Tirane- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzon Serbinë, për shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut. Shpërthimi dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla deklaroi mbrëmë se nuk dihet ende sasia e saktë e eksplozivit, por sipas ekspertëve të policisë së Kosovës, të cilët pritet të ndihmohen edhe nga ekspertë të KFOR-it, flitet për rreth 15 kilogramë eksploziv.
Ndërkohë sot në mëngjes policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion bastisjeje në Zubin Potok dhe se po ushtrohen kontrolle në disa shtëpi të fshatit Varage ndërsa
Në një konferencë të jashtëzakonshme të organizuar në mbrëmje vonë, kryeministri Kurti e quajti "sulm kriminel dhe terrorist, dashakeq" nga fqinj verior agresiv e armiqësor që ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
“Vetëm ditëve të fundit patën msyer me granata dore në stacioni policor në Zveçan, më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të objekti Komunës së Zveçanit, e sonte ishte akti më i rëndë, ku rreth orë 19:00 në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike.Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, tha Kurti.
Po mbrëmjen e djeshme Kryeministri Kurti thirri këshillin e sigurimit të Kosovës ku kërkoi forcimin e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës si dhe drejtoi gishtin e fajësisë për organizimin e këtij sulmi tek Beogradi zyrtar dhe strukturat kriminale me në krye Radoiçiçin.
Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.
"Mbrojtja Civile" dhe "Brigada e Veriut", që i referohet Këshilli, u shpallën organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës qershorin e vitit të kaluar, ndërsa Radoiçiç, politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, mori përgjegjësinë për sulmin e vitit të kaluar kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Ky është sulmi i tretë ndaj institucioneve të Kosovës me synimin që të shkaktojë frikë te qytetarët në veri të vendit për ta përshkallëzuar situatën atje e pastaj edhe në krejt vendin, tha Kurti.
SHBA e BE dënuan sulmin dhe kërkuan vënien e autorëve para përgjegjësisë. Si pasojë e shpërthimit gjatë natës u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm si dhe energjia elektrike e qeveria arriti të rikthente sot në mëngjes furnizimin e rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë
Për më tepër ndiqni lajmet në zhvillim
Foto: Pasojat e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Enrico Barduani, pas sulmit terrorist dhe kriminal në kanalin kryesor të ujit Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut.
Në takim u diskutua rreth bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it në garantimin e sigurisë së infrastrukturës kritike dhe sigurisë në vend, informoi sot kryeministria.
Kryeministri Kurti falënderoi KFOR-in për gatishmërinë për të asistuar në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmi i mbrëmshëm dhe tejkalimin e situatës.
Palët u pajtuan që të mbesin në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin-Potok ku u dëmtua kanali i ujit Ibër Lepenc.
“Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit "Kosova B". Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacënuar. Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, ka shkruar ajo.
Rizvanolli ka njoftuar më tej për planin për furnizim me ujë.
“Nga ky akt terrorist është ndikuar edhe furnizimi me ujë. Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”.
Ajo ka inkurajuar qytetarët që të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta.
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, ka njoftuar se është mundësuar furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali i Ibër-Lepencit.
“Pas një nate plot ankth e stres, me gëzimin më të madh ju lajmëroj se pas një pune të palodhshme të gjithë akterëve relevant në kushte atmosferike tejet të rënduara, me në krye ndërmarrjen FAMIS CO, punëtorët e Ibër Lepencit dhe Policinë e Kosovës, në një afat rekord u vendosën 6 tuba 900 mm në kanalin e dëmtuar me të cilat u mundësua furnizimi i papenguar i KEK ut me ujë nga kanali i Ibër Lepencit”, ka shkruar ai në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për shpërthimin në kanalin në Ibër-Lepenc në Zubin-Potok të premten në mbrëmje.
Ajo e ka quajtur akt terrorist shpërthimin, duke theksuar se “bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës” e se “do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”.
“Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka kërkuar qetësi e maturi nga qytetarët deri sa institucionet të merren me hetim të rastit dhe përllogaritjen e dëmit.
“Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të këtij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, ka bërë të ditur ajo.
Osmani ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei, pas shëprthimit që ndodhi mbrëmë në Ibër Lepenc. Ishte parashikuar që ajo të takohej me Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar akt terrorist shpërthimin e sotëm në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Sveçla ka thënë se ky shpërthim është akti më i madh ndaj infrastrukturës jetike, që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ai shtoi se është e qartë se këto grupe sponsorizohen nga ushtria dhe policia e Serbisë.
Para gazetarëve mbrëmjen e djeshme ai tha se flitet se janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv. Sipas tij, qëllimi i Serbisë tashmë është i qartë - pamundësimi i shërbimeve elementare për qytetarët dhe shkaktimi i frikës në masë.
Ai e ka quajtur incidentin e së premtes në mbrëmje, si aktin më të madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
"Si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit e cila është cilësuar si infrastrukturë kritike, është dëmtuar seriozisht. Nuk dihet ende sasia e saktë e eksplozivit, por sipas ekspertëve të policisë së Kosovës, të cilët pritet të ndihmohen edhe nga ekspertë të KFOR-it, flitet për rreth 15 kilogramë eksploziv... Momentalisht ka ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për KEK-un. Momentalisht janë duke u shfrytëzuar rezervat aktuale, por po punojmë që ekipet e angazhuara nga Ibër-Lepenci, KEK-u, ta sanojnë gjendjen, që do të mundësonte KEK-ut të furnizohet me ujë, që është e domosdoshme për funksionimin normal të turbinave të Kosovës A dhe B.
Po ashtu prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, Veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova. Qëllimi tashmë është i qartë, defunksionimit të jetës në këtë rajon, pamundësimi i shërbimeve elementare dhe shkaktimi i frikës në masë... Është mesazh për gjithë Kosovën, është mesazh shpresoj edhe për partnerët tanë, se elementet terroriste nuk dëshirojnë që paqja të sundojë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës. Ata tashmë po deklarojnë se nuk do të ndalen... Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë", ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se shpërthimet e fundit në veri janë bërë me eksplozivë nga rezervat e Serbisë.
“Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë që s’është e lehtë të gjenden në tregun e zi. Kjo patjetër se vjen nga rezervat, nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë Sveçla kuke shtuar se ky është një mesazh për qeverinë e Kosovës dhe partnerët e saj.
Ministri tha se ata nuk kanë vullnet të ketë paqe në Kosovë dhe po e shfrytëzojnë situatën e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ndryshimin e pushtetit në SHBA.
Kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha para gazetarëve se masat e sigurisë nga Policia e Kosovës janë ndërmarrë të premten para se të ndodhte shpërthimi në Zubin Potok.
“Për shkak të dy shpërthimeve në veri, në stacionin policor dhe në Komunën e Zveçanit, kemi shtuar masat e sigurisë gjatë ditës së sotme dhe se paralajmërimet dhe masat janë marrë para se të ndodhte ky rast në Zubin Potok", tha Hoxha.
Aksion i forcave të Policisë së Kosovës është duke u zhvilluar paraditen e sotme.Po ushtrohen kontrolle në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut.
Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Po, është duke u zhvilluar aktivitet i bastisjes nga ana e policisë dhe tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë", ka thënë shkurt Elshani.
Nuk dihet nëse nga ky aksion është arrestuar ndonjë person ose është gjetur armatim. Aksioni po zhvillohet pas shpërthimit të mbrëmshëm në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se flitet se janë përdorur diku për rreth 15 kg eksploziv / Kosovapress/
Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orët e para të së shtunës pas sulmit të tretë brenda 72 orëve në veri të vendit. Më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan, ndodhi një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut të premten në mbrëmje 29 nëntor.
Pas mbledhjes Qeveria përmes një komunikate tha se indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës “është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist”.
Aty janë diskutuar masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmirren për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike. Ndërsa, masa shtesë janë ndërmarrë për të forcuar sigurinë rreth objekteve si në ura, trafostacione, antene, liqene e të tjera, ku do të aktivizohen Policia dhe FSK-ja. Në njoftim thuhet se kriminelët po dirigjohen nga Qeveria e Serbisë e po ushtrohen në Serbi për sulme të tilla.
Njoftimi i Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës mban mbledhje të jashtëzakonshme, 30 nentor 2024
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, me fillim në 01:30, nën udhëheqjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.
Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.
Kryeministri Kurti u shpreh: “Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”
Institucionet e Kosovës mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre veprimeve të paligjshme të përballen me drejtësinë. Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve të luftës hibride kundër shtetit dhe popullit tonë.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” bëri të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë.
Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja. Ndërkohë të martën granata dore ishin hedhur në oborrin e stacionit policor në Zveçan
Shtetet e Bashkuara e BE-ja, e vendet e QUINT- it dënuan sulmin e së premtes vonë, 29 nëntor, në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, thuhet se Shtetet e Bashkuara e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit “në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e ndjekur situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.
“Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor. Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës. Së Kosovës duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier në të cilin theksohet se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të solidarizohen me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”.
“E dënoj sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që po lë pjesë të konsiderueshme të Kosovës pa furnizim më ujë”, tha në një reagim shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav.
Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka dënuar fuqishëm sulmin. Ai ka shpërndarë postimi e Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ku ka bërë thirrje për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Rohde shkruan më tej se Gjermania është e gatshme të mbështes autoritetet e Kosovës lidhur me zbardhjen e ngjarjes.
“Dënoj fuqishëm sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që prek komunitetet në mbarë Kosovën. U bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, ajo e veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova si dhe Korporata Energjetike e Kosovës.
Dhjetëra automjete të KFOR-it janë nisur rreth orës 3 të mëngjesit, drejt Zubin Potokut. Të ndara në dy grupe, lloje të ndryshme të automjeteve të blinduara, përfshirë edhe autoambulancat ushtarake, janë pozicionuar në këtë qytet të veriut.
KFOR u nis drejt Zubin Potokut,disa orë pas shpërthimit në kanalin kryesor të Ibër Lepencit, të cilin krerët e shtetit e cilësuan si sulm terrorist.
Po Shqipëria e denoi aktin terrorist apo ska dhënë leje vllai akoma?
Përgjigju