Shkrimtarët shqiptarë vazhdojnë të prezantohen edhe në gjuhë të huaja

Shkrimtarët shqiptarë vazhdojnë të prezantohen edhe në gjuhë të huaja

Ne foto shkrimtari Vangjush Saro

Shkrimtarët shqiptarë prej kohësh po përcjellin krijimet e tyre edhe në gjuhë të huaja; e jo thjesht si vlera vetjake, por si arritje të letërsisë shqipe dhe kulturës sonë kombëtare. Këto ditë, doli në anglisht libri me fabula në prozë “E dashur Dhelpër!” (“Dear Fox!”) i shkrimtarit Vangjush Saro. Fabulat janë përkthyer në anglisht nga Besnik Rika dhe Brizeida Saro, kurse ilustrimet janë realizuar nga piktorja Alma Skënderi. Libri është redaktuar dhe përgatitur për botim nga Ema Tillej, është dizenjuar nga Eno Muho dhe shoqërohet me një parathënie të Dr. Daniela Hasa, pedagoge e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës.

Lexuesi dhe kritika letrare kanë qenë gjithnjë të vëmendshme ndaj autorit në fjalë. Fatmir Terziu, Pandeli Koçi, Vangjush Ziko, Xhahid Bushati, FlamurShabani, Alda Shpata dhe shkrimtarë të tjerë janë shprehur në vazhdimësi për veçantitë e krijimtarisë së kolegut të tyre Vangjush Saro, sidomos në zhanrin e fabulës. Ata kanë vënë në dukje larminë tematike dhe theksin aktual të krijimeve të tij, gjuhën e pasur dhe gjetjet e veçanta, kombinimin e humorit dhe ironisë me elemente lirike e peizazhe të realizuar me pak vargje, etj. Grishja e lexuesve për meditim e alternativa interpretuese dhe krijimi i imazheve në kufijtë e animacionit, e bëjnë fabulën e këtij autori të afërt për çdo moshë.  

“Fabula, filozofia dhe mesazhi i thukët i Vangjush Saros nuk mund të shihen të ndara - thotë Dr. Fatmir Terziu, shkrimtar dhe kritik letrar - Ato bashkëveprojnë në mënyrë diskursive, krijojnë gjuhë, theksojnë gjuhë, lartësojnë gjuhë. Theksi është në natyrën e tij humoristike-satirike. Fabula e tij mbështetet në deformim, jo ​​në ngjashmëri. Falë simbolikës bindëse, rrëfimit tërheqës, autori qaset natyrshëm te lexuesit e çdo moshe. Dhe kjo është një e vërtetë rreth së cilës nuk mungojnë asnjëherë argumentet…  Saro e meriton këndin e tij të lartë në mjedisin e fabulës së sotme shqiptare.”

Libri “E dashur Dhelpër” është publikuar më parë nga “Erik” në shqip, kurse botimi i përmbledhjes me fabula në prozë në anglisht tani bëhet përmes rrjetit të njohur “Amazon”, i cili krijon edhe mundësinë që libri të porositet nga çdo vend i botës. Aktualisht, autori Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada) dhe krahas kontributeve në prozën letrare e në publicistikë, është ndër emrat më të njohur në zhanrin e fabulës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës