Skandali i ‘Duty Free’ në aeroportin e Rinasit, gruaja e Gjin Gjonit humbet tenderin, por nis rezistencën

Bashkëshortja e Gjin Gjonit, Elona Çaushi, ka humbur për herë të parë përmes tenderit të drejtën për zhvillimin e aktivitetit tregtar (dyqane pa taksa) në ambientet e Aeroportit Nënë Tereza në Rinas. Zonja Çaushi, gruaja e një prej gjyqtarëve më të përfolur në Shqipëri për pasuri të dyshimtë, kontrollonte prej 20 vitesh mjedise në zonën tranzit të Aeroportit të Rinasit, përmes kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution (ADFD), duke i shfrytëzuar për aktivitet tregtar. Kompanisë Albania Duty Free Distribution, me pronare Elona Çaushi me 100 % të aksioneve, në 27 gusht 2019, i ka mbaruar kontrata me TIA Aeroport për të përdorur ambientet brenda aeroportit me kushte ‘Duty Free’. ‘Duty Free’ do të thotë përdorimi i zonës jashtë doganore për shitjesh produktesh të ndryshme pa taksa, në bazë të një kontrate me TIA dhe një autorizimi të lëshuar nga Ministria e Financave. Pra, kontrata me TIA është vendimtare për autorizimin apo licencën për të ushtruar këtë aktivitet, lëshuar nga Ministria e Financave. Vetëm kur ke një kontratë të tillë mund të pajisesh me licencë.

Ndërkaq, duke i paraprirë mbarimit të kontratës, TIA Aeroport nisi në nëntor të vitit 2018 procedurat e tenderit për Duty Free-n e aeroportit. Ndryshe nga sa përflitet në disa qarqe mediatike, procedurat janë karakterizuar nga transparenca e plotë dhe respektimi i kornizave ligjore. Në përfundim të procedurës, kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF) fitoi të drejtën për menaxhimin e hapësirës “Duty Free” në aeroport për 5 vitet e ardhshme. Por ndërsa International Cruise Duty Free (ICDF) ka nënshkruar kontratën për nisjen e menaxhimit të hapësirës “Duty Free” që nga muaj nëntor 2019, kompania e Elona Çaushi ka nisur një betejë paralele, përmes gjyqtarëve që nuk kanë kaluar ende Vetingun, për të vijuar kontrollin e hapësirës “Duty Free” edhe për pesë vitet e ardhshme. Përpos gjyqtarëve të caktuar, në këtë histori janë përfshirë edhe segmente të tjera të shtetit shqiptar, ku të gjithë së bashku do të jenë objekt i një investigimi të mëvonshëm.

Historiku i tenderit për “Duty Free Zone”
Më 26 nëntor 2018, TIA, publikisht, përmes faqeve ndërkombëtare të MOODI Report edhe DFNI, shpalli tenderin ndërkombëtar për aktivitetin e “Duty Free” në aeroportin e Tiranës. Në 7 dhjetor 2018 ishte afati, brenda të cilit palët e interesuara duhet të dorëzonin dokumentet e nevojshme, të cilat verifikoheshin nga TIA nëse plotësonin kushtet fillestare të shpallura për të fituar të drejtën për pjesëmarrje në tender. Më 21 janar 2019 ishte afati i fundit për dorëzimet e ofertave në rang ndërkombëtar për kompanitë të cilat ishin kualifikuar si përmbushëse të kushteve të fazës së parë.

Prova e dorëzimit të dokumentave nga ICDF me datë 21 janar 2019

Ndryshe nga sa është aluduar dhe deformuar në disa qarqe mediatike, me artikuj pa fakte, në tender morën pjesë shtatë kompani, ndër to dy shqiptare, renditur alfabetikisht si vijon: AGM Duty Free, Albania Duty Free Distribution, Baltona Group, By Best Duty Free, Dufry, International Cruise Duty Free Inc dhe Lagardere Travel Retail. Shprehën interes, por nuk paraqiten ofertë dhe 3 kompani të tjera, përkatësisht: Aer Rianta International, Bhatiatraders dhe German Business Services. Dokumentet provojnë se kompania ICDF Inc. ka dorëzuar dokumentacionin për pjesëmarrje në tenderin internacional të shpallur zyrtarisht nga TIA për aktivitetin “Duty Free” brenda afatit, pikërisht më datë 21 janar 2019. Ndërsa ashtu si Ekstrakti i QKB së kompanisë nënshkruese së tenderit provon se ortaku i vetëm në ICDF Z. Lucio G. Souto është shtetas amerikan.

Si humbi kompania e Elona Çaushit  
Kompania Albania Duty Free Distribution e Elona Çaushit, si listuese ndër të fundit në këtë tender, bazuar mbi ofertën financiare të parashtruar edhe propozimin tregtar të bërë, njoftohet relativisht shpejt si humbëse, pikërisht më 22 shkurt 2019 përmes një komunikimi zyrtar nga TIA se janë “Unsucesssful Bidder”, pra ofertues i pasuksesshëm (pra janë skualifikuar) për tenderin për aktivitetin “Duty Free”.

Dokumenti që tregon ADFD, kompania e gruas së Gjin Gjonit ka humbur tenderin 

Por gjithsesi me shpresë se mund të ndryshonin diçka më 17 maj 2019 operatori ADFD i dërgon një letër TIA-s me një ofertë të re financiare, ku administratori Z. E. Hastoçi thekson ndër të tjera se kanë predispozitë për bashkëpunim dhe se çdo operator tjetër do ketë vështirësi për marrjen e autorizimit për aktivitetin e “Duty Free” nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, gjithmonë nëse ia miratojnë. Ndërkohë që ata si posedues së një autorizimi për aktivitetin “Duty Free” mund ta marrin, citat “VERY EASY AND VERY FAST“ (shumë lehtë edhe shumë shpejt).

Si e fitoi kompania amerikane tenderin
Procesi ka vazhduar me vlerësimin në detaje të propozimeve të kompanive të rankuara në krye të listimit nga bordi drejtues me pjesëmarrjen e drejtuesve ligjorë, tregtarë, administrativë edhe të riskut. Procesi vazhdoi deri në fillim të qershorit edhe përmbyllet më datë 03 qershor 2019, ku kompania amerikane ICDF Inc. njoftohet zyrtarisht se është vlerësuar si ofertuesi i suksesshëm për tenderin internacional në lidhje me aktivitetin “ Duty Free” në TIA.


Dokumenti që tregon që ICDF fitoi tenderin në aeroport për 5 vitet e ardhshme

Letra dërguar Presidentit të ICDF Lucio Suoto dhe Zv. Presidentit Ekzekutiv Marco Gaviria, pason me negociata edhe nënshkrimin edhe finalizimin e kontratës vetëm më 31 korrik 2019. Kjo datë shënon edhe zanafillën e morive të letrave, të ashtuquajturave denoncime edhe proceseve gjyqësore të kompanisë ADFD, të Zj. Elona Çaushi, ndaj kompanisë Tirana International Airport, me qëllim për vijuar kontrollin e “Duty Free” edhe për pesë vite.

Precedenti me pasoja
Sipas kontratës së firmosur, ICDF duhet të mbaronte të gjithë fazën e ristrukturimit të zonës “Duty Free”, ndërsa kompania shqiptare ADFD duhet të lironte ambientin brenda datës 27 Gusht 2019, datë kur përfundonte edhe kontrata e qerasë. Deri në 27 gusht mund të operonte dhe menjëherë më pas duhet të lironte ambientet. Me datë 15 shtator, sipas kontratës, ICDF duhet të merrte në dorëzim ambientet. Por, nga ana tjetër, kompania e bashkëshortes së Gjin Gjonit është hedhur në veprim. Kjo nuk është hera e parë që kompani të huaja përballen me befasi dhe kalavare të tilla në Shqipëri, ku në çdo rast kanë hyrë në lojë segmente të korruptuara të gjyqësorit. Beteja të tilla me drejtësinë që po shembet ka bërë që në investime të reja kompanitë e huaja të hedhin sytë në Maqedoni apo Mal të Zi, atje ku “Maliqët” nuk janë mbi ligjin, ku kuptojnë që në një garë ka dhe humbës, dhe për më tepër, ndihmojnë dhe nuk pengojnë dot rritjen ekonomike të një vendi.

Kush është kompania International Cruise Duty Free
Kompania International Cruise Duty Free ka një eksperiencë prej disa dekadash në industrinë “Duty Free” si dhe lidhje të drejtpërdrejtë me shumë prej markave më të njohura në botë. E themeluar në Miami, Florida dhe me shërbime në SHBA, Amerikën Latine dhe Karaibe, ICDF ka siguruar kontratë ekskluziviteti me aeroportin e TIA-s për shitjen e brand-eve më të njohura ndërkombëtare të parfumeve, duhanit dhe pijeve alkolike në zonën tranzit të këtij aeroporti. ICDF, e cila ka fituar besimin e TIA, do të garantojë jo vetëm një shumëllojshmëri më të madhe produktesh, por edhe një cilësi më të lartë në shërbime, të njëjtë me standardet e zbatuara në aeroportet më të mëdha në botë.

d.ba./G.M./Shqiptarja.com