Kuvend, debat për inceneratorët, Berisha: Ahmetaj i fajshëm, por Rama është koka e krimit! Balla: 'Katran me bojë' të përjashtoi kandidati yt nga fushata e Tiranës

TIRANË- Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi seancën e radhës plenare. Në nisje të seancës deputetët të 'Rithemelimit' kanë kërkuar që të ndryshojë rendi i ditës dhe të bëhet një mocion me debat për të diskutuar mbi raportin e fundit të DASH që flet për mangësi të pavarësisë së gjyqësorit dhe ndikimit të pushtetit te media. Ndërkohë që Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka thënë se mazhoranca mezi pret të diskutojë për raportin e DASH por kërkesa për mocion me debat duhet bërë sipas procedurës. Ai tha se Kuvendi duhet të diskutojë edhe për vendimin e SHBA për ta shpallur ‘non grata’ Sali Berishën.

Pas debateve kryetarja e Kuvendit tha se deputetët duhet fillimisht të sillnin kërkesën për mocion me debat, të shqyrtohej sipas procedurës dhe të vendosej data kur do të zhvillohet.

“Më parë sillni kërkesën për mocionin me debat sepse kërkesa është vetëm për ndryshim rendi të ditës. Konform nenit nenit 98 ju duhet të sillni kërkesën për mocionin me debat dhe unë për 3 ditë do ta mbledh konferencën e kryetarëve për ta vendosur. Vazhdojmë me rendin e ditës”, tha Nikolla.

Gjatë seancës plenare deputeti demokrat Bujar Leskaj ka zhvilluar një interpelancë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliun.

Leskaj kërkoi nga qeveria që të përcaktohet minimumi jetik brenda vitit 2023, si një referencë në luftën kundër varfërisë. Sipas Leskajt vendi ynë është i vetmi në Europë që nuk ka legjislacion për minimumin jetik. Por ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fjalën e saj u shpreh se vende të ndryshme operojnë në mënyra të ndryshme për të përcaktuar pagën minimale. Sipas ministres të dhënat e INSTAT të cilat janë nxjerrë me metodologjinë e Eurostat kanë rezultatet e duhura dhe se efektiviteti i mbështetjes së familjeve në nevojë është rritur.

Ndërkohë, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho zhvilloi një seancë me pyetje me ministren e Arsimit, Evis Kushi. Xhixho ngriti në Kuvend çështjen e mbështetjes së studentëve gjatë kohës së krizës, të cilët edhe pse dërguan një kërkesë që të mbështeten me 100 euro nga qeveria nuk pati asnjë vendimmarrje. Kushi tha se mbështetja për studentët do të vijojë të jetë prioritet absolut i politikave tona në arsimin e lartë.

Në rend dite u futën edhe 7 projektligje, nga të cilat 5 u miratuan. Po ashtu deputetët miratuan edhe 2 projektvendime. 

Nga ana tjetër, debate ka pasur edhe mes Sali Berishës dhe Taulant Ballës. Berisha u shpreh se Arben Ahmetaj është i fajshëm për çështjen e inceneratorëve, por theksoi se Rama është koka e krimit. Nga ana tjetër, Balla iu përgjigj duke i kujtuar Belind Këlliçin. Ai tha se Këlliçi e ka përjashtuar Berishën nga fushata e tij, për shkak është “katran me bojë”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:07
Miratohen 5 projektligje dhe 2 projektvendime në Kuvend! Deputetët nuk miratojnë 2 nismat e deputetit Vasili për energjinë elektrike dhe burimet e rinovueshme

1679602698_finalprojekt.00022823.Still020.jpg

Deputetët kanë miratuar 5 projektligje dhe 2 projektvendime në seancën e sotme plenare.

Projektligji “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” u miratua me 75 vota pro, 2 abstenime dhe 9 kundër;

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për Programin Kombëtar të Modernizimit të Sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri” u miratua 81 vota pro, 1 abstenim dhe 4 kundër;

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave Shumëkombëshe dhe Vëshguesve, për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në forcat Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve në Sinai” u miratua me 85 vota pro

Projektligji ”Për kontrollin e tregtimit të produkteve që mund të përdoren për dënime me vdekje, torturë ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese u miratua me 80 vota pro;

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 48/ 2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”, të ndryshuar” u miratua me 77 vota pro.

Gjithashtu u miratua me 75 vota pro projektvendimi “Mbi disa shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 86/2018 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Po me 75 vota pro u miratua projektvendim “Mbi disa shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 65/2020 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimin e pozicioneve të punës në Komisionin e Prokurimit Publik””.

Projektligji që nuk u miratua nga Kuvendi është “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike””(nisma 1) dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” (Nisma 2). Këto nisma u dërguan në Kuvend nga deputeti Petrit Vasili.

Ora 20:22
Braçe: Bujqve t’u paguhen pagesat e vonuara nga grumbulluesit! Tregu i ri agroushqimor në Farkë i dha fund monopolit në vend

1679598789_Screenshot1.jpg

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe kërkoi në Kuvend miratimin e nismës së tij për një akt ligjor që i detyron grumbulluesit të paguajnë bujqit për pagesat e vonuara të produkteve bujqësore që këta të fundit kanë dorëzuar.

“Projektligji që unë kam paraqitur adreson vonesat e pagesave të vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare. Me vonesa të vonuara kuptojmë pagesa që nuk kryhen në afatin e caktuar nga ndërmarrjet publike apo private. Në fund fare bujqit të kenë garanci për mallin që kanë dorëzuar dhe për paratë që vijnë nga ky mall. Kaq duhet bërë për të vendosur raport të ri mes bujqeve, grumbulluesve dhe përpunuesve. Për t’u dhënë garanci bujqve që ka një ligj që i mbron marrëdhëniet e tyre në raport me tregtarët.”-tha Braçe.

Mes të tjerash, deputeti bëri thirrje që bujqit të pajisen me numër ‘NIPT’ si e vetmja mënyrë për të shitur mallin e tyre me faturë dhe për të qenë të mbrojtur ligjërisht. Mes të tjerash, Braçe përgëzoi edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn për hapjen e tregut të ri agroushqimor në Farkë, që sipas tij i heq monopolin tregut të vetëm agroushqimor në kryeqytet.

“Duhet të regjistrohen me NIPT, dhe ta shesin mallin e tyre me faturë. Instrumenti i formalizimit i mbron dhe i fut në regjim të ri ku do ndihen të mbrojtur. Duhet të formalizohen tregjetqë shesin produkte bujqësore. Këtu në Tiranë ka një treg që operon si monopol. Tirana është tregu i madh që furnizon çdo treg të Shqipërisë. Më në fund, iu dha fund monopolit të tregut ushqimor. Dhe për këtë dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për tregun më të ri në Farkë që i jep fund monopolit të vendosur”-përfundoi Braçe.

Ora 18:04
Boçi mban fjalën e fundit si deputet në parlament: Dorëzoj mandatin që të jem pranë njerëzve të mi, i kam falur shpifjet! Boll ia vratë votën qytetarëve

 

Luçiano Boçi, i cili do të lërë mandatin e deputetit për të kandiduar si kryetar bashkie në Elbasan mbajti fjalën në Kuvend duke thënë se nuk po dorëzohet. Boçi shprehet se këtë sakrificë po e bën për t’i kthyer lavdinë Bashkisë së Elbasanit.

Po ashtu ironizon qeverinë duke thënë se i ka falur shpifjet me idenë se falja është hyjnore dhe i bën thirrje që të ndalen së detyruari qytetarët ëqë t’i pëlqejnë në rrjete sociale.

“Në këtë sallë më ka sjellë mbështetja dhe vota e qytetarëve pa parti të Elbasanit. Vetë në këto vite jam përpjekur sa kam mundur me angazhimin tim të jem zëri i tyre. Jam përpjekuri të jem mbështetja e tyre, zgjidhësi i problemeve të tyre, miku i tyre, pavarësisht krahut politik, vetvetja. Jo gjithmonë ia kam arritur dhe kjo është krejt njerëzore ama ka qenë nder për mua.

Ka qenë besimi i tyre që e ka bërë fjalën të vlerë dhe i ka dhënë frymë mendjes time të flasë dhe të thojë të vërtetën. Po e dorëzoj sot mandatin me kushtin që të jem më pranë njerëzve të mi, qytetarëve të Elbasanit. Një mekanizëm që vret besimin dhe shpresën e qytetarëve. Këtu jam ballafaquar me kundërshtar luftarak dhe me kolegë.. i kam falur shpifjet me idenë se falja është hyjnore. Ky vend më ka pëlqyer për dinamikën, të bukurën e politikës dhe të shëmtuarën e saj.

Nuk jam nga ata që dorëzohem. Më pëlqejnë betejat dhe sfidat, sikurse më pëlqen të jem me njerëzit e vërtetë të këtij vendi, të nxis një investim, të ndihmoj dikë. Jam i bindur që edhe ju këtë dëshironi, pavarësisht detyrimeve dhe joshjeve politike. Më është dhënë privilegji që dikush mund ta quajë sakrificë.

Privilegj për të qenë në bashkinë time të Elbasanit, e shoh si mundësinë e artë për t’i kthyer të gjithë shkëlqimin, meritën dhe lavdinë e dikurshme. Fati i një qyteti mund të ngjajë i vogël por është madhërisht i rëndë si gur prehistorik në ndërgjegjen e qytetarëve. Nëse ka një pasqyrë ku dua të dukem mirë është vetëdija e qytetarëve. Unë po iki për tu rikthyer se kjo u vlen njerëzve të mi se bashkë me ta do e bëjmë ndryshimin. Do e bëjmë Elbasanin një vend të dashur ku mund të jetosh pa menduar si të ikësh, ku përmasa njerëzore rritet dhe trashëgohet bukur. Boll i detyruat qytetarët t’ju pëlqejnë me zor në rrjete sociale. Bashkia është e qytetarëve dhe ata do e bëjnë ndryshimin.

Sot unë nuk dua të flas për mizorinë me të cilën e keni trajtuar atë bashki me dekada dhe keni përfituar gjatë këtyre viteve. I keni bindur se janë të varfër dhe se do të vdesin të tillë dhe ky padyshim është një krim. U keni helmuar tokën më të butë të planetit dhe u keni mashtruar me një gjysmë thesi miell që të mbajnë gojën mbyllur. U keni vjedhur 27 mln euro me një gënjeshtër që edhe pse nuk djeg dot plehra, ju u djeg me siguri. Keni shkatërruar çdo infrastrukturë, keni braktisur lagje dhe fshatra, pa rrugë e pa shërbim, por vetëm me presionin për të marrë votën. Unë po iki për t’u rikthyer atje ku çdo gjë e vogël bën një diferencë të madhe. Ne do ta rikthejmë Elbasanin në një pol të rëndësishëm ekonomik, në trekëndëshin, Tiranë-Elbasan –Durrës. Një vend ku mund të jetosh pa menduar si të ikësh. Elbasanin do ta bëjmë qytetin e internetit të shpejtë dhe do t’i tregojmë qeverisë së si qeveriset në një vend me njerëz të mirë. Kërkesa ime në këtë sallë, është boll ia vratë votën dhe të ardhmen duke ia blerë atë. Boll ia kërcënuan jetën duke i larguar për bindje politike dhe boll i mashtruat me propagandë”, tha Boçi.

Ora 16:28
Propozimi i Ramës për kryetaren e SHISH, deputeti Shehu: Dëmton Kosovën, s'duhet t'i bëjmë karshillëk! Është patriotizëm i gabuar

 

Deputeti i PD, Tritan Shehu nuk ka kursyer komentin për propozimin e kryeministrit Edi Rama që në krye të SHISH të emërohet Vlora Hyseni. Sipas Shehut, është hap i gabuar dhe patriotizëm i shtrembër sepse Kosova po dëmtohet dhe nuk duhet të tregojë se është nën ombrellën e Shqipërisë.

Shehu thotë se nuk duhet të krijohet ideja se Kosovën e kemi në xhep.

“Cili është mesazhi politik që do të japë kryeministri. A ka një mesazh? Le të ndahemi dhe të shohim me radhë. Kush mund të jetë mesazhi politik për Kosovën? Sëpaku është paternalizëm paradoksal për Kosovën. Krijon efektin e kundërt për shtetin e ri të Kosovës. Ndërkohë që Kosova do të forcojë sovranitetin e saj si shtet. Për të qenë realisht në betejat në organizmat ndërkombëtare. Nuk është interesi i Kosovës që të tregojë se është nën ombrellën e Shqipërisë.

Vetëm dëmtohet Kosova me veprime të tilla. U bë e njëjta gjë me atë djaloshin që u vendos si Ministër i Jashtëm, një eksperiment i dështuar, siç ishte dhe Ministrja e Arsimit. Pse transmetojmë këto mesazhe negative. Pse kërkojmë të krijojmë idenë se Kosovën e kemi në xhepin tonë? Ai është një shtet i pavarur.

Ne bëjmë lojën e Vuçiçit edhe këtu. Ne i japim argumente Vuçiçit. Pse duhet të krijojmë konsullata të përbashkëta me Kosovën jashtë vendit? Ajo duhet t’i ketë të pavarura. Çfarë duam të tregojmë? T’i bëjmë karshillëk qeverisë së Kosovës. Pse duhet të bëjmë të tilla veprime politike. Janë mesazhe politike që jepen. Unë mendoj se është e gabuar. Ky është patriotizëm i shtrembër”, tha Shehu.

Ora 16:06
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, ministrja e Jashtme: Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve prioritet për sigurinë

 

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në fjalën e saj në Kuvend është ndalur tek marrëveshja e arritur në Ohër në 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin tha se ky është një lajm i mirë. Ministrja Xhaçka u shpreh se është optimiste për angazhimin konstruktiv e serioz të Qeverisë së Kosovës dhe atë të Serbisë. Xhaçka u shpreh se puna që duhet bërë deri në finalizimin e zbatimit të marrëveshjes, do të jetë komplekse, me sfida dhe do të kërkojë shumë përkushtim, seriozitet por edhe mbështetje nga partnerë e aleatë për të qenë e suksesshme.

'Marrëveshja e arritur në Ohër në 18 mars mes Kosovës e Serbisë është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin tonë. Prandaj, unë dua të marr një moment, të përgëzoj Kosovën, qeverinë e saj, për seriozitetin e treguar, por edhe për guximin e treguar, pasi natyrisht, arritja e një marrëveshje të tillë nuk është e lehtë. Dua po ashtu të falenderoj Bashkimin Europian, e posaçërisht Përfaqësuesin e Lartë Borrell dhe Përfaqësuesin e Posaçëm Miroslav Lajcak, për të gjithë angazhimin e pse jo, durimin e këmbënguljen, me të cilën punuan për arritjen e marrëveshjes. E padyshim, një mirënjohje e posaçme i shkon edhe Shteteve të Bashkuara dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit Escobar që dhanë padyshim një kontribut të pazëvendësueshëm në këtë proces.

Marrëveshja e arritur në Ohër është një lajm i mirë. Puna konkrete për zbatimin pritet të nisë pas afërsisht 1 muaji ndërkohë që shpresa është që gjithçka të jetë dakordësuar deri në fund të vitit. Sigurisht, që finalizimi do të kërkojë shumë punë. Djalli fshihet gjithnjë në detaje dhe mjafton të marrësh në konsideratë faktin që kjo marrëveshje u miratua përmes një procesi krejt sui generis, pa u firmosur, për të kuptuar se finalizimi nuk do të jetë aspak i lehtë. Duke thënë këtë nuk dua të jap shkas për pesimizëm. Unë personalisht jam shumë optimiste që me angazhimin konstruktiv e serioz të Qeverisë së Kosovës, atë të Serbisë, mbështetjen dhe monitorimin e BE dhe SHBA veçanërisht gjatë procesit delikat të implementimit, ekzistojnë të gjithë kushtet që kjo marrëveshje të çojë me sukses drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo që dua të them, është që puna që duhet bërë deri në finalizimin e zbatimit të marrëveshjes, do të jetë komplekse, me sfida dhe do të kërkojë shumë përkushtim, seriozitet por edhe mbështetje nga partnerë e aleatë për të qenë e suksesshme. Eshte koha per hapa te vendosur, jo per ambiguitet. Marreveshja dhe aneksi duhen zbatuar ne teresine e tyre, siç parashikon pika 2 e aneksit,  jo duke zgjedhur ca dispozita dhe injoruar disa te tjera:  nuk duhet te pengohet anetaresimi i Kosoves ne organizata nderkombetare, perfshire OKB; duhet te njihen dokumentat dhe simbolet kombetare te Kosoves

Shqipëria ka qenë vazhdimisht në mbështetje të dialogut. Shqipëria ka qenë po ashtu që në krye të herës në mbështetje të të ashtuquajturit plan franko gjerman i cili shërben si një pikënisje e mirë për dialogun. E padyshim, ashtu siç kemi bërë në çdo moment, edhe në luftë, edhe në paqe, ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën me të gjithë mundësitë që kemi. Përpjekjet tona sot do të vazhdojnë të fokusohen tek procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tek procesi i njohjeve. Me arritjen e kësaj marrëveshje unë pres që këto procese të bëhen deri diku më të lehta dhe rezistenca të zbehet, pavarësisht se jemi të vetëdijshëm për pengesat që mund të krijojnë gjatë këtij procesi vende si Rusia apo ndonjë vend tjetër, që nuk e mbështesin dialogun dhe arritjen e një normalizimi të plotë mes Kosovës e Serbisë.

Por ajo që mund të them, është që falë performancës vërtet të suksesshme që ka pasur diplomacia shqiptare veçanërisht në vite e fundit, duke filluar me Presidencën e OSBE, me performancën vërtet dinjitoze në Këshillin e Sigurimit, me progresin në procesin e integrimit europian, me rritjen e angazhimit tonë pro-aktiv në favor të paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në rajon, por edhe me fuqizimin e intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale me një sërë vendesh, Shqipëria ka sot mundësi më të mëdha e më konkrete për të mbështetur Kosovën, çka padyshim që do ta bëjmë në një koordinim të ngushte me Kosovën.

Mbështetja e Kosovës është sot, siç ka qenë jetë e mot, një prioritet kombëtar. Por sot më shumë se kurrë, në kontekstin e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është një prioritet për sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit edhe më gjerë, në Europë. Rajoni ynë, e sidomos situata si ajo që ekzistonte mes Kosovës e Serbisë apo ajo në Bosnje Hercegovinë janë në shënjestër të përpjekjeve ruse për të shkaktuar tensione e konflikt në Ballkanin Perëndimor. Përpjekje, të cilat duket tashmë qartë që kanë ndodhur edhe në Shqipëri përmes injektimit të fondeve ruse në politikë. Arritja e kësaj marrëvëshje, normalizimi eventual i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, do të shuajë një nga vatrat e mundshme të konfliktit në rajon. E padyshim, duke hapur rrugën për avancimin e të dy vendeve në procesin e integrimit europian, do të ndikojë ndjeshëm në konsolidimin e paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.'- tha Xhaçka.

Ora 14:53
Balla i përgjigjet Berishës: Një gjë të mirë po bën Këlliçi për fushatë që s’po të shfaq ty! T’i duhet të jesh para drejtësisë për abuzimet me energjinë

 

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës në Kuvend për vjedhjen e energjisë për të cilin bën përgjegjës qeverinë. Balla u ndal tek fushata e Belind Këlliçit, për të cilin tha se ato që i kanë bërë fushatën kanë bërë diçka të mirë, pasi nuk e shfaqin me Sali Berishën.

‘Unë bie dakord me atë që i kanë thënë Belind Këllicit për fushatën tani. Mos u shfaq asgjëkundi me Saliun se po dole me të je shumë i humbur. Jam shumë dakord që Belindi duhet ta zbatojë këtë strategji. Sali Berisha është një e keqe që të gjithë duhet të biem dakord që ky vend duhet të shpëtojë. Zotëria sapo foli duhet të ishte para drejtësisë për shumë çështje që lidhjen edhe për energjinë elektrike. Kemi termocentralin e Vlorës, një investim që po të pyesësh nuk dinë se sa kaq enë fatura finale për të që nuk u vu kurrë në punë, të investosh me para publike në një termocentral dhe mos të vihet kurrë në punë, do të duhen shumë para të tjera. E nisi Saliu e bitis Saliu dhe e la jashtë funksionit. U investua në termocentral dhe nuk u vu në punë. Privatizimin e kompanisë shtetërore e betë ju. Keni privatizuar rafinerinë e Ballshit, duke e shkatërruar përfundimisht gjithë atë rafineri dhe duke lënë një qytet si Ballshi pa një industri. Drejtësia vonon por nuk harron.’- u shpreh Berisha.

Ora 14:38
Berisha përplaset me Ulsi Manjën: Intrigant, firmose inceneratorët! Ministri: Ata të tutë firmosën Gërdecin

 

Duke folur për çështjen e inceneratorëve Sali Berisha e pati një debat në distancë me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. Ish-Kryeministri e akuzoi Manjën se ka firmosur aferën e inceneratorëve, ndërkohë që ministri i tha se ministrat e tij kanë firmosur për Gërdecin.

Berisha: Po ti si mund ta firmosësh këtë projekt, të tjerë para teje nuk e bënë

Manja: Nuk firmos unë si ministrat e tu për Gërdecin

Berisha: E arrestova Lefterin për t’i bërë qejfin Belindës, intrigrant

Ora 14:37
Inceneratorët/ Berisha në Kuvend: Ahmetaj fajtor, por Edi Rama është përgjegjësi kryesor

 

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka folur sot në Kuvend për inceneratorët. Ai tha se Arben Ahmetaj është fajtor por kjo aferë sipas tij nuk mund të bëhej pa Edi Ramën, të cilin e konsideroi kokën e krimit.

“Arben Ahmetaj është përgjegjës ndër më kryesorët në aferën e tmerrshme të djegësve. Arben Ahmetaj ka firmën në tranferimin e fondit të emergjencës për Elbasanin dhe Fierin. Arben Ahmetaj ka miratuar me siglim dhe me firmë të gjithë procedurat anti ligjore,. Arben Ahmetaj ka qenë i lidhur si mishi me thoin me Mirel Mërtirin dhe Klodjan Zoton.

Por duhet të themi këtu se krye autori i aferës 600-700 milionëshe në total nuk mund të realizohej vetëm me firmën dhe insistimin e Arben Ahmetajt. Edi Rama është përgjegjësi numër 1 dhe autori kryesor i kësaj me afere”, tha Berisha.

Ora 12:59
Xhixho pyet ministren e Arsimit: Pse u përjashtuan studentët nga Pakoja e Madhe mbështetëse?! Kushi: Kemi marra masa indirekte duke mbështetur familjet e tyre

 

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka zhvilluar një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit Evis Kushi në lidhje me protestën dhe kërkesat e pedagogëve. Sipas Xhixhos, ata kërkuan  rritjen e cilësisë së arsimit në vend dhe për trajtim dinjitoz financiar të tyre, por që kërkesat e tyre nuk u morën parasysh nga ministria e Arsimit.

‘Pedagogët tanë përballen sot me rritjen e çmimeve të ushqimeve, kosto të rritura të jetesës, rritja e karburantit etj. Të mos flasim për shpenzimet që u duhen për rritjen profesionale pagesat për artikuj, konferenca që shkojnë nga 300 - 1mijë euro më e pakta dhe të cilat i mbulojnë vetë, pa asnjë mbështetje.  Alarmi që ata ngritën për mundësinë e largimit të intelektualëve nga vendi, jo vetëm s’u dëgjua dhe nuk iu dha përgjigje, por edhe u kërcënuan. Pagat në Shqipëri janë 40% më të ulëta se ato në rajon. Vendi me çmimet më të shtrenjta ka pagat më të ulëta. Buxheti i Shqipërisë për arsimin vazhdon jetë më i ulëti në rajon, sa 2,2% e PBB-së për 2023-shin. Kjo shifër është shumë larg mesatares së BE-së dhe premtimit 5% e PBB-së që do të realizonte Rilindja. Sot arsimi është në emergjencë, ndaj në tetor 2022, i jam drejtuar ministres së Arsimit, znj.Kushi, me një kërkesë për më shumë informacion mbi hapat që po ndiqeshin për realizimin e kërkesave të drejta të pedagogëve.’- tha Xhixho.

Po ashtu deputetja e Partisë së Lirisë ngriti edhe shqetësimin e trajtimit të studentëve, ku tha se janë të përjashtuar në mënyrë sistematike nga të gjitha paketat e rezistencës të sjella nga kjo qeveri në Kuvend. Xhixho u shpreh se ata u përjashtuan sërish edhe nga pseudo-lëmosha që kryeministri e quajti “Pakoja e Madhe”.

‘Studentët përballen sot me rritje të çmimeve dhe kostos së jetesës. Të paktën 500 euro i duhen një studenti në muaj, pa llogaritur këtu tarifën e studimeve. Kostoja e jetesës është dyfishuar, karta e studentit nuk ia doli kurrë të bëhet realitet, por mbeti thjesht një tallje me 1-2 % ulje në markete. Studentët praktikisht janë lënë jetimë nga kjo qeveri. Në mungesë të shpresës, tragjikisht ata po marrin gomonet e rrezikojnë jetën në La Mansh. 71% e të rinjve nuk e shohin të ardhmen në Shqipëri, 1 në 3 maturantë duan të studiojnë jashtë, 95% e të rinjve që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në atdhe. Vetëm këtë vit akademik në auditore mungojnë 8 mijë studentë. Ndaj sollëm në Kuvend amendimin për buxhetin 2023, për t’i mbështetur financiarisht për periudhën janar-qershor studentët. Por ju as nuk denjuat ta shqyrtoni, aq më pak të arsyetoni por me forcën e kartonit e hodhët poshtë. Ndaj i jam drejtuar Ministres së Arsimit me pyetjen se përse studentët u përjashtuan nga paketa e solidariteti e sot nga e ashtuquajtura pako e madhe. Pse nuk u parashikua asnjë mbështetje për ta, ndërkohë që kostoja e jetesës është rritur?’- u shpreh Xhixho.

Ministrja e Arsimi Evis Kushi në përgjigje të saj qeveria ka ndryshuar qasjen e mbështetje studentore e shtoi se nga viti i kaluar është nisur një politikë të re për t’i mbështetur me bursa sa paga minimale, dhe përjashtim nga tarifat të gjithë ata studentë që plotësojnë disa kritere. Po ashtu Kushi nënvizoi edhe politikën për ndërkombëtarizimin që në thelb ka pikërisht mbështetjen për studentët.

‘Së pari të gjithë ata që janë ekselentë sot marrin 40 mijë lekë në muaj dhe janë të përjashtuar totalisht nga tarifat. Po kështu edhe studentët që kanë fituar olimpiada, e mbi të gjitha risia që ne sollëm me këtë politikë të re ishte mbështetja për studentët që ndjekin programet “prioritet kombëtar”. Për sa i takon inflacionit të luftës dhe paketës së madhe të solidaritetit. Natyrisht që qeveria dhe MAS kanë marrë një sërë masash edhe mbështetje direkte, por edhe mbështetje indirekte për studentët. Dhe e theksoj këtë, them mbështetje indirekte sepse të gjitha masat që janë marrë për familjet shqiptare, natyrisht janë edhe për studentët. Mund të mos jenë drejtpërdrejt për ta, por mbështetja që qeveria shqiptare u ka dhënë familjeve, rritja e pagës minimale, kompensimi i energjisë elektrike, rritja e pagave për mësuesit, për infermierët, për policët, për administratën publike, rritja e ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare, mbështetja për personat me AK, mbështetja për fermerët, nafta pa taksa, epo ashtu pakoja e madhe për vitin e ri janë mbështetje që u jepen familjeve përfshirë edhe familjet e studentëve.

Mbështetja jonë do të vazhdojë pa diskutim. Edhe politika jonë bazë, ndërkombëtarizimi në thelb ka pikërisht mbështetjen për studentët. Studentët falë ndërkombëtarizimit, falë programeve të studimit të përbashkëta dhe të dyfishta me universitetet më të mira evropiane por edhe botërore, do të kenë cilësinë më të lartë të arsimit, do të kenë vlera më të larta të tyre në treg, e natyrisht do të kenë një barrë më të ulët financiare për familjet e atyre që deri më sot i dërgonin studentët jashtë vendit për të studiuar në universitetet më të mira. Së shpejti edhe shumë universitete të tjera, ne i kemi në proces, do të kenë degët e tyre në Shqipëri. Tashmë vitin e kaluar filluar 19 programe studimi të përbashkëta dhe të dyfishta, që sigurisht janë një mbështetje e madhe për studentët, për familjet e tyre por edhe për të gjithë shqiptarët, sepse në fund të fundit ata studentë që deri dje shkonin studionin jashtë vendit për të patur cilësinë më të lartë, largoheshin nga Shqipëria. Ndërkohë që duke i mbajtur këtu ne kemi rininë që të studiojë në Shqipëri, të punojë në Shqipëri dhe të japë kontribut për vendin.’- tha Kushi.

Ora 11:32
Interpelancë në Kuvend/ Leskaj: Të përcaktohet minimumi jetik brenda 2023! Ministrja e Mirëqenies Sociale: Mbështetja e familjeve në nevojë është rritur

Përcaktimi i minimumit jetik ishte në fokus të interpelancës mes deputetit të PD-së Bujar Leskaj dhe ministres së Shëndetësisë e Mirëqenies Sociale Ogerta Manastirliut. Leskaj kërkoi nga ministrja që të përcaktohet minimumi jetik brenda vitit 2023 e për rrjedhoje kjo do të ndihmojë në hartimin e politikave për zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e politikave sociale.

‘Kam bërë një amendim që kishte të bënte me detyrimin e qeverise për të caktuar minimumin jetik. Unë kërkoja që brenda 6 mujorit të parë të 2023 qeveria të miratojë minimumin jetik. Fatkeqësisht propozimi nuk gjeti mbështetje. E mendoj dhe e kërkova qysh në dhjetor, por zhvillimet në Kuvend, janar shkurt, nuk e mundësuan që kjo interpelance të realizohej më shpejt. Ne duhet ta vendosim në fokusin tonë të vëmendjes përcaktimin e minimumit jetik zyrtar, brenda 6 mujorit apo brenda 2023. Minimumi jetik përdoret më pas si referencë për pagën minimale. Aktualisht mungojnë të dhëna zyrtare për minimumin jetik. Mungon niveli bazë i matjes së varfërisë. 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga mospasja ushqimore. Në BE rezulton që një ndër 5 persona ka premisa për të rënë në varfëri, kurse në Shqipëri 1 ndër 2 persona rrezikon që të bjerë në varfëri. Lufta kundër varfërisë ndodhet në një udhë pa kryer në Shqipëri. Minimumi jetik shërben si një udhëzues për politikat e qeverisë. Minimumi jetik duhet të jetë baza për përcaktimin edhe të ndihmës ekonomike. Pse qeveria nuk përcakton minimumin jetik? Ne duhet të ngrihemi në nivelin politik dhe të nisim procedimin zyrtar për hartimin e ligjit dhe përcaktimin e minimumit jetik. Qeveria e ka për detyrë juridike përcaktimin e minimumit jetik.’- tha Leskaj.

Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u shpreh vende të ndryshme operojnë në mënyra të ndryshme për të përcaktuar pagën minimale. Sipas ministres të dhënat e INSTAT të cilat janë gjeneruar sipas Eurostat kanë rezultatet e duhura dhe se efektiviteti i mbështetjes së familjeve në nevojë është rritur.

‘Vende të ndryshme operojnë në mënyra të ndryshme për matjen e minimumit jetik. Shqipëria ka të përcaktuar pagën minimale në rang vendi. Nga 1 prilli paga minimale bëhet 40 mijë lekë. Prej 2017 është realizuar dhe po realizohet anketa e të ardhurave të jetesës, ndryshe nga më parë kur statistikat ishin sporadike. Sipas të dhënave, të botuara nga INSTAT rezulton se shpërndarja e ndihmës ekonomike mbulon 82.5% për grupet që janë me vështirësi ekonomike. Skema e vjetër e ndihmës ekonomike, arrinte të mbulonte para reformës vetëm 22% të familjeve të varfra. Kemi një targetim shumë të mirë të mbulimit të personave që kanë më shumë nevojë nëpërmjet programit për ndihmën ekonomike. Nëse në 2013 kishim një mbështetje 96% mld lekë, në 2022 kjo mbështetje vjen e rritur me 58.8%, krahasuar me 2019 20% më shumë. Duhet më shumë dhe ne kemi indeksuar 2 herë pensionet dhe do të vijojë mbështetja për pensionistët. Gjatë 2022 kemi rritur me 20% për gratë me më shumë se 3 fëmijë. Fondi i ndihmë ekonomike për 2023 është 7.3 mld lekë. Mbështetja është shumë herë më e madhe se ajo që i referoheni ju. Në fillim të 2023 kemi mbështetur 1 mln qytetarë nëpërmjet pagës së madhe ku kanë përfituar 57 mijë familje me ndihmë ekonomike. Ka ende shumë punë për të bërë. sa i përket llogarive kërkohet më shumë punë, në raport me metodologjinë, me ardhjen në standardet evropianë, që të na japin të dhëna në cilësinë e vendosjes së minimumeve e standardeve të jetesë. Indikatori kryesor që na thotë ne për mbështetjen janë të dhënat e INSTAT me metodologjinë e Eurostat. Efektiviteti i mbështetjes së familjeve në nevojë është rritur. Ky besoj se është matësi më i mirë. Përllogaritja e minimumit jetik është llogari dhe unë besoj se thelbi i diskutimit është që të ardhurat të shkojnë atje ku ka më shumë nevojë.’- tha Manastirliu.

Përpos pagesave të programeve të mbrojtjes sociale, Ministrja Manastirliu foli edhe për mbështetjen me shërbime për kategoritë me në nevojë, siç është rimbursimi i barnave, përfshirja e fishave të diabetit në rimbursim për të moshuarit +65 vjeç etj, si elementë të rëndësishëm të mbrojtjes së grupeve më në nevojë, për reduktimin e pagesave nga xhepi dhe përmirësimit të standardit të jetesës.

Po sipas Leskajt, ministrja nuk ju përgjigj asaj që ai kërkoi, ndërsa theksoi se është i shqetësuar që vendi ynë është i vetmi në Europë që nuk ka legjislacion për minimumin jetik.

‘Nuk ju përgjigjet asaj që doja unë. Unë ju pyeta për minimumin jetik dhe jo për punën në ministrinë që ju drejtoni. Minimumi jetik është baza. Jam i shqetësuar sepse ne jemi vendi i vetëm në Europë që nuk ka në legjislacion minimumin jetik.’- tha Leskaj.

Ora 11:01
Bylykbashi: Të flasim urgjent për raportin e DASH, rikonfirmoi çfarë kemi thënë ne

 

Deputeti i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, tha se me raportin e fundit DASH rikonfirmoi deklaratat e opozitës për situatën në Shqipëri.

“Dhunimi i lirisë së medias, koncesionet skandaloze, dhunimi i zgjedhjeve, etj. Ka çështje më prioritare se kaq? Në kemi kërkuar ndryshimin e rendit të ditës në lidhje me raportin e DASH. Sot s’ka asgjë tjetër përveçse rikonfirmim të asaj që kemi thënë ne edhe nga raportet ndërkombëtare. Ky Kuvend këtu është vetëm një vulolës i shkeljeve”, tha Bylykbashi.

Ora 10:49
Mocion me debat për raportin e DASH, Balla: Përshëndes faktin që s’ka firmosur Berisha! Bëjeni sipas procedurës dhe hajde flasim! Të diskutojmë edhe për ‘non grata-n’


Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka thënë se mazhoranca mezi pret të diskutojë për raportin e DASH por kërkesa për mocion me debat duhet bërë sipas procedurës. Ai tha se Kuvendi duhet të diskutojë edhe për vendimin e SHBA për ta shpallur  ‘non grata’ Sali Berishën.

“Në kërkesë kanë përjashtuar nga firma krye ‘non grata-n’ tregon një reflektim në raportin me DASH. Kuvendi duhet ta vlerësojë dhe ta shqyrtojë në procedurë. Nuk kemi përpara një kërkesë për mocion me debat. Nuk ka ardhur një e tillë. Neni 98 përcakton qartë se si vjen kërkesë dhe cilat janë hapat e procedurës. Këtu ka një kërkesë për ndryshim në rendin e ditës për diçka që nuk ekziston. Nëse ju ka ‘ccuar nëna për me la gojën’ hajde bëjeni. Por në rast se doni vërtet bëjeni kërkesën sipas procedurës. Edhe ne duam të flasim për shumë gjetje të DASH. Ky Kuvendi duhet të ishte mbledhur për të diskutuar për vendimin e SHBA-ve për të shpallur ‘non grata’ një anëtar Kuvendi. Pra, për mocionin me debat nuk ka pasur një kërkesë dhe s’kemi ccfarë votojmë”, tha Balla.

Ora 10:40
Kuvend/ 'Rithemelimi' kërkon të futet në rend dite mocion me debat për raportin e DASH! Boçi: Qeveria ka kapur drejtësinë

 

Grupi i Rithemelimit ka kërkuar që të ndryshohet rendi i ditës dhe të futet një mocion me debat mbi raportin e DASH për Shqipërinë. Deputeti Luçiano Boçi tha se ai është nëj ndër raportet më të rënda për situatën në Shqipëri, ndërsa sipas tij tregon gjendjen e vërtetë të vendit tonë dhe tashmë qeveria nuk fshihet dot. Boçi tha se në raport theksohet kapja e drejtësisë nga pushteti.

"Kërkesa ynë për mocion me debat niset nga fakti që Dash është një nga raportet më të rënda ju do thoni që raportet janë të përvitshme, por si kësaj here rëndesa nuk ka qenë kurrë. Tregon qartazi rrëshqitjen e Shqipërisë drejt një autokracie idiote, theksi i raportit vihet te gjendja e lirisë së medias dhe kapja e sistemit të drejtësisë. Situata është ajo që pasqyron ky raport dhe nuk keni ku fshiheni. Gjyqësori i kapur nga qeveria, sikurse ulëritëse është gjendja e korrupsionit  e lidhur ngushtë me inceneratorët. Raporti përcakton 273 mln euro nga inceneratorët", tha Luçiano Boçi.

 

Kerkesa e rithemelimit
SI.E./A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Linda: 23/03/2023 15:49

    Po ta kishte kapur qeveria derjtesin sot nuk do ishit te ulur ne karriget e parlamentit.Nuk u lodhet duke shpifur kerkoni te beni debat per Dash qe akoma ska filluar pune mire.Do e tregoni veten ne cdo kohe sa te pa afte jeni politikisht.Komiteti Evropian erdhi dhe vleresoi gjithe ato suksese te arritura kurse ju shikokeni vetem shkaterrime.

    Përgjigju
  • MINUSHE: 23/03/2023 11:31

    PO PER NONGRATAT nuk ka fol DASH... KETA NUK JANE POLITIKANE PER ATE ZOT SHikojne vetem interesat e SB , KUR i vjen pershtat e permendin DASH KUR JO ...DASHin e drejton SOROSI

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kukës, procedohet një 45-vjeçar nga Kosova, tentoi të fuste nga Morina 24 900 euro të padeklaruara

Kukës, procedohet një 45-vjeçar nga Kosova, tentoi të fuste nga Morina 24 900 euro të padeklaruara