Si zgjidhet kriza në Bashkinë e Himarës

Si zgjidhet kriza në Bashkinë e Himarës

Jorgo Goro dhe Fredi Beleri

Zgjedhja e Blerina Balës si kryetare e komanduar e Bashkisë së Himarës ditën e premte me 15 vota pro dhe 4 kundër tregoi se shumica dërrmuese e këshilltarëve bashkiakë e mbështesin dhe vetëm një pakicë e vogël janë kundër. Bashkimi i votave të përfaqësuesve të opozitës të koalicionit “Bashkë Fitojmë” me ata të Partisë Socialiste ka një domethënie të madhe. Ajo tregon më shumë se interesi i banorëve të Himarës është shumë herë më i madh se interesat greke në këtë bashki.

Por, a e zgjidh zgjedhja e Blerina Balës në krye të kësaj bashkie krizën një vjeçare të kthyer në shumë dimensionale? Sigurisht që jo. Fakti që Fredi Beleri, kryetari që u zgjodh me vota ndodhet në burg për vjedhje votash dhe Jorgo Goro, kryetari në detyrë është edhe ai në burg për tjetërsim prone, ka krijuar jo vetëm një precedent të pandodhur më parë, por njëkohësisht ka zhytur në krizë të çuditshme funksionimin e kësaj bashkie. Por ajo ka futur në një krizë të thellë edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

GARA MES BELERIT DHE GOROS QË PËRFUNDOI NË QELI

Ka një ironi therëse në historinë e garës elektorale të 14 majit 2023 mes Fredi Belerit të aleancës “Bashkë Fitojmë” dhe Jorgo Goros të Aleancës për Shqipërinë Evropiane për të qenë në krye të bashkisë së Himarës. Afër një vit pas asaj dite të votimit, të dy kandidatët e saj ndodhen në burg. Pas një procesi dhe kalvari të gjatë Fredi Beleri u dënua më 26 mars nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me 2 vjet burg me akuzën korrupsion aktiv. Ai u arrestua më 12 maj 2023, 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve të 14 majit dhe sipas policisë dhe prokurorisë po shpërndante para për blerjen e votës. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri kishte ofruar nga 50 Euro për tetë persona që do të përktheheshin në vota. E megjithëse i ndodhur në qeli, nga numërimi i votave rezultoi se Beleri ishte fitues me 19 vota më shumë se Jorgo Goro.

Beleri kishte marrë 3837 vota, ose 50.1 për qind të votuesve, ndërsa Jorgo Goro kishte marrë 3818 vota, ose 49.9 të votuesve. Ndodhur në këtë situatë, Jorgo Goro vijoi të qendrojë në detyrën e kryetarit të Bashkisë mbështetur në legjislacionin në fuqi që e përcakton në një boshllëk të tillë. Goro vinte nga fitorja e tre mandateve në krye të kësaj bashkie në zgjedhjet e 8 majit 2011, të 21 qershorit 2015 dhe të 30 qershorit 2019. Në zgjedhjet e vitit 2011, Jorgo Goro kishte marrë 1575 vota kundrejt Vasil Bollanos të PBDNJ-së që mori 1474 vota, pra me një diferencë prej 101 votash më shumë. Është për t’u theksaur akti që këto zgejdhje nuk u shoqëruan me tensione madje Bollano uroi Goron për fitoren. Në zgjedhjet e vitit 2015, Jorgo Goro fitoi kundër Fredi Belerit të PBDNJ-së dhe përfaqësuesve së të djathtës Lefteri Prifti. Në zgjedhjet e vitit 2019 fitoja e Jorgo Goros i Aleancës për Shqipërine Europiane ishte formale. Duke mos patur asnjë kandidat përballë pas braktisjes së zgjedhjeve nga opozita ai mori 4209 vota.

EDHE PSE NË QELI TENSIONI VIJON

Duket absurd, por edhe sot që ndodhen të dy në burg, si Fredi Bleri dhe Jorgo Goro bëjnë politikë. Madje të fortë. Prej qelive ku ndodhen vijojnë përplasjet me deklaratat. Në tekstin e dorëheqjes më 27 mars Jorgo Goro e komentoi arrestimin e tij si një faj që nuk e ka bërë kurrë. Ai bëri autor të të gjithë kësaj historie PBDNJ-në që sipas tij është organizatore e të gjithë situatës që ndodhi në Himarë. Deklaroi Goro në letrën e tij:

“Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë”.

Por menjëherë erdhi reagimi i Fredi Belerit po nga qelia. Ai në fakt nuk u merakos shumë për cfarë Goro shkruante në letrën e tij publike. Por ai shprehte merakun e zgjedhjes së pasardhësit të Goros në krye të bashkisë që sipas tij duhet të ishte një nga partia që ai përfaqëson. Fredi Beleri shkroi në deklaratën e tij:

“Kushdo që merr kryetar të përkohshëm deri në lirimin dhe inaugurimin tim, duhet të jetë një nga këshilltarët që vijnë nga fraksioni bashkiak me të cilin fituam zgjedhjet bashkiake të majit 2023”.

Është pothuajse një kërcënim nga qelia. Në fakt sic ka bërë rregullisht gjatë kësaj kohe duke patur në prapavijë mbështetjen dhe “bekimin” e Athinës zyrtare. Një kërcënim që e vijon atje ku e lë qeveria greke. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka mbajtur një qendrim ekstrem jo vetëm duke i kërkuar homologut shqiptar Edi Rama që të ndërhyjë të lirojë Belerin, por se do të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE me vendosjen e vetos. Kjo ka sjellë një kthim në kohë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Por me të vetmin ndryshim: BE dhe SHBA nuk mbështesin Greqinë dhe Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1991-1997 kur shteti grek organizonte operacionin fshesa duke kthyer vargje të tërë emigrantësh nga Greqia shumica e tyre provonin në kurriz edhe dhunën shtazarake të policisë dhe ushtrisë, në shumë raste duke u shkaktuar edhe vdekje.

E VETMJA ZGJIDHJE JANË ZGJEDHJET

Sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë qartësohet se skemat greke për ta pushtuar bashkinë e Himarës me personazhe problematikë me drejtësinë si Fredi Beleri nuk po funksionojnë. Por nuk po funksionojnë gjithashtu edhe skemat politike të opozitës që për të dëmtuar pushtetin e kryeministrit Edi Rama kanë bërë aleancë me partinë e minoritetit grek PBDNJ që në fakt nuk përfaqësojnë interesat e tyre, por të politikës së mbrapshtë të Athinës në këtë drejtim. Ajo që vlen për t’u përmendur është se në të gjithë këtë histori Greqia me pakënaqësinë e saj nuk ka patur mbështetjen as të SHBA e as të BE-së dhe kjo ia ka thërrmuar të gjitha pretendimet për ta kthyer këtë histori në një ngërç në favor të saj në raport me Shqipërinë. Ndodhur në këtë situatë ka vetëm një zgjidhje e gjithë kjo histori. Shpallja e zgjedhjeve të reja në këtë bashki do të ishte fundi i një telenovele. Sigurisht që ato do të jenë shumë herë më të monitoruara se ato të zhvilluar vitin e kalur. Ato do të kalojnë përmes një procesi transparent e demokratik dhe pas rezultatit palët të mos kenë asnjë pretendim.

Nuk është përsëri çudi që një ushtri me politikanë grekë të mbërrijnë atë ditë në Himarë. Por kjo nuk do të bëjë aspak problem. Përkundrazi, do të sjellë më shumë besim dhe më shumë garanci në proces. Dhe kjo do të sillte gjithashtu një votë reale, të qartë dhe të saktë për banorët e Himarës. Parashikimet janë që Partia Socialiste mund të ketë si kandidat të saj Vangjel Tavon, aktualisht prefekt i Qarkut të Vlorës. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Tavo do të përmbysë ndjeshëm raportin e mbështetësve në këtë bashki dhe fitorja e tij do jetë plebishitare. Dhe gjasat janë që të ndodhë tamam kështu. Zhvillimet në një vit i kanë bërë banorët e Himarës më të ndërgjegjshëm dhe më të qartë për ata që janë të sinqertë më ta dhe ata që synojnë t’i shfrytëzojnë. Një arsye tjetër e një fitore të mundshme e Tavos do të jetë edhe ulja e mbështetjes të së djathtës. Pak besohet se mbështetja që Berisha dhe Meta i bënë Belerit një vit më parë mund të përsëritet, këtë herë me një kandidat tjetër. Por tregon se populli i asaj zone zgjedh një përfaqësues real të tyre. Është e vërtetë që Vangjel Tavo është minoritar grek, por kurrë nuk ka bërë lojëra negative kundër interesave të Shqipërisë. Ai ka lindur në Shqipëri dhe është rritur këtu duke jetuar bashkë me familjen e vet. Por kurrë ai nuk ka bërë pazare në dëm as të Shqipërisë dhe as të Greqisë. Prandaj, zgjedhjet si zgjidhje do t’i jepnin fund kësaj krize absurde./Fjala.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Mbërrin në Izrael Blinken, ja çfarë pritet të diskutojë me Netanyahun

Mbërrin në Izrael Blinken, ja çfarë pritet të diskutojë me Netanyahun