Si opozita humbi 5 mandate dhe 'fitorja' e Lulit

Si opozita humbi 5 mandate dhe 'fitorja' e Lulit

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Zgjedhjet e vitit 2021 tashmë kanë prodhuar një rezultat electoral, i cili i ka dhënë 74 mandate Edi Ramës, 59 mandate Partisë Demokratike dhe koalicionit të Lulzim Bashës, 4 mandate LSI të çiftit Meta-Kryemadhit dhe tre mandate Tom Doshit.

Një fitore që Rama e quan plebishitare, ku ai ruan trendin e tij të votave, një rritje për PD nga 2017, por ka më pak vota se në 2013-ën. Një rënie me gati 140% e LSI, por fakti është fakt, zgjedhjet kanë një fitues.

Palët kanë filluar lojën e tyre, demokratët nuk njohin zgjedhjet, kontestojnë me argumenta dhe pa argumenta, kryesisht me teori, socialistët kanë shtrirë dorën, LSI duket më e tërhequr, pasi kanë dhe stresin e Presidentit, që po shkarkohet.

Por, le të bëjmë një analizë të shifrave, pra post faktum, se kush është përgjegjës i kësaj humbje të Opozitës dhe le ta shohim me sy pozitiv Lulzim Bashën.

Le të mos themi që Lulzim Basha është humbësi, por le të shikojmë faktorët që kanë sjellë këtë “fitore” dhe të gjejmë kush është armiku i vërtetë i opozitës.

“Fitorja e Bashës”

Do të marrim të mirëqenë disa fakte, që Lulzim Basha bëri një fushatë shumë të mirë, e ngriti avionin e tij elektoral, për një periudhë të gjatë kohe.

Taktikisht luajti bukur. Nga ana tjetër lista e kandidatëve të PD e pamjaftueshme, jo e pritshme, ndoshta gabim i tetë muajve më parë kur trupa elektorale e demokratëve u përball me një përplasje me kandidatët për deputetë me shpresën se do i nxirrnin ata deputetë.

Nuk ndodhi kështu e sërish lista ishte e deformuar. Kjo është një përgjegjësi direkte e kryetarit Basha, por le të shohim edhe këtë me sy pozitiv e të pranojmë që ishte një listë e mirë.

Post faktum do të shohim shifrat. Shifrat flasin vetë dhe janë kokëforta.

Opozita e ndarë

Gara e 25 prillit prodhoi gjithsej për opozitën 63 mandate, 59 PD, dhe katër LSI. Në fakt në një analizë shifrash lexojmë se PD në rang kombëtar ka prodhuar 622 mijë vota dhe LSI 107 mijë vota kundrejt 768 mijë votave të PS.

PD ka prodhuar 59 mandate, PS 74 dhe më e goditura në diferencë, pra 1 mandat me numër më të madh të votave e ka LSI ku një mandat i saj shkon gati 26 mijë vota kurse demokratët e socialistët thuajse e kanë të barabartë me rreth 10 mijë vota një mandat.

Çfarë lexon duke bërë analizën e qarqeve?!

Në rast se PS dhe LSI do të dilnin së bashku, Edi Rama do të kishte lënë në tavolinë me një llogari të thjeshtë në disa qarqe, katër deri në pesë mandate, mund të shkonte edhe më shumë.

Pse e përdorim fjalën “mund”?

Sepse, ka disa qarqe të cilat janë me shifra tek dhe mjafton një votë më shumë dhe del fitues, siç është qarku i Korçës ku PD dhe LSI, bashkë janë shumë afër marrjes së mandatit ndaj PS dhe do e analizojmë më poshtë edhe fenomenin e qarkut të Korçës.

Duke sjellë si shembull zona me mandate tek do të mjaftonte një votë më shumë, për të marrë një mandat më shumë, kurse qarqet çift edhe po të kesh 3 mijë apo 5 mijë vota më shumë nuk e prodhon dot mandatin diferencë, pasi diferenca që prodhohet është dy, siç është rasti i Durrësit.

Por, këtu mund të kishte një barazim. Një faktor i rëndësishëm është edhe “dallga” elektorale.

Duke parë rezultatin zyrtar del se duke qenë të ndarë në dy koalicione opozitare janë humbur një numër i madh mandatesh që mund të bënte diferencën që do ta çonte në tavolinë, me një mbledhje aritmetike dhe me pak punë, Edi Ramën diku tek 69 deri në 70 mandate.

Opozita do të ishte shumë më tepër në rast se do të kishte edhe një frymë të bashkimit.

KOALICION MË I MADH

Një koalicion më i madh do të prodhonte më shumë mandate. Lulzim Basha, pra PD dhe LSI do të fitonin mandat shtesë në Berat, mandate shtesë të sigurtë në Gjirokastër, mandat shtesë të sigurt në Durrës, një mandat gati të sigurtë në Vlorë dhe ndoshta edhe në Korçë.

Pra, PS do të linte rrugës 4 deri në 5 mandate, kjo me një mbledhje aritmetike pa futur këtu disa fenomene të tjera elektorale.

Së pari një fenomen do të ishte fryma që do të krijohej, në rast se Lulzim Basha do të siguronte një nga partitë e tre ‘rebelëve’ që kishte pasur brenda saj, të Bindjes së Patozit, Lëvizjes për Ndryshim të Topallit apo të Myslim Murrizit, apo duke futur brenda edhe Nismën Thurrje. Ose të gjitha bashkë.

Kjo ka qenë e mundshme. Pse themi e mundshme?

Sepse Sali Berisha mori Arben Imamin që e quante dikur njeriun e hipur mbi tank, apo Neritan Cekën, ‘armiqtë’ e tij të përbetuar dhe i futi i bëri deputetë e ministra, gjeti marrveshjen politike.

U dha poste i futi në koalicion, i futi tek KOP-i apo gjeti hapësira të tjera për këdo. Ndërsa Lulzim Basha këtë nuk e bëri.

PD ka humbur rrugës në rang kombëtar, vetëm nga fryma opozitare e krijuar nga partitë e tjera gati 20 mijë vota vetëm nga Patozi, Topalli, Murrizi.

Të tre bashkë ata kanë numër të përafërt votash në gjithë Shqipërinë, sa për dy mandate deputetësh. Me gjithë Nismën Thurje shkon në 30 mijë.

E nëse këto do të ishin brenda, në qarkun e Korçës përshembull do të prodhonin bashkë me PD dhe LSI një mandat.

Të tre bashkë, pra tre partitë opozitare të Patozit, Topallit, Murrizit dhe Nisma Thurrje duke u bërë katër, kanë marrë gati 30 mijë vota në gjithë Shqipërinë aq sa ka marrë Tom Doshi, të shpërndara kuptohet jo në dy njësi siç i mori Tom Doshi në Shkodër apo në Tiranë.

Janë 30 mijë vota që janë gati 3 mandate që do i shtoheshin shumës së votave të opozitës.

Le të shohim sipas qarqeve!

Në Korçë Partia Demokratike ka një diferencë rreth 10 mijë vota me PS, por nëqoftëse PD do të ishte së bashku me LSI dhe do të kishte brenda Bindjen Demokratike dhe Partinë e Murrizit ose Nismën Thurje, rezultati do të shkonte 6 me 5, kjo edhe për një arsye tjetër.

Fryma që do të krijohej nga një koalicion i gjerë opozitar, pa asnjë diskutim nuk do të ishte i njëjti që ishte në zgjedhjet e kaluara.

Por, duhet te kemi parasysh edhe faktin, se ata që mendojnë se LSI do të pakësohej duhet të dinë një detaj.

LEXO EDHE:  Grida Duma, “lulja e vyshkur” nga skandalet/ Pyetjet pa përgjigje nga vrasja e Santos tek sms-të me Salianjin

Nuk mund të pakësohej LSI më shumë sesa kaq, nga 240 mijë në 100 mijë vota në rang kombëtar, të cilat i prodhuan vetëm 4 mandate.

Çdo mbetje e LSI, çdo 3 mijë, 5 mijë apo 6 mijë vota të marra, diku edhe 8 mijë pa prodhuar mandate, diku edhe 9 mijë pa prodhuar mandate, nëse do të ishte brenda koalicionit opozitar me përgjysminin e asaj shifre do të prodhonte mandate.

Kjo është e sigurtë në Berat, Durrës, Tiranë, pra fryma dhe bashkimi i votave në Korçë do të prodhonte një mandat për opozitën që mund ta çonte rezultatin 6 me 5 për opozitën.

Në Berat një mandat do të ishte i sigurt. Ka ngelur për shumë pak vota mandati për opozitën në Berat. Në Gjirokastër gjithashtu, nëqofte se opozita do të ishte bashkë do të mjaftonte PD-LSI për të prodhuar një mandat shtesë.

Pra Korçë, Berat dhe Gjirokastër, Edi Rama do të shkonte 71 mandate.

Në Shkodër, nëqofttë se do të ishte opozita e bashkuar do të kishte më shumë mandate, kjo për një arsye shumë të thjeshtë.

Partia Demokratike dhe LSI mund të shkonin të bashkuara në gati 60 mijë vota. Rreth 57 mijë janë të dyja bashkë. Nëqoftë se do të futnim dhe gati 2 mijë e 500 votat e Topallit dhe të partisë së Patozit rezulton që në Shkodër diferenca do të ishte mbi 30 mijë vota.

Një 7 me 4 e pastër në tavolinë dhe PSD do të kishte 1 mandat, PS tre mandate.

Më tej, po të shohim një qark tjetër, Durrësin diferenca e PS me PD është gati 23 mijë vota, por së bashku, koalicioni opozitar do të kishte një diferencë shumë më të vogël.

Nga 63 mijë vota që kanë sot demokratët që bashku me LSI, Bindjen, partinë e Murrizit dhe Topallin do të rriteshin me rreth 11 mijë vota.

Ç’ka do të thotë nga 63 mijë do të shkonte diku te 74 mijë. Pra, diferenca prej rreth 13 mijë votash mes PS dhe PD nuk të ishte më shumë sesa 2 apo 3 mijë vota, qoftë edhe 4 mijë.

Durrësi do ishte barazim në tavolinë. Ky bashkim fuqish elektorale, por edhe një fryme tjetër që do të vinte nëse Basha ose opozita do të kishte krijuar një koalicion të gjerë do të sillte një mandat shtesë edhe në Durrës.

Me një llogari të thjeshtë të bërë nga ne rezulton që Gjirokastra, Berati, Durrësi,Shkodra dhe Korça, këto pesë qarqe mund të prodhonin një mandat për opozitën.

Por, një fenomen tjetër elektoral është edhe Vlora që është qarku i gjashtë që ne po sjellim në vëmendje ku PD ka një rritje me gati 50% nga 2017. Ka rreth 32 mijë vota, socialistët kanë 59 mijë dhe rezultati është 8 me 4.

LSI nuk ka marrë asnjë mandat me 6200 vota, por Bindja Demokratike ka gati 1700 vota, gati 1000 vota ka Lëvizja për Ndryshime zonjës Topalli.

Të dyja bashkë prodhojnë rreth 2700 vota të cilat bashkuar PD e çojnë atë në rreth 36 mijë. Duke shtuar edhe votat e LSI shkojnë rreth 42 mijë vota.

Me një frymë normale nëqoftë se do të kishim këtë trend të votave të opozitës së bashkuar, pra rreth 42 mijë vota në qarkun e Vlorës do të ishte një rezultat 7 me 5 në tavolinë.

Pra qarku i gjashtë që mund të prodhonte mandat për opozitën e bashkuar pas Gjirokastrës, Beratit, Durrësit, Korçës dhe Shkodrës do të ishte Vlora.

Me këtë përllogaritje del se opozita do të kishte një rritje, me të paktën 4 deri në 6 mandate dhe sot kanë rreth rreth 63 mandate, me 4 deri ne 6 mandate do të shkonin minimalisht nga 67 në 69 mandate.

Çfarë do ishte ndryshe?!

Do të kishim një Opozitë tjetër në parlament, një qeveri më të brishtë, një PS e cila mund të ishte 68 apo 69 mandate dhe do i duhej me çdo kusht Tom Doshi për të bërë Qeveri me dy mandate të tij, një në Shkodër dhe një në Tiranë.

Pa Tom Doshin, Edi Rama nuk do e bënte dot qeverinë dhe ky do të ishte fakt. Sjellja dhe qasja e Edi Ramës do të ishte tjetër ose ndoshta kjo që është sot që i ka shtrirë dorën opozitës pasi ka lexuar thellë e thellë rezultatet dhe di faktin elektoral që opozita ka lënë mandate rrugës, sepse ka dale e ndarë dhe përçarë.

Goli i Bashës

Lulzim Basha ka gjuajtur jashtë, ka humbur edhe penalltitë, sepse nuk mundi të krijonte dot një koalicion të gjerë, duke mos mbledhur në partinë e tij kritikët, ndërkohë që Berisha në 2005 i mblodhi ata që quante “armiq”, dhe duke mosdalë në koalicion të përbashkët edhe me LSI, çka do të krijonte edhe një front opozitar, një frymë tjetër dhe do të sillte një rezultat që mund të rrezikonte Edi Ramën seriozisht.

Do ta çonte atë në rreth 68 deri ne 69 mandate duke detyruar me çdo kusht të bënte koalicion me Tom Doshin ose mund të kishim prodhuar një rezultat gati si ai i 2009, 70 me 70. Sot mund të ishim me një tjetër fenomen politik ku palët do të kishin një qasje tjetër.

Ky është fakti!

Një fenomen tjetër elektoral do të kishim në këto zgjedhje me bashkim të madh, atëherë do të krijohej ai uragani i vërtetë, ku mali i votave do të ishte më i madh se çdo manipulim apo votë e pavlefshme, sepse fryma e krijuar dhe shtysa opozitare, forca e saj do të ishte kaq e madhe, sa askush nuk do të mund ta ndalte.

Sot jemi para faktit, opozita i ka humbur zgjedhjet.

Lulzim Basha i ka humbur zgjedhjet, nuk ka mundur të prodhojë më shumë mandate, ka rreth 30 mijë vota të lëna rrugëve, nga tre katër parti të vogla me frymë opozitare, ka rreth 100 mijë vota të LSI të cilat i kanë prodhuar vetëm 4 mandate ndërsa vetë është në maksimumin e tij të pritshëm dhe ndoshta do të kërkojë më tepër për faktin se vinte pas tetë vitesh opozitë.

Me çdo lloj syri pozitiv, edhe sikur t’i japësh çdo vlerë Lulzim Bashës, humbësi final i saj është ai vetë, për shkak të zgjedhjeve të gabuara dhe taktikës që përdori në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 Prillit. “Fitorja” e vetme e Lulzim Bashës është humbja e tij.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 13/05/2021 14:38

    Basha humbi se nuk llogariti ket temin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri