Situata në KLD, Naço: Ligji
antimafia, edhe për gjyqtarët

Situata në KLD, Naço: Ligji<br />antimafia, edhe për gjyqtarët
TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço deklaron se situata në Këshillin e Lartë të Drejtësisë nxori si domosdoshmëri marrjen e masave urgjente në këtë sistem.
 
“Ne kemi një mazhorancë të konsoliduar. S’e kemi përdorur deri tani sepse kemi dashur që reformat t’i bëjmë me të gjithë faktorët, përfshirë opozitën. Por jemi në një situatë emergjente dhe do thërresim së shpejti një konferencë në drejtësi ku do thërresim të gjithë partnerët tanë, edhe ata ndërkombëtarë”, deklaron Naço.
 
Ministri i Drejtësisë, që e cilësoi si akt të papreçedent rezultatin 12-1 në KLD në favor të pasurisë së dyshimtë dhe të pajustifikuar të gjyqtarëve, deklaroi se zbatim i ligjit Antimafia duhet të zgjerohet.
 
“Nëse gjyqtarët pranojnë mijëra apo miliona euro dhurata, atëherë ne jemi të humbur. Prandaj i kam kërkuar dhe do t’i kërkoj kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm që në çdo sferë tjetër të aplikohet ligji Antimafia për sekuestrimin e të gjitha pasurive që vijnë nga krimi”, thekson Naço.
 
I pyetur nëse do të ketë nisma për shkarkimin e anëtarëve të emëruar në KLD nga Parlamenti, ministri është përgjigjur:
 
“Ne kemi propozuar disa ndryshime thelbësore sepse jemi në gjendje alarmi. KLD e ka humbur integritetin sepse ka futur njerëz nga politika në gjyqësor, gjë që është e papranueshme. Pyetjen mund t’ua bëni anëtarëve të komisionit të ligjeve. Unë si ministër kam dhënë dorëheqjen si deputet dhe nuk votoj në atë rast. Qëllimi ka qenë distancimi nga KLD për të treguar që gjyqësori nuk ka më fytyrën e qeverisë”.
 
Parlamenti përfaqësohet në KLD nga tre anëtarë, mes të cilëve edhe nënkryetari Elvis Çefa, për të cilët pas mbledhjes së të hënës qeveria i bëri thirrje Kuvendit që të veprojë të paktën për anëtarët e emëruar prej tij, duke argumentuar se nuk përfaqësojnë më ligjin.
 
Ndërsa në perspektivën e reformës në drejtësi do të shihet edhe formula e përbërjes së KLD-së, për të ndryshuar raportin e shumicës në të, që aktualisht vjen nga gjyqësori.
 
Reagojnë gjyqtarët: Po përbaltni punën tonë
 
Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqsore Kombëtare gjatë një mbledhje urgjente ka reaguar duke shprehur shqetësimin e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve, në lidhje me atë që e quan “disa deklarata e qëndrime publike të ditëve të fundit të cilat i drejtohen në masë e pa dallim të gjithë gjyqtarëve”.
 
“Deklarata të tilla vetëm sa e përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme të gjyqtarëve. Etiketimi i masës së përgjithshme të gjyqtarëve dhe identifikimi i tyre në tërësi me fenomenet negative e vështirëson punën e çdo gjyqtari, cenon pavarësinë  e pushtetit gjyqësor dhe dëmton misionin e dhënies së drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
 
Këshilli Ekzekutiv dënon çdo shfaqje korruptive në sistemin e drejtësisë dhe i bën thirrje të gjithë institucioneve për të luftuar këtë fenomen. Më tej, ky Këshill mbështet reformimin e mëtejshëm të pushtetit gjyqësor, por shprehet se në këtë proces është e nevojshme bashkëpunimi me të gjithë operatorët e sistemit të drejtësisë.
 
Marrë nga “Top Channel”
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Pëllumb Metës, ekspertiza konfirmon: Arma e gjetur në pellgun me ujë u përdor për krimin

Vrasja e Pëllumb Metës, ekspertiza konfirmon: Arma e gjetur në pellgun me ujë u përdor për krimin