Shqipëria merr Presidencën e OSBE-së, Rama nga Bratislava: Kemi 4 përparësi, hap historik dhe inspirim për të shkëlqyer (VIDEO)

Shqipëria mori sot zyrtarisht Kryesimin e Presidencës së OSBE-së për vitin 2020, organizatës së përbërë nga 57 vende anëtare, të cilën ajo do ta drejtojë përgjatë gjithë vitit 2020. Kryetar i radhës së OSBE-së do të jetë kryeministri Edi Rama, por këtë herë në cilësinë e tij si ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Në Bratislavë së bashku me kryeministrin Edi Rama ishte dhe ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj. Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi këtë si një moment historik dhe inspirim për Shqipërinë. Gjithashtu, Edi Rama u shpreh se është një përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, por edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE.

Ndërkohë që ministri Cakaj thotë se Shqipëria është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive. "Pas një lobimi të fuqishëm dhe pas një pune kapitale përgatitore nga diplomacia shqiptare, një punë e përkrahur edhe nga aktorë të rëndësishëm evropianë, si në rrafshin politik e programatik ashtu dhe në rrafshin organizativ e logjistik, Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive" shkruan Cakaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:21
Rama: 4 përparësitë e Shqipërisë si vendi president i OSBE


Në praninë e Kryeministrit Rama, Shqipërisë në një takim në Bratisllavë,  iu dorëzua stafeta prej Miroslav Lajçak, ish-komisioneri europian dhe Ministri i Jashtëm dhe Europian të Sllovakisë, vendit që ka presidencën aktuale.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria do të fokusohet në 4 përparësi kyçe gjatë mandatit të saj.

Përparësia e parë, do të jetë kriza në Ukrainë, “e cila mbetet kriza më urgjente e sigurisë sot në Europë”, theksoi kreu i qeverisë. “Është e papranueshme që konfliktet e zgjatura në rajonin tonë të vazhdojnë të marrin jetë njerëzish, prandaj përpjekte për rezoluta të zgjidhjes së konfliktit do të jenë në krye të axhendës për Presidencën Shqiptare”, tha Rama.

Përparësia e dytë shqiptare do të jetë respektimi dhe promovimi i të drejtave të grave, veçanërisht në zonat që vuajnë më shumë destabilitetin dhe zonat e konfliktit.

Rama zbuloi se do të bëjë në OSBE atë që ka bërë edhe në qeverinë shqiptare. “Do të bëjmë pjesën tonë duke caktuar sa më shumë gra që të jetë e mundur në pozicione me përgjegjësi në OSBE”, tha Kryeministri, duke evidentuar se për herë të parë këtë vit, Shqipëria u konsiderua nga OKB si një prej 5 vendeve më të suksesshme në botë sa i përket pjesëmarrjes së grave në qeveri.

Dy përparësitë e tjera në të cilat do të fokusohet Shqipëria janë lufta kundër korrupsionit dhe trafikut të qënieve njerëzore në nivel global.

Ora 14:09
Presidenca e OSBE/ Rama-grupit të punës: E keni të qartë malin që duhet mbajtur në kurriz?

Kryeministri Rama u shpreh se drejtimi i OSBE-së në këtë periudhë,  referuar zhvillimeve të brendshme, por edhe faktit që kryesimi në vitin 2020 lidhet me 45-vjetorin e kësaj organizate është sfidues. "Të drejtojmë OSBE-në 45-vjetorin e saj dhe në këtë periudhë kaq sfiduese... E keni të qartë cfarë lloj mali duhet me mbajtur në kurriz, kështu që forca" ishin fjalët e kryeministrit për delegacionin që e shoqëroi në Bratislavë.

Ora 13:48
Presidenca e OSBE-së drejtohet nga Shqipëria, Rama: Hap historik, inspirim

'Ky është një moment historik dhe inspirim për Shqipërinë'. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama nga Bratislava gjatë fjalimit që shënoi marrjen e Presidencës së OSBE-së nga Shqpëria për vitin 2020. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare renditi disa nga vlerat e Shqipërisë, ndërsa shpalosi objektivat.

"Ne kemi marrë vendim përsa i përket të ardhmes së vendit tonë sesi e shohim të ardhmen në vitet e ardhshme, shpresoj te iniciativa jonë me partnerët për të vijuar bashkëpunimin. Ka shumë vendime kyçe me të cilat ne nuk kemi marrëveshje të qëndrueshme.

Ka në fakt shumë cështje që kanë të bëjnë jo vetëm me termat e politikës, por edhe sigurisë. Shohim edhe në këtë tryezë ka qasje të ndryshme. Do të bëjmë të pamundurën për të parë përpara. Ky është një moment historik dhe inspirim për vendin tonë. Kjo lidhet me marrëdhëniet e mira me anëtarët dhe mikpritje që karakterizon Shqipërinë. Edhe një tjetër element i rëndësishëm i Shqipërisë është harmonia fetare. Marrja e Presidencës, është një hap i jashtëzakonshëm.

Do të fokusohemi duke implementuar së bashku koordinimin e të gjitha politikave tona për të rritur kredibilitetin tonë. Nëse doni paqe në Europë duhet të implementohen edhe elementë të tjerë. Duke monitoruar zgjedhjet dhe mbështetur reformat, puna e OSBE-së ka qenë ngushtësisht e lidhur me njerëzit.

Përsa i përket edhe vijimit të dialogut, kjo është e vetmja mënyrë për të rindërtuar besimin mes nesh. Korrupsioni dëmton prosperitetin e të gjithë rajonit, së bashku me kërcënimet e tjera. Do të luftojmë korrupsionin. Nder dhe përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkēlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE" tha ai.

Ora 11:05
Habit Rama, LIVE me këmbët mbi tavolinë duke përgatitur fjalimin për OSBE-në (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama pak përpara fjalës së marrjes së kryesisë së OSBE për vitin 2020 nga Bratislava ka hedhur një video në faqen e tij zyrtare në Facebook me këmbët mbi tavolinë duke përgatitur detajet e fundit. "Nder dhe pērgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkēlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE" shkruan Rama.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Xabi Alonso drejt rinovimit, Liverpool hedh sytë te trajneri portugez

Xabi Alonso drejt rinovimit, Liverpool hedh sytë te trajneri portugez