SOLIDARITETI/ Behgjet Pacolli: Do ndërtoj pallat në Krujë për 3 muaj! Rama: Do i bëjmë statujë afër Skënderbeut

KRUJE - Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka dhuruar 1 milionë euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, do të ndërtojë vet banesa për ata që mbetën pa çati në kokë. SI një ndërtues me eksperiencë në këtë fushë, Pacolli sugjeroi që në qytetin e Krujës, pallatet dhe shtëpitë e shembura të ndërtohen në pjesën e poshtme të qytetit, duke i dhënë hapësirë zonës turistike. Por në të njëjtën kohë duke i afruar banesat me shkollat, kopshtet e çerdhet.

"Aty ku ka pallate mirë është me zbrit poshtë, për të hapur hapësirë, se Kruja është qytet turistik. Vendosim dhe një fond ne dhe bëjmë një operacion që të dalë edhe qyteti i fituar. Rregullon kualitetin e jetës, më mirë në rrafsh ku krijohet një infrastrukturë tjetër, që ka afër shkollën e kopshtin", tha Pacolli.

Në një takim me kryeministrin Edi Rama dhe me banorët e prekur nga tërmeti në qytetin e Krujës, Behgjet Pacolli tha se ka nisur nga puna për të bërë projektin e pallateve, ndërsa tha se nëse nuk krijohen pengesa, ata do të jenë gati për 3 muaj.

Që nga projektimi deri tek çelësat sa zgjat? -  pyeti kryeministri Pacollin.

"Nëse nuk ka pengesa në rastin më të mirë, një pallat, 45 banesa nga 80 metra katrorë, për 3 muaj duhet të kryhet", tha ai.

"Jo jo, s'ma merr mendja. Të faltë Zoti shpirtit",  u shpreh një banore duke shfaqur edhe ndjenjën e mosbesimit por njëherësh edhe falenderimit nëse pallati bëhet për 3 muaj.

"Po i bëri për tre muaj po i bëjmë dhe një statujë aty afër Skënderbeut", tha Rama.

Zv.kryeministri në detyrë i Kosovës paraprakisht tha se ka menduar që Thumana të rindërtohet në zonën ku janë shembur godinat, por kryeministri Rama ndërhyri duke thënë se asnjë nga banorët nuk duan të jetojnë më aty ku humbën të afërmit e tyre.

Behgjet Pacolli: Ajo pjesë që ka jetuar aty nuk duhen shpërngulur. Ta bëjmë qendrën e THumanës si shembull për të tjerët. Do ta bëjmë në mënyrë krejtësisht tjetër, prej verifikimit të terrenit, gradës sizmike.

Edi Rama: Ti bëj taten se shembullin e bëjmë ne, e shohim se kush do e bëjë më bukur, këtu nuk jemi në garë Ato familje që kanë viktima nuk duan të rrinë aty. Familjet që kanë shpëtuar në shumicën e rasteve nuk duan. Çfarë do bëjnë atje me thënë të drejtën? Me bë gjithë atë shpenzim. Duke qenë se Behgjeti është ndërtues do të marrë t'i bëjë vet, se të tjerëve u marrim fondin. Ne të gjithë pallatet që nuk bëhen më do t'i shembin dhe do t'i rindërtojmë.  Bashkia me Behgjetin merreni përsipër këtë pjesë, bëni një masterplan duke marrë parasysh sa njerëz janë, sa apartamente janë për tu rindërtuar nga e para, dhe ndani punën cilën pjesën bën Behgjeti cilën ne, se nuk do bëjë gjithë Krujën. Supervizorin për garanci, për të gjithë kompanitë, do jetë nga shteti.

Kreu i qeverisë tha se procesi duhet të jetë i shpejtë referuar edhe problematikës në Krujë e Fushë-Krujë të mungesës së banesave me qira. Kryebashkiaku Artur Bushi tha se bashkia do të paguajë qiranë për të gjithë, edhe nëse ata mund të sistemohen pranë të afërmve të tyre në qytet. Në të kundër, bashkia do t'i paguajë qiranë në banesa në Tiranë dhe do të shlyejë gjithashtu edhe transportin.

Artur Bushi: Pasi të ezaurojmë banesat në Krujë dhe Fushë-Krujë, disa do t'i transferojmë në Tiranë, duke i garantuar edhe transportin për në punë.

Edi Rama: Opsioni i qirasë duhet parë edhe ku ka dhoma bosh, dhe ne i paguajmë qiranë. Se të ikin e të vijnë nga Tiranë, i kanë fëmijët në shkollë.

Artur Bushi: Ai që e gjen mundësinë brenda qytetit edhe tek i afërmi, ne do t'i paguajmë qiranë.

Rama shkëmbeu edhe një batutë me një zonë, e cila ju drejtua me fjalët: Rrofsh 100 e ca vjet! Përgjigjja e tij ishte: Moos, joooo! Pse mo ç'a jam unë shqiponjë?!

Në takim ishte e pranishme edhe deputetja e zonës, Egalntina Gjermeni, për të cilën Rama pati fjalë mjaft vlerësuese: "Meriton njëmijë urata për shërbimin e përulur, që u ka bërë krejt larg syve të medias familjeve të mbledhura në kampin e Thumanës, pa pushim e pa iu ndjerë zëri, së bashku me rrjetin e vajzave vullnetare, krahas trupave të shtetit".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:26
Fëmijën e pyesin 'është i bukur Xhaxhi Edi'...përgjigja e Ramës as që pritej (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ishte sot së bashku me zv. kryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli në Krujë. Ai ka vizituar edhe një kopësht fëmije, teksa nuk kanë munguar batuta.

Një prej punonjësve e pyet një prej fëmijëve: A është i bukur Xhaxhi Edi?

Menjëherë ndërhyn Rama duke thënë: Po lëri këto..unë jam si gogol.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane: Ksamili, vendpushimi mesdhetar i ngjashëm me Maldivet

Media amerikane: Ksamili, vendpushimi mesdhetar i ngjashëm me Maldivet