Sot Kuvend/ Votohet me 84 vota buxheti 2021, Rama: Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike gjatë pandemisë! Mos merrni ilaçe pa recetë! Paguam kaparin për të marrë vaksinën anti-COVID

TIRANË- Kuvendi u mblodh sot në seancë, ku prioritet ishte miratimi nen për nen i buxhetit për vitin 2021. Pas diskutimeve buxheti u miratua me 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenime. 

Fokusi kryesor i buxhetit është përballimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike. Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të prekur me COVID që të mos marrin ilaçe pa recetën e mjekut, pasi do të ketë efektin e kundërtën. Ai kërkoi që të kihet besim të mjeku i familjes. ndërkohë, Rama shtoi se do të dyfishohet ndihma ekonomike gjatë periudhës së pandemisë, teksa bëri me dije se është paguar kapari për të marrë vaksinën anti-COVID, si pjesë e marrëveshjes së COVAX.

Nga ana tjetër, ministri Lleshaj i thirrur në interpelancë tha se krimi në vend është ulur dhe janë goditur 30 grupe kriminale.

Në seancën e sotme u miratua dhe projektligji për disa ndryshime në ligjin për "Partitë politike" me 82 pro, 14 kundër dhe 3 abstenim.  Ndërkohë që Kuvendit miratoi edhe buxhetin faktik të vitit 2019 me 80 pro, 15 kundër dhe 4 abstenim. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:32
Votohet buxheti për vitin 2021, me 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim

Votohet buxheti për vitin 2021, me 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim.
 

Ora 13:11
Rama: Nëse ekspertët e shëndetësisë do na kërkonin trefishim të tamponëve, do i blenim! (VIDEO)

"Nëse do të na kërkonin shtimin e testimeve, do i blenim", kështu është shprehur kryeministri Rama nga foltorja e Kuvendit ditën e sotme për komitetin teknik të ekspertëve.

Ai tha se është zgjedhur një strategji tjetër nga ana e ekspertëve të shëndetësisë dhe se qeveria po i ndjek me përpikmëri.

"Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Në momentin kur ndjen simptoma të dyshimta por jo shqetësuese në pikën që të shkosh në spital, karantinohu dhe merr mendimin e mjekut të familjes. Autoritetet në Itali nuk të bëjnë tamponin nëse nuk ke simptoma të caktuara. Asnjë shtet, në këtë valë nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme. Tani janë frenuar duke u përpjekur të fokusohen aty ku janë fokusuar më herët. Kjo ka qenë strategjia e komitetit ekspert. Nëse do të na thonin që të merrni më shumë tampone do u blenim. Në fund të ditës ka vetëm një mënyrë për të gjykuar situatën. Sa viktima dhe raste ke. Nëse nuk je në gjendje alarmi për këto elementë, do të thotë që po bën një punë të mirë. Asnjë qeveritar nuk ka shkuar për kurim në Turqi" - tha Rama

Ora 13:01
Familjarë të Ramës të prekur me COVID? Kryeministri: Nuk shkojmë ne në Turqi! Nuk ka asgjë jashtë Shqipërisë që ne nuk e kemi (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer akuzat për opozitën, sipas së cilit në këto ditë të vështira duhet të ishte bashkë me shumicën për të përballuar këtë situatë. 

Në fjalën e tij, Rama la të kuptohej se dhe në familjen e tij ka pasur të infektuar nga COVID, por as ata, as ministrat e kabinetit qeveritar që e kanë kaluar apo po e kalojnë Covid-19, nuk kanë shkuar në Turqi.

"Ka një opozitë, ajo jashtë parlamentare që për fat të keq edhe njëherë në 100 kur bie një sëmundje mbi tërë botën dhe prek dhe Shqipërinë nuk gjen arsye dhe forcë morale për t'u bashkuar me shumicën dhe për të luajtur një rol konstruktiv, jo duke hequr dorë nga kritikat, jo nga detyra për të nxitur qeverinë në drejtimin e duhur, por mos të bëjë krimin e disinformimin e një realiteti. Është kriminale t'u thuash qytetarëve që spitalet janë në kolaps, mund të ishin, por nuk janë. Kam dëgjuar se bëhen vetëvrasje se bën zhurmë sistemi i oksigjenimit, absurde. Thonë që ka një zhurmë të barabartë me zhurmën e ngritjes së avionëve, kjo zhurmë është e njëjta në të gjithë botë se të njëjta janë apuraturat.  Nuk është vetëm këtu që ka të vetëvrarë në spitale, ka pasur edhe në vende të tjera dhe në asnjë vend tjetër nuk është hedhur përpjetë asnjë opozitë për t'ia faturuar këto fatkeqësi qeverisë. Ashtu si kundër, personeli shëndetësor në Belgjikë, edhe pse me COVID u urdhërua që të vazhdojë punën në spitalin COVID për shkak të shterimit të burimeve njerëzore, dhe këtë nuk e them unë, ky lajm u përhap me shpejtësi gjithandej dhe të tilla ka në të gjitha vendet. Për mos dhënë shembuj dhe të familjes tani për të thënë që nuk shkojmë ne në Turqi. Për një arsye të thjeshtë jo se nuk ka shërbim shumë më të specializuara në spitalet e Evropës kur vjen puna për sëmundje të veçanta por se në këtë rast me këtë sëmundje s’ka asgjë jashtë Shqipërisë që nuk është në Shqipëri, asgjë, as ndonjë protokoll të vecantë shoqëror, as ndonjë aparatur të vecantë as staf mjekësh me përkushtim që këta tanët nuk e kanë. Thonë që shkojnë qeveritarët në Turqi, nuk është e vërtetë, ne s’ndalojmë njeri të shkojë meqë rruga është e hapur por asnjë qeveritar s’ka shkuar në Turqi e janë disa që e kanë kaluar e po e kalojnë nga ministrat tanë covid, asnjë s’ka shkuar”, tha Rama. 

Ora 12:50
Rama: Do dyfishojmë ndihmën ekonomike për periudhën e pandemisë! Paguam kaparin për të marrë vaksinën anti-COVID (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të dyfishohet ndihma ekonomike për periudhën e pandemisë. Ai ka bërë me dije se kjo është një masë e domosdoshme, teksa shtoi se është paguar kapari për të marrë vaksinën anti COVID si pjesë e paketës COVAX.

“Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Sot në Lombardi, në rajonin më të pasur të Italisë, me shëndetësi ekselente, autoritetet shëndetësore nuk të bëjnë tamponin, nëse nuk ke simptoma të një grade të caktuar, por të thonë të qëndrosh në shtëpi. Vajtja me turravrap për të bërë tamponin te privati dhe për të paguar atje para, që shpenzohen në mënyrë të panevojshme, mund të shërbejë për të hequr një merak, por nuk ka lidhje me mënyrën e trajtimit të armikut në këtë luftë. Asnjë shtet sot që flasim, tani, nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme. Edhe shtetet që bënin testime, testime, tani janë frenuar, duke u përpjekur të fokusohen aty ku Shqipëria dhe disa vende të tjera janë fokusuar qysh në krye të herës. Jo se jemi më të zotë, por se kjo ka qenë strategjia e zgjedhur nga ekspertët tanë. Nëse Komiteti Teknik do na thoshte të blinim teste më shumë, normalisht që do t’i blinim. Siç gjetëm mundësinë të paguajmë naftëtarët, edhe pse nuk ishte një hall i krijuar nga ne. Siç kemi vendosur të dyfishojmë ndihmën ekonomike nga janari i vitit tjetër, patjetër që do ta gjenim mundësinë për të shtuar testet. 

Por në fund të ditës ka vetëm një mënyrë për të gjykuar situatën, sa të infektuar ke, sa fatalitete ke dhe sa shtretër ke në dispozicion. Nëse në këto të treja nuk je në gjendje alarmi, do me thënë se po bën gjënë e duhur. Nëse në këto të treja Shqipëria nuk është asgjëkundi në vendet që kryesojnë listat për të infektuar, të vdekur dhe kapacitete në shtretër, por është në një dispozicion që hyn te normale, atëherë tjerat janë asgjë. Mund të ndodhë në proces, nuk e dimë, por ndaj jemi përgatitur për më të keqen. Nëse numrat shkojnë përtej kapaciteteve, kemi spitalet rajonale, por sot nuk ka ndodhur. Edhe në rajonin tonë ne jemi me parametrat më lehtësues. Ne do të bëjmë gjithçka, të gjithë së bashku, që deri në fund të kemi një bilanc për të cilin të jemi të gjithë të lehtësuar me vetveten dhe me njerëzit, që bëmë gjithçka mundëm dhe Shqipëria doli nga kjo luftë me të gjitha pasojat, që çdo luftë sjell, por me asnjë pasojë më shumë se gjithë të tjerët. Kemi paguar kaparin për COVAX, kemi prenotuar për të marrë vaksinën. Jemi në komunikim të përditshëm me BE, unë kam pasur një bisedë të gjatë me presidentet e Komisionit", tha Rama”, deklaroi kryeministri Rama.

Ora 12:47
Rama: Mbështetje ekonomike për të prekurit që trajtohen në shtëpi! Besoni tek mjeku i familjes, mos merrni ilaçe që ju dëmtojnë (VIDEO)

Kryeministri Rama u bëri një thirrje qytetarëve të cilët shfaqin simptoma të koronavirusit që të bësojnë këshillat e mjekëve të familjes dhe të mos marrin ilaçe që u dëmtojnë shëndetin.

"Në masat e reja që do të hyjnë në fuqi në 1 janar, përveç investimeve në sektorin e shëndetësisë është dhe një masë që sot ka rëndësi. Rritja me 40 përqind e pagës së mjekëve. E bëjnë pagën e mjekut të Shqipërisë një pagë absolutisht të denjë dhe konkuruese me vendet e tjera. Ne ndërkohë në këtë buxhet kemi vazhdimin e një mbështetje që hyn në fuqi në ditët në vijim për të prekurit me COVID që kurohen në kushte shtëpie. Tu them qytetarëve se duhet t'i referohen besnikërisht mjekut të familjes dhe të gjitha këshillave që marrin nga urgjenca kombëtare dhe të mos marrin ilaçe e mos të shpenzojnë nga buxheti për të bërë dëm në shëndetin e tyre" - tha Rama.

Ora 12:46
Rama: Buxheti për shëndetësinë, rritja më e madhe në 30 vite! Spitalet në vitet e mëparshme me ato sot, si nata me ditën (VIDEO)

Kryeministri Rama foli në Kuvend për buxhetin e vitit 2021 ku preku më së shumti sektorin e shëndetësisë. Ai deklaroi se kjo është rritja më e madhe e buxhetit të shëndetësisë në 30 vitet e fundit. Duke bërë dhe një krahasim me spitalet e disa viteve më parë dhe gjendjen aktuale, ai thotë se ndryshimi është si nata me ditën.

"Masa të reja që do të qëndrojnë aty përtej vitit të ardhshëm. Qytetarët që preken nga virusi COVID-19 dhe ata që hyjnë në kategorinë me ndihmë ekonomike. Së pari rritja e buxhetit të shëndetësisë në vitin 2021 është rritja më e lartë në të gjitha këto 30 vjet për shëndetësinë në një buxhet të shtetit. Plus 23.3 %, një rritje e pandodhur më parë që siç e thashë lidhet me masat e reja që do të qëndrojnë aty qoftë edhe me fuqizimin e vijës mbrojtëse për të dalë kryelartë nga kjo luftë. Shqipëria nuk ka asgjë mangët nga gjërat e tjera. Sikur kjo flamë ta kishte gjetur Shqipërinë me spitalet kur ne morëm detyrën. Ishim në spitalin e Vlorës në sallën e re të reanimacionit, dallimi mes çka kemi sot dhe çka kishim dje ishte realisht dallimi i ditës me natën dhe i tillë është edhe në QSUT dhe në spitalet e tjera rajonale. Në spitalin e Vlorës në 2014 kishte vetëm 2 aparatura të vjetra të kohës së marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Sot linjat e oksigjenit, aparaturat që suportojnë trajtimin e pacientëve me oksigjen janë në të gjithë sistemin tonë të mbrojtjes kundër COVID" - tha Rama.

Ora 12:18
Andi Përmeti me COVID/ Hajdari nga Kuvendi: Shërim të shpejtë, mezi presim të të kemi në këtë sallë (VIDEO)

Deputeti i opozitës së re, Andi Përmeti po vijon betejën me COVID-19. Sot, Rudina Hajdari në emër të gjithë opozitës, nga foltorja e Kuvendit,  i ka uruar shërbim të shpejtë.

"I uroj Andi Përmetit një shërim sa më të shpejtë dhe mezi po e presim sërish në këtë sallë", tha Hajdari.

Deputeti Andi Përmeti 
Ora 12:06
Buxheti /Hajdari: Rama u tha qytetarëve 'kaloni ditën me 2 mijë lekë'! U dha 120 mln euro 12 oligarkëve (VIDEO)

Deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari ka akuzuar qeverinë se ka bërë një buxhet që favorizon oiligarkët dhe nuk i mbështet qytetarët. Ajo tha se në buxhetin e vitit 2021 u janë dhënë 120 mln euro koncesionarëve dhe vetëm 110 mln euro familjeve dhe bizneseve.

"Dua që sot të flasë për buxhetin, buxhet të cilin do e kalojmë sot, kjo qeveri dhe PS pretendon se është me politika të majta, por le ta shohim pak se kujt ka vendosur që t'ia shpërndajë këto taksa. E dini sa është ndihma totale që iu shpërnda familjeve dhe bizneseve, 110 mln eruo, e dini sa është fatura që të çojnë në llogaritë e koncesionarëve, 120 mln euro. E dini që këto lekë që qeveria ia ka shpërndarë qytetarëve, ata i kanë përdorur për të mbijetuar, ndërsa koncesionarët i përdorin për t'i shtuar llogaritë e tyre ofshore. Këto 120 mln euro do u shkon 12 vetave, pra gjatë 2020, ato që kanë marrë ndihmë ekonomike kanë marrë vetëm 2 mijë lekë të vjetra në ditë. Por çfarë mund të bëhet sot me 2 mijë lekë të vjetra, ne i kemi thënë qytetarëve që me 500-800 mund të bleni një bukë pastaj me 1200 mund të shtyni ditën në këtë kohë pandemia, më thoni si mund të shtyhet dita me 2000 lekë të vjetra. Ju i paguat koncesioneve më shumë se qytetarëve shqiptarë,  nuk i ka ndihmuar qytetarët. nuk është e vërtetë që kjo qeveri nuk ka pasur mundësinë ekonmike, se po të bësh një llogari të thjeshtë janë mbledhur mesatarisht 450 mln financime, vetëm BE na ka dhënë 50 mln euro plus 170 mln nga FMN, 180 mln prap nga BE, vetëm për përballimin e situatës, kemi marrë ndihma nga SHBA e Zvicra, rreth 50 mln euro ishin të destinuara për shëndetësinë, dhe pjesa tjetër për të ndihmuar ekonominë. Janë çuar për t'i ndihmuar koncesioneve që qeveria sot i ka vënë si prioritet, nëse qeveria do i kishte përdorur këto 400 mln euro ne do ia kishim dalë. Sot jo vetëm duhet t'iu jepni qytetarëve një pagesë dinjitoze, por do kishim ndihmuar edhe bizneset, nuk janë shfrytëzuar as 30% e garancisë sovrane", tha Hajdari.

Ora 11:49
Shalsi, Hoti dhe Elezi 'rebelët' e Kuvendit! Detaji i veçantë në maskën e Ahmetajt dhe Maliqit (FOTO)

Maska është kthyer në një aksesor shumë i rëndësishëm, i detyrueshëm, i ditëve të sotme. Në seancën e sotme plenare, deputetët shumica prej tyre kanë respektuar këtë masë të detyrueshme, por ka edhe nga ata 'rebelë' si deputetja Elda Hoti, ministri Eduart Shalsi si edhe deputeti Arben Elezi. Disa të tjerë kanë zgjedhur që të 'flasin' nëpërmjet maskës, ku ministri Arben Ahmetaj apo edhe deputeti Lefter Maliqi shfaqe me maskë ku kanë simbolin e shqiponjës.

Ora 11:46
Balla akuza PD-së: Financohet nga Rusia, drejtësia shqiptare dështoi të hetonte (VIDEO)

Duke folur nga Kuvendi mbi financimin e partive politike, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka hedhur akuza mbi financimin e PD-së.

Ai pretendon se demokratët financohen nga rusët dhe thotë se drejtësia shqiptare ka dështuar të hetojë lidhjen e tyre.

"Disa deputetë nuk e kanë kuptuar ligjin për partitë politike. Ne jemi të qartë që procesi i ndryshimeve kushtetuese tashmë 25 prilli na ndajnë vetëm pak kohë. I bëj thirrje partive politike që të garojnë tek gjykatësi që nuk gabon kurrë, popullin shqiptar. Për çështjen e financimit të partive politike. Ajo është një çështje që duhet forcuar legjislacioni. Nuk e kemi një ligj që garanton që partitë të mos financohen nga para me burime të paligjshme. Dështimi i institucioneve të drejtësisë shqiptare për të hetuar siç duhet rastin e financimit të PD-së të bëj publik me prova se si nga një kompani guackë në Edinbugh të Skocisë, persona të caktuar me origjinë apo me pasaporta ruse ua dhanë zemër për të financuar Lulzim Bashën është një fakt që sot nuk është hetuar, që sot përsëri është një sirenë alarmi se si parti politike mund të bien pre e financimeve nga vende që nuk janë aspak miqësore me Shqipërinë. Biem të gjithë dakord që Rusia nuk është një vend miqësor me Shqipërinë. PD është partia e dytë më e madhe në vend pas PS-së" - tha Balla.

Ora 11:42
Buxheti i vitit 2019/ Beqaj: Nxori vendin nga kriza, u rritën shpenzimet e familjeve të varfra (VIDEO)

Ish- ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj tha se buxheti i vitit 2021 jo vetëm që ka nxjerrë vendin nga kriza, po u ka dhënë mundësi familjeve shqiptare që të shpenzojnë më shumë për argëtim. Në fjalën e tij në Kuvend, Beqaj solli shifra, duke iu referuar INSTAT, sipas së cilit familjet e varfra kanë shpenzuar më shumë.

" Është rritur shpenzimet e familjeve të varfra, ky buxhet i 2019 që nuk duhet parë i vetëm, përveç se e nxori vendin nga kriza, arriti që duke rritur shpenzimet publike në shëndetësi e arsim, iu dhamë mundësi familjeve shqiptare për të shpenzuar më tepër", tha Beqaj.

Ora 11:40
Raporti i Dick Marty, Balla: Lufta për liri ka moral dhe është e ndershme! Procesi që çoi në miratimin e rezolutës filloi që në 2008

Kryetari i Grupit Parlaemntar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë se është në detyrimin moral të Kuvendit të Shqipërisë të qartësojë disa çështje që lidhen me Shqipërinë.

Sipas Ballës, mazhoranca e vitit 2011 në këtë vend, e cila ka votuar pro një rezolute për investigimet e pretendimeve për trajtim çnjerzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë.

Gjithashtu Balla në fjalën e tij theksoi se Lufta për liri nuk është kurrë krim luftë, lufta për liri është e pastër, ka moral dhe është e ndershme.

“Ne kemi detyrimin moral si Kuvend i Shqipërisë të qartësojmë disa çështje që lidhen me Shqipërinë. Kemi pasur mazhorancën e vitit 2011 në këtë vend, e cila ka votuar pro një rezolute për investigimet e pretendimeve për trajtim çnjerzor dhe trafik të paligjshëm organesh njerëzore në Kosovë. Proces i nisur me mocionin e një rezolute e vitit 2008, paraqitur nga një anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Konstantin Kosachev, përfaqësues i Federatës Ruse, Grupi Europian Demokrat. Pra procesi që çoi deri në miratimin e rezolutës të propozuar nga Dick Marty ka filluar prej vitit 2008 nga një deputet i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, përfaqësues i Federatës Ruse. Dhe në atë rezolutë të miratuar me datë 25 janar të vitit 2011, janë vënë çështje që lidhen me territorin e Republikës së Shqipërisë: Në Mat, në Has dhe në Kukës. Për sa i përket këtyre çështjeve në Republikën e Shqipërisë janë zhvilluar hetime nga institucionet e drejtësisë shqiptare, tërisht sovrane dhe legjitime, të cilat kanë arritur në përfundimin që në Shqipëri, as tek shtëpia e verdhë, as në Has e as në Kukës nuk ka pasur krime. Nuk ka pasur krime kundër njerëzimit dhe nuk ka pasur krime lufte. Ne si Kuvend duhet të vlerësojmë mundësinë e ngritjes së një Komisioni të Posaçëm i cili ti marrë bashkë të gjitha këto fakte dhe vetëm më pas, pasi të ketë definuar dhe përcaktuar një raport mund të shkojmë dhe tek një rezolutë që padyshim duhet ta denoncojmë përpjekjen për të bërë pis luftën çlirimtare ne Kosovë. Kush nuk e di dhe kush nuk e ka ende të qartë në kokë, duhet ta dijë. Lufta për liri nuk është kurrë krim luftë, lufta për liri është e pastër, ka moral dhe është e ndershme. Rroftë lufta Çlirimtare e Popullit të Kosovës”, deklaroi Balla.

Ora 11:30
Ligji për partitë politike, Murrizi: Nuk duhet të kemi parti fantazma! Ditën zihen e natën bëjnë atë që s'thuhet (VIDEO)

Deputeti i opozitës parlamentare, Myslim Murrizi duke folur nga Kuvendi tha se amendamenti i ardhur në parlament për financimin e partive politike është një hall i madh i pazgjidhur i 5 qershorit.

Ai bën thirrje për krijimin e një ligji real në mënyrë që të mos ketë parti fantazma por parti reale. Nuk kanë munguar dhe batutat nga ana e deputetit i cili shprehet se këta gjithë ditën zihen dhe natën bëjnë atë që s'thuhet.

"Koha ishte që të bëhej një ligj real për partitë politike. Amendamenti i sotëm i ardhur nga zonja Hysi është një hall i pazgjidhur i 5 qershorit. Shqipëria ka jë parti nga 41 e krijuar e Miladinit dhe Dushanit e që kaloi në duar deri tek Rama. U krijua në 91 dhe një parti tjetër. 136 parti politike të regjistruara janë treguesit më të mirë se çfarë forcash politike kanë qeverisur. Ju punësuat Besart Kadiun ndërsa ato nxorën dokumentin që e kanë shpallur armik. Partitë politike shqiptare nuk janë demokratike. Këta gjithë ditën zihen gjithë natën bëjnë atë që s’thuhet, kështu më tha një i moshuar dhe kjo është e vërteta. Një parti që tallet me garën. Ju nga 16 mijë kandidatë për deputetë kanë futur një sekretar të Lulit. PD ka 3 ditë që është ngritur në këmbë për Islamin. Do ishte mirë të kishte kurajo të bëhej një ligj real për partitë politike reale që të mos kishte parti fantazma" - tha Murrizi.

Ora 11:10
Propozimi i Vetëvendosjes/ Ralf Gjoni: Të bëhemi bashkë për kombin, të miratojmë rezolutën për gjenocidin serb (VIDEO)

 

Në seancën plenare që është duke u zhvilluar ditën e sotme e mori fjalën edhe deputeti, Ralf Gjoni. Ai foli mbi gjyqin ndaj ish-drejtuesve të UÇK në Hagë.

Gjoni bëri thirrje që palët politike të bëhen bashkë dhe të miratojnë një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

"Nuk ka mundësi që për shkak se kemi komplekse nga disa burracakë në BE që ne të përdhosim luftën e Kosovës, që ka qenë luftë e shenjtë për të mbrojtur viktimat e Milloveshiçit, ndaj gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ka ardhur koha që Tirana dhe Prishtina të flasin njëzëri, ka ardhur koha të mos ketë më kufi midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndaj z. Kryetar, këtë temë e ngrita pa qëllim. Ka një rezolutë shumë të vonuar të Parlamentit tëq Kosovës në vitin 2019 për dënimin e gjenocidit në Kosovë.  Ka një kërkesë nga LVV për një rezolutë të ngjashme.

Të ulemi të gjithë së bashku që të kalojmë një rezolutë të ngjashme për të dënuar gjenocidin që është bërë ndaj shqiptarëve. Ajo gjykatë speciale në Hagë është antishqiptare dhe nuk i shërben aspak interesave tona. Ne t'i bashkojmë forcat, t'i lëmë ndasitë dhe të bëhemi bashkë për kombin", tha Ralf Gjoni.

Ora 10:45
Interpelanca/ Deputeti Lita - Lleshajt: Je ministri më i dështuar, po të kishe moral ushtaraku nuk i ofendoje policët (VIDEO)

Në përgjigje të fjalës së ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, deputeti i Korab Lita u shpreh se  Shqipëria sot po kalon një nga periudhat më të rënda të sigurisë, trafiqeve dhe krimit të organizuar."Përballja me krimin bëhet e pamundur kur trupa policore nuk ka zinxhirin drejtues, që t'i mbrojë dhe të mos ndjehen të tradhtuar.

Ne e dëgjuam këtu z. ministër të Brendshëm që na paraqiti këtu operacione me emra shumë të bukur.

Sot kriminelët ju i keni miq, i keni shok, edhe kur i kapni ata në fakt dorëzohen vetë sepse e dinë që do të dalin pas disa muajsh. Lëri pallavrat elektorale se ti as ato nuk di t'i bësh mirë. Shqiptarët janë lodhur me pallavrat tuaja të rilindje.  Sot drejtuesit reale të policisë janë koordinatorët politikë të PS dhe kapot e krimit në zona. E gjithë trupa policore është kthyer në shërbim të kapove. Kryeplaku do t'ju ruajë territorin juve?

Ti je ministri më i dështuar që ka pasur ndonjëherë në Ministria e Brendshme. Nëse do të kishe pasur sadopak moral ushtarak kurrë nuk do ta ofendoje figurën e policit", tha ndër të tjera Korab Lita.

Ora 10:32
Lleshaj: Krimi në vend ka pësuar ulje! Në 2020 u regjistruan 44 vrasje, kemi goditur 30 grupe kriminale (VIDEO)

Në përgjigje të pyetjeve të deputetit të opozitës parlamentare, ministri Sandër Lleshaj ka renditur disa parametra dhe shifra ku sipas tij, ato paraqesin pasqyrën e kriminalitetit në vendin tonë.

Lleshaj tha se vrasjet kanë pësuar ulje që prej vitit 2013 ku në 2020, niveli i tyre për 100 mijë banorë është 1.7 në krahasim me vende të tjera të BE-së që e kanë 1.2.

"Në vitin 2019 janë regjistruar 58 vrasje dhe 44 në 2020. Niveli i vrasjeve për 100 mijë banorë është 1.7 nga 1.2 që është në BE. Krimi i armëmbajtjes pa leje ka pësuar rënie. Sa i përket çështjeve të sigurisë rrugore janë parë përmirësime. Në vitin 2020 kemi një ulje të madhe të viktimave të aksidenteve rrugore. Task forca merret me hetimin e krimit të organizuar ndërsa OFL merret me pasuritë. Në vitin 2020 janë goditur 30 grupe kriminale. Kemi bërë të mundur arrestimin e personave të grupeve famëkeqe kriminale" - tha Lleshaj.

Ministri vijoi dhe me punën e bërë nga OFL për të cilën tha se deri më tani janë referuar 1881 pasuri të nxjerra nga krimi.

Ndërsa dhe për luftën kundër kanabisit ai tha se këtë vit u asgjësuan më shumë bimë narkotike se sa një vit më parë.

"OFL i cili godet asetet kriminale vazhdon me intensitet të lart. Janë referuar 1881 pasuri të nxjerra nga krimi. Sa i përket kanabisit, dua tju them që lufta kundër saj ka shënuar rezultatet më të larta në 3 dekadat e fundit. Në vitin 2020 e ka shtuar nivelin e kontrollit në territor. 106 hetime proaktive janë zhvilluar nga policia këtë vit. Sivjet janë asgjësuar më shumë bimë narkotike se sa një vit më parë. Për 2020 autoritetet italiane kanë kapur 911 kg kanabis me origjinë nga Shqipëria. Dua tju them që ka vazhduar puna për konsultimet e policisë së shtetit. Për shoqërina Ilyrian Guard. Ju folët për një shoqëri private Ilyrian Security por nuk ka një të tillë. Ka një shoqëri aksionere me kapital shtetëror. Ilyrian Guard është krijuar për të ulur kostot dhe kemi rritur cilësinë e këtij shërbimi. Ajo ruan 370 objekte shtetërore, ka një staf shumë herë më të motivuar. Do tju ftoja që të pyesni punonjësit e saj dhe tju thonë se çfarë kanë ndryshuar. Të gjithë aludimet politike për to unë dua që t'i mohoj" - tha Lleshaj.

Ora 10:23
Nis interpelenca me ministrin Lleshaj, deputeti Lita i shtron pyetjet Lleshajt: Ia vlejti humbja e jetës së oficerit Ibrahim Basha? (VIDEO)

Në nisje të seancës së sotme parlamentare fjalën e mori deputeti i opozitës parlamentare, Korab Lita, si parashtruesi i intepelencës urgjente me ministrin e Brendshëm, kërkuar nga grup deputetësh.

Në fjalën e tij z. Lita, teksa renditi arsyet e interpelancës dhe parashtroi pyetjet për ministrin Lleshaj akuzoi se Shqipëria është shndërruar në një Lazarat në të gjithë territorin sa i përketë kultivimit të lëndëve narkotike.

Pavarësisht se Qeveria e rilindjes nuk e pranon faktet janë shumë të forta.  Qeveria shqiptare po e shfrytëzon më së miri pandeminë për të fshehur problemet e tjera.  Sado e rëndë të jetë pandemia është detyra e Qeverisë të mos heqë vëmendjen nga problemet e tjera.

Deri para pak vitet ishte Lazarati problemi i madh në vend.

Menjëherë pas ardhjes së kësaj mazhorancë në pushtet u organizua operacioni i madh kundër trafikimit të lëndëve narkotike, një luftë e cila rezultoi me një dëshmor që dha jetën, një oficer i policisë i rënë në krye të detyrës. Por duke parë se ç'ndodhi më pas me trafikimin e lëndëve narkotike ndonjëherë mendoj nëse ia vlejti kjo dhënie jetëm ndërkohë që Shqipëria u shndërrua në një Lazarat në të gjithë territorin", tha ndër të tjera z. Lita.

Ora 10:02
Nis seanca plenare! Në interpelancë Ministri Sandër Lleshaj mbi rezultatet e luftës ndaj trafikut të drogës, vrasjeve e grabitjeve

Nis seanca plenare! Në interpelancë Ministri Sandër Lleshaj i thirrur nga një grup deputetësh opozitarë.

Interpelanca është thirrur mbi rezultatet të luftës ndaj trafikut të narkotikëve dhe vrasjeve e grabitjeve.

E.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • materniteti falas: 16/11/2020 18:36

    Nuk vene per tu kuruar jo...shkojne vec per te lindur dhe per tu sheruar fsheftazi.

    Përgjigju
  • hermes: 16/11/2020 15:22

    kush kurohet ne shqiperi vdes, te tjeret qe kan leke vijne ne itali, keshtu qe ti je mashtruesi i kombit, je bere me keq se maloku

    Përgjigju
  • Pensionist: 16/11/2020 14:04

    Po mendo dhe per pensionistet ne qytet qe nuk kan asnje te ardhur tjeter pervec atij pension prej fukarai qe nuk i del as per ilace mor kriminel.Ti po i vret njerzit duke i len ne varferi,nuk ke nevoj ti vrasesh si Berisha ne shesh.Harram,te qoft dheu i rende

    Përgjigju
  • Fredi: 16/11/2020 12:26

    Po pse nuk e pyesni Kryemisirin per kapacitetet e spitaleve dhe faktin qe individe te rangut VIP, si kleriket fetare apo deputete, i dergojne neper bote per kurim? Ne shqiptaret te vdesim, ne meshire te fatit? Pyeteni dhe kerkojini llogari qeverise, palo deputete.

    Përgjigju
  • Turi: 16/11/2020 12:19

    Bravo politikaneve se kane hequr varferine ne te gjithe vendin njerezit po jetojne ne luks , ju do q.. e ropt te gjitheve plerat e kombit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Numërohen kutitë e para, kandidatja e VMRO-DPMNE udhëheq bindshëm

Maqedoni e Veriut/ Numërohen kutitë e para, kandidatja e VMRO-DPMNE udhëheq bindshëm