Shkarkimi i Metës, Komisioni Hetimor transmeton të gjitha deklaratat e Presidentit para dhe pas zgjedhjeve! Nesër mbledhja e radhës

Është zhvilluar sot mbledhja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në mbledhje janë transmetuar deklaratat e Metës në televizione dhe deklarata për shtyp si dhe po lexohen të gjitha postimet e tij në rrjetet sociale. 

Videot e shfaqura në Komision janë nga emisione ku Meta ka folur për kryeministrin Edi Rama, për 'shembje të regjiomit' apo për të rrëmbyer sfurqet dhe lopatat, por edhe video e përplasjes me policinë Bashkiake në zyrat e FRD-së.

Kreu i Komisionit Hetimor, Hyseni në fund njoftoi mbledhjen e radhës për nesër, mbledhje në të cilën është njoftuar të marrë pjesë Presidenti. Megjithatë sipas Hysenit ende nuk është marrë një përgjigje nga Presidenca. Kujtojmë se Meta ndodhet në Slloveni për të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të procesit të Brdo-Brijunit.

Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.  

VIDEO/Mbledhja e plotë e Komisionit Hetimor për presidentin Ilir Meta

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:54
Komisioni për shkarkimin e Metës, Braho: Janë rreth 40 postime me përmbajtje fyese e denigruese! Stojku: Të hetohet mënyra e dhënies së nënshtetësisë (VIDEO)

Komisioni Hetimor në mbledhjen e radhës për hetimin e shkeljeve nga Presidenti Ilir Meta, ka publikuar edhe disa video me deklaratat e Kreut të Shtetit, të bëra para zgjedhjeve të 25 prillit.

Krahas provave filmike të marra nga deklaratat e Presidentit në studiot televizive, para dhe gjatë fushatës, deputeti Edmon Stojku, anëtarë i komisionit, sugjeroi që të përfshihen në hetim edhe pretendimet e mediave në lidhje me lëshimin e nënshtetësive.

Ai kërkoi që të bashkëpunohet me Presidencën, për të marrë të gjithë volumin e nevojshëm të këtij aktiviteti. Nga krahu tjetër, kryetari i komisionit, Alket Hyseni, tha se një kërkesë e tillë pikë së pari duhet të paraqitet në Kuvend, e nëse atje konfirmohet, mund të ndërmerret edhe një akt i tillë.

Po ashtu edhe anëtarja e komisionit, Klotilda Bushka, renditi fjalët denigruese e fyese sipas saj, që Presidenti ka përdorur para dhe gjatë fushatës elektorale. Spartak Braho, i cilësoi përmbajtjet filmike të Presidentit nga studiot televizive dhe postimet në rrjete sociale, si denigruese e fyese, e në kundërshtim të plotë sipas tij me ligjin.

Alket Hyseni: Ka ardhur një letër, një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, ku paraqitet një korrespondencë e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është gjykuar e nevojshme për faktin që nëse ka ndërhyrje të institucionit të Presidencës në këtë komision kushtetues.

Edmond Stojku: Ka shumë kohë që diskutohet mënyra e dhënies së nënshtetësisë nga Presidenti i Republikës. Rasti i Presidencës lituaneze për këtë proces, them që në provat të shtohet edhe kjo pikë, që ka qenë temë e nxehtë për të paktën dy vitesh. Duhet të kërkojmë bashkëpunimin e Presidencës që të na vendosin në dispozicion këto shkresa dhe të shohim nëse ka shkelje.

Alket Hyseni: Kërkesat duhet të paraqiten në Kuvend. Ne mund t’i drejtojmë një kërkesë Presidentit të Republikës. Nëse Komisioni e çmon, i kërkojmë një kërkesë ekstra Presidentit, ku t’i kërkohet volumi i punës në lidhje me nënshtetësisë, por kjo është në diskutim.

Klotilda Bushka: Në planin e hetimit, thuhet qartë që Presidenti i Republikës ka kryer akte para dhe gjatë fushatës elektorale, akte që shkelin Kushtetutën. Ai ka folur edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore.

Spartak Braho: Vrojtova me shumë kujdes të gjitha deklaratat e Presidentit, në mediat elektronike dhe postimet personale që ka bërë në rrjete sociale. Janë rreth 40 postime me përmbajtje kriminale, totalisht në kundërshtim me ligjin, komplote, fyerje ndaj funksionarëve shtetërore dhe ndërkombëtar. Këto janë konstatime të presidentit. Pyetja shtrohet. A i është drejtuar Presidenti ndonjë organi shtetëror, ligjzbatues, për t’ia paraqitur këto denoncime? Në dijeninë time jo, por kjo duhet hetuar. Nuk mund të hedhësh akuza, respekto organet ligjzatuese, janë ato që ndjekin, arrestojnë. Çështja është, ka akuza të tilla, ka denoncime në organet ligjzbatuese. Kjo është një pyetje që duhet ndjekur.

Be.K./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rama lë Vlorën pas 8 vitesh dhe zgjedh të jetë deputet i Durrësit, a ka bërë kryeministri zgjedhjen e duhur?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Euro 2020/ Belgjika nuk di të tolerojë! Danimarka kualifikohet në frymën e fundit, shkatërron Rusinë! Në 1/8 edhe Zvicra