'Shkuan për djalin dhe u bllokuan në Siri'/ Report Tv sjell historinë e familjes nga Dragostinje e Librazhdit, Balliu: I lutem shtetit të më sjellë vëllanë dhe kunatën

LIBRAZHD- Tahir Balliu ka plot 6 vite që kërkon vëllanë, Aliun dhe kunatën Ruzhdien, që kanë mbetur të izoluar në kampet siriane. Ata nuk shkuan për të luftuar për Shtetin Islamik, por t'iu gjendur pranë të birit.

"Historia ka 6 vjet e ca, kur nipi im u nis për studime në Arabinë Saudite. Pas kësaj marrim vesh se nipi kishte shkuar në Siri. E kemi marrë vesh pas 5-6 muajsh. Vëllai im mësoi se i biri ishte plagosur atje dhe bashkë me gruan u nisën për atje. Arritën dhe takuan djalin në spital, por pati fatin e keq që vdiq nga plagët", tha Balliu.

Report Tv udhëtoi drejt fshati Dragostinje, në parkun natyror të Sherbenikut në Librazhd  për të takuar 63 vjecarin.  Ai na tregon se me kunatën flasin shpesh në telefon ndërsa me të vëllanë, Aliun ka shumë kohë pa komunikuar.

"Ata (vëllai me kunatën) qëndruan atje se s'kishin mundësi të ktheheshim. Ne kemi fol shpesh me ta, por ka mbi 1.5 vite që përfundoi lufta që ata ndodhen në dy kampe të ndryshme. Me kunatën flasim me mesazhe ndërsa me vëllanë s'kemi fol sepse është në kamp tjetër. Para dy tre muajsh që ka çuar një letër gruas që jam në filan kamp, por ne s'dimë asgjë për të. Edhe kunata ka dalë në TV duke kërkuar që ta kthejnë. Ne kërkojmë që të kthehen vëllai me kunatën, se kanë 4 fëmijë këtu në Shqipëri", tha ai.

Tahir Balliu na rrëfen përpjekjet e vazhdueshme që ka bërë me autoritetet shqiptare si dhe komunikimin e fundit me kunatën nga kampi Al Hol.

"Unë s'kam ndenjur, i kam shkruar ministrit të Brendshëm, Ministrit të Jashtëm, deputetit dhe shumë të tjerë. Disa kanë kthyer përgjigje disa jo. Thonë që po punojmë për t'i kthyer, por deri tani asgjë. Unë pranë përmes jush kërkoj që të më kthejnë vëllanë dhe kunatën, të vijnë pranë shtëpisë së tyre, se ata s'kanë qenë luftëtarë s'kanë bërë krime, vajtën për djalin dhe mbeten atje.  Me kunatën përmes mesazheve ne kemi pasur komunikim para një jave. "Çfarë po bëni apo na kërkoni", na ka thënë ajo. Na rrezikohet jeta, thotë...Duam të bëhet diçka nga qeveria. gjoja ka pasur rezultate, por deri tani s'kemi parë gjë. InshAllah shteti do të bëjë diçka dhe për familjen tonë.  Në kushte të mjerueshme nëpër çadra, ushqime s'kanë. Por aq shumë ata s'japin të dhëna sepse edhe frike kanë", tha ai.

Tashmë që 4 fëmijë dhe një grua u shpëtuan nga kampi famëkeq sirian, dhe u sollën në atdhe, shpresat janë shtuar edhe familjen Balliu nga Librazhdi. "Ne vetëm kaq mund të bëjmë asnjë mundësi s'kemi, vetëm nga shteti kërkojmë. Kjo është kërkesa e fëmijëve të tyre, por edhe e imja se e kam vëlla. Shteti ka detyrim t'i kthejë këta njerëz sepse janë njerëz të pafajshëm", përfundoi ai.

Tahir Balliu

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Putin: Do të godasim F-16-të e përdorur kundër Rusisë kudo që të jenë! Mohon mundësinë për të sulmuar Evropën: Marrëzi

Putin: Do të godasim F-16-të e përdorur kundër Rusisë kudo që të jenë! Mohon mundësinë për të sulmuar Evropën: Marrëzi