PRISHTINË- Për herë të dytë, Shqipëria dhe Kosova do të organizojnë një mbledhje të përbashkët të dy Kuvendeve. Burime për Report Tv bëjnë me dije se mbledhja do të zhvillohet më datë 20 dhjetor në Prishtinë.
Në total do të mblidhen 130 deputetët, nga Kosova 70 ligjvënës dhe 60 të tjerë nga Shqipëria. I pranishëm në këtë takim do të jetë edhe kryeministri Rama dhe me shumë gjasë edhe Albin Kurti.
"Të nderuar kryetarë të grupeve parlamentare. Në datën 20 dhjetor ora 11:00 në Prishtinë, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe e Kuvendit të Kosovës. Në vijim, do t’ju informojmë për agjenden dhe detajet", thuhet në mesazhin që Kuvendi i Shqipërisë u ka dërguar krerëve të grupeve parlamentare.
Kjo është mbledhja e dytë mes dy parlamenteve, të cilët për herë të parë u mblodhën në një takim historik më 27 nëntor 2022 në Kuvendin e Shqipërisë.