Sikur të mos kishte nota?
Nga Rea Shundi

Sikur të mos kishte nota?<br />Nga Rea Shundi
Para disa javësh filloi viti i ri shkollor. Për disa ishte fillimi i një të riu. Bashkë me verën, ikën ditët e zgjatura dhe netët e pagjumta. Ora 6 tashmë mbart kuptim tjetër dhe zilja që e shoqëron na e kujton këtë.

Mëngjeset sa vijnë e bëhen më të vështira, ndërsa natyra e nxituar e punëve i nis fëmijët për në shkollë, të pakënaqur e të pangopur me gjumë. Ata nuk e kuptojnë se pse s’mund të flenë më deri vonë, apo pse duhet të sakrifikojnë lojërat me shokët për hir të librave.

Dhe prindërit, në mungesë të një përgjigjeje të mirëfilltë, mund të thonë atë që dëgjojmë të gjithë: sepse tani ti je në shkollë.

“Po pse duhet të shkoj në shkollë?” – përgjigjet fëmija.

Fëmijët kanë gjithmonë një “pse” për t’u shtuar gjërave. Ata mund të duken, madje, se nuk dëgjojnë as kur ne përgjigjemi, mjafton që, në fund, ta kthejnë përmbys analizën me një “pse” të re.

Ky proces i pashmangshëm për të gjithë, me kalimin e kohës vjen e zbehet, derisa në një pikë mund të zhduket edhe përfundimisht. Dhe kur ata ndalojnë së pyeturi “pse”, ne mund të supozojmë se, më në fund, e dinë apo e mësuan.

Por të pyeturit për “psenë” e gjërave unë e shoh si një spirale thithëse brenda tyre, qëllimi i vetëm i së cilës mund të jetë përthithja e botës, përvetësimi, pra njohja. Fëmijët testojnë limitet e tyre dhe të gjithçkaje tjetër.

Por duke u vënë fre të paarsyeshëm, ne i mësojmë të jenë më pak nga ç’mund të jenë. Ne i minimizojmë ata për t’i sjellë në trajtat tona, në madhësinë e asaj që ne kemi shembull.

Kjo më bën të mendoj se, në fakt, ne mund të jemi shumë më shumë seç jemi, dhe ndonëse spiralja jonë ka ardhur dhe është zvogëluar, ripërtëritja e punës së saj mundësohet nga ripërtëritja e perspektivës sonë.

Mbase njerëzit do të ishin të aftë për më shumë, nëse s’do të ndalonin së ngrituri pyetje pas përgjigjeve të mirëqena, dhe do të mësonin kënaqësinë dhe vlerën e vërtetë të të mësuarit e të të diturit.

Nganjëherë kur mendoj për gjendjen fillestare të mendjes, shoh një fushë të shkretuar me shumë gurë të hedhur shkujdesshëm.

Pastaj shoh veten duke ecur nëpër të, duke i mbledhur një nga një dhe duke i studiuar. Herë një gur qëllon të jetë vetëm i tillë, një gur; por herë të tjera qëllon të gjej dhe xhevahire.

Procesi i punës është ky: mbase nuk e kemi pasur ne në dorë të zgjidhnim cilësinë e tokës në mendjen tonë, por kalimin nga shkretëtira me gurë në një lëndinë a minierë ari, këtë po! Pastaj, nr preferojmë ta shtrojmë të tërën me luledielli e zambakë apo, më mirë, nisim e gërmojmë për gurë të tjerë; kjo është po pjesë e kënaqësisë së të qenit i lirë.

Duke qenë se fëmijët janë ende në proces formimi, të mësuarit është një detyrë e çmuar. Mësues për ta jemi të gjithë ne. Por, nga ana tjetër, ata shkojnë dhe në shkollë. Në njëfarë mënyre, ajo është simulimi i jetës së të rriturit.

Fëmijëve u vendosen përgjegjësi dhe detyra, të cilat kanë afat kryerjeje, kanë shpërblim, por edhe ndëshkim. Me një fjalë, në shkollë ka një sistem të parashikueshëm të të bërit të gjërave. Ajo që nxënësve u lihet në dorë, është vetëm zbatimi.

Ndryshe nga sistemi i shkollës (ose stimulimi i jetës), jeta e vërtetë është mundësuar dhe mundësohet pikërisht për shkak të paparashikueshmërisë së saj dhe “thyerjes” së rregullave. (Këtu kam në mendje mutacionin që na bëri njerëz, si dhe aftësinë për t’u përshtatur në një shumëllojshmëri diversitetesh.). Por, sigurisht, ka një kufi midis asaj që një njeri mund të bëjë dhe duhet të bëjë.

Dhe ky kufi përgjithësisht vendoset duke iu referuar një figure ideale të njeriut, si e cila aspirojmë të bëhemi. Këtu nuk flas për një figurë njerëzore të afërt, siç mund të jetë prindi apo dikush me emër, por për një ideal të të gjithëve, i cili na qëndron mbi krye e jetësohet në shprehshmërine tonë. Në njëfarë mënyre mund ta quajmë “role model” nga anglishtja, ndërsa gjermanishtja ka një fjalë edhe më të bukur, e për mua shumë të përshtatshme: “Vorbild”1.

Në shqip po e quajmë thjesht “shembull”.

Çështja e shembullit merr dy drejtime. Ai mund të jetë një, por mund të jetë edhe një pafundësi. Lloji i parë, ai i fundmi, është akumulimi i të gjitha virtyteve që njerëzit duhet të kenë.

Ai është përsosmëria, siç është edhe vetë numri një. Ai është i pandryshueshëm dhe dënon ata që i largohen. Lloji i dytë, ai i pafundmi, edhe për mua është më i pranueshmi. Ai është shembulli i lirisë dhe i risisë, dhe nënthotë që qëllimi ynë është të gjejmë e pranojmë “njëshin tonë”, në vend që t’i devijojmë për t’iu bashkuar “njëshit ideal”.

Sistemet, kur janë formuluar, si parim kanë pasur këtë figurë ideale të njeriut. Ai është qëllimi, është dhe udhëzuesi. Por siç e thashë, është tepër subjektiv dhe i përgjithshëm. I prapambetur madje, dhe shumë i ndarë nga natyra e ashpër e realitetit. Detyrimisht, fëmijët mund të ndihen të zhgënjyer nga shkolla, sepse u duket sikur ajo nuk u mëson asgjë që tyre iu duhet.

Ata mund të ngacmohen nga ngjarje historike të së shkuarës, duke e lidhur me të tashmen. Ata mund të dashurohen me sistemin numerik të matematikës apo me lojën e fjalëve të letërsisë. Por, në fund, dashuria nuk do të kishte vlerë, nëse nuk do t’i bënte të ndiheshin të dobishëm, nëse s’do t’i bënte njerëz më të mirë. Dhe njerëz të mirë ata mund të jenë vetëm në realitet.

Diferenca e fëmijëve me të rriturit është se ata nuk e bëjnë dot lehtë dallimin midis reales dhe joreales. Për ta çfarë është në kokë, është edhe në tokë. E, në fund të fundit, kjo s’është dhe aq e gabuar. Ky nuk është problemi.

Problemi fillon kur fenomenet apo problematikat që vetë familja mund të ketë, bëhen aq të ashpra për t’i kuptuar, saqë shkolla duket e gënjeshtërt dhe larg reales. Ata presin të shohin figurën ideale, të pagabueshme te prindërit, por aty sa vijnë e gjejnë gabime. Po, fëmijët do të zhgënjehen. Por do të zhgënjeheshin më pak, nëse do ta njihnin të vërtetën më mirë, nëse do të kishin mësuar gjërat e duhura si fillim.

E mira ideale do të ishte nëse nuk do të kishte nota vlerësimi. Njerëzit nuk janë numra, kurse njëdimensionaliteti i tyre mund t’i bëjë që të përpiqen të jenë. Pa nota, fëmijët nuk do të gënjeheshin që dikush ishte më i mirë se tjetri. Nota vetëm do të mund të vlerësonte aftësinë për t’u bindur e nënshtruar.

Nënshtrimi i zgjatur dhe herë i pakuptimtë çon detyrimisht në pakënaqësi, sepse fëmijët më shumë se të gjithë janë të lirë. Cenimi i lirisë së tyre për të pranuar e për të qenë ata që janë,mund të çojë në një ankth të zgjatur dhe pasiguri të vazhdueshme.

Dhe rrjedhojat do të rrokulliseshin njëra përmbi tjetrën, më një rezultat të ndërmjetëm të tillë: një të rritur as të kënaqur e as ambicioz, shpesh të dyzuar dhe lehtësisht të manipulueshëm.

Nëse vërtet nuk do të kishte nota, fëmijët do të donin të bashkëpunonin për të realizuar një të mirë të përbashkët. E gjatë rrugës, secili do të mund të dallohej. Është bashkësia ajo që i veçon njerëzit.

Nën kujdesin e një mësuesi të mirë, do të ushqeheshin vlerat e gjithsecilit, duke mëshuar në veçantitë e tyre. Ai do t’u tregonte se si, pse dhe çfarë të mësonin, hap pas hapi, derisa në fund të gjithë vitet e punës të rezultonin në reflektime e përgjigje të reja. Me një fjalë, do të mësonin të shihnin botën në sy, ashtu siç është, dhe do të ndienin përgjegjësinë e dobinë e të qenit një NJERI, pastaj një fëmijë.

Nëse do të gabonin, nuk do të trembeshin nga ndëshkimi i një të rrituri. Nuk do të kishin përse: është përgjegjësia e ndërgjegjja ajo që do ta bënte. Dhe nuk ka frikë më të madhe se ajo që buron prej këtyre të dyjave. Por ata nuk do të kishin frikë për të gabuar sërish. Sepse do ta dinin shumë mirë që njeriu s’mund të gabojë gjithmonë, nëse nuk mëson prej saj. Dhe sa shumë do të mësonin ata!

1 - Fjalë për fjalë,“ vorbild” do të thotë “figura përpara”

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Filmi italian që mundi 'Barbie'

Filmi italian që mundi 'Barbie'