Si ta mbroni mëlçinë nga Hepatiti B

Si ta mbroni mëlçinë nga Hepatiti B
Hepatiti B është një infeksion i rrezikshëm për mëlçinë, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B. dhe që mund të shkaktojë sëmundje akute dhe kronike. Hepatiti B është një problem madhor global shëndetësor. Ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuajse gjithmonë fatal, dhe shpesh zhvillohet te persona në moshën më produktive.

Transmetimi
Virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina. Transmetimi nga nëna tek fëmija

Në zonat me përhapje të gjerë të hepatitit B, zakonisht ai përhapet nga nëna tek fëmija gjatë lindjes, ose gjatë ekspozimit ndaj gjakut të infektuar, kryesisht deri në 5 vitet e para të jetës. Testimi i nënës përpara dhe në fillim të shtatzënisë do të pakësonte këtë transmetimin nëpërmjet kësaj rruge. Virusi i hepatitit B transmetohet edhe nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar apo me lëngje të tjera të trupit (si lëngjet vaginale, menstruale, sperma) të një personi të infektuar gjatë kontaktit seksual të pambrojtur ose gjatë injeksioneve e transfuzioneve të pasigurta. Transmetimi nëpërmjet kontaktit seksual të pa mbrojtur është një nga rrugët e zakonshme të transmetimit të hepatitit B.

Shenjat
Periudha e inkubacionit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të variojë nga 1 deri 6 muaj. Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit. Megjithatë, disa njerëz shfaqin shenja që zgjasin disa javë si: zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përzjera, të vjella dhe dhimbje barku. Një pjesë e personave me hepatit mund të zhvillojnë dëmtim akut të mëlçisë që mund të çojë në vdekje.

Në disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Më shumë se 90% e të rriturve të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit B por që nuk kanë komplikacione, do të shërohen natyrshëm nga virusi brenda vitit të parë.

Kush është në rrezik?
Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. Fëmijët më të vegjël se 6 vjeç të cilët infektohen me virusin e hepatitit B kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike: 80-90% e foshnjave të infektuara gjatë vitit të parë të jetës dhe 30-50% e fëmijëve të infektuar para moshës 6 vjeç zhvillojnë infeksion kronik. Ndërsa më pak se 5% e të rriturve që janë të infektuar do të zhvillojnë infeksion kronik; rreth 20-30% e të rriturve që janë të infektuar kronik do të zhvillojnë cirrozë dhe/ose kancer të mëlçisë.

Diagnoza
Nga shenjat klinike nuk mund të diferencohet hepatiti B nga hepatiti i shkaktuar nga agjentë të tjerë viral; kështu konfirmimi laboratorik i diagnozës është thelbësor. Një numër testesh gjaku janë në dispozicion për të diagnostikuar njerëzit me hepatit B. Ato mund të përdoren edhe për të dalluar infeksionet akute dhe kronike. Diagnoza laboratorike e infeksionit të hepatitit B fokusohet në zbulimin e antigjenit të virusit të hepatitit B-HBsAg.

Vazhdimësia e HBsAg për të paktën 6 muaj është shënues kryesor i rrezikut për zhvillimin më vonë të sëmundjeve kronike, cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Në Shqipëri testimi për hepatitin B dhe C mund të kryhet në çdo laborator mikrobiologjik/ imunologjik në sektorin publik, siç janë laboratoret mikrobiologjike pranë Drejtorive të Shëndetit Publik në rrethe, spitale, qendra të këshillimit e testimit vullnetar, si dhe në laboratore apo klinika private. Çdo person që rezulton pozitiv, megjithëse mund të mos ketë shenja klinike, duhet të ndiqet nga mjeku specialist përkatës, i cili sugjeron kryerjen e testeve të mëtejshme.

Trajtimi
Nuk ka trajtim specifik për hepatitin akut B. Hepatiti kronik B mund të trajtohet me medikamente, duke përfshirë preparate antivirale nga goja. Trajtimi mund të ngadalësojë progresin e cirrozës së mëlçisë, redukton incidencën e kancerit të mëlçisë dhe përmirëson mbijetesën afatgjatë. Megjithëse në shumicën e njerëzve trajtimi nuk shëron infeksionin e hepatitit B, por vetëm  pengon shtimin e virusit, shumica e njerëzve që fillojnë trajtimin e hepatitit B duhet ta vazhdojnë atë gjithë jetën.

Parandalimi
Një vaksinë kundër hepatitit B është në dispozicion që nga viti 1982, duke parandaluar infeksionin dhe pasojat kronike të tij. Vaksina është 95% e efektshme në parandalimin e infeksionit dhe pasojave kronike të tij. Vaksina e hepatitit B është shtylla e parandalimit të  hepatitit B. OBSH-ja rekomandon që gjithë fëmijët pas lindjes të marrin vaksinën e hepatitit B, mundësisht brenda 24 orëve. Kjo dozë duhet të pasohet nga 2-3 doza të tjera për të përfunduar gjithë skemën e vaksinimit.

Në Shqipëri
Në Shqipëri, fëmijët që kanë lindur në prill të vitit 1994 dhe në vazhdim janë të vaksinuar kundër hepatitit B, si pjesë e kalendarit bazë të vaksinimit. Në kalendarin kombëtar të vaksinimit fëmija i sapolindur merr një dozë vaksinë, dhe më pas fëmija vaksinohet në moshat 2, 4 dhe 6 muaj. Vaksina e hepatitit B nuk kërkon rivaksinime. Kompletimi i plotë i skemës së vaksinimit shkakton nivele mbrojtëse në më shumë se 95% të foshnjave, fëmijëve dhe të rriturve.

Mbrojtja zgjat të paktën 20 vjet dhe ndoshta gjatë gjithë jetës. Kjo është arsyeja që OBSH-ja nuk rekomandon vaksinimin përforcues për njerëzit që kanë përfunduar skemën bazë të vaksinimit me vaksinën kundër hepatitit B. Të gjithë fëmijët dhe adoleshentët më të rinj se 18 vjeç duhet të vaksinohen. Njerëzit të cilët shpesh kanë nevojë për gjak apo produkte të tij, pacientët që bëjnë dializë, si dhe marrësit e transplatimit të organeve. OBSH-ja rekomandon që gjaku i dhuruar të testohet për hepatit B, për të shmangur transmetimin te njerëzit që marrin produkte gjaku.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)     

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Duan të zhdukun “opozitën” apo duan të zhdukin antishqiptarët?

Duan të zhdukun “opozitën” apo duan të zhdukin antishqiptarët?