo që i ndodhi Frenkie de Jong këtë verë t’i ndodhë Fatit. Mesfushori holandez nuk ishte i kënaqur nën drejtimin e Xavit dhe nuk i pëlqente të ishte lojtari i parë që largohej nga fusha në çdo ndeshje.
Manchester United dhe Chelsea u përpoqën të përfitonin nga një situatë e tillë, megjithëse De Jong përfundoi duke qëndruar, kështu që Barcelona tani dëshiron ta shmangë atë. Fati ka mundësi vetëm të kërkojë transferim, ndërsa vetë Barcelona nuk do ta vendosë në listën e lojtarëve për shitje.
Agjenti Jorge Mendes po mbledh informacione për interesimin e ambienteve të reja për Fatin, e mes tyre ka edhe klube nga Anglia, si Man United, të cilët nuk e kanë problem të paguajnë një shumë të madhe për lojtarin.
Transfermarkt e vlerëson Fatin 50 milionë euro, ndërsa në vitin 2020 vlera e tij ishte 80 milionë euro.

