Tjetër tërmet i fortë në Tiranë gjatë mbrëmjes... Sizmiologu në Report TV: Në 24 orë mbi 340 lëkundje! Rreziku kaloi, por dridhje të vogla do ketë sërish

Tjetër tërmet i fortë në Tiranë gjatë mbrëmjes... Sizmiologu në Report TV: Në 24 orë mbi 340 lëkundje! Rreziku kaloi, por dridhje të vogla do ketë sërish

TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga tërmeti i ditës së djeshme, vendi është tronditur nga disa lëkundje të njëpasnjëshme, shumë të forta. Më i fundit është regjistruar në orën 22:08 me epiqendër 22 km në veriperëndim të Tiranës, me magnitudë 4.4 ballë i Shkallës Rihter. 

Ndërkohë sizmiologu Rrapo Ormeni deklaroi më herët në Report Tv se deri në orët e pasdites së sotme janë ndjerë mbi 340 lëkundje sizmike, pjesa më e madhe e të cilave shumë të vogla, por theksoi se rreziku ka kaluar. 

Gjatë mbrëmjen, ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri bilancin ku deklaroi se 915 familje janë prekur nga tërmeti, banesat e së cilëve janë dëmtuar, por ministrja ka vënë theksin së këto dëmtime janë modeste krahasuar me atë çka mund të kishte ndodhur për shkak se tërmeti ka qenë shumë i fuqishëm. Nga ana tjetër, janë realizuar 295 misione për t’ju ardhur në ndihmë banorëve edhe pse fatmirësisht, shprehet ministrja, në thuajse 100% të rasteve bëhej fjalë për lëndime jo të rënda. 

Për t'u ardhur në ndihmë banorëve, janë ngritur në Tiranë 6 qendra pritëse dhe në Durrës 3.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:44
Portali hap panik për tërmet të ri të fuqishëm, 'Dilni nga shtëpitë'/ Rama: Alarm fals dhe kriminal, fajtorët do mbajnë përgjegjësi penale

TIRANË - Portali Syri.net pranë familjes Berisha dhe Presidentit Meta publikoi sonte në mbremje, në orën 22.21 nje fake news duke ngjallur panik me paralajmerimin në orën 23.30 të një termeti të fortë. Për ta bërë më të besueshëm lajmin portali i ishte referuar, në mënyrë fallso, për  parashikimin e tërmetit në orën 23.30 një sizmiologu grek, i njëjti i përmendur edhe nga Presidenti Ilir Meta kur me 29 korrik paralajmëroi një tërmet apokaliptik, duke shpifur edhe per fuqine e duke e bere edhe me te frikshme: 6 balle, pra me i forte se ai i te shtunes.

Portali i bënte apel qytetareve të dilnin menjëhere nga shtëpitë, duke përhapur panik dhe përfituar nga situata e brishtë pas tërmetit të forte të së shtunes. Mijëra njerëz mbushën rruget, sheshet e qyteteve të ndryshme duke përfshirë edhe Tiranën.

Portali me pas e hoqi lajmin qe nderkohe ishte përhapur në gjithe mediat sociale dhe ribotuar nga disa portale te tjera si Shekulli.

Lajmi i publikuar në portalin Syri.Net

Lajmi i fshirë nga portali Syri.Net
 

Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar qytetarët se asnjë tërmet nuk mund të parashikohet, çka do të thotë se lajmet që po qarkullojnë në disa media dhe rrjete sociale për një tërmet të fuqishëm në orën 23:30 janë krejtësisht të pavërteta. Ato kanë deklaruar se fajtorët e këtij 'Fake News' do të mbajnë përgjegjësi penale.

"Prej disa minutash qarkullon në disa portale dhe rrjete sociale një lajm i rreme mbi parashikimin e një tërmeti me përmasa, në orën 23.30. I bëjmë thirrje të gjithë qytetareve, të mos bien pre e njoftimeve të tilla keqdashëse dhe përhapës paniku pasi nuk ka asnjë parashikim të tille shkencor nga asnjë institucion shkencor. Të gjithë ata që kanë përhapur këtë lajm do të mbajnë përgjegjësi penale", njofton ministria e Mbrojtjes.

Lidhur me këtë lajm të rremë ka pasur një reagim edhe nga ana e kryeministrit Edi Rama.

"Ky është një fakeneës kriminal për të perhapur panik dhe çdo idiot që shkruan për parashikime tërmetesh thjesht duhet neveritur", tha Rama.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
Ora 22:11
Sërish tërmet! Lëkundje të forta me magnitudë 4.4 ballë i shkallës Rihter godasin vendin

Një tjetër tërmet ka tronditur Shqipërinë. Lëkundjet sizmike u regjistruan rreth orës 22.08 minuta me magnitudë prej 4.4 ballë të shkallës Rihter. Epiqendra e lëkundjes, në afërsi të fshatit Mazhë e Madhe, Durrës. 

Pikërisht në qytetin e Durrësit ka qenë epiqendra edhe e tërmetit të djeshëm, 5.8 ballë të shkallës Rihter.

Ora 21:46
FOTOLAJM/ Ja si infermieret heroina të maternitetit 'Koço Gliozheni' vrapuan për të shpëtuar foshnjet në inkubatorë

Situatën e vështirë që vendi ynë dje kaloi e kanë përjetuar të gjithë por disa prej tyre e kanë përjetuar në krye të deyrës dhe mund të themi me gojën plot që janë heronjtë e heshtur të vendit.

I tillë ësht dhe rasti i infermierëve të maternitetit “Koço Gliozheni” ku siç shprehet me anë të një postimi në Facebook ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në momentin e tërmetit ata kanë rendur drejt inkubatorëve për ti mbajtur pë të mos rënë ndërsa ne të tjerët vraponim jashtë për të shpëtuar nga një shembje e mundshme e banesave.

Ja postimi i plotë i ministres Manastirliu që tregon heroizmin infermierëve  që dje shpëtuan jetë:

Në momentin kur lëkundjet e forta të tërmetit shtynë shumëkënd të vrapojë drejt daljeve të ndërtesave, infermieret e Materniteteve “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë” rendën drejt inkubatorëve që gjendeshin në reanimacione. Sigurisht që ndjenë frikë si të gjithë ne, por nuk mund të lejonin që t’u ndodhte gjë të porsalindurve.
Heroina të vërteta të #ShqipërisëSolidare
Faleminderit nga zemra stafeve mjekësore dhe infermierore të dy materniteteve të Tiranës

Postimi i ministres Ogerta Manastirliu
Ora 21:14
Tërmetet/ Xhaçka bën bilancin: 915 banesa të dëmtuara, 295 raste asistence mjekësore! Trendi i lëkundjeve në ulje

TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë, ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka ka bërë bilancin për situatën në të cilën ndodhet vendi pas tërmetit dhe mbi 300 lëkundjeve të tjera që tronditën vendin që nga pasditja e djeshme. Si fillim, ministrja ka qetësuar të gjithë qytetarët duke theksuar se rreziku ka kaluar tashmë dhe të gjitha lëkundjen që pasuan pas tërmetit të së shtunës, kanë pasur trend në ulje.

915 familje janë prekur nga tërmeti, banesat e së cilëve janë dëmtuar, por ministrja ka vënë theksin së këto dëmtime janë modeste krahasuar me atë çka mund të kishte ndodhur për shkak se tërmeti ka qenë shumë i fuqishëm. Nga ana tjetër, janë realizuar 295 misione për t’ju ardhur në ndihmë banorëve edhe pse fatmirësisht, shprehet ministrja, në thuajse 100% të rasteve bëhej fjalë për lëndime jo të rënda. Ajo bëri të ditur se 1400 efektivë policie dhe 500 efektivë të FA në terren, e ndërsa janë ngritur në Tiranë 6 qendra pritëse dhe në Durrës 3.

Për herë të parë, për shkak se tërmeti i djeshëm, më i madhi i 30 viteve të fundit,  ka shkaktuar shumë frikë e traumë tek qytetarët, ekipeve u janë bashkuar edhe psikologë e punonjës socialë.

Deklarata e plotë
"24 orët e fundit kanë qenë shumë të vështira për të gjithë ne. Kanë qenë ore të një lodhje jo thjesht fizike, por edhe psikologjike. Dhe besoj që në momente si këto është më e rëndësishme se kurrë, që qytetarët të jenë të informuar për atë që po ndodh, dhe të kenë një pasqyrë sa më të qartë të të gjithë situatës.

Siç është thënë sot disa herë, jo vetëm në komunikimet zyrtare, por edhe nga komunikimet me ekspertë sizmologë në media, situata sizmike duket se e ka kaluar momentin e saj më të rrezikshëm. Është e vërtetë që gjatë natës së djeshme janë shënuar disa lëkundje relativisht të forta, por mbi 300 lëkundjet e tjera që janë regjistruar në 24 orët e fundit kanë pasur një trend në ulje, ku pjesa dërrmuese kanë qenë nën 3 ballë e madje shumica nën 2 ballë.

Edhe pse parashikimi i tërmeteve është i pamundur, sizmologët janë unanimë lidhur me faktin që, trendi në zbritje i fuqisë së lëkundjeve është shenjë e një stabilizimi të situatës. E di që pas asaj që kanë përjetuar dje shumë qytetarë janë ende të frikësuar, por është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku t’i rikthehemi normalitetit.

Është një lajm vërtet pozitiv që sot, 24 orë pas ngjarjes sizmike kryesore, informacioni i plotë mbi situatën në terren, na konfirmon që, dëmet kanë qenë shumë më modeste sesa mund të kishim pritur nga një tërmet i atyre përmasave. Më kryesorja, nuk ka pasur asnjë rast lëndimi serioz të qytetarëve.

Pavarësisht kësaj, dua t’i siguroj qytetarët që të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë që dje pasdite në krye të detyrës, dhe do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë, deri në përfundimin e kësaj situate.

Ka një mobilizim të të gjitha resurseve dhe energjive të shtetit shqiptar si kurrë më parë. Pasi edhe pse situata duket e tejkaluar, edhe pse dëmtimet fatmirësisht rezultojnë modeste, kemi zgjedhur të kalojmë në një gjendje gatishmërie maksimale duke e kuptuar fare mirë që kjo është ajo që presin dhe që meritojnë qytetarët në këto orë të vështira për të gjithë.

Kështu, janë shpërndarë në terren dhjetëra ekipe të shtabeve të emergjencave pranë prefekturave e bashkive, 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, disa qindra efektivë të Policive Bashkiake të Durrësit e Tiranës, 500 efektivë të Forcave të Armatosura të atashuar pranë ekipeve të terrenit apo në gjendje gatishmërie sipas nevojës.

Numrat e emergjencës kanë funksionuar në mënyrë shumë të kënaqshme pavarësisht fluksit të madh të telefonatave.

Vetëm në numrin 112 kanë ardhur mbi 1100 telefonata gjatë ditës së sotme dhe mbi 950 raste janë ndjekur e asistuar, ndërkohë që në rastet e mbetura, qytetarëve u është dhënë përgjigje për shqetësimin dhe nuk ka qenë i nevojshëm asistimi i mëtejshëm.

Përgjatë 24 orëve të fundit kanë zbritur në terren ose kanë qëndruar në gjendje gatishmërie maksimale disa dhjetëra ekipe mjekësore me staf të përforcuar që po kontrollojnë situatën, po kontaktojnë me qytetarët dhe kanë asistuar të gjithë qytetarët e lënduar apo që kanë kontaktuar për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Tërmeti i djeshëm ka shkaktuar shumë frikë e shumë traumë tek qytetarët. Kjo është arsyeja, përse për herë të parë, këtyre ekipeve ju janë atashuar edhe psikologë e punonjës socialë që janë të trajnuar për të trajtuar situata të tilla dhe që janë në dispozicion të qytetarëve në Tiranë e Durrës, të cilat kanë qenë edhe zonat më të prekura nga tërmeti.

Në total, në rajonin Tiranë Durrës këto ekipe janë mbështetur nga 25 autoambulanca që vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri edhe tani që flasim. Ekipet mjekësore gjatë 24 orëve të fundit kanë asistuar në 295 misione për t’ju ardhur në ndihmë banorëve edhe pse fatmirësisht, në thuajse 100% të rasteve bëhej fjalë për situata mjekësore jo të rënda dhe që s’kanë pasur nevojë për ndjekje të mëtejshme.

Të gjithë familjet e prekura, në secilën prej 915 banesave dhe pallateve të dëmtuara, janë kontaktuar ose po kontaktohen nga ekipe, të cilave u janë atashuar edhe specialistë të institutit të ndërtimit, psikologë dhe punonjës socialë. Dua ta theksoj që, sipas raportimeve të deritanishme, në pjesën dërrmuese të këtyre rasteve bëhet fjalë për dëmtime të lehta, kryesisht plasaritje të suvasë apo mureve. Gjithsesi, ato godina qe ndërkaq jane te evidentuara me dëmtime me serioze do të verifikohen me prioritet nga ekspertët, të cilët do të japin edhe akt verifikimin teknik që përcakton nëse ato jane te banueshme apo jo.

Unë u kërkoj të gjithë atyre qytetarëve që ende nuk janë vizituar në person nga ekipet e verifikimit, që të bëjnë edhe pak durim pasi zona e prekur nga goditja e tërmetit është mjaft e madhe dhe koha që ka kaluar shumë e shkurtër.

Gjithashtu, duke pasur parasysh numrin e madh të banesave që janë raportuar si të dëmtuara, dhe faktin që verifikimi i tyre mund të bëhet vetëm nga ekspertë e profesionistë të fushës, dua të përsëris këtu thirrjen, që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka bërë të gjithë kompanive të ndërtimit, për të na mbështetur me kapacitete inxhinierike në procesin e nisur nga Insituti i Ndërtimit, për akt verifikimin e çdo banese të dëmtuar. Shtimi i këtyre kapaciteteve me inxhinierë vullnetarë do të bëjë të mundur përfundimin e këtij procesi brenda kësaj jave.

I njëjti proces verifikimi po ndodh aktualisht për çdo urë e rrugë, për të gjithë infrastrukturën strategjike, për çerdhet e kopshtet dhe shkollat te cilat rezultojnë pa probleme.

Duke pasur parasysh edhe faktin që ngjarja e fundit sigurisht që ka shkaktuar më shumë frikë e stres tek ata që janë edhe qytetarët më të vegjël të Tiranës, Durrësit dhe çdo zone të prekur nga tërmeti, është Ministria e Arsimit ka vendosur që dita e nesërme të jetë pushim për shkollat 9 vjeçare dhe të mesme në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ndërkohë që sapo është marrë vendimi që në keto tre qarqe do të jetë pushim edhe për kopshtet dhe çerdhet. Sa ju takon prindërve që punojnë në administratën shtetërore, të gjithë ata që kanë fëmijë në kopshte, çerdhe apo shkolla 9 vjeçare, nesër mund të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre.

Unë dua ta përsëris thirrjen time për qetësi, por kjo nuk duhet kuptuar si një thirrje për neglizhencë. Dua t’i ftoj të gjithë ato familje, banesat e të cilave janë dëmtuar dhe që për shkak të kohës shumë të shkurtër nuk janë kontaktuar ende personalisht nga ekipet në terren për të marrë një akt vlerësimi teknik të sigurisë së banesave, që të shfrytëzojnë mundësinë që ju kanë krijuar FA por edhe Bashkitë Tiranë e Durrës për strehim.

Më konkretisht, në bashkinë Tiranë janë ngritur 6 qendra pritëse ndërsa në bashkinë Durrës 3 qendra pritëse, përkatësisht Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Mbrojtjes ku aktualisht po qëndrojnë 9 familje, Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Brendshme dhe Stadiumi Niko Dovana i Durrësit ku FA kanë ngritur çadrat dhe ku janë duke qëndruar 30 persona.

Unë dua t’i garantoj qytetarët që i gjithë shteti eshtë në këmbë për të përballuar këtë situatë e për t’i mbështetur ata në këto orë të vështira. Gjatë 24 orëve të fundit ne kemi mundur të testojmë në terren mekanizmin e ri të përballimit të emergjencave që ka hyrë në fuqi pas kalimit të ligjit për Mbrojtjen Civile.

Jam e kënaqur me mënyrën sesi ky mekanizëm ka funksionuar edhe pse puna për konsolidimin e tij është thjesht në hapat e para.

Jam e kënaqur sepse niveli i bashkëpunimit dhe reagimit mes institucioneve ka qenë shumë efikas, duke filluar nga prefekturat e njësitë e qeverisjes lokale, e duke vazhduar me policinë, shëndetësinë, infrastrukturën, zjarrfikëset, arsimin dhe Forcat e Armatosura.

24 orët e para pas tërmetit ishin sigurisht orë emergjence kur presioni mbi çdo drejtues e çdo efektiv, mjek apo punonjës të përfshirë në këtë sipërmarrje ka qenë i jashtëzakonshëm. Dua t’i falënderoj të gjithë për punën e bërë dhe besoj që sot çdo qytetar duhet t’u jetë mirënjohës këtyre burrave e grave, djemve e vajzave, të cilët sigurisht kanë përjetuar të njëjtën frikë e ankth si çdo qytetar i Tiranës e Durrësit, por janë ngritur në lartësinë e detyrës. Duke falenderuar edhe qytetaret per pjekurinë dhe bashkëpunimin e treguar do te vazhdoj tju informoj per cdo zhvillim ne orët dhe ditet ne vijim", tha Xhaçka.

Ora 19:39
Merret vendimi/ Ministrja e Arsimit: Nesër pushim për të gjithë shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

TIRANË- Të gjithë shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, zonat më të prekura nga tërmeti, do të jenë pushim. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në një konferencë për mediat, ku theksoi se ky vendim ka ardhur si pasojë e gjendjes jo të mirë psikologjike të disa fëmijëve dhe prindërve pas tërmetit.

Gjithashtu, pushim do të kenë edhe punonjësit e administratës që kanë fëmijë në 9-vjeçare dhe fillore.

"Duke e marrë këtë parasysh, si dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e psiokologëve të ndryshëm që na kanë kontaktuar dje dhe sot, kemi vendosur që: Dita e nesërme për të gjithe nxënësit e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, TË JETË DITË PUSHIMI!  Ditë pushimi të jetë njëkohësisht edhe për prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjecare, të cilët punojnë në administratë shtetërore. Fatmirësisht, situata ne terren paraqitet drejt normalizimit, por që familjet e afektuara të tejkalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të lartpërmendura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratë shtetërore, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë e të qëndrojnë me njëri-tjetrin", njoftoi ministrja. 

Sa i përket gjendjes së godinave pas tërmetit 5.8 ballë që tronditi vendin pasditen e djeshme, Shahini sqaroi se vetëm në 2 shkolla kanë pësuar dëmtime serioze, e ndërsa në 98 të tjera ka pasur plasaritje të fasadave, por tashmë gjithçka është në kontroll.

"Për fatin tonë të mirë, janë vetëm dy objekte shkollore që kanë pësuar dëmtime në masën që të mos jetë e sigurt hapja e shkollës të hënën. Një nga këto shkolla është klasë vartëse e shkollës qendër "Berxullë", me numër të vogël nxënësish të cilëve do t'i sigurohet transporti për t’i dërguar në shkollën qendër. Ndërsa shkolla tjetër, është prapë shkollë vartëse në Tiranë, por do të bëjmë njoftimin për këtë shkollë pasi të marrim konfirmimin final nga Bashkia Tiranelë për gjendjen e saj. 98 shkolla të tjera kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, në muret e brendshme të shkollave apo ato të jashtme – pjesa kryesore e të cilave janë sanuar dhe pastruar gjatë ditës së sotme nga ekipet e bashkisë.  Pra, dua t'ju siguroj, se insfrastruktura shkollore është gati për të vazhduar normalisht mësimin qysh nesër", tha Shahini.

Ndërkohë, një nga masat e para që ka marrë ministria e e Arsimit, në një kohë kur pjesa më e madhe e personave ishin lëndime të shkaktuara nga paniku, është informimi për hapat që duhen ndjekur në rast fatkeqësie natyrore.

"Sot ndava me të gjithë drejtuesit e shkollave një video të "Save the Children" për masat që duhet të merren në rast tërmeti: Si duhet mbrojtur koka gjatë daljes nga banesa; kur duhet të dilet nga godinat dhe si të qëndrojmë të sigurt aty ku jemi. U kërkova që në orën e parë të mësimit të diskutohen pikërisht këto masa.  Ndërkohë, së bashku me Ministren e Mbrojtjes, po ndërtojmë disa pamflete dhe video të tjera që do t'i shpërndajmë nëpër shkolla në mënyrë që të gjithë të ndihen sa më të informuar", përfundoi Shahini.

Shqipëria u trondit pasditen e së shtunës nga një tërmet me magnitudë 5.8 me epiqendër në detin Adriatik dhe intensitet 7.5 ballë, 30 km në veri të Durrësit, teksa është ndjerë në të gjithë qytetet e vendit në orën 16:09.

Ora 18:56
Dëmtimet nga tërmeti, banorët në Elbasan dhe Cërrik: Ikëm me vrap

Në qarkun e Elbasanit raportohet për 90 banesa të dëmtuara. Banorët e Cërrikut, Belshi, Librazhdit dhe Elbasanit kanë kaluar natën jashtë për shkak të frikës së lëkundjeve të tjera sizmike.

Në qarkun e Elbasanit 90 banesa janë të dëmtuara nga lëkundjet sizmike 8 pallate, 3 në Elbasan, 3 në Cërrik, 1 në Librazhd dhe 1 në Belsh ku janë dëmtuar rëndë 10 banesa.

"Tërmeti ishte aq i fortë sa dolëm me vrap, kalamajtë i hoqa nga banesa, vetë qëndrova, pasi kisha frikë për vjedhje" tha një banor. Ndërsa një tjetër theksoi se "Kemi qëndruar jashtë tërë natën".

Në Cërrik janë dëmtuar 15 banesa dhe pas lëkundjeve të pasdites të së shtunës qytetarët e kanë kaluar natën jashtë. Ndërkohe në fshatin Katund i Ri është dëmtuar edhe një shkollë për të cilën do të behet një verifikim nëse do të hapet për të vijuar mësimin apo do të mbyllet për shkak të pasigurisë.

Ora 18:47
'Shtëpia e tretë që i është shembur', Lleshaj në Porto Romano: Një dramë më vete që do zgjidhet

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, që prej paradites së sotme po monitoron nga afër situatën e krijuar në Qarkun e Durrësit, më i prekuri nga tërmeti i 21 shtatorit.

Ai ishte mesditën e sotme në Porto Romano, në familjen e Zef Balës, ndër më të prekurit nga dëmet. Banesa e familjes Bala, ende në ndërtim, ka pësuar dëmtime serioze duke e bërë gati të pabanueshme. Familja Bala është sistemuar në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të MB, ku do u garantohet strehim deri në zgjidhjen e problemit të strehimit të tyre.

“Pothuajse e urdhërova të zhvendoset në Shtëpinë e Pushimit të MB, pa ndonjë gjasë që mund të kthehet më aty ku është. Dy shtëpi kishte ndërtuar vetë deri tani dhe të dyja i ishin shembur. Kjo e treta i kishte themelet në ajër. Një dramë më vete që duhet zgjidhur. Dhe do të zgjidhet”, shkruan ministri Lleshaj në rrjetin social FB.

Më pas ai ka qenë në Maminas.

"Në Karreç të Maminasit vizitova familjen e Gani Lebës, që është prekur shumë nga tërmeti i djeshëm. Për këtë familje dhe 6 të tjera në Maminas po vendosen tenda për të ndihmuar në lehtësimin e gjendjes, për të vijuar më tej me fazën e rehabilitimit", shkruan Lleshaj.

Ora 17:47
Veliaj: Do hapim një konvikt te 'Qytet Studenti' për banorët, nesër psikologë në çdo shkollë

Të gjitha ato familje e Tiranës që janë prekur nga tërmeti i ditës së shtunë po kontaktohen nga ekipet e Bashkisë Tiranë që janë në terren dhe njësitë administrative për t'i ofruar ndihmë dhe për të bërë verifikimin e dëmeve të shkaktuara. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi Shtabin e Emergjencave Civile të Tiranës, ku drejtoritë përkatëse raportuan se situata pas tërmetit të ditës së djeshme në gjithë Bashkinë e Tiranës paraqitet e stabilizuar, ndërsa të gjitha banorët dhe familjet që kanë pasur problem shëndetësore apo dëmtime në shtëpitë e tyre kanë marrë ndihmën e parë nga strukturat e posaçme bashkiake. Kryebashkiaku Veliaj kërkoi nga strukturat përkatëse bashkiake që të qëndrojnë në kontakt me këdo që është prekur nga tërmeti dhe ti ofrojë atyre ndihmën e nevojshme në mënyrë që askush të mos ndihet vetëm në këto momente.

Ndërkohë ai u bëri thirrje të gjitha njësive administrative në të gjithë Tiranën që të qëndrojnë hapur për të pritur çdo shqetësim të banorëve por edhe për të kontaktuar të gjitha familjet e prekura nga tërmeti. “Të paktën njëherë në ditë, një telefon, një kontakt ditor “a je mirë”, “a u bë vlerësimi”, dhe sidomos aty ku ka pak familje, administratori duhet që deri nesër të ketë bërë kontaktin. Ndërkaq, njësitë administrative dua që të mos mbyllen sot. Duke qenë se siç thotë edhe IGJEUM pas tërmetit ka pas goditje më të lehta, por për këdo që do t’i drejtohet qendrave administrative, duhet të jetë dikush aty t’i presë. Më pas administratori dhe grupi i vlerësimit të ketë bërë raportimin, me foto dhe dosje. Duhet të jemi rigorozë në kohë, dhe në procedura. Duhet të veprojmë me shpejtësi maksimale, dhe nesër të fillojë java me njerëzit e kontaktuar”, shtoi Veliaj.

Ai bëri të ditur se krahas qendrave sociale, Bashkia e Tiranës për të gjitha familjet që kanë nevojë për një strehim afatgjatë do të hap edhe konviktet e studentëve.

“Duhet të vlerësojmë se cilat nga këto familje duhet të kenë nevojë për strehim afatgjatë. Unë isha tani te qendra sociale pashë një familje që kishte rastin e një personi të paralizuar, familjeve të tjera që ishin me shumë fëmijë. Nëse ekipi e vlerëson që është afatgjatë, të strehohen ose te qendrat sociale ose në një nga konviktet. Për nevojat bazë, higjienike dhe fjetje konviktet janë perfekt. Kryeministri ju bëri ofertën për në Kavalishencë. Por kur njerëzve nga Durrësi u duket larg, imagjinoni sa u duket  banorëve të Tiranës. Nëse u duket larg Kavalishenca, kemi këtë plan në Qytet Studenti. Nuk e kemi problem, në raste unike që kemi, siç janë disa pallate, sa të merret një vendim, ne fare mirë mund t’i strehojmë te konviktet dhe banesat sociale. Një nga konviktet të pastrohet dhe të bëhet gati për ata që nuk u konvenon që të shkojnë në Kavalishencë”, tha Veliaj.

Ndërkohë që për të gjithë fëmijët që ndjekin shkollat e Tiranës dhe që përjetuan panikun e ditës së djeshme, Veliaj bëri të ditur se pranë çdo shkolle do të vendosen punonjës social të posaçëm për të komunikuar me ta.

“E kam të nevojshme që të gjithë punonjësit socialë, nesër do të duhet të kemi një kontakt që minimalisht të kalon në çdo klasë. Ndryshe e bën një prind i stresuar bisedën me fëmijët dhe ndryshe një punonjës i stabilizuar. Edhe sot lojërat për fëmijë i bëmë për t’u thënë fëmijëve që iku mbaroi. Dhe kjo është një nga arsyeja pse i bëmë lojërat. Ndoshta prindërit nuk na e kuptojnë këtë, por e gjithë literatura thotë, se pas një drame fëmijët duhet t’i rikthehen normalitetit, lojës fëmijëve. Nuk do të ketë shkollë në Tiranë ku nuk do të ketë një punonjës social për të bërë ndonjë bisedë me nxënësit, që të kuptojmë që shiko në jetën e gjithsecilit ka ndodhur, sepse ndodh gjithmonë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj kërkoi prej administratorëve dhe drejtorëve që të bëjnë dhe verifikimet e fundit në të gjithë institucionet arsimore nëse ato janë gati për vijimin e vitit shkollor këtë të hënë. Ai kërkoi prej tyre që në bashkëpunim edhe me Institutin e Ndërtimit të shikohen të gjitha ato çerdhe, kopshte apo shkolla që janë gati të hapin dyert nesër.

“Ku diku ka rënë bojleri, një raft apo kalorifer duhet të vazhdojë normalisht. Në vende, nëse kemi një rast që do verifikuar nga një teknik, shihni me Institutin e ndërtimit ose një konstruktor të certifikuar dhe nëse deri në mëngjes kemi ndonjë institucion që nuk është gati, është më mirë të marrim edhe një ditë kohë, se sa të nxitohemi dhe të fillojmë shkollën. Deri nesër në mëngjes çdo drejtoreshë duhet të ketë një verdikt”, tha Veliaj, teksa nënvizoi se shkollat e reja nuk kanë pasur asnjë problem.

Ora 17:32
4 shkolla me dëmtime në Elbasan, Kushi: Pasdite do merret vendimi nëse do nisë mësimi ose jo (VIDEO)

Deputetët Arben Kamami dhe Evis Kushi kanë inspektuar disa banesa në qytetin e Elbasanit, por edhe shkollat në këtë qark. Ato kanë njoftuar se 4 shkolla kanë pësuar dëmtime për shkak të tërmetit, teksa vendimi nëse do të nisë nesër shkolla ose jo do të merret pasditen e sotme, pas një inspektimi nga Bashkia.

Arben Kamami: 4 shkolla që mendojmë se ka probleme. Do fillojmë inspektimin dhe të disa shtëpive dhe së bashku me specialistët. 

Evis Kushi: Jemi në shkollën e Bathës, në Tregan ka disa dëmtim, por kemi pranë edhe përfaqësuesit e Bashkisë që do të bëjnë tamam inspektimin nëse kjo shkollë do të hapet tamam ose jo. Kemi edhe një takim me drejtorin e zyrës Arsimore të Elbasanit, për të marrë një vendim se cilat janë shkollat që shkollat të mos nisin mësimin. Brenda ditës së sotme, do të marrim vendim nëse duhet të shkohet në këto shkolla apo jo. Më mirë më shumë të kujdesshëm, sesa të rrezikohen fëmijët nëpër shkolla.

Ora 16:31
Muret janë çarë, suvaja në tokë, ja si është bërë shtëpia në Ndroq nga tërmeti (VIDEO)

Dëme të shumta nga tërmeti janë shkaktuar edhe në fshatin Zhurje të Ndroqit. Report Tv sjell pamjet e një banesë që është dëmtuar totalisht nga lëkundjet sizmike. Muret janë çarë dhe suvaja ka rënë duke e bërë shtëpinë të pabanueshme.

Ora 16:25
'Babai' i fizikës së tërmeteve: Lëkundjet pas goditjes së parë bien dhe dobësohen

1569098973_njerezjashtengatermeti.jpg
Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, sizmiologu japonez Omori zbuloi ligjin e parë të fizikës së tërmetit, i njohur sot si Ligji i Omorit, i cili thotë se shkalla e pasgoditjeve që shoqërojnë një tërmet, zvogëlohet reciprokisht me kohën.

Ta themi thjesht, numri i pas goditjeve bie pak a shumë si reciprociteti i kohës. Nëse ka, 100 goditje në tokë një ditë pas një tërmeti (ditën e dytë), të nesërmen (pra diten e tretë) do të ketë afro gjysmën e totalit, pra 50. Një ditë pas kësaj, do të ketë sa një e treta e totalit, pra 33, të cilat do të jenë përherë e më të lehta.

Por a mund të jetë një pasgoditje më e fuqishme se tërmeti i parë?

Kjo ndodh shumë rrallë në të gjithë botën, ku vlerësohet se në ditët e para pas tërmetit, shanset për një goditje më të fortë janë 5-6 % të kohës, pra pothuajse minimale.

Tërmeti që goditi Shqipërinë ditën e shtunë u pasua nga 340 lëkundje sizmike me një trend dhe fuqi në zbritje.

Ora 15:48
Familjes në Ishëm i shkatërrohet banesa, kalon natën në një serë

1569160340_krevat.jpg

Banorët e një familjeje në Ishëm është kanë mbetur jashtë shtëpisë pas tërmetit që ka shkaktuar dëme të rënda në banesën e tyre. Mbrëmjen e djeshme ata kanë kaluar natën në një serë, ku kanë 'zhvendosur' edhe dhomën e tyre të gjumit.

Ora 15:47
Shembet faqja e murit në një pallat në Golem (VIDEO)

Një faqe muri e një pallati është shembur në Golem si pasojë e tërmetit me intensitet 7.5 ballë që goditi vendin ditën e djeshme. Për pasojë e gjithë zona para pallati është bllokuar duke pamundësuar kalimin për banorët.

Ora 15:45
90 banesa të dëmtuara nga tërmeti në Elbasan

1569158666_elbasana.jpg

Në qarkun e Elbasanit 90 banesa janë dëmtuar nga tërmeti i rëndë që tronditi vendin ditën e djeshme. Situata në këto banesa nuk paraqitet alarmante ndërkohë që sot në qytet vijon jeta normalisht.

Ora 15:40
A do përballemi me një tsunam? Sizmiologu shuan çdo dyshim

1569159812_rapoibrunes.jpg

Më e keqja ka kaluar. Në studion e Report Tv, sizmiologu Rrapo Ormeni, ka deklaruar se vendi nuk do të përballet me një tsunam, ndonëse ka pasur mbi 340 lëkundje nga dita e djeshme. Ai tha se për të pasur tsunam, duke të plotësohen disa kushte ku më kryesori është magnituta e lartë, mbi 7 ballë, gjë që në Shqipëri nuk ka ndodhur.

"Duhet të plotësohen disa kushte. Kur magnituta është shumë e madhe, mbi 7. Më pas madhësia e tsunamit, varet nga thellësia e valës, por nuk kemi të bëjmë me një tsunam", tha Ormeni.

Ora 15:32
Sizmiologu shpjegon 'parashikimin' e Metës për tërmetet: E keqinterpretoi

1569159105_ormi.jpg

Përballë gazetarit, sizmiologu Rrapo Ormeni është ndalur të komentojë edhe parashikimin e presidentit Ilir Meta pak muaj më parë. Ai ka deklaruar se kreu i shtetit është keqkuptuar sepse nuk kishim të bëjmë me një tërmet 30 ballë më të madh, por 30 herë më shumë energji. Është diçka teknike që vetëm teknicienët mund ta kuptoj,ë po nëse do të kishim një tërmet 30 më të madh pasojat mund të kishin qenë tragjike.

"Meta e ka keqkuptuar. Kemi të bëjmë me një tërmet 30 herë më shumë energji, jo 30 ballë më i madh", tha Ormeni në Report Tv.

Ora 15:17
'Ishim me fat'/ Ormeni: Pse pasojat mund të kishin qenë shumë herë më të mëdha

1569159093_ormeniibrunit.jpg

Thellësia e tërmetit ka qenë shumë e madhe, kjo ka bërë që tërmeti të mos ketë pasoja të mëdha. Sizmiologu Rrapo Ormeni në studion e Report Tv ka deklaruar se duke marrë parasysh përmasat e këtij tërmeti, shqiptarët duhet ta ndjejnë veten me fat për shkak se pasojat kanë qenë të vogla krahasuar me shkallën e tërmetit.

"Jemi me fat për këtë tërmet. Pasojat kanë qenë të vogla se thellësia e tërmetit ka qenë shumë e madhe", tha Ormeni.

Ora 15:09
Ormeni në Report Tv: Në 24 orë janë regjistruar mbi 340 lëkundje sizmike...dridhje do ketë, por rreziku kaloi (VIDEO)

I ftuar në studion e Report Tv, sizmiologu Rrapo Ormeni ka deklaruar se deri më tani janë regjistruar 340 lëkundje sizmike, nga ku 5 prej tyre kanë qenë më të forta. Ndonëse nuk parashikohen, Ormeni ka deklaruar një tërmet kaq i fortë pasohet me shumë pasgoditje, çka do të thotë se në orët në vijim mund të ketë sërish lëkundje tërmeti. Megjithatë ka theksuar se rreziku ka kaluar.

"Janë regjistruar mbi 340, 5 prej tyrë më të ndjeshme në Tiranë dhe Durrës. Aktiviteti sizmik ka vazhduar dhe do të vazhdojë, përderisa këto quhen pas goditje, se e gjitha energjia nuk çlirohet në goditjen e parë. Pas goditjes ndodhin në po këtë zonë. Energjia është magnituta, sa më e madhe është magnidutat, është edhe tërmeti, ndërsa intesiteti është ndjeshmëria. tek banorët banesa. Nuk ka pasur intesitet më  të madh se ka qenë shumë thellë. Nëse do ishte më i cekët atëherë do ishte ndjerë më shumë. Sa më shumë i largohemi qendrës, aq më e vogël është vala. Është ndjerë në të gjithë Shqipërisë", tha Ormeni.

 

Ora 14:14
Rreziku kaloi, shkenca siguron: Shanset për një tërmet të dytë janë fare të pakëta

Tërmeti i fortë që goditi Shqipërinë ditën e shtunë, u shoqërua nga disa pasgoditje që siç deklaruan sizmiologët në vend kanë ardhur duke u shuar.

Sizmiologët theksuan gjithashtu se rreziku kryesor ka kaluar dhe se nuk ka vend për frikë e panik.

Shumë qytetarë iu trembën idesë së një tërmeti të dytë të fuqishëm, por edhe për këtë, ka një siguri që vjen nga analizat shkencore.

Shkenca siguron se probabiliteti që një tërmet i fuqishëm të pasohet nga një tërmet tjetër i madh brenda tre ditësh, është shumë i vogël, diku te 6 %.

Kjo do të thotë, sipas Institutit Amerikan të Gjeoshkencës se ekziston në 94%, siguria se një tërmet i fuqishëm NUK është goditja e parë e lëkundjeve të tjera pasuese tronditëse.

Edhe në rastin e Shqipërisë, bazuar në vlerësimet shkencore, shanset që tërmeti me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter të pasohet brenda tre ditëve nga një tjetër lëkundje janë shumë të pakta, çka do të thotë se nuk ka vend për panik./LEXO.AL

Ora 13:50
Urdhëri i Ramës/ Përfundon vendosja e çadrave të ushtrisë në stadiumin e Durrësit (VIDEO)

Pas tërmetit të fuqishëm 5.8 ballë i shkallës Rihter, Durrësi është qyteti më i prekur nga dëmet, pasi aty ishte edhe epiqendra.

Pas urdhërit të kryeministrit të vendit Edi Rama,  mësohet se ka përfunduar vendosja e çadrave dhe shtretëve në stadiumin “Niko Dovana”.

Nëpër çadra do të vendosen banorët  më të prekur nga tërmeti.

Nga qyteti bregdetar raportohet se ka një sërë ndërtesash të dëmtuara, të cilat nuk janë më të banueshme.

Kreu i qeverisë u kërkoi grupeve të punës të takohen me njerëzit, t’i qetësojnë dhe të marrin shënim të gjitha dëmet që mund të kenë.

Ora 13:13
Shkëputet fasada në ballkonin e katit të fundit të një pallati te Drejtoria e Policisë (VIDEO)

Një pallat përballë Drejtorisë së Policisë në Tiranë ka paraqitur rrezikshmëri për kalimtarët. Në katin e fundit të këtij pallati është shkëputur fasada anësore e saj. Policia ka rrethuar zonën për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.  

Ora 12:35
Shkatërrohet plotësisht një shtëpi në Manëz, banorët e kalojnë natën në qiell të hapur (VIDEO)

Një banesë në zonën Manzës në Durrës ka mbetur tërësisht e dëmtuar duke u bërë e pabanueshme për personat që jetojnë aty. Familjarët kanë qenë në banesë në momentin kur ka rënë tërmeti. Dëme materiale kanë qenë të shumta por fatmirësisht pa dëme në njerëz. Pjesa më e madhe e banorëve në këtë zonë kanë fjetur në qiell të hapur.

Ora 12:23
Tërmeti shkund Shqipërinë/ Meta e kalon natën në Durrës

1568220749_ILIRMETA3E.jpg

Presidenti Ilir Meta ka qëndruar mbrëmjen e djeshme në Durrës ku ishte për tër vizituar qytetarët të cilët kaluan natën jashtë nga frika e lëkundjeve të tërmetit që kanë vijuar përgjatë gjithë natës.

Ora 11:22
Godina e Kuvendit preket nga tërmeti, pëson plasaritje në murin e jashtëm të saj (VIDEO)

Dëme nga tërmeti i djeshëm ka pësuar edhe Kuvendi i Shqipërisë. Report Tv sjell foto nga muri i jashtëm i godinës ku duket një plasaritje e lehtë.

Ora 11:11
Vijon paniku në Tiranë e Durrës, dy lëkundje të reja


Shqipëria nuk gjen qetësi nga tërmetet, pasi lëkundjet vijojnë. Dy lëkundje të tjera janë regjistruar në orën 09:05, 3.5 ballë dhe 09:09, 3.4 ballë sërish me epiqendër në Durrës.

Ora 11:08
Tërmeti dëmton dy pallate në Elbasan/ Banorët kalojnë natën jashtë: Kemi frikë se jemi me fëmijë të vegjël (VIDOE)

Dy pallate në Elbasan kanë pësuar dëme të rënda nga tërmeti i cili preku vendin ditën e djeshme. 15 banesa kanë pësuar dëmtime duke bërë që qytetarët të kalojnë natën jashtë. Në një prononcim për Report Tv banorët shprehen se tremben pasi kanë fëmijë të vegjël.

"Mbrëmë jemi tmerruar. Kemi pas edhe dëmtime. Por ka rënë prapë edhe në mesnatë. Kemi fjetur tërë natën përjashtë. Ka pasur shumë dëme te forta.

Sot është shumë keq. Kemi ndenjur tërë natën përjashta. Ka bërë dëme. Kemi fjetur jashtë se kemi frikë se kemi fëmijët e vegjël", thonë banorët.

Ora 11:06
Lokali zbrazet brenda një minute, klientët marrin para karriget dhe tavolinat (VIDEO)

Kjo video tregon se si një lokal është boshatisur në më pak se brenda një minute, pak pasi vendi u prek nga tërmeti.

Ora 10:42
Të gjithë nxituan të dalin jashtë në momentin e tërmetit, por këta tre persona (VIDEO)

Tërmeti ka sjellë momente paniku në të gjithë vendin. Shumë qytetarë kanë nxituar të dalin jashtë banesave për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm. Por nuk është ky rasti i tre djemve të cilët janë gjendur në një sallon për meshkuj. Njëri prej tyre është gjendur jashtë këtij ambienti në momentin kur është ndjerë lëkundja e parë. Ai është futur brenda me shpejtësi duke mbyllur edhe derën, por edhe duke mos i lejuar dy personat e tjerë të dalin jashtë.

Ora 10:28
Një ditë pas tërmetit, ARRSH Gjirokastër zbarkon në terren për inspektimin e urave

Nisur nga situata e krijuar nga tërmeti i ditës së djeshme ARRSH Gjirokastër ka nisur ditën e sotme një inspektim të urave nga Fieri e deri në Konispol. Gjatë inspektimit të deri tanishëm, në këto ura nuk janë evidentuar probleme strukturore.

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës ka urdhëruar verifikim të situatës në të gjithë rajonin.

"Të kontrollohen shkollat, urat, ujëmbledhësit. Nga informacionet e deri tanishme nuk ka raportime për dëme materiale apo objekte të dëmtuara. Jemi në monitorim të situatës", shprehet Golemi për Report Tv.

Ora 10:19
Të dëmtuarit nga tërmeti Rama i çon me pushime të detyruara në Durrës: Bëni edhe shëtitje buzë detit

Panikun më të madh nga lëkundjet e forta të tërmetit e kanë përjetuar qytetarët e Durrësit, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit dhe lëkundjeve të vazhdueshme. 185 banesa në Durrës janë dëmtuar duke lënë shumë prej qytetarëve në qiell të hapur, ndërsa 5 pallate kanë pësuar krisje. Kryeministri Edi Rama zhvendosi qeverinë, ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive në Durrës, ndërsa të zgjedhurit në Tiranë dhe Elbasan i la në zonat e tyre për të komunikuar po ashtu me qytetarët e prekur.

Kryeministri të prekurit nga tërmeti i çoi me pushime të detyruara në konvaleshenca, ndërsa kërkoi që të vendosen psikologë në dispozicion të familjeve që janë frikësuar nga lëkundjet e tërmetit. Ai i qetësoi duke thënë se cdo dëm do të evidentohet dhe dëmshpërblehet.  Kryeministri u kërkoi prefektëve që të bëjnë në mënyrë korrekte punën e tyre, në mënyrë që të mos kishte spekulime për punën nga spekulantë të ndryshëm, sikurse ka ndodhur herët e tjera.

Në qytetin e Durrësit janë mobilizuar edhe efektivët e Forcave të Armatosura duke montuar çadra me kapacitet 30 persona secila në stadiumin e Durrësit. Në një prononcim për Report Tv, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se deri më tani janë dëmtuar mbi 550 banesa, një raport ky paraprak, por ka vënë theksin nuk është e nevojshme ndërhyrja nga shtetet mike pasi qeveria ka pasur një fond emergjencash për situata më kritike se kjo e tërmetit që "tronditi" Shqipërinë, vetëm një ditë më parë.

 

 

Ora 09:54
Plasaritje dhe rënie suvaje, 38 banesa të dëmtuara në Lezhë


Në qarkun e Lezhës janë 38 banesa kryesisht të vjetra që kanë pësuar dëmtime të lehta, ka plasaritje muresh apo edhe rënie të suvasë. Grupet e punës në të tre bashkitë e qarkut të Lezhë Mirditë dhe Kurbin ndodhen në terren për të verifikuar nga afër situatën.

Ora 09:52
Bashkia e Tiranës ngre një pikë ndihmash për të prekurit nga tërmeti, Veliaj-qytetarëve: Sillni rroba dhe ushqime

Qytetarët e Tiranës mund të japin kontributin e tyre për të gjithë të prekurit nga tërmetet. Pranë Bashkisë së Tiranës në qendër është ngritur edhe një pikë ndihmash për të prekurit, ku çdokush mund të japë rroba apo ushqime. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u bën thirrje të gjithë qytetarëve që në këto momente të tregohen solidarë dhe të kontribuojnë me ndihma për të prekurit. “Tek Bashkia Tiranë kemi vendosur një pike ndihmash për të prekurit - të lutem sill rroba & ushqime kur të dalësh #TiranaStrong”, shkruan Veliaj. 

Ora 09:51
Drejtori i Zjarrfikëses për Report Tv: Kombinati, zona më problematike nga tërmeti

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se zona më problematike ka qenë Kombinati, pasi janë dëmtuar disa nga shtëpitë e ndërtuara para viteve '90.

"Në kemi qenë pothuajse gjithë natën në terren pranë qytetarëve, sidomos në zonat periferike. Kemi ndërhyrë në shmangien e rrëzimit të tjegullave. Në zonat urbane kemi pasur probleme me bllokimin e ashensorëve. Qytetarët dolën duke lënë çelësat brenda.

Sot telefonatat janë të pakta. Zona më problematike ka qenë në Kombinat, pasi ka ndërtesa para viteve '90 dhe shumë janë dëmtuar, kemi pasur edhe rrëzim të tjegullave. Zonat më të prekura janë ato periferike" tha ai.

Ora 09:37
Zv/ ministri i Mbrojtjes për Report Tv: Jemi në emergjencë nga tërmeti

Zv/ ministri i Mbrojtjes Petro Koçi në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se jemi në gjendje emergjence nga tërmeti, teksa lëkundjet vijojnë. Ai tha se institucionet janë në gatishmëri të plotë.

"Faleminderit që informoni vazhdimisht për situatën. Për momentin jemi në një situatë emergjence, e rëndësishme është të mos ketë humbje jetësh njerëzore dhe të menaxhohet me një infrastrukturë që të garantojë strehim për ata që banesat u janë bërë të pa banueshme. Kemi reaguar para se të vinte informacioni që të maste amplitudat e tërmeteve, pasi ishte ndjesia njerëzore që  ishte tërmet i lartë. Kemi vendosur qendrën e bashkuar operacionale dhe shërbimin për marrjen e informacionit për pasojat e tërmetit dhe pastaj me zhvillimet e mëtejshme.

Është normale që njerëzit të mos e kalojnë natën në banesat e tyre jo vetëm për frikë, por edhe siguri. Nëse ka dyshime për sigurinë e banesës është ë këshillueshme që të mos kalohet nata aty. Strukturat më të lehta, duke filluar nga çadra janë më të sigurta. Zonat sa më afër epiqendrës së tërmetit janë më të rrezikuara, zona e Durrës dhe Tiranës, Tiranës si prefekturë, janë më të prekura. Në fillim të trajtohen rastet e emergjencës dhe ata që janë lënduar, ndoshta jo drejtpërdrejt nga tërmeti, por nga çoroditja.

Për shkak të gjeografisë së pasojave duhet angazhim më i madh, nuk është zonë e kufizuar si tërmeti i Korçës. Duhet shumë struktura dhe njerëz të angazhuar, nuk janë vetëm FA dhe Emergjencat Civile, që do të kthehet në atë që do të quhet Mbrojtja Civile. Kjo është një platformë, strategji që kërkon angazhim gjithëpërfshirës. Përvec FA është ministria e Brendshme që lidhet me pushtetin vendor" tha ai.

Ora 09:17
Tërmeti, 7 lëkundjet që tundën Shqipërinë nga mesnata në mëngjes


Nga mesnata deri mëngjesin e sotëm janë shënuar shtatë lëkundje pas tërmetit të djeshëm 7.5 ballë. Lëkundja e fundit ishte në orën 08:25:35 me magnitudë 3.2 ballë. Të gjitha lëkundjet kanë qenë me epiqendër në detin Adriatik dhe në Durrës.

Shtatë lëkundjet nga mesnata
Në orën 02:18 2.6 ballë
Në orën 02:28 4.4 ballë
Në orën 02:48 3.5 ballë
Në orën 03:28 3.1 ballë
Në orën 04:20 3.2 ballë
Në orën 07:19 2.5 ballë
Në orën 08:25 3.2 ballë

Ora 08:53
U dëmtuan nga tërmeti/ 10 qytetarë vazhdojnë trajtimin mjekësor në spital

10 qytetarë që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti janë në observim mjekësor në QSUT dhe në spitalin e Durrësit. Deri më tani në këto spitale kanë marrë trajtim mjekësor 105 qytetarë, kryesisht me dëmtim të shkaktuara nga rrëzimi për shkak se kanë tentuar të largohen me shpejtësi për të shpëtuar.

Pjesa më e madhe e tyre kanë lënë spitalet. Aktualisht tek Trauma po marrin trajtim mjekësor 7 qytetarë, ndërsa në spitalin e Durrësit 3 qytetarë.

Ministria e Shëndetësisë njofton se spitalet janë në gatishmëri të plotë, me staf të shtuar mjekësor, duke vënë në zbatim edhe planin e gatishmërisë për rastet e emergjencave.

Ora 08:23
Frika nga tërmeti, rreth 500 banorë kalojnë natën në çadra: Ishin momente të tmerrshme, nuk duam të kthehemi në shtëpi (VIDEO)

Rreth 563 banesa janë dëmtuar dhe 28 pallate kanë pësuar plasaritje është ky bilanci i tërmetit të fuqishëm që goditi vendin tonë pasditen e së shtunës. Të frikësuar për një përsëritje të kësaj situate banorët kanë zgjedhur të mos e kalojnë natën në banesat e tyre por ti drejtohen çadrave e ngritura nga shtabi i emergjencës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. 

Report TV bëri një vëzhgim në disa prej çadrave të emergjencës ku janë strehuar rreth 500 banorë të Tiranës .

Për Report TV qytetarët shprehen se vijojnë të mbeten të tronditur nga lëkundjet e fuqishme që shoqëruan vendin gjatë të shtunës teksa shprehen të frikësuar për të kthyer në banesat e tyre.

 “Jam 46 vjeçe nuk e mbaj mend ndonjëherë këtë lloj tërmeti. unë banoj tek pallati i bardhë i kohës së enverit në katin e tretë dhe të futesh në dhomën e ndenjes në maj kam bërë punime të reja, muri është i çarë muk di. Nuk mund të rrija brenda në shtëpi. ankth nuk mbushem dot me frymë . Eh jemi të kënaqur me këto pak që kanë bërë këto por në shtëpi nuk mund të shkojmë sonte.

Ishin vërtetë shumë të tmerrshme sinqerisht kemi pataksur, kemi uluritur me të madhe dhe kemi dalë nga shtëpia. Materiale mund të them jo po pak krisje në tavan kemi.

Shumë keq ska më keq. Qëllova në shtëpi atë moment dhe po gatuaja. Edhe bombula më ka ra megjithë tenxheren e gjellës më ra përtokë. S'jemi të zotët me ik në shpi me flejt gjumë si njerzit.m'ka nda dyert mi ka plasarit komplet anësoret”, shprehen qytetarët.

Për drejtorin e Zjarrfiksëve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj situate e vështirë tashmë ka kaluar dhe të gjithë institucionet vendore janë të angazhuar për të qenë në shërbim të qytetarëve.

 “Në këto orë të vona , po kujdesemi që gjithë qytetarët që kanë nevojë për strehim , për ushqim për sistemim në qendrat e evakuimit strehimit të gjejnë rehatinë e tyre. Këtu jemi siç e shihni dhe vetë në momentin e montimit të çadrave ndërsa në zona të tjera qytetarët janë strehuar dhe në qendra sociale gjithashtu dhe në palestart e shkollave. Gjendja paraqitet normale pothuajse të gjithë qytetarët që kanë pas nevojë për ndihmë kanë gjetur gatishmërinë e gjithë shërbimeve. Ne kemi bërë dhe një takim në prefekturën e qarkut me gjithë drejtorat e qarkut të tiranës ku janë përcaktuar dhe detyrat ku është ndërtuar dhe kordinimi i veprimeve dhe mendojmë që gjendja është optimale”, shprehet Goxhaj.

Ndërkohë një pjesë tjetër e qytetarëve kanë zgjedhur automjetet e tyre për të kaluar natën rrugëve të kryeqytetit./ Përgatiti Merin Maçi

Ora 08:20
Çfarë la pas tërmeti i djeshëm/ Rama: Vijon puna pa ndërprerje për t’iu gjendur pranë qytetarëve (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto me dëmet e shkaktuara nga tërmeti në vend. Rama njofton se vijon për ndërprerje puna për t'u gjendur pranë qytetarëve të prekur nga tërmetet dhe për të lehtësuar dëmet e shkaktuara.

"Mirëmëngjes dhe me këto pamje të punës që vijon pa ndërprerje për t’iu gjendur pranë qytetarëve të prekur nga tërmetet e djeshme dhe për të lehtësuar pasojat e dëmet e shkaktuara, ju uroj një të dielë të qetë", shkruan Rama.

Ora 08:18
Qytetari për Report Tv: Kemi fjetur jashtë, na janë shembur banesat

1569097688_shtepitirane.jpg

Një qytetar ka treguar për eminisionin e mëngjesit 'Shtypi i ditës dhe Ju' në Report Tv se në Manëz kanë fjetur jashtë për shkak se banesat e tyre kanë pësuar dëme.

"Në Manëz kemi fjetur jashtë, janë shembur shtëpitë", u shpreh qytetari.

Ndërkohë që një tjetër është shprehur se banorët duhet të dëmshpërblehen, pasi ndërtimet janë bërë jashtë standarteve.

"Duhet të dëmshpërblehet banorët. Inxhinierët të tregojnë se ku i kanë marrë diplomat dhe shkollat. Pa pikë përgjegjësie. Në '79 i gjithë populli shqiptar u gjend në Shkodër. Kishim dashuri për njëri-tjetrin. Tani njerëzit bëjnë sehir.  Shqiptarët që kanë mundësi duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin", përfundoi ai.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Termeti: 23/09/2019 02:12

    Kapini keta zagare futini nga nje dru dhe kalbini ne burg atyre qe luajne me fatkeqesite e popullit.

    Përgjigju
  • Rrangall salheu: 22/09/2019 16:46

    Po pse mor Z O T njk ra tërmeti te banesa e qenit kriminelit salhe e ta kishte zhduk ktë bajg lope.

    Përgjigju
  • www.youngtribune.com: 22/09/2019 11:19

    Tani eshte koha qe te gjithe politikanet me leket qe I kan zhvatur popullit te kontribojne per demet ose populli ti shkoje ke dera e shtepise dhe mos ti lej te dalin nga shtepite

    Përgjigju
  • Sportisti: 22/09/2019 09:39

    Ti gezoni pallatet 20-30 katëshe, hajde jeto brenda shtëpisë tënde tani. 2000-3000 euro metri katror, keqardhje por popull i ceket!

    Përgjigju
  • sapa: 22/09/2019 08:31

    Shqiptaret dashuri per njeri tjetrin?ato po e vjedhin njeri tjetrin prej 29 vjetesh pa pushim o idjot dhe ti kerkon dashuri!nuk e dime qe ndoshta nje force e padukshme do ti shkaterroje te poshtrit qe jane me qindra e mijera ne kete menyre!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia