Skënder Drini..
një ditë nga jeta e shkrimtarit

Skënder Drini..<br />një ditë nga jeta e shkrimtarit
Skënder Drini është një nga ata, shkrimtarë me emër të letërsisë shqipe, që panteonit të letrave dhe bashkëkohësve, si testament u ka lënë edhe këto vepra, si: “Tregimet e së shtunës”, “Shqipja e kreshtave tona” (dy vëllime), “Midis dy kohëve”, “Shembja e idhujve”, “Kirurgët”, “Tanush Martini”, “Nata është grua”, “Kthim në vetvete”, “Njerëzit dhe deti”, “Klass”…

1. Shumë njerëz e njohin, por edhe nuk e njohin shkrimtarin Skënder Drini. Nuk mbahet mend që moti, por për dikë nuk ka dhe shumë rëndësi data, viti dhe koha e, kjo s’do të thotë që ai nuk e di, e mbart si relike në kujtesë: kur dhe si erdhi ai, i biri i prefektit Riza Drini i dashuruar si fanolist, të jetojë në Shkodër, ku ende jeton edhe sot e kësaj dite… Në këtë marrëdhënie më shumë se një gjysmë shekulli me këtë qytet verior, vallë ky qytet e ‘shkodranizoi’ Skënderin, apo Skënderi e ‘shkodranizoi’ këtë qytet?.. Apo ende nuk e kanë gjetur emëruesin e përbashkët drejt një etaloni vlerësues, respektues, miqësor e të sinqertë… Apo ende janë në kërkim të njëri-tjetrit…, e ç’flas kështu…, kur secili: qytetit Verior e Skënder Drini kanë një profil, identitet e gjurmëlënie...

Skënderi ka lindur në Voskopojë (Korçë). Teksa flet për një problem a teksa qesh dhe rrallë qesh, zëri i tij më ngjan si një serenatë e harruar korçare por edhe si një jare shkodrane ende e pa mësuar deri në fund… Çuditërisht për Shkodrën, rrënjët, traditat dhe historinë e saj të flet imtësisht dhe me kompetencë, aq sa dituria e ndonjë intelektuali shkodran është i detyruar ‘t’i hapë udhë…’

Në këtë qytet Verior, e njohin dhe s’e njohin tregimtarin, romancierin, diplomatin dhe analistin Skënder Drini. Ndonëse në jetën e tij shkrimore këtij qyteti i ka falur romanin “Vraje tradhtinë”, për ta bërë atë të pavdekshëm. Në këtë hulli letrare më kujton dhe librin “Tregimet e Veriut”. Ndoshta si simbolikë a diçka më tej, më sjellë pranë zërin e Migjenit me “Novelat e Veriut”.  Vërtet, në këto libra jetojnë e trazohen kohëra me problematika të ndryshme, me pika të largëta horizontesh shikimi, por që zbulojnë, çuditërisht, shtigje takimesh... Kohë shkrimtarësh apo shkrimtarë që kanë fiksuar kohën?.. Në këtë marrëdhënie Koha lëviz, flet dhe në heshtje prapë flet… Në mes tyre, si një zonjë e rëndë, rri Pavdekësia, si një memorialistikë vlere kushtuar njerëzve që u kërrusën dhe u thinjën nga që i kishin dhënë ‘besën’ diturisë...
 
2. Ditët e Skënderit janë aq të zakonshme, të dukshme e të përceptueshme, sa nuk e ke të vështirë t’i rrëfesh… E, rrëfimi është i thjeshtë, i natyrshëm e njerëzor për një personazh stoik që kohës i ka bërë sfidë, ndërsa, vetë, koha në këtë “dyluftim” nuk është penduar kurrë, nuk është treguar bujare, përkundrazi e pamëshirëshme. Mbase mungesa e hapësirës në jetën e tij njerëzore, ka reflektuar në hapësirat e prozës së tij artistike, ku gëlojnë natyrshëm, si: filozofia, poetika, meditimi, simbolika, kontrasti, sugjestioni, pasuria leksikore dhe fraza e ngjeshur me domethënie e ngarkesë emocionale… 

Dhe të gjitha këto më kujtojnë romanin “Korbi”, një kod identiteti në opusin romanesk të Skënderit. “Korbi, - siç do të më thoshte Skënderi gjatë një bisede një ditë, - është një histori e gjatë, një eksperiencë e imja e shumë viteve më përpara, 60 vite a 70 më përpara në Turqi, që unë kam pasur rastin të shoh e të njoh një korb që fliste disa fjalë. Dhe unë kisha elementin e parë, korbin që fliste pak fjalë, por më ka intriguar vite me radhë, por nuk kisha pjekur e kristalizuar filozofinë e veprës. Unë e ndieja që e kisha këtë korb, dhe gjatë viteve filozofia u kristalizua, u qartësua dhe doli romani. 

Unë nuk besoj që jo të gjithë emigrantët i ka pritur një korb, sepse jo vetëm fati i emigracionit shqiptar, por edhe fati i emigracionit në shkallë botërore ka notat e veta të dhimbshme e të trishtuara dhe, fillon me një hap mjerimi do të thosha unë, dhe ekzistojnë më të fortët, ata që jetojnë dhe mbijetojnë. Duke e shkruar këtë vepër unë kam kujtuar Xhek Londonin, “Dhëmbin e bardhë”, romanin e tij. Në kohën kur doli kjo vepër, një pjesë e kritikës tha: pa qenë qen Xhek Londoni nuk mund ta shkruante këtë vepër. Edhe gjatë veprës kam menduar shpesh, se pa qenë korb nuk mund ta shkruaj këtë vepër.“
 
Ditët e Skënderit janë të ngjashme si pika uji. Përgjithësisht ka një orar të paradites, kur del nga shtëpia. Ecën në këmbë. Trotuarit. Hapat e tij nuk dëgjohen, aq të butë janë. As nuk trokasin. As nuk zhurmojnë. As nuk tërheqin vëmendje. Ecën i menduar. Gjithmonë me një vatër letërsie a motiv që rrinë ndezur pandërprerë… Me sy të palëvizshëm, që të vështrojnë pa ia nda e e të përkëdhelin edhe në heshtje. Sy që të flasin për pafajsi. Miqësisht të vë dorën mbi supe. Dorë që nuk të vret. Dorë që të lëmon si një pendë zogu. Mbase, ti, nuk e ndjen, por gishtrinjtë e tij po aq sa janë plakur, po aq janë rrudhur. Me cigaren që ndez cigaren... (Ndoshta kjo është arsyeja që ende nuk ka bërë një tregim kushtuar shkrepses…) I heshtur. Edhe në mbretërinë e kësaj heshtjeje, Skënderi: sa lë gjurmë urtësie aq lë dhe gjurmë lavdie.

Qëllon, shpesh qëllon, që një makinë t’i ndalet pranë. Nuk e tremb. E bën të kthejë kokën ngadalë i shoqëruar me një vështrim përhumbës. Janë nga ata miq që e njohin, por janë edhe nga ata miq që s’e njohin. Ka nga ata që e njohin së largu, ashtu siç ka nga ata që nuk e njohin së afërmi. Ia humbasin kohën e rrugës, por ia shpejtojnë kohën e ndenjes për diku…, e favorizojnë… Si çdo ditë, edhe sot, e pret lokali i përditshëm me emrin “Venecia”, që është në pronësi të ish boksierit të talentuar Besnik Gjetja. Shpirtzemërgjerësia e tij i fal shkrimtarit Drini në çdo moment ngrohtësi njerëzore. E pret një ndenjëse, ku nuk ulet askush. E pret një kafe me shumë kafe në një filxhan  jo të zakonshëm. Sjell nëpër mend e përcjell në atë rrufitje traditën e kafes shkodrane. Pastaj avazi i zakonshëm, por jo bezdisës, i ndezjes së cigares që s’ka të pushuar…

Pastaj shtëllungat e hirta të tymit, që e mbulojnë si padashur shkrimtarin që më shumë hesht se sa flet, të cilat sikur e degdisin në kohë dhe e risjellin përsëri… E duket se i ngjan një personazh absurd të një kohe absurde… Pastaj çdo gjë fanitet dhe vazhdon biseda me përditshmërinë e saj. E, pastaj…, siç i quan ai njerëzit e tij më të shtrenjtë në tregimin “Testamenti”, vijnë në orare të ndryshme: Kali Arab, Dhelpra, Kokëforti Aktiv, Pacuku, Gjenerali… “Dihet, - shkruan shkrimtari, - që këto nuk janë emra të vërtetë, por pseudonime që unë i kam vënë për t’i përkëdhelur dhe llastuar… … 

Balzaku i madh, dhe një varg balzakësh më të vegjël se ai, na kanë kujtuar se, atij që merr mundimin e madh për të lënë një testament, i faniten përpara syve portretet e njerëzve që e kanë rrethuar nga afër në jetë.” Dhe aty, përkrah tij janë, flasin, frymojnë, heshtin e jetojnë personazhet e tij, që mbartin plot histori e plot copëza jete. Kështu dhe lind një tregim prej tij si një mbresë e çastit. Kështu, disa janë kthyer në personazhe, të tjerë së shpejti do të jenë të tillë… Dhe lokali në sytë e botën e shkrimtarit nuk është më lokal, por një muze me objekte-njerëz që për ta flasin testamentet-Jetë përmes lëvrimit të tregimit të shkurtër. Dhe kohët e fundit shkrimtari Skënder Drini pikërisht kësaj gjinie të vështirë po i rreket… Siç duket në rrjedhën letrare ka ende për të thënë, a testamentit ende fjalë për t’i shkruar… 

Kjo marrëdhënie me këtë gjini që zakonisht shkrimtarit i fal mjeshtëri e zotësi mbetet “një pikë e dobët dhe e vështirë, por jo e pakapërcyeshme”  edhe në jetën letrare të Skënder Drinit, se “…duhet të thuash diçka të madhe brenda pak faqeve. Kërkon koncentrat absolut.” E teksa lexon prozën e shkurtër të Skënder Drinit, vetiu të vjen të përmendësh: Çehovin, Mopasanin, Buxatin, etj. Bën përpjekje të rikujtosh e ta qasësh me një autor shqiptar… Por tipologjia e tregimeve të Skënder Drinit ka tipare dhe veçoritë e tij, të papërsëritshme. 

Nuk gjen një të krahasuar, ndonëse vatrat poetike që u ngjajnë flakadanëve olimpikë jetojnë edhe periferive… E, duke iu risjellur këtyre tregimeve, nuk e ke të vështirë të dallosh filozofinë e shkrimtarit, skalitjen e personazhit, kompozicionin e kujdesshëm dhe delikat, ndërtimin e frazës me ngjyra poetike e me një emocion që të rrëmben falë një kulture të admirueshme… Se, edhe sot e kësaj dite, veçanërisht kur nata i fal qetësinë shkrimtarit, i cili s’mund të jetojë pa të, ai nis dhe shfleton letërsi të huaj… Takimi me prozatorë të mëdhenj të njohur e të panjohur i dhuron, si gjithnjë, planete të reja shkrimtarie dhe jo “…planete të lodhura” – siç do të thoshte diku në një krijim të tij shkrimtari Drini.

E, Skënder Drini është një nga ata, shkrimtarë me emër të letërsisë shqipe, që panteonit të letrave dhe bashkëkohësve, si testament u ka lënë edhe këto vepra, si: “Tregimet e së shtunës”, ndonëse shahu si lojë brenda shpirtit të autorit i ka mbetur si një vegim i largët, por me një marrëdhënie dashurie si në rini; “Shqipja e kreshtave tona” (dy vëllime), “Midis dy kohëve” etj., ku historia ngjan, sikur zëvendëson realitetin ekzistues; ndonëse janë të njohura në jetën e krijuesve ikjet nga realiteti dhe bashkëkohësia, kur ato shtypin jetën dhe botën e shkrimtarit; “Shembja e idhujve”, “Kirurgët”, “Tanush Martini”, “Nata është grua”, “Kthim në vetvete”, “Njerëzit dhe deti”, “Klass”, etj., që s’u kuptuan esencialisht nga kritika jonë letrare, e që realisht këto vepra do t’i dëshironte t’i shkruante e ëndërronte çdo krijues…
 
3.… dhe vjen një orë, kur Skënder Drini vështron parreshtur orën. Nxitimthi, do të thosha. Sikur ka ngut, sikur ka ankth, sikur po i ikën koha… Sikur… Dhe e vështron përsëri e përsëri… I duhet të ikë. Ikën, jo në vetmi. Njëri nga personazhet me nofkën përkëdhelëse e llastuese vënë enkas nga shkrimtari, e përcjell… E biseda vazhdon, e jeta sjell copëza jete…

I duhet të largohet, dhe të gjithë e dinë, përse ai largohet, ndaj dhe nuk e pyesin… Në jetën e zakonshme, që duket sikur Skënderit i kanë mbaruar pretendimet, shëtit me të edhe një e fshehtë e çmueshme: dashuria për Karolinën e tij të dashur e të shtrenjtë, dashuri deri në amshim e sakrifica deri në hyjnizim… Edhe këtu fjalët janë shumë të pakta, më shumë heshtja me sigurinë e testamentit të saj është bashkëudhëtare e tij. Heshtja si filozofi e të jetuarit si një tjetër realitet, duke sfiduar provincën e rutinën, mërzitjen e ordinerinë, ndërsa kulturologjia e tij i jep forcën e të jetuarit e të ekzistencës, qoftë për të lënë edhe një shenjë mbarësie, të cilën po e lë me madhështinë e talentit të tij. E tillë është rruga e këtij njeriu të vërtetë…, i cili, përsëri në heshtje thotë: “Në mes të librave të mi kam “Origjina e species”. 

Jam i bindur që pas kaq mijëra vjetësh marrëzije, do të mbetet si libër i shenjtë. Dua ta marr me vete, se dua që të jem unë ai që i paraprin kësaj profecie. Ndoshta nuk e di me saktësi se çfarë jam, por nëse dikush më përzien me socialdemokratët nuk mund ta kundërshtoj me shumë forcë, por vetëm mund të them që nuk jam nga këta të sotmit, nuk ngjaj as me Shrëderin që ka qenë i suksesshëm, dhe ndoshta kam një qasje vetëm me kohët më të mira të Vili Brandit. E përsëris, nuk duhet që në asnjë mënyrë të lejoni që politika të më bëjë të vetin. Nuk ka shans të ndërrohem në një dekor koket, pa e pasur në gjak koketërinë… Elada e lashtë e kishte kuptuar shumë herët, prandaj, as Leonida i famshëm nuk kishte shans të rrinte me Eskilin. Kur t’u dalë e nevojshme të më mbroni.

Kujtoni si u përdor Migjeni dhe si u mënjanua Migjeni…  … nuk dua funeral publik, dhe për këtë më është mbushur mendja disa vite përpra, që në atë ditën që vdiq poeti F. R. (Frederik Reshpja, - shënimi im) Bëra të pamundurën për t’i dhënë një përcjellje publike atij, sepse as atë nuk e donin. Politika? Politika dhe diçka më shumë… … E çova çështjen shumë lart, dhe më në fund e arrita. F. R. ishte një personazh kontravers, një njeri që kishte bërë çmos për t’i hipur me shkelma jetës së tij të vogël dhe talentit të tij të madh. Shkurt, ishte një poet. Nuk kishte asnjë shans, që ta kuptonin atë ata që kishin në duar nderimin. Nuk mund ta përtyp kurrësesi, si mund të mbetej NDERIMI në duart e tyre. Imagjinoni ç’ngjyrë merr një medalje e shërbyer nga ato duar. Jam i zemëruar, dhe po e teproj… 

Po, jam shumë i zemëruar se meritojmë diçka më shumë. Nuk besoj që të kem qenë ndonjëherë në jetën time më brilant se në funeralin e F. R. Fola me një dhimbje të madhe dhe me një ankth të madh. Por kur mbarova dhe, i hodha një sy gjindjes së artit dhe të kulturës që ishin të pranishëm, m’u lidh në fyt një nyje si një tumor. Dëshiroj të gabohem, po aty, me ndonjë përjashtim të vogël, kjo vdekje nuk ishte tjetër por një vdekje e radhës. Aty m’u kujtua Hygoi që bërtiste  rrugëve të Parisit, ndërsa po vdiste Balzaku. A e dinte Franca që po vdiste njeriu më i madh i saj? Unë nuk dua një funeral, po për këto arsye. Nuk dua as një “vdekje të radhës”, as një “vdekje jashtë radhe”, sepse ne nuk e duam njëri-tjetrin…”
 
Ditët e Skënderit janë të ngjashme si pika uji. Përgjithësisht ka një orar të paradites, kur del nga shtëpia. (Pasditeve pothuajse nuk del.) Ecën në këmbë. Trotuarit. Hapat e tij nuk dëgjohen, aq të butë janë. As nuk trokasin. As nuk zhurmojnë. As nuk tërheqin vëmendje. Ecën i menduar. Gjithmonë me një vatër letërsie a motiv që rrinë ndezur pandërprerë… Me sy të palëvizshëm, që të vështrojnë pa ia nda e e të përkëdhelin edhe në heshtje…

skender drini







































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Sot jepen dy biletat e para të gjysmëfinaleve, titullarët e Barcelona - PSG dhe Dortmund - Atl. Madrid

Champions League/ Sot jepen dy biletat e para të gjysmëfinaleve, titullarët e Barcelona - PSG dhe Dortmund - Atl. Madrid