Skandali me trukimet në ndeshjen Bylis-Tirana, Shyti: Hetim, po cenohet imazhi! Kodra: E shëmtuar, të gjurmohen lekët në baste nëse të çojnë te këto dy skuadra

TIRANE-Pas skandalit me ndeshjen Bylis-Tirana të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, që dyshohet se u trukua, kompanitë e basteve ndërkombëtare pezulluan bastet për futbollin shqiptar. Për të hedhur më shumë dritë mbi atë që po ndodh me kampionatin shqiptar me fenomenin e trukimeve, në studion e Report Tv ishte i ftuar gazetari sportiv Altin Kodra dhe me skype nga Durrësi, ish-kryetari i shoqatës së basteve sportive, aktualisht drejtori i ekipit të Teutës, Artan Shyti. Për gazetarin sportiv më shumë se trukim fenomenin që ndodh në Shqipëri e cilëson si tolerim mes klubeve për interesa të ndryshme. "Fjala trukim është paksa e ndërlikuar. Në mendimin tim në Shqipëri ndodhin tolerime kur bëhet fjalë për kampionatin dhe Kupën, më lër kupën, të lë kampionatin" tha ai.

Por a është normale ajo që ndodhi në ndeshjen Bylis-Tirana? "Ndeshje normale nuk ishte, por pak ditë më parë pashë një tjetër ndeshje të tillë anormale dhe nëse do i hyjmë këtij diskutimi, që në Shqipëri nuk mund të themi se ka më shumë trukime se tolerime, borxhe që presidentët i kanë njëri tjetrit dhe i shlyejnë duke i lënë njëri tjetrit, llogaritë për të shmangur rënien nga kategoria. Akrobacitë dhe këto tolerime njihen në sportin shqiptar, por është dicka e mirë që FSHF ka lëvizur, që futbolli shqiptar të mos njolloset, ti hiqet kjo damka" tha Kodra.

Për Artan Shtyin, sfida e luajtur në Ballsh ishte përtej normalitetit. "Tirana ra pre e nivelit të saj dhe njerëzit nuk panë Tiranën normale agresive. Edhe në ndeshjen me Teutën, Tiranën e vuri në vështirësi dhe fitoi dhe pas ndeshjes dëgjova njerëz që thonin 'hë u morët vesh'? Gjë që nuk ishte e vërtetë. Tirana i kishte mësuar njerëzit që të fitonte gjithmonë, u krijua ideja se kushedi se cfarë ka ndodhur. Reagimi ka qenë i madh, që do të thotë që njerëzit do ta kishin kuptuar më me sportivitet nëse diferencat do të ishin më të vogla dhe Tirana do të ishte më agresive. Ishte diçka përtej normalitetit, por që këtu dhe deri kur të themi se ishte trukuar është një hap i madh që duhet verifikuar nga institucionet".

Por cfarë ndodh tani pas fjalëve dhe akuzave në ajër? Sytë janë nga drejtësia për të zbuluar nëse ka pasur apo jo trukim. Gazetari Altin Kodra thotë se institucionet duhet të kenë një përgjigje për ndeshjen e shëmtuar në Ballsh.  "Një deklaratë e bëra nga FSHF-së, që përbën një hap të mirë përpara, shpresoj që të jetë një ogur i mirë, që ajo ndërtesë e re e bërë të shërbejë në menaxhim dhe sjelljen. Deklarata e FSHF-së ishte e saktë, kërkoi informacion nga Sportradar, kompani që shërbeu për dënimin e Skënderbeut. Cështja është se ndeshja e Bylisit, ishte e shëmtuar. Unë menjëherë pas ndeshjes, kam kontrolluar si Facebook të Tiranës dhe përtej të gjithë asaj morisë së reagimeve, mund të krijosh idenë se tifozët kanë qenë të revoltuar nga ajo që panë në fushë. Ajo që u pa në lojë ishte e turpshme, akoma më konfuze i bëri i gjërat deklarata e Tiranës, dhe presidentit që krijuan akoma më shumë konfuzion se besonte te integriteti i skuadrës, ndërsa mes rreshtave thoshte se nuk e kuptonte tolerimin e skuadrës në fushë".

"Thembra e Akilit" thotë Altin Kodra, është lidhja e parave. Sipas tij nëse nëse vërtetohet lidhja dhe shumat e luajtura në baste me dy klubet Bylis dhe Tirana, atëherë mund të ketë një bazë ligjore për ta vijuar më tej hetimin. "Në themel të gjithçkaje është prezumimi i pafajësisë, është çelur një hetim, deri tani nuk ka asgjë. Hetimi nga FSHF nëse vjen një përgjigje nga sportradar me shifra, që më pas i përcillet prokurorisë dhe pas atij hetimi do të dalë FSHF të marrë vendimin sportiv, për rënie nga kategoria, heqje pikësh, etj. Thembra e Akilit është lidhja e parave të luajtura me klubin e Tiranës dhe Bylisit, vetëm nëse vërtetohet lidhja dhe shumat e luajtura në baste, atëherë mund të kemi një bazë ligjore për ta vijuar më tej hetimin. Këtu sporti është sa i bukur dhe shëmtuar, interpretimi sportiv është shumë i paqartë. I vetmi argument ligjor do të jetë lidhja e parave të luajtura me Bylisin apo Tiranën, nëse vërtetohet dy klubet janë në telashe" tha ai.

Shyti thekson se trukimi është vepër penale dhe nëse vërtetohet autorët duhet të dënohen, por nëse nuk faktohet atëherë dyshimet dëmtojnë rëndë futbollin shqiptar.  "Unë dua të them se reagimi më bëri shumë përshtypje, FSHF-së, por edhe i medias, tifozëve dhe nuk jam dakord me Kodrën, reagimi i klubit dhe presidentit vinte në dispozion veten dhe klubin për hetime dhe kjo është pozitive, konstatoj se ka një front unik që këto fenomene të dyshimta, akoma jo të vërtetueshme, të ndodhin. Është hera e parë në këtë kampionat që krijohet ky dyshim, ndërsa reagimi është unik për ta penguar këtë. Nëse ne e lejojmë dhe nuk e shoqërojmë me hetime institucionale, kjo është e shumë e rrezikshme. Patjetër që duhet të vijojnë hetimet. Ne jemi dëshmitarë të fjalëve, informacioneve nga Betradar, që monitoron bastet, dhe që më pas nxjerr anomalitë, që vlerësohen që lidhen me trukimet apo me tolerimet, kur nuk shoqërohen me lëvizje të kapitaleve financiare. Ka ardhur koha që vlerësimet dhe hetimet të bëhen të plotë, pasi ndryshe, në vendet që të ndikojmë sportin të pastrohet e bëjmë pis. Duhet analizë dhe vlerësim institucional, trukimi është vepër penale dhe kjo mund të cojë deri në vënin përpara përgjegjësisë penale. Ndryshe cdo dyshim që kthehet në akuzë është e dëmshme. Jo dënim me fjalë pa pasur fakte konkrete. Duhet të vlerësojmë frontin unik, përfshirë edhe klubit të Tiranës. Unë në pozicionin e presidentit pashë një reagim pozitiv për të hetuar kush ka tagrin".

Më pas Artan Shyti shpjegoi fenomenin e basteve, ku në Shqipëri janë të ndaluara, por jashtë mund të luhen ndeshjet e kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.  "Jam një ish-kryetar i një ish-aktiviteti, ky është aktivitet i mbyllur, zyrtarisht është i palejuar, edhe pse mund të ketë raste sporadike. Ndërsa në nivel ndërkombëtar, kompanitë nuk i ndalon askush që të fusë ndeshjet tona, por kanë qenë të kujdesshme, pasi kanë pasur rrezikun e manipulimit. Bastet atje ku zhvillohen nuk lejojnë manipulimet, për të lejuar integritetin e lojës. Futja e ndeshjeve të kampionatit tonë është lajm pozitiv në sensin e besueshmërisë, ashtu sikur janë hequr ndeshjet e kampionatit shqiptar pas kësaj që ndodhi. Në planin e besueshmërisë evenimente të tillë cenojnë imazhin, rrëzojnë. Prandaj veprime të tilla, apo aludime për veprime të tilla duhet të merren seriozisht" përfundoi ai.

Por si është historia?
Ndeshja Bylis-Tirana, e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë e zhvilluar ditën e enjte përfundoi me shifrat 2-1. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Tiranën dhe në të dytën pati një zbehje të çuditshme në lojë, ndërkohë që kompanitë e basteve mbanin koeficiente favorizuese për Bylisin edhe pse ishte duke humbur, teksa më pas 'befasisht' e përmbysi. FSHF njoftoi pas ndeshjes së ka bërë dy lëvizje, e para ka nisur një hetim përmes Komisionit të Etikës dhe dyta, i kërkoi ndihmë UEFA-s për këtë çështje, që nëpërmjet kompanisë 'Sportradar', që vëzhgon koeficientët dhe që më herët ka ndikuar për dënimin e Skënderbeut me 10 vite, po për të njëjtin fenomen. Tashmë pritet për t'u parë se cfarë do të ndodhë.

Si funksionon skema e basteve në paligjshmëri?
Një qytetar i zakonshëm që preferon bastet, e ka të pamundur të provojë 'fatin' nëse nuk është i lidhur me personat që mbajnë në "jetë" në paligjshmëri këtë biznes. Shumë pika bastesh të mbyllura, u 'kamufluan' si lokale të zakonshme, por nuk humbën klientët bastexhinj. Personat në krye të kësaj skeme në të zezë, me një telefon të vetëm futen në faqet e huaja të basteve, të cilat në vendin tonë janë të bllokuara nga AKEP. Më tej, përmes një numri llogarie, qytetarët mund të vënë bastet. Ndërsa në mungesë të të apasionuarve pas sportit që nuk kanë karta krediti, janë personat në krye të kësaj skeme, që u marrin paratë në dorë dhe i vënë bastet nga një kartë që përdorin masivisht për biznesin e tyre të paligjshëm. Kompanitë e transferta të parave dyshohet të jenë në vendet fqinje, ose shtete të tjera.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Begaj vizitë në Urdhrin Sovran të Maltës, takohet me Fra' John Dunlap

Presidenti Begaj vizitë në Urdhrin Sovran të Maltës, takohet me Fra' John Dunlap