Përgjimet nga burgu në burg Rexhepi-Prenga: Më ktheni kokainën, jam më i dëmtuari! Me një rrëmbyes nuk fola dot 's'i ka dalë akoma malli'

Zbardhen përgjime të reja nga biseda telefonike, që tregojnë negociatat e dy vëllezërve Ndrek dhe Astrit Prenga, për kthimin e sasisë së drogës prej 260 kg kokainë që kishin vjedhur në Angli dhe lirimin e vëllait të tyre Jan Prenga, që ishte rrëmbyer në 17 janar 2020.

Telefoni i bashkëshortes dhe babait të Jan Prengës, Ndocit ka qenë në përgjim për disa ditë me radhë. Nëpërmjet këtyre dy numrave në Shqipëri, tre vëllezërit që ndodheshin në Angli, Astriti, Artani dhe Ndrek Prenga që ishte i izoluar në burg, mbanin kontakte minutë pas minute, duke i informuar se deri në çfarë faze kishin shkuar negociatatat me trafikantët e kokainës që kishin marrë peng vëllain e tyre Jan Prenga.

Prokuroria dhe policia e Tiranës nga telefonatat e përgjuara, nuk po arrinin të mësonin nëse pengu ishte vrarë ose jo, dhe as të identifikonin me saktësi preçize, vendin se ku mbahej peng Jan Prenga.

Të vënë në dijeni së nga një burg në Angli, njëri nga vëllezërit Prenga, Ndreka, komunikonte me trafikantët e kokainës dhe më pas me familjarët e tij në Shqipëri dhe në Angli, pala shqiptare ka kërkuar bashkëpunimin me autoritet e policisë angleze, të cilat kanë vënë në përgjim telefonin e Ndrek Prengës.

“Shqiptarja.com” mëson se tashmë ky telefon është sekuestruar nga policia angleze, pas një kontrolli që është kryer në qelinë e Ndrek Prengës. Telefoni është kërkuar të administrohet në dosjen e prokurorisë shqiptare, dhe për këtë në drejtim të Anglisë pak kohë më parë u dërgua një letërporosi, me qëllim dërgimin e aparatit celular të Ndrek Prengës në Shqipëri dhe marrja e vetë Ndrekës në pyetje.

Nga përgjimet e kryera në telefon rezulton se Ndreka dhe Astriti kanë pasur dhjetëra telefonata me Gentian Doçaj nga Shkodra dhe Dritan Rexhepin nga Vlora, i cili ndodhet në burg në Ekuador për trafik kokaine. Në një bisedë të përgjuar, Dritan Rexhepi i thotë Ndrekës se: Më ktheni mallin tim, pasi në këtë rast unë jam më i dëmtuari. Kam pjesën më të madhe dhe më keni dëmtuar shumë”. Por në biseda e sipër, mësohet se Ndreka i ka pohuar Dritan Rexhepit se: "Nuk dimë çfarë të bëjmë dhe kë të besojmë, se kujt t'ia japim mallin. Pasi të njëjtën gjë kërkon dhe Gentian Doçi”. Por sërish mësohet se Dritan Rexhepi ia ka kthyer se: “Më ktheni pjesën time, pasi unë jam më i dëmtuari në këtë rast”.

Këto biseda të përgjuara të lenë të kuptosh se sasia prej 260 kg që kishte nxjerrë nga porti i Portsmuthit  Astrit Prenga, Gëzim Shullani, një person me emrin “Xhuliani” dhe një rumun, nuk i përkiste një personi të vetëm por me sa duket, lënda narkotike ishte e tre grupeve kriminale si Gentian Doçit, Altin Hajrit dhe Dritan Rexhepit. Por në biseda të përgjuara, Rexhepi, pohon se ai ishte më i dëmtuari pasi kishte pjesën më të madhe të kokainës që shqiptarët mbanin peng në Angli.

Të vënë nën presionin e dy drejtuesve të grupeve kriminale si Dritan Rexhepi dhe Gentian Doçaj, të cilët tashmë kishin urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës në Shqipëri, vëllezërit Prenga në Angli, vendosën t'i kthejnë mbrapsht lëndën narkotike prej 106 kg kokainë që Dritan Rexhepi pretendonte se ishte e tija. Bashkë me sasinë e kokainës, Astrit Prenga, dorëzon dhe një shumë financiare prej 700 mijë paund, shumë kjo e fituar nga shitja e një pjesë të kokainës që ata mbanin peng në Angli.

“Shqiptarja.com” mëson se për dorëzimin e kokainës në Angli tek disa polakë dhe lënien të lirë të Jan Prengës, Dritan Rexhepi dhe dy vëllezërit Prenga, Ndreka dhe Astriti, kanë rënë dakord të komunikojnë duke përdorur një fjalë të koduar, parrullë dhe kundërparrullë. Sapo lënda narkotike së bashku me sasinë e parave janë dorëzuar tek polaku, vëllezërit Prenga besohet se kanë dërguar tek Dritan Rexhepi parrullën e koduar. Por në pritje për të marrë kundërparullën për lirimin e vëllait të tyre Jan Prenga që ishte rrëmbyer në Kamëz, vëllezërit Astrit dhe Ndrek Prenga, kanë telefonuar Dritan Rexhepin, ku ky i fundit i ka porositur që të mos bëhen merak pasi për dy orë, vëllain e kishin të lirë. Më pas Ndreka është lidhur sërish me Gramozin (Dritan Rexhepin) dhe ai i ka thënë se me njërin prej rrëmbyesve, kishte kontaktuar ndërsa me një tjetër nuk kishte kontaktuar ende, pasi ai kishte pirë mall dhe pa i dalë malli nuk kontaktojmë dot. Dritan Rexhepi, gjithashtu i ka thënë Ndrekës mos të shqetësohej se vëllai ishte shëndoshë e mirë dhe do të lirohet, pasi t'i dali malli personit që përmendi ai më lart.

Të gjitha këto veprime janë ndjekur në dinamikë nga policia shqiptare. Gjithçka është ndërprerë në datën 22 janar 2020 kur policia angleze ka hyrë brenda në qelinë e Ndrek Prengës, ku ai po vuan një dënim prej 8 vite burg për drogë dhe i ka sekuestruar telefonin. Marrja e telefonit në Angli, ka sjellë dhe shkëputjen e komunikimeve me familjarët në Shqipëri, të cilët merrnin informacion nga Anglia, për situatën e pengmarrjes së Jan Prengës.

Ndërhyrja e policisë dhe prokurorisë së Tiranës në zonën e Shijakut dhe më konkretisht në ambientet e kompleksit “Golden” ka qenë më vonë, pasi Jan Prenga u vra pikërisht ditën kur u rrëmbye në Kamzës, më 17 janar 2020.

Çdo negociatë që është bërë në telefon mes vëllezërve Prenga, Dritan Rexhepit dhe Gentian Doçaj, është kryer duke bërë presion me një person të vdekur, pasi Doçaj dhe Rexhepi besohet se kishin dijeni të plotë mbi fatin tragjik të Jan Prengës. Të gjitha hetimet e policisë dhe përpjekjet e vëllezërve për të negociuar me Gentian Doçaj dhe Dritan Rexhepin për kthimin e pengut gjallë, kanë qenë të kota. Kjo pasi Jan Prenga është ekzekutuar brutalisht, 5 ditë para se vëllezërit Prenga të dorëzonin 106 kg kokainë dhe 700 mijë paund. Sot e kësaj dite nuk dihet asgjë mbi vendndodhjen e trupit të pajetë të Prengës.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • naumi: 19/02/2020 18:02

    A vritet tjetri kot se koti,,,pa pasur pune fare ne punet e juaja te felliqta,,,enveri I vinte hakut ketyre,,,ai ja rregullonte qejfin kriminalitetit….,///

    Përgjigju
    • UYYTT: 19/02/2020 19:28

      Mos ju fut droges se jo qe vritesh po edhe shfarosesh. Kush guxon me vjedhe 280 kile kokaine te paster ? Ne Shqiperi e vendet Latine vllau vritet per punet e pista te vellaut. Po ky duket se u ka met ne dore e qenkan ngaterrua bosat se cili me marre pjesen e Prengajve. Lufte pritet tani, mes bosave se jane shkelur shume rregulla.

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Kikia: Çdo ditë gjysma e qeverisë para se të shkojë në punë, shkon në SPAK një herë

Kikia: Çdo ditë gjysma e qeverisë para se të shkojë në punë, shkon në SPAK një herë