Skender Minxhozi: Është më e madhe apo më e vogël PD-ja e Sali Berishës?

Sali Berisha

Kurrë s’kemi parë në 30 vjetët e fundit, një luftë të hapur publike mes dy shefave të një partie të madhe politike shqiptare. Ka pasur përplasje gjelash nëpër forca politike të vogla, për vulën, bravën e derës apo makinën dhe shoferin, por jo në partitë e mëdha që kanë qeverisur vendin. Sherri publik mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, ka shtruar ndër të tjera pyetjen egzistenciale se çfarë PD-je po merr formë pas turit të Foltoreve të Berishës nëpër rrethe?!

Një parti fituese, më e bashkuar, më solide dhe sfiduese ndaj Ramës, me lidhje të forta e raporte miqësore me evropianë e amerikanë? Apo një detashment inatçor që shet hallin personal të Sali Berishës me SHBA, si betejë parimesh e standartesh?

Me përjashtim të raportit me Ramën, i cili në rast fitoreje të Berishës do të ishte padyshim më acid dhe armiqësor, sesa ai i PD-së sotme zyrtare, pyetjet e tjera më sipër zor se marrin përgjigje pohuese. Partia Demokratike që po na projektohet virtualisht në sallat ku flet e duartrotiket Sali Berisha këto ditë, është një miks mllefi e reagimesh të forta të armiqve të Lulit, bashkuar me antipatinë për Ramën dhe qeverisjen e tij tetëvjeçare. E ndërsa për të dytin është normale që përkrahësit e Doktorit të kenë alergji, madje edhe aversion, puna komplikohet tek qëndrimi ndaj kryetarit në detyrë të partisë, Lulzim Bashës.

Berisha e ka ndjerë se po luan me zjarrin që mund ta djegë edhe atë vetë, kur ka ndërmarrë një fushatë elektorale kundër Lulzim Bashës, vetëm pak muaj pasi ai është rizgjedhur (edhe nën vështrimin e tij pasiv), kryetar i PD. Si politikan i vjetër ish-kryeministri e di fort mirë se duke krijuar një konflikt të brendshëm në PD aktuale, mund t’i bëjë një reklamim jo të keq kauzës së tij kundër Uashingtonit, por njëherësh mund të rrezikojë të çojë drejt një çarjeje pa kthim partinë drejtoi për 22 vjet. Sidomos në pozitën anemike e të pashpresë në të cilën ndodhet.

Për këtë arsye Berisha përsërit vazhdimisht që po kërkon ta bashkojë partinë, e jo ta ndajë atë. Një liturgji që pakkush e beson, teksa sheh se militantët pranë tij kërkojnë hapur kokën e Bashës dhe teksa ai vetë e quan Bashën “ish-kryetari”. Pra, e konsideron të mbyllur çeshtjen e largimit të tij nga zyra që mori në qershor edhe me bekimin e tij të heshtur.

Kështu siç po na shpaloset, ky nuk është një operacion për bashkimin e PD, por një thikë pas shpine për vetë partinë, në emër të problemeve personale që Berisha ka me amerikanët. Ai kurrë nuk foli në tetë vjet, kur Lulzim Basha humbiste e humbiste, thuajse asnjëherë nuk tha diçka publike kur Luli hynte e dilte në çadër, merrej vesh me Ramën, digjte mandatet, braktiste zgjedhjet dhe sulmonte Kryeministrinë me zjarr. Berisha ishte aty formalisht, në këmbë apo ulur, në shesh, në selinë e PD apo Kuvend, me të tjerët, për të miratuar në heshtje ato që sot po i liston nga mëngjesi në darkë si mynxyrat e “pengut të Ramës”.

Me këtë strategji që kërkon rreshtimin e partisë pas hallit të vet, e jo pas interesit politik të të gjithë demokratëve, Berisha po prodhon një PD të nesërme më agresive, më luftarake, por në çdo rast e në çdo kalkulim të imagjinueshëm, më të vogël e larg pushtetit aritmetikisht.

Nëse sot përkrahësit e Doktorit pyesin jo pa shpoti sesi do të fitojë Luli tani që ka kundër Berishën, kur nuk fitoi dot as me të në krah, fiks e njëjta pyetje vlen edhe për vetë Sali Berishën. Kur kjo parti nuk fitoi kur të gjithë ishin nën një çati, si mendohet se mund të fitojë nesër kur “plaku” i rikthyer i të djathtës të delegojë zyrën e kryetarit tek një delfin i tij personal, duke pasur kundër gjithë masën e PD që mbështet Lulin?!

Sali Berisha po i bën një shërbim të mirë kauzës së tij antiamerikane, por po e telendis partinë e tij në një derexhe edhe më të keqe se ajo e tetë vjetëve të fundit. Ata që shohin ëndrra me rikthimin e fitores nën piskamën e vjetër të Doktorit, janë thjesht të pasinqertë, ose të verbuar nga inati ndaj Ramës dhe Bashës.

Në të gjitha takimet e deritanishme Berisha e ka bërë në mënyrë shterruese kritikën ndaj Bashës. Në fakt nuk është aspak e vështirë diçka e tillë, kur Basha realisht meriton të largohet si i paaftë. Por ajo që Berisha nuk thotë dot, është se çfarë do të bëjë të nesërmen e fitores hipotetike, se cili është vizioni i tij për rikthimin e opozitës në pushtet. Kush mendon se politikani që mori më pak vota se Ori Nebiaj në zgjedhjet e 25 prillit në Tiranë, do të jetë e ardhmja e PD, thjesht ka një problem me kujtesën dhe sinqeritetin.

J.GJ./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rritje pagash për mjekët, infermierët e mësuesit me 6% në vitin 2022, a është e mjaftueshme?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Ceno Klosi emërohet drejtor i ri i Tatimeve