Muçaj: Viti i Skënderbeut, Instituti Arkeologjik pengoi zbulimet në Gur të Bardhë. Ja ku na çojnë gjurmët e para

Muçaj: Viti i Skënderbeut, Instituti Arkeologjik pengoi zbulimet në Gur të Bardhë. Ja ku na çojnë gjurmët e para

Rrënojat e rezidencës së Skënderbeut në Petralbë

Në Gur të Bardhë, në një fshat të vogël që shtrihet në Luginën e Matit, gjendet Kalaja e Petralbës, që ka qenë edhe rezidenca e Skënderbeut. Për Vitin e Skënderbeut, në 550-vjetorin e tij, një grup arkeologësh kishin një projekt në dorë të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Ndërsa manifestimet me librat, kumtesat e ekspozitat në Tiranë për të risjellë në kujtesë historinë e Skënderbeut vijonin plot zell, ëndrra e arkeologut të njohur Skënder Muçaj dhe kolegëve të tij ishte të zbulonin edhe objektet arkeologjike, të cilat do të ndihmonin të plotësonin disa pika të ndërprera në historinë Skënderbejane, dhe epokës ku Skënderbeu jetoi e zhvilloi veprimtarinë e tij, jo vetëm politike, por edhe jetën sociale e kulturore, që lidhej me vendbanimet e tij, me udhëtimet, miqësitë, diplomacinë dhe lidhjet fisnore me familjet e tjera arbërore.

Ka qindra pika të pandriçuara, sipas arkeologut Skënder Muçaj, dhe projekti i kërkimit do të niste nga gjërat më thjeshta, rezidenca e Petralbës, e ruajtur mirë, ku arkeologët shpresonin që me çeljen e gërmimeve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit të dilnin në dritë objekte arkeologjike me rëndësi dokumentare.

Guri i Bardhë, në Klos të Matit

Por pse u anashkalua dhe u la në mes projekti i kërkimeve për Skënderbeun. Cilët faktorë, përveç burokracisë akademike, mund ta bëjnë të pranueshme këtë heshtje 50-vjeçare në kërkimet arkeologjike për Skënderbeun dhe epokën e tij, për Heroin e madh Kombëtar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjithë Europën?!

Skënder Muçaj ka vetëm pak kohë që ka dalë në pension, por nuk e konsideron kërkimin si një mision që duhet lënë në mes të rrugës. Në intervistën e tij për “Shqiptarja.com”, arkeologu Skënder Muçaj rrëfen edhe pritshmëritë që kishin arkeologët, nëse bëheshin gërmimet në rezidencën e Skënderbeut dhe trojet ku kanë banuar Kastriotët. Muçaj gjatë kësaj interviste rrëfen edhe sesi po degradojnë kërkimet arkeologjike vitet e fundit në vendin tonë.

Skënder Muçaj

Intervista

Zoti Muçaj, këto ditë ju keni qenë në Gur të Bardhë për disa kërkime arkeologjike, cili ka qenë synimi konkret i vajtjes suaj atje? 

-Ky është viti i Skënderbeut, me gjithë punët  e bëra, promovimet për këtë vit në fushën e trashëgimisë materiale që është pjesë e arkeologjisë, pjesë e monumenteve, mendoj kërkimi arkeologjik nuk ka ecur paralelisht me fushat e tjera, siç ishte ekspozita në Pallatin e Kongreseve, promovimet e librave e kështu me radhë. Dhe për fat të keq që nga viti 1967, kur ishte 500-vjetori e deri më sot për periudhën e Skënderbeut ose para Skënderbeut që lidhet me familjet fisnike shqiptare, nga të cilat doli dhe Skënderbeu, nuk janë bërë kërkime arkeologjike. Skënderbeu nuk ishte i rënë nga qielli, por ishte rezultat i zhvillimit të natyrshëm të shoqërisë arbërore ose shqiptare që themi ne sot. Pra, nuk erdhi nga oborret perandorake, por origjina e tij lidhet me historitë e principatës së Arbrit, principata e Arbrit është e studiuar nga ana arkeologjike, ne dimë emrat e principatave, por nga ana arkeologjike nuk janë studiuar, ku kanë banuar, çfarë kanë pasur në zotërim, qoftë kjo edhe një kështjellë. Periudha mesjetare, koha kur u formua dhe u rrit fisnikëria arbërore, është studiuar deri më sot mbështetur kryesisht në burimet e shkruara dhe shumë pak në kulturën materiale. Edhe në ato pak raste kur janë marrë dëshmi nga burimet epigrafike  studiuesit janë munduar të identifikojnë vetëm dhuruesit e këtyre veprave të realizuara kryesisht në godinat kishtare. Megjithëse me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut u ndërmorën disa gërmime arkeologjike në disa prej qendrave të përmendur nga autorët e kohës, këto nuk u vazhduan më tej në periudhën e mëvonshme. Dhe sot pas 50 vjetëve jemi të detyruar të mbështetemi vetëm në pak kërkime sipërfaqësore në zonën ku Skënderbeu u mbështet jo vetëm në burimet njerëzore por edhe ato ekonomike për të vazhduar rezistencën 25 vjeçare. Megjithatë të dhënat e vjela janë premtuese për të parashtruar në vija themelore situatën në të cilën po kalonte popullsia arbërore në këtë periudhë të rëndësishëm për formësimin dhe kompaktësimin jo vetëm kulturor por edhe ekonomikë e politikë. Kemi familjet Skuraj, Muzakaj në Kostur e kështu me radhë, por këto të dhëna  janë shumë të pakta dhe në përgjithësi lidhen me mbishkrimet. Janë të dhëna që na kanë ardhur përmes kërkimeve në manastiret e kishat. Ne vetëm në një kishë që kemi gërmuar, në Brar, dhe atë pjesërisht dhe në kishën e Sevastit e vitit 1201 na kanë dhënë rezultate dhe zgjuan nevojën e një kërkimi të mëtejshëm. Ne njohim pak nga historitë e princërve arbërorë përmes arkeologjisë, siç është Shën Gjoni i Elbasanit, Skuraj e Muzakaj që janë në Kostur. Pra, pas konferencës që u bë për 550-vjetorin e Skënderbeut, në fushën e arkeologjisë, kjo periudhë u la në heshtje. Ne shpresuam të bëheshin kërkime në atë zonë ku ishte principata e Arbrit, dhe kjo u la në heshtje. Pra, ne kemi bërë vetëm disa kërkime sipërfaqësore, sepse dihet që mungojnë gërmimet e shekullit të 14-15-16-të për ta njohur më mirë këtë periudhë, janë riparuar në periudha të ndryshme, janë ndërtuar mbi muret e periudhave të mëparshme.

Ku e filluat kërkimin?

-Kërkimet tona të para japin pak elmentë për ta bërë të plotë këtë periudhë të shekullit ‘15-‘16. Kemi nisur tek kalaja në Gurin e Bardhë ose Petralba, është një kala e vogël, ruhet mirë. Nëse bashkia e Klosit do të bëjë një rrugë për ta çuar në kështjellë, do të mund të vizitohet nga turistët. Por për fat të keq procesi i gërmimit u ndërpre, sepse Instituti Arkeologjik nuk e dha lejen për gërmimet. Gërmimet aty janë me shumë interes. Nëse familja Kastrioti kalonte jetën gjatë verës atje, vetëm sikur të gjenin pajisjet e kuzhinës e objektet e tjera të jetesës, do të na tregonin nivelin e kësaj shoqërie në shekullin e 15-të. Kalaja e Petralbës është një kala e vogël, ruhet mirë. E rëndësishme është të zbulosh se çfarë objektesh, janë përdorur në periudhën e Skënderbeut, çfarë tregojnë ato dhe çfarë gjurmësh të kohës gjen atje. Më e lehta për të parë e gërmuar objektet e asaj periudhe është kalaja e Petrelës, por duhen parë edhe kalatë e tjera të asaj periudhe që i kemi jashtë territorit të Shqipërisë. Megjithëse është shumë i nevojshëm kërkimi i objekteve të epokës së Skënderbeut, Instituti i Arkeologjisë nuk pati asnjë projekt, asnjë gërmim. Janë vetëm projekte  të gërmimeve të zakonshme. Ne menduan se në Gur të Bardhë duhej të bëhej patjetër gërmimi, sepse atje rri nën tokë një material i plotë arkeologjik.

Ka gjurmë të vetë Skënderbeut?

-Ka gjurmë të periudhës që ka jetuar Skënderbeu, në Petarlaba ruhet shumë mirë edhe rezidenca feudale, ruhen gjurmët e mureve, dhe selia rezidencës feudale. Ajo shfaqet si rezidencë e plotë, e qartë edhe për nga teknikat, një pjesë e murit rrethues është bërë si muri i rezidencës, por një pjesë është vetëm një mur rrethues, dhe nëse studiohej njëra, na jepet elementi për të parë në një vështrim më të gjerë shekujt e 14-15-të, siç dihet përzierja me anzhuinët e fisnikëve shqiptarë. Por më me interes është periudha e Skënderbeut, sepse ka disa ndërprerje në njohuritë studimore, dhe në plotësimin e tyre dilet përmes gjurmëve e gërmimeve, për të parë se si është zgjeruar familja e Kastriotëve që shkoi nga Shkupi deri në Adriatik. Skënderbeu nuk erdhi në trojet e të tjerëve. Ai u vendos në Krujë se ishin territoret e Kastriotëve. Familja e Kastriotëve ishte e zgjeruar që herët. Kjo punë kërkimore është e vështirë për t’u bërë nëpërmjet institucioneve akademike të cilat paguhen nga shteti, dhe një pjesë e tyre duhet t’u kalojnë bashkive t’i administronin që të kujdeseshin, t’i pastronin dhe t’i menaxhonin duke ia kaluar edhe turizmit.

Gravurë, Gjin Kastrioti me 9 fëmijët

Ju mendoni se po të gërmohet sadopak, do të gjenden me siguri objekte atje?

-Patjetër që ka objekte. Po të ishin kryer gërmime do të ishin  gjetur, dhe gjetjet do të na jepnin elementë të tjerë për të studiuar në pikëpamje më të gjerë ndërtimet e bëra në shekullin e 12-të, 13-të, deri në shekullin e 15-të. Kështjellat e këtij territori pasqyrojnë në një masë të kënaqshme dhe vetë evolucionin e fisnikërisë së Arbërit, rritjen e shkallës së autonomisë, tkurrjen apo zgjerimin e territoreve duke kaluar në radhë nga princat e Principatës së Arbrit dhe deri tek Skënderbeu. Çdo periudhë e zhvillimit të fisnikërisë arbërore gjen më së miri pasqyrim në kështjellat që ne kemi marrë në shqyrtim në malësinë e Tiranës, Krujës, Matit dhe Dibrës së Poshtme. Por me interes parësor është familja e Skënderbeut, sepse na del në një periudhë të mëhershme se Skënderbeu ka paraardhës Pal Kastriotin, por pas tij ka një ndërprerje të informacionit. Duke gërmuar ne mendojmë të shkojmë më thellë dhe të mbushim këtë hapësirë të ndërprerë. Me zbulimet mund të hidhet dritë sesi familja Kastrioti në  territoret e Matit e Mirditës ishte zgjeruar që më herët.

Petralba, Guri i Bardhë

Ndërsa u dha leja gjatë Vitit të Skënderbeut për botimet, aktivitetet, ekspozitat, çfarë i pengon institucionet që të përkrahin nismat për zbulimet arkeologjike me kaq vlerë siç i paraqitët ju?

- Instituti Arkeologjik nuk merr në shqyrtim projektet që nuk vijnë nga brenda Institutit. Gërmimet nga persona jashtë Institutit nuk mund të realizohen, me gjithë përpjekjet që kam bërë unë. Neve na ndihmoi për  projektin edhe Bashkia e Klosit, me qëllim që ta bënim gërmimin për vitin e Skënderbeut, dhe për shkak të mosdhënies së lejes nga Instituti projekti nuk do të realizohet. Por nuk e kuptoj sesi Instituti mund të ndërmarrë gërmime vetëm brenda institucionit, kur nuk ka as personelin e nevojshëm. Ka studentë në arkeologji që kanë ngelur jashtë fushave. Kështu është bërë sot Shqipëri që institucionet e kulturës punësojnë persona jo të fushës, dhe lënë pa punë këta që kanë ecur me profesionalizëm. Sot Instituti i Arkeologjisë ka vetëm një arkeolog që ndihmon në gërmime, dhe ky nuk është me kohë të plotë aty. Dhe Petrela ku është gërmuar, nuk është bërë në mënyrë shkencore nga specialistët, kemi monumente të gërmuara, por të pastudiuara, sepse gërmimet nuk janë  bërë nga punonjësit e arkeologjisë, por nga të rretheve, e me radhë, që nuk janë specialistë të kësaj fushe. Pra vetë mënyra si funksionon Instituti bëhet pengesë për gërmimet.

Si nisi kjo iniciativë? 

Fokusimi për gërmimet në rezidencën e Petralbës, vitin e kaluar u bë nëpërmjet një projekti nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit, agjencia 2 në Tiranë që e nisi mbarë këtë punë. Projektin për kërkimet në rezidencën e Petralbës e miratoi Këshilli Kombëtar i Territorit, por vijimi me gërmimet ngeli pa u realizuar për mosdhënien e lejes. Nëse do të bëheshin këto gërmime, zbulimet do të ishin një vlerë e shtuar për historinë e Shqipërisë. Ne duhet të presim nga arkeologjia për të na dhënë edhe sistemin ekonomik, historinë e shoqërisë, ekonominë jetesën, sepse historinë e Mesjetës e kemi parë vetëm si histori politike, u vra ky, u pre ai. Dokumentet nuk shterojnë akoma, por është mirë që burimet e shkruara të kompletohen me elementë nga trashëgimia materiale dhe këtë duhet ta bëjë arkeologjia. Por kontributi i shkollave të larta në shkencën e arkeologjisë është inegzistent. Kështu që ka ngelur një grup i vogël studiuesish në qendrën albanologjike dhe ky grup është i tkurrur, sepse marrëdhëniet kanë ardhur duke u ndërprerë me komunitetin shkencor që është në bazë, dhe që mund të ndihmojnë edhe në gërmime.

Petralba, Guri i Bardhë

.......................

Enciklopedia

Vlerat historike e arkeologjike të Pretarlbës në Gur të Bardhë

Në Gur të Bardhë ndodhet kalaja e Petrlabës. Ajo gjendet poshtë në pjesën e poshtme të fshatit, përmbi fshatin Fshat. Është e ngritur në një kreshtë malore 778 m dhe nuk ndodhet larg nga Kalaja e Xibrit.

Sipas supozimeve të ndryshme dhe gojëdhënave, mendohet se kjo kala është ndërtuar pas shembjes (rrënimit) së asaj të Xibrit. Të dyja këto kala ndodheshin në rrëzë rrugës kryesore Dibër - Qafë Murrize -Durrës. 

Marin Barleti për këtë kala ka shkruar: "Ky është një qytet i vogël në Mat, i ndërtuar në majë të një mali dhe që s'i trembet asnjë fuqie armike, përveç urisë".

Kjo kala sëbashku me Kalanë e Skënderbeut (e quajtur ndryshe Kalaja e Stelushit) në Varosh, kanë qenë dy qytetet kryesore të Gjon Kastriotit, të të atit të Skënderbeut. Kalaja e Gurit Bardhë (Petralba), paraqiste një interes tepër të madh në kohën e principatës së Kastriotëve dhe për nga interesi vinte e dyta pas asaj të Stelushit. Në këtë qytezë mbante familjen Gjon Kastrioti dhe këtu ka lindur edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Sërish sipas Barletit : "Në këtë kala, kalonte verën dhe vjeshtën e shoqja e Skënderbeut". Flitet se në fundin e shekullit të XV dhe në fillimin e shekullit të XVI, Guri Bardhë për numrin e shtëpive të banimit, renditej pas Shkodrës, e cila kishte 282 shtëpi. Prizreni kishte 557, Gjirokastra 302 dhe Kruja 128 shtëpi, ndërsa qytete më të zhvilluara, si Elbasani dhe Berati, nuk i kalonin 100 shtëpi.

Guri i Bardhë më së shumti u bë i njohur nga fundi i shekullit të XVI me shkrimtarin e madh të asaj kohe, Pjetër Budi, i cili lindi në vitin 1566, në këtë fshat. Mësimet e para i mori në fshatin ku lindi dhe mendohet se në Gur të Bardhë, qëndroi deri në moshën 21-vjeçare. Më pas bëhet prift dhe në vitin 1587 emërohet famullitar në Kosovë. Më vonë shërben për rreth 17 vite me radhë si zëvendës i përgjithshëm për dioqezat katolike të Serbisë. Në vitin 1604 kthehet përsëri në Shqipëri, ku emërohet si peshkop i Sapës dhe i Sardës. Ndërsa fundi i jetës së tij qe tragjik, pasi e mbytën pabesisht në lumi.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

SPAK firmos 9 masa sigurie, mes tyre 2 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës

SPAK firmos 9 masa sigurie, mes tyre 2 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës