Sot Dita e Europës, Rama uron me video! Meta: Do ishin në BE nëse politika s'do kishte krijuar pengesa artificiale! Soreca: Integrimi i Shqipërisë në BE tashmë po ndodh

9 maji shënon Ditën e Europës e vendosur nga Bashkimi Europian në përkujtim të Deklaratës Schumanit. Dita e Evropës është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”.  Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”.

Dita e Europës është përshëndetur nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili shkruan se së shpejti, kufijtë e Europës politike afrohen me ata të Europës kulturore. 

“9 Maji i sivjetëm është e dyta Ditë e Europës pasi Shqipëria ka merituar vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave. Dita e Europës pason ditën e fitores mbi fashizmin, dhe çlirimin e Europës. Prandaj Dita e Europës është Dita e Lirisë dhe Europa vetë është shtëpia e Lirisë. Europa si projekt politik është një ndër projektet më frymëzues të njerëzimit. Por projekti europian shkon përtej kufijvë politikë; është një projekt human, moral, pajtues, qytetërues, perëndimor. Europianizimi, Perëndimizimi dhe Modernizimi përkojnë me njeri-tjetrin. Merita e qytetërimit europian dhe perëndimor është se nuk përjashton, por ndërton ura bashkëpunimi me qytetërimet e tjera të kohës sonë. Sot, në Ditën e Europës, ne, shqiptarët, kemi shumë arsye të gëzojmë. Jo vetëm për rrënjët tona europiane, por edhe për aspiratat tona europaiste. Me kontributin, sakrificat dhe arritjet tona dhe të popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor ne po zgjerojmë projektin europian dhe po afrojmë kufijtë politikë të Europës në kufijtë kulturorë të saj. Nuk do të jetë e largët dita kur kufijtë e Europës politike dhe Europës kulturore do të jenë një dhe do të afrohen me kufijtë natyrorë të saj.

Është merita edhe e popujve tanë që Ballkani Perëndimor ka filluar të perceptohet si një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian. Asimetria e shkallës së demokracisë midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor po ngushtohet ndjeshëm. Jam krenar që integrimi europian është fari që ndriçon Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët dhe që vendimi konsensual i Këshillit Europian për çeljen e negociatave u arrit gjatë shërbimit tim si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë”, shkruan Ruçi.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca, në Ditën e Europës, është ndalur te pandemia e COVID dhe domosdoshmëria për t'i dhënë fund asaj, si një mënyrë, sipas tij, për të formësuar një fillim të ri për të gjithë europianët. Nëpërmjet një video mesazhi nga veriu i Shqipërisë, Soreca thotë se edhe Shqipërisë, sikurse Europës, i duhet pikërisht të fitojë luftën me COVID-19, duke shtuar se thirrja e BE për veprim është se 'Askush nuk është i sigurt, pa qenë të gjithë të sigurt'. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:35
Dita e Europës: Soreca: Europa një histori e fillimeve të reja! Integrimi i Shqipërisë në BE tashmë po ndodh (VIDEO)

Në Ditën e Europës, ambasadori i BE, Luigi Soreca është ndalur te pandemia e COVID dhe domosdoshmëria për t'i dhënë fund asaj, si një mënyrë për të formësuar një fillim të ri për të gjithë europianët. Nëpërmjet një video mesazhi nga veriu i Shqipërisë, Soreca thotë se edhe Shqipërisë, sikurse Europës, i duhet pikërisht të fitojë luftën me COVID-19, duke shtuar se thirrja e BE për veprim është se 'Askush nuk është i sigurt, pa qenë të gjithë të sigurt'.

"Sot është Dita e Europës, unë ndodhem këtu në veri të Shqipërie për të nisur turin e takimeve 3 javorë që do zhvillohen në të gjithë vendin. Viti që po lëmë pas, ka qenë si asnjë më parë, Pandemia ka ndikuar në çdo aspekt të jetës. Kemi kaluar përvoja të vështira personale, sëmundje të dhimbshme, Shumë nga ju kanë patur vështirësi ekonomike dhe humbjen e njerëzve të dashur. Po, në të njëjtën kohë kemi parë shembuj të shkëlqyer qëndrueshmërie dhe mbështetje. Ato çaste janë zbuluar bujarinë e atyre që kanë ndërhyrë për të ndihmuar. Gjithmonë në situata të vështira, kupton se ku mund të mbështetesh. Europa është një histori e fillimeve të reja. Dhe kjo është ajo çka Europës, përfshirë Shqipërinë, i duhet tani. t'i japë fund pandemisë dhe të formësojmë një fillim të ri për të gjithë europianët, Kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët. 'Askush nuk është i sigurt, pa qenë të gjithë të sigurt', kjo është thirrja jonë e përbashkët për veprim", thuhet mes të tjerash në mesazhin e Sorecës.  

 

Mesazhi i plotë i Sorecës:

Sot është Dita e Evropës. Unë ndodhem këtu, në veri të Shqipërisë, për të nisur tri javë veprimtarish dhe takimesh që do të zhvillohen në mbarë vendin.

Viti që po lëmë pas ka qenë si asnjë tjetër më parë. Pandemia ka prekur çdo aspekt të jetës sonë. Kemi kaluar përvoja të vështira personale, sëmundje të dhimbshme, shumë prej jush kanë pësuar vështirësi ekonomike dhe humbjen e njerëzve të dashur.

Por, në të njëjtën kohë, kemi parë shembuj të shkëlqyer qëndrueshmërie dhe mbështetjeje. Ato çaste kanë zbuluar bujarinë e atyre që kanë ndërhyrë për të ndihmuar. Gjithmonë në situatat më të vështira e kupton se te kush mund të mbështetesh.

Evropa është një histori e fillimeve të reja. Dhe kjo është ajo çka Evropës, përfshirë Shqipërinë, i duhet tani. T'i japë fund pandemisë dhe të formësojë një fillim të ri për të gjithë evropianët. Kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët. Ne duhet ta kapërcejmë këtë krizë të gjithë së bashku dhe të ofrojmë një fillim të ri për të ardhmen e qytetarëve evropianë.

Që nga shpërthimi i pandemisë, BE-ja ka qenë krah për krah me Shqipërinë për të përballuar krizën shëndetësore dhe ekonomike. “Askush nuk është i sigurt pa qenë të gjithë të sigurt” është thirrja jonë e përbashkët për veprim.

Brenda një viti, BE-ja i ka dhënë Shqipërisë më shumë se 4 milionë euro pajisje mjekësore të reja. Spitalet shqiptare tashmë janë në një gjendje shumë më të mirë se sa një vit më parë.

Këtu dua të shpreh mirënjohjen për përpjekjet mbresëlënëse të bëra nga stafi mjekësor dhe ndihmësmjekësor shqiptar. Faleminderit edhe një herë të gjithëve ju për përkushtimin dhe sakrificën tuaj!

BE-ja ka dhuruar gjithashtu më shumë se 50 milionë euro për të ndihmuar bizneset e vogla dhe bashkitë, si dhe për të mbështetur trajnimet, në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të gjejnë punë në vendin e tyre. Më pas, para një muaji, ne disbursuam gjithashtu 90 milion Eurot e para të ndihmës sonë makro-financiare.

Në Delegacionin e BE-së në Shqipëri ne kemi punuar pa u lodhur për të mundësuar një dhurim të përgjithshëm prej më shumë se 230 milionë eurosh për ta ndihmuar Shqipërinë të trajtojë pandeminë.

E gjithë kjo ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme solidariteti nga BE-ja dhe të gjitha Shtetet tona Anëtare. Si Ekipi Evropa ne qëndruam përkrah Shqipërisë dhe pjesës tjetër të botës.

Përfshirë vaksinat. Ndërsa të tjerët e mbajnë prodhimin e vaksinave për vete, Ekipi Evropa është eksportuesi kryesor i vaksinave në të gjithë botën dhe një nga kontribuesit më të mëdhenj të COVAX-it. Deri tani, më shumë se 200 milionë doza vaksinash të prodhuara në Evropë janë dërguar në pjesën tjetër të botës. Ndërsa këtë javë, grupi i parë prej 145.000 vaksinash Pfizer, të paguara nga BE-ja, ka mbërritur në Tiranë me vizitën e Komisionerit Várhelyi.

Kjo është një tjetër dëshmi se Evropa është këtu. Si donatori më i madh në vend, qëllimi ynë është të përmirësojmë jetën e përditshme të shqiptarëve, madje para se Shqipëria të bashkohet me BE-në.

Në vitin e kaluar, më kanë munguar takimet me ju në veprimtaritë tona. Apo thjesht në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tuaj. Më kanë munguar vizitat nëpër vendin tuaj të bukur.

Është kjo dëshirë për t'u takuar dhe shkëmbyer me ju që na nisi në udhëtimin e Javëve të Evropës të këtij viti.

Ne duam të vijmë tek ju atje ku jeni. Në qytetet, qytezat dhe fshatrat tuaj, në lugina e në male.

Ne do të udhëtojmë për tri javë, duke u ndaluar çdo ditë në një bashki të ndryshme, shumica e tyre, bashki ku nuk kemi qenë kurrë më parë. Do ta shihni autobusin tonë të BE-së në udhëtim. Bashkohuni me ne! Gjatë tri javëve të ardhshme, duam t'ju dëgjojmë dhe të lidhemi me ju, personalisht.

Ndoshta më keni dëgjuar të them se Evropa është tashmë këtu! Evropa është këtu! Ajo çka kam dashur të them është se integrimi i Shqipërisë në BE tashmë po ndodh, çdo ditë, shumë përpara anëtarësimit!

Ne investojmë në arsim dhe kulturë, sepse besojmë se e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e Evropës do të mbështeten te dija dhe dritësimi.

Ne investojmë te rrugët për t'ju lidhur më mirë me njëri-tjetrin.

Ne investojmë në bujqësi, në sigurinë ushqimore dhe mjedis për të përmirësuar cilësinë e jetës suaj.

Dhe ashtu siç bëhet më një mik në nevojë, ne gjithashtu qëndruam përkrah popullit shqiptar në përpjekjet për rindërtim pas tërmetit dramatik të nëntorit 2019. Ne kemi dhuruar 115 milionë euro për mbi 60 shkolla, shkolla nga të cilat do të përfitojnë 200.000 fëmijë, mësuesit dhe familjet e tyre, si dhe për rehabilitimin e qendrave të trashëgimisë kulturore - një pasuri e jashtëzakonshme për turizmin dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.

Sot, ndërsa pandemia po bie në Shqipëri dhe vaksinat po bëhen më të disponueshme, ne duam të shohim përpara me shpresë dhe optimizëm.

Të shohim përpara do të thotë që duam të shohim nisjen sa më shpejt të jetë e mundur të negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, Shtetet Anëtare vendosën të hapnin negociatat. Së shpejti ato do të vendosin për fillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Muajt e fundit kanë treguar përparim të vërtetë në shumë fronte.

Jemi të bindur se tani është koha për ta bërë këtë hap të rëndësishëm.

Ndërkohë, Dita e Evropës sot shënon edhe nisjen e Konferencës për të Ardhmen e Evropës, një udhëtim sfidues për të rikrijuar më të mirën tonë.

Kemi zgjedhur ta arrijmë këtë duke i dëgjuar me të vërtetë evropianët, në një ushtrim unik demokratik mbarë-evropian. Po ashtu edhe shqiptarët, kudo ku jetojnë. Sepse nuk mund të mendohet për të ardhmen e Evropës pa dëgjuar Shtetet e ardhshme Anëtare në Ballkan.

Të dashur miq,

Tani gjendem në Tamarë, një nga zonat më të izoluara të vendit. Megjithatë, edhe këtu, vështrojmë rrugën e BE-së që e bëri këtë luginë të arritshme, pikën kufitare që financuam për të lehtësuar shkëmbimet me Malin e Zi, si dhe pikat e informacionit për turistët te të cilat investuam për të sjellë më shumë vizitorë në këtë pjesë të mahnitshme të Evropës.

Kjo është ajo çka nënkuptoj me Evropa është këtu - për të mbështetur, për të mbrojtur, për të investuar dhe, sot, për të festuar.

Le të dalim së bashku nga kriza, duke dëgjuar njëri-tjetrin, duke u kujdesur për njëri-tjetrin.

Unë jam pranë jush, ne jemi pranë jush!

Iu uroj të gjithëve një Ditë të Evropës 2021 të bukur dhe të sigurt!

Ora 10:01
Dita e Europës, Klajda Gjoshaj: Kemi 7 vite që presim për çeljen e negociatave dhe askush nuk di të thotë sot se cila është e ardhmja! Koha e një reflektimi nga politika

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjoshaj, ka reaguar në Ditën e Europës, ku thotë se vendi ka 7 vite që pret çeljen e negociatave, por ende askush nuk di të thotë se cila është e ardhmja. Ajo i bën thirrje politikës për reflektim për të marrë më shumë përgjegjësi, "e jo për të mashtruar vetveten!".

"Sot 9 Maji, dita e Evropës! A është edhe Shqipëria gati? Fjalët në këtë proces i merr gjithmonë era, rezultatet janë ato që mbeten! Rezultati i deri tanishëm, kemi 7 vite që presim për çeljen e negociatave dhe askush nuk di të thotë sot se cila është e ardhmja. Shqipërisë i ka munguar gjithmonë maturia politika dhe sado që ne jemi mësuar të festojmë në këtë ditë, ndoshta ka ardhur koha e një reflektimi nga politika për të marrë më shumë përgjegjësi, e jo për të mashtruar vetveten!", shkruan Gjoshaj.

 

Ora 09:47
Dita e Europës, Meta: Do ishin në BE nëse politika nuk do kishte krijuar pengesa artificiale në gjithë këto vite tranzicioni

Presidenti Ilir Meta ka kërcënuar edhe në urimin e bërë për Ditën e Europës, duke u shprehur se për faj të përfaqësuesve të partive politike, vendi ndodhet edhe në regjim hibrid duke krijuar pengesa artificiale për integrimin në BE. Sipas Metës në këto vite tranzicioni vendi ka patur mundësi për t'u bërë si gjithë Europa, por kjo do të ndodhë kur përfaqësuesit e partive politike të mendojnë për t'i dhënë forcë zërit të rinisë dhe të garantojnë shanse të barabarta për një të ardhme në Shqipëri.

"Vokacioni dhe identiteti europian i popullit shqiptar është përcaktuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Shekuj më vonë, Shqipëria u bë viktima e parë e nazifashizmit në Europë, por u rreshtua në anën e duhur të historisë, për të dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke filluar nga vetja dhe vijuar me çlirimin e popujve të tjerë, në mënyrë që të vinte 9 maji i 1945.

E izoluar dhe e harruar për dekada nën regjimin më të egër diktatorial të kontinentit, Shqipëria e përqafoi fuqimisht mesazhin e 9 Majit me përmbysjen e atij regjimi shtypës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për t'ju përkushtuar në emër të tyre dhe të dinjitetit njerëzor, të paqes dhe progresit shoqëror, të vetmit objektiv dhe projekti gjithëpërfshirës për të cilin vendi ynë dhe i gjithë rajoni ka nevojë, anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në të gjithë këto vite tranzicioni kemi patur mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ta realizuar aspiratën e Studentëve të Dhjetorit '90 "E duam Shqipërinë, si gjithë Europa", por për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa.

Kjo do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t'i dhënë forcë zërit të rinisë, duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në Atdheun e tyre, për të ndalur njëherë e përgjithmonë atë që me të drejtë Papa Françesku e ka cilësuar si "dimri demografik", dramën më të madhe të vendit.

Është koha të ndihmojmë qytetarët tanë dhe Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride, për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. GËZUAR DITËN E EUROPËS!", shkruan Meta

Ora 09:33
Xhaçka uron Ditën e Europës: Ne kemi të gjithë vullnetin politik për të mundësuar integrimin në BE (VIDEO)

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar Ditën e Europës, duke shprehur besimin se e ardhmja e Shqipërisë dhe rajonit do të jetë në Europë dhe se nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari. Me një videomesazh, Xhaçka shprehet se rrugëtimi i BE në këto 7 dekada, nuk ka qenë një fushë me lule dhe se projekti politik i Unionit është endur mes skepticizmit dhe europeizmit. Xhaçka shprehet se Shqipëria ka të gjithë vullnetin politik për të punuar për integrimin në BE.

"71 vjet më parë, Robert Schuman, prezantoi deklaratën e tij historike, ku propozohej krijimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Ishte një hap i guximshëm dhe largpamës, të cilin Schuman dhe vizionarët e atij që sot e njohim si “Bashkimi Evropian”, e ndërmorën për të hedhur themelet e një bashkëpunimi politik dhe ekonomik, të bazuar mbi mirëkuptimin dhe solidaritetin, dëshirën dhe paqen afat-gjatë për të rindërtuar së bashku Evropën e dërrmuar nga lufta, në mënyrë që Kontinenti të mos njihte më kurrë, si më parë, konflikte të përgjakshme.

Sot, ajo ëndërr dhe ai vizion vazhdon edhe më aktuale se kurrë më parë. Historia jonë e përbashkët na mëson se paqja dhe mirëqenia dhe mënyra e të jetuarit sipas standardeve më të larta dhe vetë demokracia që i prodhon ato, nuk mund të merren të mirëqena. Deviza e kohës sonë, edhe në këtë pjesë me zemër të re të kontinentit të vjetër, Shqipërisë, mbetet vizioni i baballarëve të Unionit, i mbështetur në solidaritet dhe veprim të përbashkët, për ta çuar përpara këtë projekt politik, duke përfshirë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, me një perspektivë të qartë në BE, duke e bërë kështu triumfues projektin në të gjithë kontinentin.

Sot, ne jemi më afër se kurrë objektivit tonë strategjik të anëtarësimit përmes procesit të hapjes së negociatave. Shqipëria dhe qeveria jonë ka arritur që përmes përpjekjeve titanike, të përmbushjen të gjitha prioritetet dhe kërkesave specifike, ku më madhorja është ajo e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës. Këto janë realizuar falë edhe konsensusit kombëtar të të gjithë shqiptarëve.

Koha ka dëshmuar se rrugëtimi i BE në këto shtatë dekada, nuk ka qenë një fushë me lule. Projekti politik i Unionit është endur mes skepticizmit dhe europeizmit. Për këtë, sot, në të gjitha strukturat institucionale evropiane është hedhur në tryezën e debatit dhe diskutimeve tema mbi të ardhmen e Evropës, e cila synon të shtjellojë të gjithë problematikën dhe modernizimin e Unionit.

Ne jemi besimplotë se edhe vetë e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe e rajonit nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari. Ne kemi të gjithë vullnetin politik për të punuar për këtë objektiv dhe realizimi i tij do të vijë natyrshëm si përmbushje e amanetit të paraardhësve tanë dhe detyrim ndaj brezave të rinj.

Stafeta jonë është në duar të sigurta, dhe këtu kam parasysh asetin tonë më të vyer kombëtar, gjeneratën e të rinjve dhe të rejave që do ta lartësojnë edhe më tej emrin, rolin dhe kontributin e Shqipërisë në familjen evropiane.

Gëzuar Ditën e Europës!", tha Xhaçka.

 

Ora 08:59
Kryeministri Rama uron ditën e Europës me një video

Kryeministri Edi Rama ka uruar Ditën e Europës me një video ku tregohet se si BE funksionin si një organizatë bashkëpunuese mes vendesh dhe mbështetëse për njëri-tjetrin.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pelioni: 09/05/2021 10:36

    Njëshi i pengesave artificiale për pranimin e shqipërisë në BE është Like Floriri i Çepanit që ka debulese e pikë të dobët doktor vdekjen.

    Përgjigju
  • Gege Kosova: 09/05/2021 10:20

    Evrope!Deri kur do na ndeshkosh ne shqiptareve,vecmas ne shqiptareve kendej Drini-Kosove.Na apte ndeshkuar me 1913,18,20 e deri me 1945.Si edhe me pare ne Shen Stefan e Berlin.Po tash pse?!Serbia na vrau mbi 13 mije shqiptare civile, 1300 femije,ka zhdukur 1600 te tjere,mes tyre edhe Ukshin Hotin.Mbi 400 ploja vrasjesh ka perjetuar Kosova vetem ne vitin 1999.20 mije gra te dbhunuara e nje milion te shperngulur jasht trojeve autoktone e cka jo moje Evropa plake!!Prap te ndeshkuar,i vetmi popull pa liberalizim vizash dhe as uk e dijme pse,As nuk ka asnje arsye ndeskimi.I kujt esh5te ky qejef ndshkimi?!! Vertet pse dhe dei kur keshtu?!!!

    Përgjigju
  • Niku: 09/05/2021 10:13

    Presidenti harron sulmin qe i beri shqiperise me mbetjet toksike po ja hedh fajin te tjereve,,ptuuu qelbesir njeri i urryer.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

3 protestues në pranga për dhunën te Bashkia, Rithemelimi: Terror policor, të lirohen

3 protestues në pranga për dhunën te Bashkia, Rithemelimi: Terror policor, të lirohen